E enjte, 28.03.2024, 08:45 PM (GMT)

Mendime

ADNAN ABRASHI - (KEQ) KUPTIMI MË I MUNDSHËM I NOCIONIT “LOBIM”

E shtune, 11.10.2008, 08:57 PM


(KEQ) KUPTIMI MË I MUNDSHËM I NOCIONIT "LOBIM"

Nga ADNAN  ABRASHI

Kohën e fundit, e veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në zhargonin politik dhe publicistik të komunikimit, si termi më i përdorur në opinion tonë kosovar pa dyshim se ka qenë dhe është nocioni "LOBIM". Familjarizimi leksikologjik i përdorimit të shpeshtë të kësaj fjale, veçanërisht mund të hasësh tek funksionarët tanë të lartë shtetëror, ku nuk përjashtohet as Kryetari, Kryeministri dhe Ministri ynë i punëve të jashtme, e mos të flasim për zyrtarët tjerë edhe më të ulët të hierarkisë shtetërore. Ata, zakonisht para nisjes apo pas kthimit nga vizita në ndonjë shtet tjetër apo nga ndonjë kontakt multilateral ndërkombëtar, shpesh para mediave dinë të na japin deklarate pompoze se në atë "filan-fistek" takimi do të lobojnë, ose kanë lobuar, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Realisht, pa marrë parasysh se ça është biseduar në to, në asnjërën nga këto kontaktet të larta zyrtare shtetërore, nuk lobohet, por kryhen takimet e zakonshme dhe përfaqësimet protokollare bilaterale apo multilaterale të nivelit shtetëror.

LOBIMI dallon nga ndikimi i zakonshëm publik (AVOKIMI)

Njëra prej raporteve të komunikimit të ndërsjellët ndërmjet individëve si dhe grupeve më të mëdha njerëzish në një shoqëri quhet ndikimi publik. Ajo në vete ngërthen veprime të organizuara të qytetarëve dhe organizatave të tyre, të cilët me përdorimin e instrumenteve të përcaktuara demokratike formojnë dhe implementojnë standardet dhe rregullat të cilat do të na shpinë kah arritja e krijimit të një shoqërie më të drejtë. Ndikimi publik konsiderohet një proces shoqëror qëllimi themelor i të cilit është arritja e ndryshimeve të caktuara shoqërore. Ajo fillon prej një grupi të vogël njerëzish të cilët në mes veti ndajnë shqetësimin e caktuar rreth një problemi konkret shoqëror, dhe, këta, me qëllim të arritjes së këtyre qëllimeve të caktuara , janë të gatshëm që në këtë drejtime me devotshmëri më të madhe që t’ia kushtojnë kohën, profesionalizmin dhe resurset tjera disponuese që kanë. Ky lloj ndikimi ndërtohet nga një sërë aktivitetesh që ndërmerren dhe ato janë të orientuara kah ndryshimi i politikave të caktuara, praktikave ekzistuese dhe qëndrimeve të ndryshme në atë shoqëri. Ky lloj ndikimi, bukvalisht konsiderohet si presion demokratik i komunitetit në proceset vendimmarrëse politike shtetërore, andaj, jo rastësisht merret si pjesë integrale e sistemeve demokratike në botë. Në SHBA, Angli dhe disa shtete tjera të botës së civilizuar, ndikimi publik, konsiderohet si e drejtë e garantuar edhe me kushtetutë dhe ka të bëjë me një funksion tërësisht të dobishëm shoqëror me të cilin sigurohet transparenca më e madhe e fuqisë politike dhe efikasiteti i kontrollit të tyre nga shoqëria. Kjo formë, si metodë e përhapur e veprimit në praktikat e shteteve demokratike, është treguar njëkohësisht, edhe si arrimë e fuqishme në luftimin e mitos dhe korrupsionit në radhët e institucioneve shtetërore Pas lufte, kjo e drejtë e sanksionuar edhe me kushtetutë dhe ligjet tjera pozitive, është e garantuar edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Te ne në publicistikën kosovare dhe zhargonin më të popullarizuar, kjo formë e ndikimit dhe presionit publik në institucionet shtetërore, është i njohur si AVOKIM. Në të vërtetë, në praktikat tona kosovare, edhe kjo formë e ndikimit dhe presionit të brendshëm qytetar politik si AVOKIM, po ashtu keqkuptohet dhe ngatërrohet me termin LOBIM.

LOBIMI ose "fuqia e fjalës së artë"

Meqë, ndikimit publik dhe lobimi në dukje kanë një kuptim të njëjtë, ato në mes veti dallojnë, si nga natyra e veprimit, ashtu edhe për nga qëllimi i dedikimit Lobimi, në fakt është vetëm njëra prej teknikave të ndikimit publik. Në esencë, dallimi ndërmjet domethënies terminologjike të tyre është se: E para, në të shumtën e rasteve, konsiderohet si presion demokratik i opinionit, që bëhet përmes formave legale të organizimit dhe mënyrës së lejuar të ndikimit në organet e caktuara vendimmarrëse shtetërore, kurse e dyta, kryekëput mbështetet në fuqinë e bindjes autoritare dhe më tepër është e orientuar kah realizimi i interesave të caktuara në mes të një shteti konkret dhe shteteve tjera të ndikimit regjional apo globit në përgjithësi,. Shprehur në metaforë LOBIMI mund të përshkruhet si "arti i të bindurit" , ose "fuqia e fjalës së artë" dhe paraqet një sërë veprimesh, me anën e të cilave ndikohet tek vendimmarrësit autoritar legal që aktualisht janë në pushtet, apo te individ e caktuar prestigjioz , të cilët, realisht kanë ndikime indirekte në këto procese.

Në fakt, LOBIMI është komunikim kompleks i ndikimit, i cili kryhet me shkrim, gojë, apo me ndonjë formë tjetër specifike të veprimit dhe duhet të orientohet posaçërisht tek personat e fuqishëm autoritar që në atë rreth apo shoqëri konkrete gëzojnë një prestigj të lartë shoqëror.

Për nga qëllimit që duhet arritur me këtë formë të organizuar të ndikimit, si më të shprehura në praktikat botërore janë motivet me karakter ekonomik dhe politik.

Kjo ndarje kuptohet lehtë. E para orientohet kah realizimi i synimeve të natyrës ekonomike dhe bëhet ndaj qarqeve të caktuara të fuqisë financiare, kurse, e dyta , kryekëput për qëllime të natyrës politike dhe konsiderohet si më e përhapura sot në botë dhe për të cilën më së shumti investohet mundi dhe paraja nga shumë shtete të ndryshme.

Personat që e bëjnë këtë punë quhen LOBIST. Lobist mundet me qenë çdo individ i vullnetit të mirë, i cili, në rend të parë, është atdhedashës i sinqertë dhe patriot dhe këtë mision e kryen më tepër nga dashuria e madhe që ka për popullin dhe shtetin e vet. Ata nuk duhet të kenë qëllime të fshehta të ndonjë përfitimi material me këtë punë, prandaj, ata, edhe shpesh investojnë me donacionet e veta personale në këtë drejtim.

LOBIMI zakonisht kryhet në formë të kontaktit të drejtpërdrejt formal apo edhe jo formal. Kontakti formal nënkupton takimet publike zyrtare me personalitete të larta ku patjetër iniciohet që të marrin pjesë sa më shumë përfaqësues të medieve. Në anën tjetër, kontakti i drejtpërdrejt jo formal bëhet përmes darkave personale inkognito, përmes miqësimit dhe pjesëmarrjes në ahengjet private familjare të autoritetit të caktuar, dërgimit të dhuratave të shtrenjta, besa shpesh edhe financimit në prapavijë të kampanjës zgjedhore të atij personaliteti me ndikim në atë shtet

Si LOBIM jo formal ekstrem, konsiderohet edhe korruptimi i individëve të caktuar, por kjo më tepër bëhet në situatat tejet të radha, sepse, kjo taktikë e veprimit, gjithnjë në vete ngërthen rrezikun e zbulimit dhe anatemimit publik, në veçanti të rastit në të cilën më së shumti do të komprometohej vetë qëllimi për të cilën bëhet lotimi në fjalë. Përveç kësaj, njerëzit me fuqi ndikimi në vendimmarrje të caktuara globale janë njerëz të pasur, kështu që edhe ata vetë ata, do të jenë të pavullnetshëm që për pak para t’i qasen kësaj aventure të rrezikshme.

Nuk ka dyshim! Për një lobim të suksesshëm dhe të mirëfilltë, vërtet duhen para. Bile - bile shumë, por jo për korruptim të drejtpërdrejtë të individëve sikur zakonisht keqkuptohet kjo kërkesë në opinion tonë, por ato mjete duhet të shërbejnë për vetë shpenzimet e mëdha të procedurave parapërgatitore, përgatitore dhe vepruese për këtë punë.

Edhe pse kjo formë e ndikimit publik në një autoritet të caktuar politik konsiderohet si legale dhe e lejueshme, ajo zakonisht kryhet jo aq me zhurmë dhe në prapavijë. Ata persona apo grupe që e bëjnë me sukses këtë punë, shumë pak krekosen publikisht në opinion. (një hendikep ky më i madh për ne shqiptar)

Sikur pamë, elementet më të rëndësishme të lotimit në përgjithësi, janë kontakti dhe ndikimi. Por, si ti arrihen ato? Në rend të parë, me njerëz të aftë dhe profesional të cilët kanë një eksperiencë të duhur në këtë drejtim dhe shumë talent të lindur për këtë punë. Me qëllim e thash "shumë talent", sepse, personave të caktuar si lobist, përveç akademizmit të tyre profesional dhe eksperiencës së duhur, ju nevojitet edhe prirja e lindur karizmatike e ndikimit tek të tjerët. Ky element psikologjik si kriter duhet të jetë kuç në këtë rast, sepse, edhe pa ndonjë parapërgatitje të shquar akademike, një person që ka këtë aftësi, bënë punë të madhe në këtë drejtim.

Iniciativat për LOBIM në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet tjera të botës të cilët ende nuk e kanë bërë gjer më sot, kohën e fundit janë nisma aktuale dhe prezentë në Kosovë, por, fatkeqësisht vetëm si një aktivitet jo sistematik, i paorganizuar, i paplanifikuar dhe jo aq i rregulluar sa duhet .

Është kështu, sepse, edhe përpos ekzistimit të vullnetit të mirë në këtë drejtim, vetë bindja e jonë kolektive se dikush tjetër nga miqtë tanë të fuqishëm më së miri po e bënë këtë punë për ne, gjatë do të na mbaj në këtë "pat: pozicion. Dhe jo vetëm kaq! Xhelozitë tona patologjike individuale, ndasitë e ndryshme partiake, kapricet personale në mes të liderëve dhe personaliteteve tona të shquar publike... etj, të gjitha këto, më bëjnë skeptik se ne kosovarët mund ta mobilizohemi seriozisht dikur, për vënien me sukses në veprim të këtij proces tejet të rrënjësishëm të ndikimit politik ndërkombëtar në prapavijë.

Mjaftë bashkatdhetar tani në shumë shtete të botës, e veçanërisht në SHBA, edhe pa ndonjë strategji dhe kërkesë institucionale nga Kosova, moti janë duke e kryer tejet frytshëm këtë mision. Suksesi i tyre i madh në këtë drejtim, qëndron mu aty se, ata, këtë punë e bëjnë pa interesa materiale dhe personale egocentrike, por nga zemra dhe nga atdhedashuria e sinqerisht që kanë për Kosovën dhe shqiptarinë në përgjithësi.

Adnan Abrashi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora