E marte, 04.08.2020, 04:08 PM (GMT+1)

Komente

Edison Ypi: Qytet

E merkure, 08.01.2020, 08:22 PM


Qytet

Nga Edison Ypi

Në qiell nuk fluturojnë zogj. Nëpër pemë nuk dëgjohen cicërrima. Era nuk vallzon. Flladi nuk freskon. Me gjethet e vdekura nuk merret Poeti por fshesari. Shitësi i bulmetit është një veremli. Ndreqësi i bravave një derr. I veglave elektronike një skuth. Shqipen po e shkruajnë për ibret. Gazetat janë të palexueshme. Televizionet plot me rrena dhe hajvanllëqe që nuk shihen edhe po të kesh durimin e derrit. Librat nuk lexohen. Askush nuk di vargje përmendësh. Në kinema nuk çfaqen filma por zgjyra. Të merr malli të bësh një kompliment. Por nuk di cilës prej oqeanit të budallaqeve t'ja drejtosh. Edhe mund të martohesh por ke frikë se pjell bastarda. Ke dëshirë të ikësh në ndonjë katund, ku ajri është i pastër, frutat të shijshme, qumështi pa hile, natyra mahnitëse, ende kanë mbetur ca drurë pa u prerë, por nuk guxon se do jesh i vetmi dhe do të duket vetja budalla. Të gjithë sytë i kanë kah Roma, Milano, Parisi, Londra, askush nga katundet. Beethovenin, Vagnerin, Verdin, Shopenin, i ka zëvendësuar tallavaja. Pushkini, Tolstoi, Turgenievi, nuk lexohen se janë rusë. Prusti është i vështirë. Balzaku dhe Hygoi janë grafomanë. Respektin për të mëdhenjtë e historisë së botës e ka zëvendësuar frika nga i forti i lagjes. Nëpunësi, gjyqtari, polici, të shohin nga xhepi. Partitë janë kthyer në biznese. Idealistët janë shndrruar në fanatikë. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është harruar. Kosovarët po marrin arratinë nga qeverisja katastrofike e "çlirimtarëve" hajdutë dhe vrasës. Shoqërinë Civile e kanë zaptuar karaputanat. Administratën e ka mbytur nepotizmi. Ekranet japin soc-filma me partizanë dhe diversanta. Hidrauliku dhe elektriçisti, të rrjepin sikur ujin dhe korentin i kanë shpikur ata. Nuk blen dot asgjë po s'bëre pazar. Për shumicën e studentëve që mbarojnë fakultetet qëndra e botës është Zogu Zi. Nuk kanë asnjë ide ku bie Dumreja, ku buron Vjosa, ku ndodhet Puka. Burrin e ka zëvendësuar bashkëshorti, bashkëshortin dashnori. Kafenetë janë plot me kohëbjerrësa që nuk kuptohet nëse janë zbukuruar sepse janë budallallepsur apo janë budallallepsur sepse janë zbukuruar. Dyqanet plot me ushqime që hahen me ëndje por treten me vështirsi dhe të shpifin sëmundje. Frutat, sa më të rrumbullakëta, të lëmuara, me ngjyra të forta, aq më të pështira. Shiu vazhdon. Dimri ngrin. Behari djeg. Vjeshta vjen e modifikuar genetikisht. Pranverën e kanë dënuar me vdekje. Të rrish, nuk ja vlen. Të ikësh, zemra të pengon.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora