E premte, 28.02.2020, 06:48 PM (GMT)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: Yuval Noah Harari - 21 leksione për shekullin e 21

E merkure, 08.01.2020, 07:35 PM


SHEKULLI  XXI NUK ËSHTË ASPAK PËR ENTHUSIAZËM

(Yuval Noa Harari: “21 leksione për shekullin e 21”; “Botard”, Tiranë 2019)

Nga Adil FETAHU

Pas dy librave të tij: “Sapiens – historia e shkurtër e njerëzimit” (2011), dhe  “Homo Deus – histori e shkurtër e së ardhmës” (2015),  të cilat u bënë bestselerë botërorë, të përkthyera në më se 45 gjuhë e të shitura në më se 12 milionë kopje, - vitin që shkoi shkrimtari, historiani e profesori  herbrait Yuval Noah Harari botoi librin më të ri :“21 leksione për shekullin e 21”.

Derisa në dy librat e parë bënë fjalë për historinë e kaluar dhe të ardhme të njerëzimit, në këtë të fundit është fokusuar në të tashmën, në shekullin  e njëzetenjë, me një narracion  filozofik e psikologjik për fatin e njerëzimit në këtë shekull.

Libri është ndarë në  pesë kapituj:  1) Sfidat tekologjike; 2) Sifdat politike; 3) Dëshprimi dhe shpresa; 4) E vërteta; dhe 5) Ripërtëritja. Në këta pesë kapituj, ka shkoqitur me 21 tema të ndryshme, që autori i quan leksione për shekullin e 21, janë analizuar:  Shgënjimi, Puna, Liria, Barazia, Komuniteti, Qytetërimi, Nazionalizmi, Feja, Imigracioni, Terrorizmi, Lufta, Përulësia, Perëndia, Shekullarizmi, Drejtësia, Postfaktet, Fantashkenca, Edukimi, Kuptimi, dhe Meditimi.

Në librin e tij Harari analizon dhe jep shembuj të thjeshtë e konkret, se si njerëzimi po kalon nga panika në huti, nga ekspansioni i teknologjisë informative dhe bioteknologjisë, në të kuptuarit e jetës dhe të ardhmës së tij. Në kohën që po jetojmë, njeriu është gjithnjë më i brengosur për sfidat që e presin në këtë shekull. Zhvillimi i bioteknologjisë do të shndërrohet në një “bioinxhiniering”, ndërsa ai i teknologjisë informative në një “inteligjencë artificiale”, të cilat do të shkaktojnë ndarjen e njerëzimit në dy klasa: klasën e vogël të supërnjerëzve dhe klasën e shumicës dërmuese të njerëzve të padobishëm e të pavlefshëm. Dhe tërë  historinë e këtij shekulli e shpjegon me terma të caktuara.

Njerëzimi është i zhgënjyer në zhvillimet e deritashme të mbëshetura në mite e predikime fetare, kombëtare, ideologjike (kapitalizmi, fashizmi, komunizmi, liberalizmi). Në të gjitha sistemet, oligarkia duke prodhuar kriza e duke ua hedhur fajin të tjerëve, përmes mediave, i ka zgjatur jetën vetes.

Se njerëzit janë të zhgënjyer nga pabarazia, autori merr shembuj konkret. Bie fjala,  në Rusi 10% e njerëzve më të pasur, zotërojnë 87% të tërë pasurisë së Rusisë; apo 1% e më të pasurve të botës zotërojnë 50% të pasurisë së botës; 100 më të pasurit e botës, zotërojnë më shumë pasuri se 4 miliardët e njerëzve më të varfër (fq.74)!  Hendeku  i pabarazisë, midis të pasurve e të varfërve do të rritet akoma më tepër. Pabarazia ekonomike sjell edhe pabarazi biologjike. Globralizmi e bashkon botën horizontalisht, por e ndanë vertikalisht, shpjegon Harari.  Njerëzit do të bëhen viktima të reja të shtypjes dhe diskriminimit. Me zhvillimin e teknologjisë, do të mbetën pa punë qindra miliona punëtorë, do të shkaktohen tensione,  revolta e trazira sociale. Njerëzit do të preokupohen me nevojat e përditëshme, më parë se me ngrohjen globale.  Në situata të tilla, politikanët do të luajnë me emocionet e njerëzve, duke ua futur frikën  nga terrorizmi, imigrimet, ndryshimet klimatike, luftërat e tmerrshme biologjike dhe atomike.

Në civilizimin bashkëkohor, më shumë ka koflikte brenda të njëjtit civilizim, se sa me civilizimet aliene që ishin dikur, si në kohën e kryqëzatave e luftërave botërore.  Konfliktet janë rritur në baza nacionale, për shkak të ultranacionalizmave e shovinizmave, të cilat e konsiderojnë kombin e vet supreme dhe kështu vjen te imperializmi. Në këtë pikëpamje autori është mjaft kritik edhe ndaj kombit dhe shtetit të vet.   Përmes ekonomisë dhe tregtisë së lirë, me rregulla të përbashkëta, globalizmi i ka afruar civilizimet. Disa kauza janë bërë të përbashkëta për të gjitha civilizimet, të gjitha  kombet dhe të gjitha shtetet, për t’i përballuar sfidat  globale.  Por, derisa përmes teknologjisë informative jemi  të lidhur  dhe komunikojmë (virtualisht) me tërë botën, në pikëpamje fizike jemi më të ndarë, më të  vetmuar e më të izoluar se kurrë më parë.  Çfarë dobie ke që flet me mikun (virtual) në Australi, kur ai nuk mund të ta sjell një gotë ujë në rast nevoje, jep shemullin autori.

Feja nuk mund të nxjerrë vizione nga puset e thella të errësirës dhe traditës, veçse të lidhura me problemet e identitetit, krijon probleme politike dhe shton listën e diskriminimeve edhe me diskriminimin në baza fetare, gjinore, orientimit seksual etj. Edhepse fetë predikojnë besimin në Zot, shumë vrasje, therrje,  krime e terrorizma kryhen në emër të Zotit. Autori më tepër e preferon etikën e shekullarizmit e cila bazohet në ndjenjat dhe në përgjegjësinë për vuajtjet e njerëzve, sesa  në besime  dhe lutje.“Jemi në kurth, mes një shkëmbi dhe një humnere. Njerëzimi tashmë është i vetmi qytetërim dhe probleme  tilla, si lufta bërthamore, rrënimi ekologjik dhe teknologjia revolucionare mund të zgjidhen vetëm në nivel global.  Nga ana tjetër, nacionalizmi dhe feja ende e ndajnë njerëzimin në kampe të ndryshme, shpeshherë armiqësore. Kjo përplasje midis problemeve globale dhe identiteteve lokale manifestohet në krizën që po ndodh tash me eksperimentin multikulturor – Bashkimin Euroian. I ndërtuar mbi premtimin e vlerave liberale univerzale, BE-ja po shkon drejt shpërbërjes për shak të vështirësive me integrimin dhe migrimin” (139), thotë autori  Harari. Dhe vërtetë, kur flitet për migrimin, që është bërë problem aktual, janë shfaqur rryma e pikëpamje të skajshme në baza fetare, racore, biologjike, kulturore, asimiluese, toleruese e jotoleruese, paragjykime e sajesa denigruese ndaj imigrantëve, deri te frika nga terrorizmi i tyre.

Kur flet për luftërat, autori Harari vlerëson se ato gjithnjë janë bërë për përfitime: territori, resurse materiale, pozita strategjike, skllëvër dhe popullsi.  Luftërat kanë ndryshuar gjeografinë dhe historinë e botës, janë shuar perandori e  krijuar shtete të reja. Në tri dekadat e fundit ka pasur më pak luftëra pushtuese (përveç Krimesë). Megjithatë, janë në rritje tensionet kombëtare, fetare, kulturore, ndjenja e madhështisë dhe superioritetit kombëtar, të cilat  kërcënojnë me luftëra të reja kibernetike dhe atomike.

Në kohën tonë të realitetit dhe trillimeve, nga një xhungël e burimeve të informacioneve gëlojnë lajme, propaganda, dezinformata e gënjeshtra të ndryshme, mite e trillime të historisë  fetare e kombëtare. Këto janë bërë mjete efikase “në kutinë e veglave të njerëzimit” për të frymëzuar, bashkuar e mobilizuar masat, sikur që dollari i mobilizon bizneset. Në këso xhungle urbane, bota është bërë shumë e ndërlikuar për ndjesinë dhe menaxhimin e drejtësisë si ndjenjë morale,  e cila duhet të mbrojë një aset vlerash, duke e lidhur atë mbrojtje me shkak – pasojë. Nga ana tjetër, arsimi dhe edukimi sot i stërngarkon nxënësit me informacione të panevojshme, duke i hutuar me gjëra të pavlerë për kohën, kur me kërkime në Wikipedia apo në Google mund të gjejnë gjithçka që iu nevojitet. Ata duhet mësuar të mbledhin e sintetizojnë informatat nga burime të besueshme, për të krijuar tabllon reale dhe të përgatitën për tregun e punës, duke  mësuar katër aftësi themelore: të menduarit kritik; komunikimin; bashkëpunimin; krijimtarinë. Të rinjtë duhet përgatitur ta njohin veten e të dijnë çfarë duan për dy periudha të jetës: periudhën e nxënies dhe rinxënies së vazhdueshme, dhe periudhën e punës, ku iu duhet elasticitet mendor, sepse nuk ka gjasa që ta kalojë tërë shekullin e punës në një prfesion, derisa teknologjia përparon më shpejtë se që ne arrijmë ta kuptojmë.

Leksioni i fundit i Hararit, në librin “21 leksione per shekullin e 21”, bënë fjalë për meditimin dhe teknikat e shumta të meditimit.  Duket se autori pëlqen dhe  praktikon shumë meditimin, prandaj edhe e lavdëron dhe thotë se meditimi nuk është arratisje nga realiteti, por është kontakti me realietin, që i ka ndihmuar më shumë se ligjëratat nga Universiteti.

Në shpjegimin e “leksioneve” të tij autori shpesh bënë digresion nga tema, por atë e bënë në mënyrë elegante dhe tërheqëse, duke  marrë  shembuj nga jeta, se në çka duhet ta përqëndrojmë vëmendjen,  si t’i kuptojmë ngjarjet dhe fenomenet për të marrë vendime të duhura.  Nuk janë këto reçeta të gatshme, por janë tërheqje e vëmendjes  për ngritjen e vetëdijes së miliarda njerëve se çka i pret dhe si duhet të përgatiten për ndryshimet që do të ndodhin në  shekullin e 21,  ndërsa shekulli 22  do të jetë  akoma më i keq. Njeriut i ka mbetur vetëm një përparësi  kundrejt  teknologjive të këtij shekulli, e ajo përparësi është vetëdija, të cilën  deri tash nuk e kanë zotëruar algoritmet e kompjuterëve.  Në “21 leksione për shekullin e 21”, Harari na shpie në xhunglën e zhvillimit konstant të teknologjive, të cilat do ta ndryshojnë jetën tonë ekonomike, sociale, kulturore, politike e të sgurisë së kërcënuar nga të gjitha anët. Në shpjegimin e leksioneve të tij, autori paraqet shumë shembuj, nga më të thjeshtat deri te  ato më komplekset.

Edhepse prognozat që i shpjegon autori nuk janë aspak optimiste, ia vlenë të lexohet libri, sepse prej tij mund të mësohet shumë. Janë 32 faqe tekst i dendur vetëm me tituj të  burimeve dhe të  literaturës të cilat i ka konsultuar e shfrytëzuar autori për të shkruar këtë libër.

Shënim për autorin: Yuval Noah Harari është doktor i historisë, që ka specilaizuar historinë botërore (ka doktoruar në Oxoford). Është lektor në Universietin Hebre të Jerusalemit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT