E premte, 28.02.2020, 05:32 PM (GMT)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Agim i errët tek fusha e mëllenjave

E merkure, 08.01.2020, 07:24 PM


Agim i errët tek fusha e mëllenjave

Nga Alfred Papuçiu

Puna e palodhur është ligji i artit dhe i jetës, kurse arti është riprodhim krijues i realitetit. Për këtë arsye, shkrimtarët e mëdhenj, poetët e vërtetë nuk presin as porosi, as porositës; ata krijojnë sot, nesër dhe gjithnjë. Këtu e ka burimin zakoni për punë, lufta e vazhdueshme me vështirësitë, mbi bazat e të cilave lulëzon bashkimi i lirë i artistit me muzën dhe me forcat e veta krijuese. E tillë  ka qënë  edhe shkrimtarja zvicerane Anne-Lise Thurler, e cila gjatë jetës të saj të shkurtër, na dha tregime dhe romane që do ti rezistojnë kohës, për pathosin e tyre. Ajo gjeti kohë për të dhënë me ngjyra tepër realiste edhe jetën e një kosovari që kishte kaluar shumë peripeci në jetë, sidomos në vendin e tij, deri sa doli në dritë. “Agim i errët tek fusha e mëllenjave” është një rrëfenjë e forte, me dy zëra, e konceptuar nga shkrimtarja, me Selajdin Dolin, refugjat politik kosovar, në Zvicër. Kjo dëshmi dërrmuese dhe unike, për guximin e një njeriu përballë shtypjes, e çon lexuesin nga brigjet e lumit Drini, në shtigjet e papritura të rrugëve të mërgimit, duke kaluar nëpër vetminë e ngatërruar të burgut dhe lindjen tragjike. të një fëmije të parë. Përtej një biografie të thjeshtë, kjo histori e mbartur nga një shkrim poetik, me zërat e saj të shumëfishtë dhe nganjëherë imagjinarë, me imazhet e saj të forta dhe frymën e saj ëndërruese, lexohet me një frymë, si një roman.

« Të flasësh për Kosovën në një roman, është një përçapje, nga pikpamja perendimore, pothuajse origjinale. Kosova është një fjalë që nuk tingëllon në veshë si sinonim i lumturisë…Dhe megjithatë, Provinca, e përshkruar këtu- nëpërmjet tregimit të bashkëshortit të ri në kërkim të një vendi në diellin zviceran- duket tërheqëse, gjithashtu poetike ». Me këto fjalë e niste parathënien e tij, vite më parë, shkrimtari Ismail Kadaré për romanin e shkrimtares zvicerane, Liliane Perrin « Një i martuar pa rëndësi ». Kjo shkrimtare e shquar zvicerane, që kam pasur fatin e mirë ta njoh e të bisedoj disa herë me të për letërsinë dhe artin shqiptar, e shkroi romanin, e frymëzuar nga martesa e saj me një të ri shqiptar nga Kosova. Vitet ikin, Liliana e paharruar, nga Kantoni i Vaudit, romanciere dhe gazetare, bashkëpunëtore e Radio Suisse Romande, ku nuk mungonte të fliste edhe për shqiptarët, me respekt e dashuri të veçantë, nuk është më. Ajo iku në moshë pak a shumë të re, por la pas veprat e saj, romane të botuara tek shtëpia botuese « Gallimard » et « Metropolis », komedi e komedi dramatike, si ajo me titull : « Jeta e bukur » e përshtatur nga shqipja, si edhe biografi e dëshmi të shumta, përfshirë dhe kushtimin në librin e saj të bukur për shqiptarët : « Familjes së bashkëshortit tim nga Kosova, që siç duket nuk do ta shoh kurrë »….

E bëmë këtë digresion për të treguar se krahas atyre « qoftëlargëve » që vetëm kanë si synim të ndërmarrin anatema dhe sharje ndaj shqiptarëve, një populli me histori të lashtë, gjuha e të cilit është një nga 9 gjuhët indo-evropiane, që ka mbetur e paprekur, si edhe karakteri i vetë banorëve autoktonë shqiptarë, janë sa vjen e më tepër ata shkrimtarë, gazetarë apo qytetarë perendimorë, që flasin me realizëm për Shqipërinë, Kosovën e shqiptarët. Ashtu siç kanë bërë shumë vite më parë Georges Gordon Bajroni, Edith Durham, Julien Emery, vitet e fundit kanë shkruar edhe zviceranët si Liliane Perrin, Francine Koch, Jean-Philippe Assal, Marie-Luce Dayer, Marcel Cellier, Pierre Barde etj., që respektojnë shqiptarët. Kjo është një shenjë dinjiteti dhe emancipimi.

Këtë ndjenjë pata edhe kur lexova librin e shkrimtares Anne-Lise Thurler me titull: « Agimi i errët tek fusha e mëllenjave », të cilin së shpejti do ta sjellim në gjuhën shqipe. Ky libër që u paraqit me sukses me rastin e festës sonë kombëtare, e ka nismën nga takimi i Selajdin Dolit nga Gjakova,  me shkrimtaren Anne-Lise Thurler. Ai është shkruar me vërtetësi dhe humanizëm, është si një biografi përfaqësuese e mijra e mijra shqiptarëve nga Kosova, të cilët si rezultat i dhunës dhe torturave të pësuara nga pushtuesit serbë, u detyruan të shkojnë në mërgim për të patur një jetë më të mirë për familjet e tyre. Selajdin Doli që është dhe bashkëautor i librit, i torturuar dhe i burgosur për vite të tëra, mbasi u lirua, u vendos në Zvicër me të shoqen dhe djalin e gjymtuar.

Libri « Agimi i errët tek fusha e mëllenjave » është një tregim i arrirë, ku autorët flasin për vuajtjet e një populli martir. Siç shprehet vetë shqiptari nga Kosova Selajdin, «  fusha e mëllenjave është një vend i njohur mirë në Kosovë. Një betejë që u zhvillua në kohën e Perandorisë Otomane ». Ndërsa shkrimtarja Anne-Lise Thurler thekson : « Ndërkaq, nënat shqiptare mendonin se shpirtrat e djemve të tyre shndroheshin në mëllenja »…Libri përshkruan rrugën e ndjekur nga shqiptarët si Selajdini plot me vuajtje, por edhe me gëzime. Aty ndërthuren e kaluara dhe e tashmja, nëpërmjet tregimit të vetë shqiptarit, dhe sidomos çastet më prekëse të jetës së tij. Kapitujt e librit përmbajnë kronika të dy bashkëbiseduesve të përfytyruar, një komandanti policie dhe një mësuesi. Këto personazhe janë krijesa e vetë shkrimtares zvicerane ku ndërthuren tregime dhe fakte historike që ajo i mblodhi gjatë vizitës së saj në Kosovë. Përshkrimi realist i mjedisit shqiptar shpreh një ndjenjë përgjegjësie dhe respekti të autores për vendasit. Vetë Selajdin Doli ëndërron një agim më të ndritur… »Ëndërra ime u bë realitet » ; shprehet ai me rastin e botimit të librit në Zvicër tek shtëpia botuese « Clé de Sel ». Libri ka 242 faqe dhe mund të themi me bindje se hyn tani së fundi në fondin e veçantë të bibliotekës së autorëve të huaj për shqiptarët.

Pas leximit të librit, më vijnë ndërmend fjalët e Ismail Kadaresë, në tetor 1992,  i cili në parathënien e  romanit të Liliane Perrin ka shkruar ndër të tjera : « Realiteti kafkajan dhe i përditshëm i këtyre të rinjve shqiptarë të Kosovës që përpiqen t’i shpëtojnë me ikje dhe migrim fatit të keq të një populli që nuk duket se mund të imponojë vendin e tij të ligjshëm në hartën e Ballkanit dhe të Evropës. I vetmi komb i kontinentit të vjetër i ndarë në dy, që është akoma përballë Golgotës së tij ». Dhe më tej shkrimtari vazhdonte : « Nëse këto faqe të shquara janë larg çdo ambicje apo zhargoni politik, ato shkojnë më larg se sa një trillim i thjeshtë, më larg se sa një takim pa të ardhme ».

Libri « Agim i errët tek fusha e mëllenjave” i përngjan si dy pika uji realitetit të shprehur tek « Një i martuar pa rëndësi », pasi paraqet realitetin e hidhur të mijra e mijra vëllezërve kosovarë që u detyruan për shkak të terrorit, si dhe luftës mizore, të lenë tokat e tyre amtare, por që një ditë, do të mund të kthehen me optimizëm, siç kanë vepruar familje të tëra që tashmë kanë filluar një jetë të re, jo pa mundime, por me rreze shprese, në Kosovën e tyre martire.

Anne-Lise Thurler, e lindur në Fribourg në 1960, jetonte afër Lozanës. Një udhëtare e  shkëlqyer, ajo shkoi nëpër botë, përpara se të studiojë shkencat politike në Lozanë. Shumë aktive në organizatat humanitare, ajo është gjithashtu një tregimtare. Ajo ka botuar dy vëllime me tregime të shkurtra, Skena të vdekjes së zakonshme (1994 - Prix Schiller 1995) dhe Fëmijëria e  harruar (1998), si dhe dy romane, Krokodili nuk e ha pangolinin (1996) dhe Lou i lumit (2000), një histori me diell që ngjall lidhjen e thellë, duke bashkuar një vajzë të re në një lumë, i cili bëhet një nga personazhet qendror të librit, me gurë dhe pyll. Ajo ka botuar gjithashtu disa libra për të rinjtë, përfshirë Fantazia (2000).

Eshtë një figurë e vazhdueshme në letërsinë  frankofone, e cila personifikohet në personin e Anne-Lise Thurler,  shkrimtare e tregimeve të shkurtra, historia e fundit e së cilës u shfaq në Zoé, në Prill 2007, nën titullin « Vajza e ballkonit » qe do të mbetet si një nga veprat e tij më të suksesshme, më  e ndjeshmja dhe më e hapura për të kuptuar tjetrin. Pas vdekjes së nënës së tregimtares, në të flitet për përpjekjen që duhet të bëjë ajo për të gjetur, megjithë vitet e keqkuptimit dhe keqtrajtimit, atë që  tashmë i ishte afruar, gjatë viteve të fundit të jetës së saj. Me një kthjelltësi të qartë, me nuanca  butësie, Anne-Lise Thurler na shpalos, në këtë libër të fundit të botuar, një talent gjithnjë të ushqyer nga jeta. Anne-Lise Thurler udhëton në botë përpara se të fillojë studimet e shkencave politike në Universitetin e Lozanës, ku më pas punon si asistente. Shumë aktive në organizatat humanitare, Anne-Lise Thurler shkruan tekste për revista. Një specialiste për forma të shkurtra, ajo boton dy vëllime me tregime të shkurtra, Skena nga vdekja e zakonshme (1994) dhe Fëmijëria e humbur (1998). Anne-Lise Thurler ka disa romane  të botuaara, si Krokodili nuk e ha pangolinin (1996) dhe Lou i lumit (2000) në të cilat shkrimtarja përshkruan lidhjen e thellë që bashkon një vajzë të re dhe një lumë.

Anëtarja e shkrimtarëve zviceranë të grupit Olten, Anne-Lise Thurler ka shkruar gjithashtu disa libra për fëmijë, mes tyre Fëmija dhe Pangolini në Tokën e Krokodileve (2000). Në vitin 2007, Anne-Lise Thurler publikoi Vajza në ballkon, në të cilën foli për marrëdhëniet e vështira nënë - bijë. Ajo mbetet një shkrimtare e dashur për lexuesin. E rrëmbyer nga sëmundja, para pesëdhjetave (ajo lindi në 1960 në Fribourg dhe jetoi në Mont-sur-Lausanne me dy fëmijët e saj të vegjël), Anne-Lise Thurler u largohet, atyre që e njohën, me kujtimin e një bukurosheje, person rrezatues dhe bujar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT