E enjte, 18.04.2024, 06:28 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Rrota e Ujit, një shtjellim i rrallë i të kaluarës kosovare

E merkure, 08.01.2020, 10:15 PM


Rrota e Ujit, një shtjellim i rrallë i të kaluarës kosovare

Nga Elvi Sidheri

Duke i kërkuar të falur së pari vetes për mosnjohjen më përpara të këtij romani dhe autores së tij, diku pas disa faqeve të para të romanit Rrota e Ujit nga autorja Resmije Kryeziu, shpejt arrita të vetëdijësohem për faktin e pakundërshtueshëm se kisha të bëja me diçka befasuese...

Jo se libri nuk priret të jetë përgjithësisht i këtillë, domethënë befasues, ngaqë në mungesë të kësaj ndjesie të shkaktuar shpresueshëm te lexuesi, i çfarëdo formimi dhe niveli kulturor e intelektual ai/ajo qoftë, atëherë vetëkuptohet që vepra letrare zhvishet nga njëra prej vetive të saj parësore, befasimit, shtangies, shkaktimit të ndjesive të reja, përvojave letrare, përfytyrimeve përtej kohës e hapësirës, që vetëm libri arrin të na falë, prej shekujsh e mijëvjeçarësh, qyshkur njeriu vendosi të sajonte shkrimin e t’i mishëronte përmes kësaj forme të të shprehurit ndjenjat, ngjarjet e sendërtimet e tij mendore, jetësore e shpirtërore.

Për këtë arsye, me kalimin e kapitujve, personazheve që shtoheshin e ndërthureshin mjeshtërisht faqe pas faqeje, gjeta gjithmonë e më tepër material në mbështetje të përshtypjes fillestare lidhur me këtë libër, që më pati shtyrë të mendoj me bindje të patundur se bëhej fjalë për një krijim krejtësisht njësor në të gjitha tiparet e tij, nga ana gjuhësore, përmbajtja, ngjarjet e shtjelluara, karakteret e personazheve, dritëhijet e kohës, epokës dhe mendësive të përvijuara nga fillesat e gjer në rreshtin e fundit të romanit.

Gjithçka e sendërtuar rrjedhshëm në shumësinë e frymëzimeve të shkrimtares dhe mesazheve lapidare të përçuara në këtë vepër që përbën një apogje letrar të njëkohshëm për autoren e tij dhe lexuesit gjithaq, në një simbiozë të vetvetishme ku pleksen shtysat e krijuesit dhe lexuesit krejt natyrshëm, pa patur asnjë ndasi të dukshme midis botës së autores dhe ëndjes letrare të lëçitësit të etur për letërsi të nivelit të epërm.

I këtillë është ky libër, një krijim që të grish pareshtur, që ta harlis përfytyrimin, që ta lartëson shijen letrare, që ta ngjall dëshirimin ndijor duke të shndërruar në spektator të gjallë të tregimeve të së kaluarës krejt të prekshme që trajtësohet brishtësisht përgjatë rrjedhës së faqeve të këtij romani, porsi një lumë i paqtë që dikur arrin brigjet e oqeanit.

Duke na shpënë edhe ne lexuesit, rrjedhimisht, pikërisht drejt grykëderdhjes përfundimtare të lëvrimit të autores, ndërkohë që kemi kapërcyer dhjetra stacione vegimtare, ku na janë shpërfaqur vitet e trazuara të Rrafshit të Dukagjinit në Kosovë, Gjakova, Peja, familjet e fisme, gjindja e thjeshtë e këtyre trevave shqiptare, andrallat pafund, epikat, magjiket, magjepsja, ëndërrimtarja, e mirëfillta dhe fanitjet e realitetit të shkuar që autorja ravijëzon besnikërisht në këtë roman.

Hasim në një vargan të larmishëm njerëzish: secili me njëtrajtshmërinë e vet, qoftë i kamur, i fisëm, tradhëtar, patriot, shovinist, shqiptar a pushtues, i majtë a i djathtë, qytetar a katundar, me kulturë a i pagdhendur; kohësh: qofshin vitet e Rilindjes së Mbrame, vitet 30 të shekullit të kaluar, vitet e Luftës së Dytë Botërore, e sidomos vitet e shtypjes mizore serbomadhe, veçanërisht kundër elitës kulturore e patriotike shqiptare në Kosovë; situatash: ku përfshihen ngjarje të një larmie të lakmueshme, përmes një ylberi ndodhish, ku shkrihen e formësohen sipas rastit, tërë yjet qiellorë e të rënë nga yjësia e trevave, njerëzve, episodeve, tregimeve, kujtimeve, frymëzimeve të epokës së përshkruar nga autorja.

Një roman që karakterizohet nga një atmosferë që ngërthen Realizmin Magjik të shkrimtarëve të mëdhenj të Amerikës Latine, nga Garcia Marquez, te Isabel Allende, etj, me frymë, ngjyrime, dhunti shqiptare, gjithçka e sendërtuar me frymën burimore të Resmije Kryeziut si shkrimtare dhe rrezatimet krejt origjinale të papërsëritshme të realitetit shqiptar, të Pejës e Gjakovës dhe pikërisht viteve kur jetësohen ngjarjet e personazhet e këtij romani, shtjelluar me një frymë vegimesh në kohë e mendësi, që e përçojnë lexuesin në një kllapi letare faqe pas faqeje.

Por, gjë tejet e rëndësishme kjo, në romanin Rrota e Fatit, do të thoja se kemi të bëjmë me një Realitet Magjik të përveçëm, jo thjesht një Realizëm Magjik, si pasojë mirëfilli e ndërthurjes së të vërtetës historike, me magjiken e vegimeve ëndërrimtare të tregimeve familjare, qytetare e popullore gjakovare e pejane, ku përherë spikasin gjurmët e shqiptarësisë më burimore, vulë e paçmueshme e vlerave të këtij romani që shënon një hop cilësor në udhën e pjekurisë të letrave shqipe, në Kosovë e Shqipëri.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Princesha Iliro-Maqedonase Cynane, Amazona e vërtetë Elvi Sidheri: Një Golgotë për t’u lexuar, në frymë Krishtlindjesh në diktaturë Elvi Sidheri: Kur libri shndërrohet në pasion jetësor Elvi Sidheri: E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak Elvi Sidheri: Ndjesia e pështirë e inferioritetit kulturor ndaj sllavëve Elvi Sidheri: Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë? Elvi Sidheri: Panairi i pafytyrësisë Elvi Sidheri: Përpjekja e mbretit ilir Klitit për të mposhtur Aleksandrin e Madh Elvi Sidheri: Hakmarrja e Aristotelit ndaj helenëve, falë Aleksandrit të Madh Elvi Sidheri: Shqiponja dykrenare arbërore dhe Dragoi rumun Elvi Sidheri: Ndikimi i PPSH shqiptare ndaj komunistëve militantë në Brazil Elvi Sidheri: Etërit e kulturës maqedonase (bullgare) me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Presidenti i ri (pjesërisht) arbëresh i Brazilit Elvi Sidheri: Pikëtakime të vyera shqiptaro-bullgare të fillimit të shekullit XX Elvi Sidheri: Luftëtarët shqiptarë në skajet e Rusisë mesjetare Elvi Sidheri: Shqiptarët ortodoksë të Ohrit dhe ati i letërsisë moderne maqedonase, me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Orvatja për ngritjen e një Kishe Ortodokse Shqiptare në Stamboll dhe vallja greke Sirtaki, me rrënjë shqiptare në metropolin turk Elvi Sidheri: Shqipëria e Vogël në stepën e pamatë të Azovit Elvi Sidheri: Gjuha e fshehtë 'Meshtrovski' e muratorëve bullgarë, një dialekt i panjohur i shqipes Elvi Sidheri: Shqiptarët e rajonit të Odesës në Ukrainë, një gjurmë tjetër e mërgatës mesjetare shqiptare

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora