Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Biznes

| E marte, 07.01.2020, 07:02 PM |


Biznes

Nga Edison Ypi

Mbi trotuarin e “Bankë”-s, shitet “Bar Miu”. Rrëzë murit të “Change”-it tregëtohet “Far Djathi”. Anash vetrinës së “Fustane Nusërie”, janë nderë të mbathura. Dyqani i frutave mban tabelën “Mish Derri i Freskët”. Në “Farmaci” mund të hyhet vetëm nëpërmjet derës së dyqanit ku shiten "Patate me shumicë". Para një “Cash Point”-i mbajnë rradhë për të tërhequr pare; një me mustaqe, një tjetër pa dhëmbë, një ushtarak, një hunderr, një me vrragë thike në faqe. Në një dyqan shiten njëkohësisht oriz, sheqer, shapka kineze, patate, makarona, kopertona bicikletash, vajra makinash. Tek “Travel Agency” luhet "Bilardo" dhe vihen "Baste Sportive". “Këpucë të Vjetra” rrinë varur mbi ca arka me presh. Ngjitur me preshët dy qingja leshbardhë po blegërijnë se e kanë nuhatur që pas pak do theren. Brenda një guve të errët të quajtur “Ëmbëltore”, kërrusur mbi pjata dhe tasa, nja pes a gjasht të uritur po kullufisin male mishi shoqëruar me pilaf dhe kos. "Qilima"-t e varur në trotuar mbulojnë gjysmat e tabelave “Telefona Celularë" dhe "Orëndreqës”. Trotuari i “Elektroshtëpiake”-ve plot me hekurishta të ndryshkura. “Klinikë Dentare” ka vetëm tabelën, s’dihet se ku ndodhet. “Sallon Bukurie” dhe “Shërbime Funerale” i ndan një derë e vogël dërrase mbyllur me lloz që s’merret vesh ku të degdis. Një kamion i ndalur, shoferi i të cilit ka ikur në drejtim të paditur, është futur së prapthi në një si magazinë. Një e treta e kamionit brënda në magazinë, pjesa tjetër ka bllokuar trotuarin dhe gjysmën e rrugës. “Dyer të Blinduara” ka blinduar veten brenda një rrethi rrogozash vertikalë mbështjellë si cilindra. “Fotograf”-i mban në gjirin e vet; “Internet Kafe”, “Lojra Kompjuterike në Rrjet”, “Punime Duroalumini”. “Fizioterapist”-i ka; sipër një “Class Restorant”, nga e majta një “Picaso Bar” nga e djathta një “Gëlqere”. Tek “Berber”-i edhe mund të rruhesh, të qethesh, apo të bëhesh synet, por me pak vështirësi, sepse brenda hyn tymi i pjekjes dhe aroma e pulave hungareze që po piqen në hell në lokalin ngjitur. Një Golf 4 me 8 veta në bord duke provuar të hyjë mbrapsht në një garazh, gjatë manovrës hedh përtokë një motoçiklist pa kaskë. Nga karroceria e një kamioni të vjetër bien me zhurmë mbi asfalt një katarakt me arka bosh.