E premte, 19.04.2024, 03:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: "Harta" e mirënjohjes

E shtune, 04.01.2020, 11:10 AM


"Harta" e mirënjohjes

(ese)

Nga  Përparim Hysi

Nuk ka ndjenjë  më të bukur se mirënjohja. Mirënjohja është tipar i njerëzve me dinjitet. E kundërta e mirënjohjes, është mosmirënjohja. Nga mirënjohja tek mosmirënjohja është veç një pe i hollë që i ndanë. Se sa vlerë ka mirënjohja për njerinë,e ka thënë me kohë IMMANUEL  KANTI:- Mosmirënjohja është më e liga e poshtërsive! Pak më vonë se KANTI. LUDWIG van BEET'HOVEN , të cilit ia hëngri shpirtin i nipi duke u treguar mosmirënjohës për gjithë atë kujdes e dashuri që tregoi BEET'HOVENI për të, e la  me shkrim postulatin:- Po bëre mirë, do ta paguash me lot!!!

*    *    *

Pak nga pak, dua ta ndërtoj "hartën" e mirënjohjes me shembuj nga historia e letërsia dhe nga përvoja ( tani po shkoj drejt të tetëdhjetave dhe më kanë parë sytë jo pak). PUSHKINI tek "Vajza e Kapitenit" ka një fragment ku reklamohet mirënjohja. Saveliçi, çifuti që i shërbente Zotnisë, i thotë PUGAÇOVIT, ku ky, rebel ndaj Carit,po i vinte në satër pronarët:- E harrove atë peliçen prej lëkure? Dhe zemra  e"rebelit" PUGAÇOV u zbutë. NIKOLLAJ  GOGOL tek "TARAS BULBA" ka dhe ky një rast të madh mirënjohjeje. TARAS BULBA,heroi homonim i romanit, është Ataman dhe me detashmentin e tij prej kozakësh, kanë vendosur që të "provojnë" shpatat mbi çifutët. Por aty është dhe çifuti JANKEL që i thotë Atamanit:- Po si do më vrisni mua,kur unë ju kam shpëtuar xhaxhanë? Atamani u thye dhe i tha:- E sheh atë karrocën jashtë fushimit? Atje , poshtë asaj karroce fshihu. Dhe,ndërsa Jankeli andej e mbajti frymën,Atamani i priu repartit për në SEÇ ku jo vetëm"provuan shpatat",por bënë dhe pogrome ndaj komunitetit çifut.

Kur po kthehej,ATAMANI hodhi sytë nga karroca. JANKELI nuk mund të bënte përjashtim se e"thërriste gjaku", mu poshtë karrocës kishte hapur dyqan që shiste "çerte". Atamani mezi mbajti të qeshurit, por"mikun" e shpëtoi. Dhe kush? TARAS BULBA që vrau djalin e tij,ANDREI, se"tradhtoi"...

*    *    *

Diktatorët nuk e njohin mirënjohjen. Përkundrazi: janë shumë mosmirënjohës. STALININ e shpëtuan nga ndëshkimi (LENINI kish dhënë porosi që të shikoheshim grindjet STALIN -TROCKI),dy anëtarë të Byrosë Politike të asaj kohe: KAMENIEVI dhe ZINOVIEVI, të dy,sado çifutë si TROCKI, votuan pro STALINIT. Më tej,TROCKIN e përzunë dhe sosi në MEKSIKË,ku,me porosi të STALINIT,e vranë. Dy mirënjohësit e tij, STALINI i vuri para togës së pushkatimit. Njerëzit e"afërm" të STALINIT (ai nuk ka patur,historikisht,  të tillë), i thërrisnin,në intimitet:KOBA!

KOBA,- bërtiti njëri prej fatkeqëve,- e njeh mirënjohjen ti?

- E njoh,- tha qetë-qetë mosmirënjohësi,- është ajo sëmundja e ligë e qenit!!!

Dhe një diktator tjetër: ENVERI "YNË"!

ENVER HOXHA qe nxënës në LICEUN FRANCEZ të KORÇËS. Në të njëjtën kohë me të,mbaroi LICEUN edhe nxënësi HILMI QAZIM  HYSI nga VËRZHEZHA e SKRAPARIT. As e di fare se si mundi ENVER HOXHA të merrte të drejtë studimi për në MON PELJE të FRANCËS. Se unë flas e shkruaj vetëm për gjëra që di. Dhe di që HILMI HYSI është xhaxhai im që, pse qe laureat, u thirr në audiencë tet a  tet nga ish-ministrt i ARSIMIT,MIRASH IVANAJ dhe iu  dha bursë shteti për në MON PELJE në fakultetin juridik. Pra,sado në degë të ndryshme, shokët e LICEUT qenë bashkë. Siç duket,edhe kur HILIMI HYSI ushtronte detyrën e gjykatësit në TIRANË, shokët e mbanin miqësinë. Kishte një përkim në këtë mes: HILMI  HYSI qe martuar me MYNEVER SKRAPARIN,ish- nxënëse e "NANA Mbretneshë" që qe,bashkëshoqe, me DELIKATEN me të cilën flirtonte ENVERI nën hundën e fashistëve.

*    *    *

Vjeshta e vitit 1947,HILMI HYSIN, e zuri në Gjirokastër si kryetar të asaj gjykate. Papritur e pakujtuar,jo vetëm e arrestojnë, por dhe e"grupojnë" me Grupin e dytë të Deputetëve me RIZA DANIN e CO... dhe, pas një gjyqi fars made in BEDRI SPAHIU, e pushkatojnë në moshën 35-vjeç duke lënë jetime dy vajza të mitura:njërën 6 dhe tjetrën 4-vjeç. Bashkëshorten, shoqen e DELIKATES,e heqin familajrisht nga Tirana dhe e degëdisin në një fshat të Lushnjes. Po ç'hyn këtu mirënjohja ? Në ndihmë,për ta hedhur në"hartë",vjen vet ENVER HOXHA që pohon me gojën e tij. Ky pohim që na"zgjoi dhe ne nga gjumi",ndodhi shumë vonë: kur fantazma e BANKOS nuk po e linte të qetë dhe,për të "shpëtuar" pak nga krimi,tek retushonte një nga veprat e tij,shkruan: "... kur fashistët më kërkonin me qiri në dorë, në klandestinitet, jashtë Tiranës, unë nën hundën  e tyre, mu në mes tyre kaloja me biçikletë me Delikaten. Do të thoni ju:- Po si ishte e mundur? Dhe po vet sqaronte:- A e kini parë një fotografi timen me syze e mustaqe në Muzeun e Luftës? Atë fotografi ma ka bërë QEMAL  STAFA. Syzet dhe mustaqet i lashë se doja t'i ngjaja atij që më dha letër-njoftimin. Do të thoni ju:- Po si quhej ai miku apo shoku që iu dha letër-njoftimin?

Aha,emrin nuk "ia mbaj mend",por mbiemrin e kishte HYSI!!! Dhe Delikates ia dha bashkëshortja e tij:VERA (shkurtimi i emrit MYNEVER) dhe,prej asaj kohe, në shtëpi Nexhmijes i thërresim VERA!!!  A ka mosmirënjohje më të ligë se sa kaq? I shpëtoi kokën gjatë luftës dhe i mori jetën në kohën e paqes. Vetëm e vetëm se mos i demaskohej"trimëria" në kohën e fashizmit.

*       *      *

Dhe për ta bërë më të prekshme "hartën". Pa modesti të rreme, ngaqë jam pakëz poet, kam shkruar:-Po harrova të ligën, të më nxjerrin  njërin sy. Po harrova të mirën, të m'i nxjerin që të dy. Unë e kam rrokur mirënjohjen de,ndaj po e bëj këtë "hartë". Kam qenë një mësues i rreptë, por i drejtë. Do të skuqesha po të gënjeja: kam përdorur dhe pëllëmbën. Në dyzet e ca vjet që kam punuar nuk gjen qoftë dhe një nxënës që të thotë një fjalë të keqe për mua dhe kjo më bën që të ndihem mirë.

Kishte ardhur demokracia dhe mua, në vitet e fundit të punës, më gjeti si inspektor në Drejtorinë Arsimore të Fierit. Kisha dalë për makinë se kisha mbledhje në Ministrinë e Arsimit. U afrua një veturë dhe më qendroi  tek këmbët. Hedh sytë dhe shoh:shofer një ish-nxënës i im që,për ca"kalamallëqe të vogla",por ndëshkoheshin rreptë në ato kohë dhe kish bërë dhe burg. Shoferi foli:- Profesor,hip se do paguash atë burgun tim. Jo vetëm më çoi në Tiranë,por më priti deri sa mbarova punë dhe më ktheu në shtëpi. Kurrë nuk e kam ndjerë veten më të lumtur se sa atë ditë. Bëhej 100-vjetori i shkollës ku kam filluar punën si mësues dhe,nga të gjithë,unë qëllova gjallë. Nxënësit e parë të mi: që të gjithë në pension dhe unë,pothuaj, në një moshë me ta. Duar që zgjateshin dhe nxënëset femra një nga një puthnin me mall. Por nuk dua të harroj që,njëra,duke menduar se mësuesi i saj u plak,nxori nga çanta një palë çorape leshi,të shoqëruar dhe me papuçe leshi dhe nuk dua të shtoj dhurata të tjera që më përlotën.

Isha në klub në Fier (kam vjete në Tiranë) dhe  dikush bërtiti:- Uh, profesori! U përqafova:qe një nga ata paksa "rebelat",por tani qe bërë goxha djalë dhe më tha:-Nuk ke nga ia mban? Do vemë të hamë një drekë. E falnderova,në pamundësi t'i plotësoja dëshirën, por ai jo vetëm nuk u nda,por nxori njezet mijë leksh dhe më tha:-Zëre se të dhashë një kafe dhe dëgjo,profesor, nëse ke nevojë të lyesh shtëpinë,ky është numr im. Kam një kompani që lyej. E përqafova fort,këtë"xhagajdur" që nuk linte dy gurë bashkë.

*     *     *

Të shtunën e këtij pas tërmeti isha në Fier,se më vdiq një koleg.  U nisa me ngutë se qe një njeri i ndershëm që nuk kishte shok. Pasi e përcolla mikun në banesën e fundit, mbasdite duhet të kthehesha në Tiranë seimeshoqe qe e vetme  dhe gjysëm e trauamtizuar..Pak vonë për të gjetur makinë, por ja tek vjen ish-nxënësi  im,KADRI BILALI që më tha:- Profesor,do të çoj unë. U mundova ta kundërshtoja me politesë,por ai jo vetëm e bëri rrugën,enkas për mua,por më zbriti mu tek dera e shtëpisë.. Kur mbrita në shtëpi,i bëra një mesazh falnderimi ku theksoaj se më futi në borxh me atë shërbim aq njerëzor! KADRI BILALI banon në  Fier dhe është noter në qytetin e BALLSHIT.  Ka qenë nxënësi im në vtin e largët 1968. Është sinjifikativ mesazhi  i tij dhe ndaj po e sjell të plotë:

Përshëndetje,porfesor!

Sinqerisht, borxhi para teje jam unë dhe,ndoshta, gjithë nxënësit e tu. Personai ju dhe AI që përcollëm dje (është fjala për kolegun e ndjerë, të mirin KOZMA BLIDO, që,për fat të keq,janë të pakët.Ju kini qenë dhe do të mbeteni udhërrëfyesit e vërtetë të njerëzve të mirë në jetë. Ju kini lënë shpirtin për ne.  Sinqerisht, ju hapët një dritare,përmjet së cilës, ne filluam ta shikojmë botën ndryshe: me shkëlqim dhe me ngjyra,ashtu siç paraqitet bota në artin e letërsisë. Nga goja juaj dëgjuam për herë të parë se ka një Shekspir që ka shkruar "HAMLET","OTELLO","MAKBETH" dhe të tjerë autorë që programi i asaj kohe i prekte përciptas apo hiç fare..

E quaj veten me fat që kam qenë dhe mbetem nxënësi juaj. Ndjej kënaqësi çdo çast që kaloj me ju. Të uroj jetë të gjatë me gjithë familje. JIni i mirëpritur në çdo kohë.

Fier, më 2 dhjetor 2019

Pas këtij mesazhi kaq prekës si shenjë mirënjohjej, nuk mund të rrija pa shkruar, kur bota është bërë "polare". Aq më tepër është e prekshme kjo hartë ku mirënjohja është temë e ditës,për shkaqe kaq alarmante siç është kjo javë kaq e traumatizur apo javësizmike që vazhdon.

Tiranë, 3 dhjetor 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora