E shtune, 22.02.2020, 12:54 AM (GMT)

Komente

Shefqet Dibrani: Presidenti i Kosovës Isa Mustafa (10-11-12-13)

E diele, 05.01.2020, 11:46 AM


Me shkas:

PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (10)

Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

E DËSHTUAN PRESIDENTIN PËR TU FAKTORIZUAR VET

Pas vdekjes së Presidentit historik të Kosovës, dhe njëkohësisht themeluesit e udhëheqësit karizmatik të LDK, dr. Ibrahim Rugovës, do të ndryshojë strategjia politike e LDK-së, dhe më këtë edhe skema politike në Kosovë. Sesi janë manifestuar ato ditë zie me atë dhembje morale, mund t’iu besohet vetëm idealistëve fanatik. Por ne duhet ta pranojmë se edhe në gëzime dhe në ditë zie, jemi si popull emocional dhe euforik, pasi  një pjesë e atyre të cilët kanë vajtuar duke pritur në atë ftohtë të madh, në kortezhin mortor, më vonë janë shndërruar në palaço e intrigant të paskrupullt, qoftë kundër personalitetit të tij, e qoftë  kundër partisë, por disa sish edhe kundër fëmijëve të gjallë të familjes Rugova, gjë që qet në pah vlera të ulëta etike që i posedon shoqëria jonë.

Pikërisht vdekja e Presidentit, u shfrytëzua për yrysh që e morën misionaret komunist duke u futur pa pengesa në LDK. Natyrisht ata kishin mision të caktuar. Misioni i tyre u nis duke shantazhuar familjen e Presidentit, e përmes saj, filluan ta degradojnë edhe rolin historik të dr. Ibrahim Rugovës në planin nacional. Këto zhvillime kanë ndodhur, tamam sikurse ndodhitë kriminale nëpër filmat e “Bandave në Marseje”. Nga ata filma mësohet se misionet e nëntokës do të kenë sukses, vetëm atëherë kur arrijnë ta fusin në rrethin e tyre familjen, ku pastaj përmes shantazhimit në forma dhe mënyra të ndryshme do të kryejnë misionin e tyre. E në raport me Familjen Rugova, këto veprime janë zhvilluar suksesshëm. Është mirë të shikohen veprimet e Bujar Bukoshit, para vdekjes së Presidentit, kur flitej për miliona që nuk janë shpenzuar për luftën e gjatë luftës. Kush kishte kontaktet me familjarët, kush ishin sekserët dhe ndërmjetësuesit dhe cili ishte roli i tyre? A ka pasur skandale apo jo?!

Pas ardhjes së Isa Mustafës, në pozita vepruese do të dallohen disa hapa praktik në për t’i shpenzuar publikisht deri te përjashtimi që iu bë kësaj familje në zgjedhjet e fundit, e çuditërisht militantet fanatik, iu kanë shkuar pas duke i duartrokitur të gjitha ndëshkimet që ky klan ua ka bërë jo vetëm kësaj familje, por Dy Presidentëve të Republikës së Kosovës, që dolën nga radhët e LDK-së.

Lëvizja e sojnikëve nga Instituti RIINVEST dhe nga ai Brezi i Republikës, u treguan të suksesshëm. Për t’i mashtruar më lehtë fanatikët e LDK-së, disa sish i futen si “Jocker”, diplomat e fituara në Amerikë dhe nëpër Universitetet tjera në vendet Evropiane. Këto zhvillime tashmë janë storje si të filmave, por janë konsumuar duke pasur efektin negativ në të gjitha proceset e mëpastajme, që mësa di asnjëherë nuk janë hulumtuar dhe hetuar nga institucionet përkatëse.

Tashmë dihet se ndryshimet e mëdha kanë ndodhur me ardhjen e dr. Fatmir Sejdiut në postin Presidentit të Republikës së Kosovës, dhe në të njëjtën kohë edhe në postin e Kryetarit të LDK-së. Ai ka bërë shumë gabime të cilat më vonë do t’i paguan vet Profesori Universitar nga fusha e drejtësisë dhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës.

Mëkatet e Presidentit të Republikës së Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu janë të mëdha, por për LDK-në dhe Kosovën me përmasa shkatërruese. Pasi kam shkruar edhe herëve të tjera, këtë qasje po e fokusojmë në një prizëm të pa trajtuar deri më tash. Personalisht, i kam nisur letra, por prof. dr. Fatmir Sejdiu, atëherë ishte President dhe kishte detyra të shumta, disi mund të kapërdihej injorimi që ua bënte vërejtjeve në fjalë, por injorimi që ua ka bërë edhe letrave në vitin 2014, nuk falën, edhe pse vet atij iu kthye si bumerang.

Askush nuk mund ta thotë qysh dhe si, Presidenti i Republikës së Kosovës, i futi në kabinetin e tij, në cilësinë e këshilltarëve të lartë, madje duke injoruar komplet strukturat partiake të LDK-së, personalitete të dyshimta që vinin nga Instituti RIINVEST, siç ishte rasti i Isa Mustafës, i cili me bekimin, po ashtu, të prof. Fatmir Sejdiut, u zgjodh edhe Kryetar i Prishtinës, duke sjellë në udhëheqje të komunës, Klanin nga RIINVESTI, edhe pa qenë anëtarë të LDK-së, në mesin e tyre janë: dr. Avdullah Hoti, Vlora Dumoshi, Arben Gashi,  Arban Abrashi e ndonjë tjetër. Si këshilltarë në Presidencë, prof. dr. Fatmir Sejdiu,  pa qenë strukturë e LDK-së, solli dr. Vjosa Osmanin, e cila me parë kishte punuar si përkthyese në UNMIK, nga Organizata Joqeveritare “ORA”, Teuta Sahatçiu, nga FARK-u Anton Quni, pa qenë në struktura të LDK-së në kabinetin e tij kanë qenë edhe dr. Xhafer Tahiri, kryetar i Komunës në Vushtrri dhe dr. Korab Sejdiu.

Në këtë qasje ne nuk po trajtojmë personalitetin e prof. dr. Fatmir Sejdiun, si individ, por fjala është për autoritetin më të lartë të vendit siç është Presidenti i Republikës së Kosovës, me të cilin janë tallur struktura në mision të caktuar. Një gjë që dihet publikisht është e dhëna se mandati i Presidentit, ka përfunduar me shkelje të rënda kushtetuese, d.m.th. Gjykata Kushtetuese atë e ka shkarkuar për aspekte juridike, ndërsa këshilltare të lartë për çështje juridike në kabinetin presidencial e ka pasur pikërisht dr. Vjosa Osmanin, e shkolluar në Amerikë, të cilës tash po i duartrokasin fanatikët dhe pikërisht tek ajo i kanë varur shpresat e shpëtimit edhe analistët e shumtë?!

Nga ky prizëm do të shtroja pyetje publike, nëse mundet dikush me na shpjeguar cili paska qenë misioni real i saj, në cilësinë e këshilltares apo në cilësinë e shantazhueses së Presidentit të Republikës së Kosovës? Sipas kësaj hipoteze, duket se janë tri mundësi: E para: Dr. Vjosa Osmani, ka qenë e paaftë, për ta këshilluar si duhet Presidentin e Republikës së Kosovës, posaçërisht në aspektet juridike që i përcakton si detyrim juridik Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Tash si ka mundësi t’i besohen se ajo bënë reforma dhe paska kapacitete me e udhëhequr Kosovën dhe reformat në LDK?! E dyta: Dr. Vjosa Osmani, sigurisht në bashkëpunim dhe marrëveshje të ngushtë me dr. Isa Mustafën, i cili po ashtu ishte Këshilltar i Lartë i Presidentit, e kanë shantazhuar Presidentin e Republikës së Kosovës, me qëllim për të bërë pastaj edhe puç politik në LDK, dhe për ta faktorizuar vetën politikisht. Kjo mund të ketë ngjarë, pavarësisht dëmeve që i pësoi LDK-ja dhe proceset nëpër të cilat kaloi Kosova. E treta: Mund të ketë mundës, dr. Vjosa Osmani, ka qenë dorë e zgjatur e shërbimeve të caktuara?! Hipotetikisht lidhen me disa miqësi me ndërkombëtaret të cilët akuzohen se gjoja lobojnë për ndarje të Kosovës. Pastaj flet me gjuhë vulgare për ish bashkë partiakët. Po ashtu ka pasur zëra se ajo mund të kontrollohet nga ish-kreu i SHIK, Kadri Veseli, pasi disa qëndrime të më vonshme, jostabile dhe sidomos afria e saj me Isa Mustafën, jo që ua ktheu shpinën disave por duket mjaftë kontroverse, sikur i sforcojnë këtë dyshime.

Se cili paska qenë roli i dr. Isa Mustafës, në cilësinë e këshilltarit të lartë në kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, e dëshmon e kaluar e tij përplot akuza për krime të larta, atëherë sa ishte funksionar i lartë i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, si dhe roli mjaftë negativ sa ishte Ministër për Ekonomi dhe Financa, në Qeverinë e Republikës së Kosovës në ekzil, ku bashkë me dr. Bujar Bukoshin, mund të llogariten si dy figurat më kriminale që i ka pasur Kosova! Çuditërisht, që të dytë, janë rehabilituar, madje iu kanë besuar poste të larta udhëheqëse. Po cili është roli i vërtetë i Isa Mustafës, e dëshmojnë edhe veprimet e tij antikushtetuese kur është zgjedhur Kryeparlamentar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, pastaj roli negativ me përmasa shkatërruese në LDK, si dhe korrupsioni i lartë për të cilin janë dhënë dokumentar televiziv, kanë pasuar shkrime të shumta, si dhe ka pasur edhe procedura penale, qofshin ato nga LVV për udhëheqjen e keqe në Prishtinë ose siç është raportuar akuza pranë Prokurorit të EULEX, për keqpërdorimet me Fondin e Trepërqindëshit, Huan Popullore, Fondin për Drenicën etj.

Anton Quni, ka pasur fatin e keq si këshilltarë për çështje sigurie në kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Siç është thënë, me ndërhyrjen e zyrtarëve nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, atë e ka shkarkuar Presidenti, brenda dhjetëditëshit të parë në atë detyrë. Përveç akuzave (jo aq të verifikuara), se gjoja një dosje që rëndon, 5 kg. është në Prokurorinë e EULEX, atë e kanë akuzuar edhe bashkëluftëtarët e tij, (sidomos nga krahu tjetër ideologjik), për rolin, siç thuhet, jo aq fisnik në luftë.

Por se është shkarkuar për shkak të ndërhyrjeve amerikane, nga përgjegjësi për çështje sigurie në Presidencë, e ka pohuar edhe vet zonja Osmani, kur ishte në Zvicër. Tash kur i shohim ekzaltimet e saj pas Antonit, vërtetë e shohim edhe rolin e saj, gjatë asaj kohe, sa ishte Këshilltare e Presidentit, me dyshime. Por për rolin e tij, të mirë a të keq, sigurisht e din edhe shefi i tij i tanishëm dr. Isa Mustafa, i cili si duket nuk i ha aq palla për Amerikanët e shpërbleu Anton Qunin, me postin e kryetarit të Degës së LDK-së në Prizren, ose në anën tjetër atë e shpërbleu për meritat e jashtëzakonshme në fillim për shkatërrimin e Degës së LDK-së në Zvicër, e pastaj edhe për shkatërrimin e Donikës Gërvallës në Degën e LDK-së në Gjermani. Pa hezitim në rastin e Donikë Gërvallës, ai ka qenë përgjegjës i drejtpërdrejt, bile për ironi, bashe si “Legjendë e gjallë?!” a si “Heroi i Gjallë”. Ndërsa për eliminimin nga lista në zgjedhjet e fundit ka qenë përgjegjëse vet dr. Vjosa Osmani, kjo u pa me rastin e vizitës së saj në Gjermani, në Bundestagun Gjerman, kur e injoroi Donikë Gërvallën. Dhe krejt në fund, dokrrat e dr. Vjosa Osmanit dhe ato të dr. Isa Mustafës, se paskan partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-t, duket të jenë pallavra alla-ballkanike, pasi rasti i Anton Qunit, për natyrën e sistemit amerikan është shumë i ndeshëm, por se “Një dreq i madh (i Rrahman Morinës), ka hy në LDK”, të cilit kanë me ia pa sherrin Kosova dhe proceset e ardhshme, s’ka dyshim.

Edhe trojka tjetër që ka qenë pjesë e stafit këshillues në kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk kanë stazh në strukturat e LDK-së, hiq Korabin, janë staf pa etikë në përfaqësim të LDK-së.

Nga të gjitha këto hipoteza që i shtruam në këtë trajtesë, shtrohet pyetja, a kemi edhe një rast të vetëm diku në botë, që kur dështon Presidenti i një vendi, këshilltarët e tij, marrin role të tjera, madje duke humbur një pas një zgjedhje duke i dëmtuar proceset dhe askush nuk merr përgjegjësi e as nuk largohen nga skena politike. Mendoj se me kohë, këtë gjë është dashur ta kenë pasur parasysh Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Prokurori i Shtetit ose mekanizmat përkatës për siguri dhe kushtetutshmërinë e institucionit më të lartë që ka një vend.

Së këndejmi, të gjithë ata (b)analist a analistë, të gjitha strukturat politike brenda vet LDK-së dhe të gjithë mekanizmat shtetëror që merren me drejtësi dhe sigurinë e vendit është dashur dhe duhet ta kenë parasysh se kjo është një “Kolonë e Keqe”, e cila si duket ka mision, që pas çdo palë zgjedhjeve ta shantazhojnë Kosovën, qoftë përmes neglizhencës e zvarritjes, ose duke mos kooperuar si duhet, siç ka ndodhur me PAN-in e VLAN-in më herët, kurse e tashti edhe me VETËVENDOSJEN, që si duket është strategji dhe qëllim për ta orientuar Kosovën drejt anarkisë së përgjithshme. Në këtë rrafsh  sikur  Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt të kishin strategji, duhet të vepronin pozitivisht, nëse nuk duan të bien në kurthin e LIDHJES, as të RIINVESTIT dhe as të të ashtuquajturit Brez i Republikës të cilët i kontrollon Isa Mustafa, sepse ashtu siç janë destruktivisht duke vepruar, mund ta sjellin Kosovën në një pozitë me pasoja afatgjate!

St. Gallen, 29.12.2019.

Me shkas:

PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (11)

Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Kuvendi i VII-të Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbajtur më 7 nëntor 2010, pa praninë e përfaqësuesve të Familjes Rugova. Vlen të ritheksohet se mënyra e fitores së Isa Mustafës, ishte e tipit puçist. Paradoksi i asaj demokracie që po instalohej në LDK, ishte e dhëna se Isa Mustafa nuk ishte anëtarë i LDK-së?! Kështu LDK-ja po niste një rrugë të diletantizmit duke shënuar një rast të panjohur gjerë atëherë, jo se jo në vendet demokratike, por askund nuk kishte ndodhur në vendet e lindjes, të cilat kanë dalë nga diktatura komuniste, të kenë zgjedhur një ish komunist në krye të një partie demokratike, e cila në ato rrethana kishte luajtur rolin e vet historik. Mënyra e fitores “me duar në gjepa” dhe akomodimi i tij i pamerituar, siç thamë pa qenë anëtarë i partisë, filloi të bëhej ritual i përhershëm.

Në Kuvendin e VII-të Zgjedhor, Isa Mustafa e kishte “goditur pas shpine”, mikun e tij Fatmir Sejdiu. Por skenarë të tjerë prapa shpinës së Fatmir Sejdiut, kishin punuar e kishin aktruar edhe Vjosa Osmani, Këshilltare për çështje Juridike në Presidencë, Agim Veliu, kryetar i Degës së LDK-së në Podujevë, bashkë me Lutfi Hazirin dhe Ismet Beqirin, të cilët ishin struktura të më hershme dhe mbështetës të deridjeshëm të ish Presidenti dhe Kryetarit të deriatëhershëm të LDK-së, por ata brenda natës do ta ndërrojnë gëzofin për tu bërë pastaj klientelë besnike e Isa Mustafës. Pa dyshim skenari i këshilltarit të tij, rezultoi të jetë i suksesshëm. Kurse Fatmir Sejdiu, vetëm të dielën e 7 nëntorit 2010, do të përjetojë gabimin e bërë, dhe sigurisht do të pendohet pse e kishte privilegjuar argatin e Rrahman Morinës, i cili i “kishte bërë be `për kokën e fëmijëve` që nuk kishte ambicie për kryetar të LDK-së”, ndërsa në anën tjetër pikërisht ai, ia ka rrëmuar dheun ndër këmbë, për t’ia marrë drejtimin e LDK-së, në mënyrë krejt antidemokratike dhe të pandërgjegjshme. Sipas kodeve zakonore, nuk ka as serb, (nga ata që ishin raje jo), por as shqiptar jo se jo, që do të ishte betuar në kokën e fëmijëve se nuk ka ambicie për kryetar të partisë, e në anën tjetër për t’ia futur thikën pas shpine. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm komunisti, të cilit nëse ia jep dorën do ta hanë kokën, por në asnjë mënyrë qenia njerëzore. Ndërsa për këta karaktere bukur ka portretizuar, Edison Ypi kur shkruan: "KOMUNISTI, është mishërimi i të të gjitha sëmundjeve, deformimeve, patologjive; psikike, psikologjike, sociale, qytetare, kulturore, intelektuale, antropologjike".

Andaj ky tip komunisti jugosllav, duke pasur fobi nga vetja e tij, qysh nga Kuvendi i VII-të Zgjedhor, më nuk do të pranojë t’i nënshtrohet votës së lirë, madje pavarësisht edhe nga humbjet e njëpasnjëshme, ai kurrë më nuk dha përgjegjësi, ashtu siç nuk kishte dhënë as formalisht, (se për tu distancuar jo se jo), për veprimet në të kaluarën e tij në kohën e LKJ-së, e gjatë asaj kohe dihet se ka qenë dorë e fort e LKJ, për dhunën, diferencimin dhe për rrënimin e autonomisë së Kosovës. Po ashtu Isa Mustafa, kurrë nuk ka dhënë llogari as për bëmat dhe përgjegjësit e tij sa ishte Ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Republikës së Kosovës në ekzil, e në anën tjetër ekonomia e tij private dhe ajo e djemve, ka shënuar vetëm suksese të cilat mund të arrihen vetëm me infuzione ose privilegje që mund t’i krijojnë zyrtarët e lartë shtetëror.

Ardhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së bëhej me skenar dhe kishte mision të qartë, për ta shkatërruar partinë e Ibrahim Rugovës, dhe kjo ndodhte si hakmarrje, pse kjo parti ia shkatërroi Isa Mustafës, Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë. Shikuar nga ky prizëm ne mendojmë se nuk ka Parti Politike diku në Evropë dhe as në vendet e Lindjes të cilat kanë dalë nga diktatura komuniste që kanë rizgjedhur një kryetar siç ka vepruar LDK-ja në Kosovë, kryetari i së cilës i ka humbur të gjitha zgjedhjet, lokale e nacionale, dhe përsëri klientela e tij, të cilët kanë pushtuar LDK-në, e ricikluan dështimin, për të dështuar në Zgjedhjet e 6 tetorit 2019, prandaj e kanë rizgjedhur Isa Mustafën, për të satën herë kryetar të LDK-së, ndërsa tashti nuk kanë dert nëse e zhgënjejnë elektoratin e tyre?!

Ky paradoks kaq absurd mund të zë vend në librat e çudirave, të cilat regjistrojnë statistike për çmenduritë dhe për budallëllëkun politik që ndodh vetëm në Ballkanin Perëndimor. Ky paradoks lidhet edhe me mandatin e Isa Mustafës, si kryetar i LDK-së, ku do t’i rehabilitojë të gjitha strukturat e Institutit RIINVEST, madje duke mos qenë asnjëri prej tyre anëtarë i LDK-së. Po ashtu, Isa Mustafa, arriti t’i sistemojë argatët e vet kudo. Punësime politike ose nëpër poste e borde shtetërore, nëpër banka komerciale, në Trustin Pensional dhe nëpër dikasteret tjera të rëndësisë së veçantë. Në anën tjetër dështimet e Isa Mustafës në udhëheqje të partisë dhe vendit s’kanë të ndalur. I vetmi sukses që mund ti pranohet atij, janë prishja e rregullave dhe sistemit demokratik që ekzistonte brenda LDK-së.

Gjatë këtyre viteve sa ka udhëhequr Isa Mustafa, në LDK janë sistemuar pamerituar, të paktën: dr. Vjosa Osmani, dr. Avdullah Hoti, dr. Hikmete Bajrami, Vjosa Dumoshi, dr. Arban Abrashi, mr. Arben Gashi, dr. Lumir Abdixhiku, kryetari i Degës në Ferizaj, Muharrem Sfarqa, Kryetari i Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, kryetari i Degës së LDK-së në Prizren Anton Quni, Bajram Gecaj, etj. të cilët ishin klientelë e besuar në Fondit e Trepërqindëshit, në Gjermani, Sfarqa dhe Angli, Gecaj, ose ishin pjesëtarë të FARK-ut të bujar Bukoshit, rasti i Anton Qunit dhe militantët e Organizatës Joqeveritare “ORA”, Gazmend Muhaxheri, dhe së fundmi shumë të tjerë në emër të “gjakut të familjarëve”, ose fatkeqësive të ndryshme dhe patriarkalizmave ndikues.

Të gjithë këta e dinë se në mandatin e Isa Mustafës, janë shkatërruar dhe janë qitur nga sistemi organizativ të gjitha Aktivet e LDK-së, të cilat kanë mbuluar lagjet e shumta në qytet ose nëpër zonat rurale. Pastaj me bekimin e tij është mbyllur Qendra për Informim e Kosovës (QIK), por nëse është shkatërruar databaza e atyre lajmeve, të cilat janë distribuuar dikur nga kjo qendër, Prokurori i Shtetit, duhet të nis hetimet për kallëzim penal, që ka të bëjë me shkatërrimin e pasurisë arkivore të një qendre informative, e cila në një kohë të errët, ka pasur rolin kryesor për informimin e botës për krimin serb që bënte në Kosovë. Të shpresojmë se kjo thirrje publike do të merret parasysh edhe nga veprimtarët dhe strukturat e LDK-së të cilat duhet të kërkojnë llogari nga vet Isa Mustafa, për të sqaruar nëse Misioni i Lidhjes, ka për qëllim shkatërrimin e të gjitha vlerave, morale, resurset njerëzore dhe faktet e aktet historike.

Lidershipi, Isa Mustafa, vazhdimisht ka dhënë premtime për fitoren dhe ka garantuar për një koalicion qeverisës LDK & LVV, tash heziton, kurse “LDK-ja duhet ta mbajë mend këtë deklaratë. Përgjegjësi kanë edhe kandidatët për komuna, p.sh. Lutfi Haziri, Muharrem Svarqa, po ashtu kanë zbritje në komunat e tyre. Me një fjalë ka zbritje të elektoratit në krahasim me zgjedhje të mëhershme. Mendoj, pasi ata që kanë humb, duhet të japin dorëheqje”, por kjo nuk ka ndodhur as me humbjet zinxhirore të Isa Mustafës, andaj as këta dhe as të tjerët nëpër komuna e qendra të tjera nuk do të marrin përgjegjësi për rënie e humbje të radhës, e së këndejmi as nuk do të pason asnjë dorëheqje.

LDK-ja tashmë funksionon si pronë private e aksionarëve të RIINVESTIT, prandaj kjo parti nuk ka as anëtarësi të regjistruar, anëtarët e saj nuk janë të pajisur me libreza dhe askush nuk paguan anëtarësi. Prandaj nuk di se si ka mundësi më shumë të degradohen vlerat e demokracisë. Dikur zgjedhjet e brendshme në LDK, kanë pasur një sistem dhe vlerë, sidomos në vitet e nëntëdhjeta, por sot, kundër kandidatët vetëm improvizohen sa për të krijuar mozaik demokratik, por e vërteta qëndron ndryshe, se aty ku respektohen vlerat demokratike, e veçmas nëse dikush zgjidhet pa marrëveshjen me Isa Mustafën, ai proces zgjedhor dhe ato kuvende do të anulohen, siç ka ndodhur me Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, të cilat do të luftohen nga mercenaret e Isa Mustafës, madje ka edhe nga ata që e kanë tradhtuar në kohë lufte Heroin e Kosovës Salih Çekaj! Në këtë mision të Lidhjes, janë të involvuar brigada vullnetarësh, të cilët mashtrojnë e shantazhojnë njerëzit që nuk i dëshiron Isa Mustafa.

Me mjaftë interes do të ishte të hetohej se kush e ka mashtruar me të dhëna të falsifikuar shërbimin amerikan, për ta vizituar Ambasadori Amerikanë Isa Mustafën, në shtëpinë e tij, si dhe çka iu ka thënë zyrtarëve të EPP-së për demokracinë e brendshme në LDK, për klientelizmin e zyrtarëve nga Instituti RIINVEST dhe nga Brezi i Republikës, madje pa qenë anëtarë të LDK-së, duke përfshirë edhe vet Isa Mustafën, për ndëshkimin që LDK-ja ua ka bërë Degëve të LDK-së në Diasporë, dhe formave të tjera të komunikimit antidemokratik që i aplikojnë zyrtarët e RIINVESTIT të ramë pa meritë, dhe në mënyrë klandestine në LDK. Pastaj çka ka mundur të flas për demokracinë e brendshme në LDK, Vjosa Osmani, si dhe si e paska prezantuar Isa Mustafën, në administratës Amerikane, dhe veçmas çfarë i ka rrëfyer asaj gjermane, qoftë në takimet e saj me zyrtarët në CDU ose drejtpërdrejt në Bundestagun e Gjermanisë. E pse, të paktën sa ishte në Gjermani, nuk e takoi dhe as nuk e mori në shoqërimin e saj edhe Donikë Gërvallën?! A thua Vjosa, mendon se diplomacia gjermane është aq e mangët për të mos i kuptuar format e mashtrimit që ua bëjnë edhe atyre zyrtarët e lartë të LDK-së, duke përfshirë edhe vetë Vjosa Osmanin.

Çdo përpjekje e strukturave politike brenda LDK-së, për të kërkuar nga EPP, nga CDU dhe mekanizma të tjerë, për tu solidarizuar me Isa Mustafën është e dëmshme, sidomos kur fjala është për një komunist të rafinuar, i cili para se të pendohet është në gjendje për ta shkatërruar Kosovën. Këto veprime kreu i LDK-së, po i bënë edhe ditëve të fundit, që duken të jenë obstruksione tipike komuniste, sepse për të themeluar bashkë me LVV-në, Qeverinë e Republikës, është kontratë publike me votuesit, prandaj nuk duhet me e prishur imazhin e mirë të zgjedhjeve të lira dhe demokratike të cilat u mbajtën më 6 tetorit 2019, veçanërisht për të mos i zhgënjyer votuesit dhe popullin e Kosovës, të cilët janë mashtruar edhe nga premtimi i radhës që ua ka bërë vet zoti Mustafa, se në rast të fitores, qeveria e ardhshme do të jetë koalicioni LVV & LDK!

St. Gallen, 30.12.2019.

Me shkas:

PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (12)

Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Humbi LIDHJA, nuk fitoi as LDK-ja, e ngadhënjeu VETËVENDOSJA?!”, refren që i karakterizoi zgjedhjet e jashtëzakonshme për pushtetin qendror në Republikën e Kosovës të mbajtura më 06 tetor 2019, të cilat u karakterizuan me refuzim qytetar për të vazhduar bandat dhe agonia, andaj ky verdikt i popullit, është për ta ndryshuar skemën politike në Kosovë. Kush nuk e respekton është në kundërshtim me vullnetin e popullit, është klientelë e rrezikshme, Mision që ka LIDHJA, një nostalgji për të kaluarën e LKJ-së, e cila si duket pretendon Kosovën për ta futur në një anarki, një lloj bataku të nëntokës antikosovare dhe antiamerikane, në të cilën nuk do ta njeh qeni të zotin, dhe për një kohë nuk do të sundoj as ligji dhe as drejtësia, për tua prekur interesat ekonomike dhe bizneset e krijuara në mënyrë antiligjore.

Jo vetëm tash, por edhe më herët elektorati dhe qytetari i Kosovës ka dhënë sinjalin se “mjaftë është mjaftë”, ndërsa klientelat dhe grupet kriminale janë treguar shpërfillëse. Më duket se e kësaj natyre është edhe kërkesa e LDK-së, për postin e Presidentit, po fatkeqësia e saj është se mendohet për t’ia rezervuar Isa Mustafës, i cili pas Bujar Bukoshit është figura me e përfolur në kaosin kriminal e ekonomik në Kosovë, kundrejt të të cilit nuk guxon të marrë hapa as drejtësia kosovare por nuk ka guxuar ta prek as Prokurori i EULEX-it, me gjithë publikimet mediatike. Nëse flasim me syrin kritik, më shumë se çdo herë tjetër, votuesi i sivjetmë është treguar i pamëshirshëm ndaj bandave të kriminalizuara, që kanë prekur edhe LIDHJEN e konceptit të komunizmit jugosllav, andaj duke nuhatur një rebelim pozitiv të qytetarëve, Isa Mustafa iu shmang Listës Zgjedhore, për të sajuar një model të pa parë në zgjedhjet e gjertanishme. Kambana në qafën e Vjosa Osmanit të cilën ia rrahtë Lutfi Haziri, kurse tepihun ua shtronte Agim Veliu, ndërsa vet bënte sehir për të fituar gjahun të cilin tashmë nuk i lëshon pe Albin Kurtit. Klientela e rame në LDK nga Instituti RIINVEST, nga Brezi i Republikës, nga OJQ dhe nga strukturat e FARK-ut, të bashkuar përreth LIDHJES, po sillet në mënyrë teknokrate, shpërfillëse dhe po çirret sikur të ishte fitimtare.

Thënë më konkretisht, “Lidhja Demokratike e Kosovës”, nuk i ka humbur zgjedhjet e 6 tetorit 2019, por ato nuk arriti t’i fitojë me dallavere as LIDHJA, e cila tashmë po qetë kanune për formimin e qeverisë. Ky rast do të mjaftonte për tu zgjuar nga letargjia elektorati dhe strukturat e shëndosha të LDK-së, të cilat me kollaj gjenden nëpër degët dhe nëndegët e LDK-së, pasi KP i LDK-së dhe Kryesia Qendrore kontrollohet nga Isa Mustafa. Pra kjo thirrje publike bëhet për të gjithë intelektualët dhe veprimtarët e LDK-së të cilët nëse nuk e dëshirojnë një transformim të LDK-së në LIDHJA, duhet të mobilizohen dhe të veprojnë. Nesër do të bëhet vonë! Kjo reminishencë halucinacionesh mund t’i ketë kapur të gjithë ata që kanë probleme traumatike me të kaluarën e tyre komuniste. Fatbardhësisht iluzionet sllavo-komuniste kanë përfunduar qysh atë ditë kur u themelua LDK-ja, përkatësisht në vitin e largët 1989, madje as rikthimi i ndikimit rus në arenën ndërkombëtare nuk i ndihmon këta nostalgjik të jogurtrevolucionit serbo-sovjetik.

Pa dyshim, në zgjedhjet e sivjetme, LIDHJA ishte humbësja më e madhe, prandaj nuk kanë arsye të sillen si fitimtar?! Bile më së paku Isa Mustafa. Por qëndrimi i tij është sjellje burokratike e teknokrate e një komunisti që nuk arriti me u reformuar kurrë, kurse sjelljet e tij s’kanë të bëjnë fare me demokracinë. E, sado që strukturat e RIINVESTIT dhe ato të Brezit të Republikës, janë duke bërë çmos me transformuar LDK-në në LIDHJA, veprimtarët e LDK-së, njerëzit e vullnetit të mirë, nuk duhet ta lejojnë e të pranojnë aventura të tilla. Veprimtarët e devotshëm të LDK-së, në asnjë mënyrë nuk duhen të bien viktimë e mashtrimeve dhe të pranojnë që vlerat historike të LDK-së t’i nëpërkëmbin struktura me mision të caktuar, duke bërë përpjekje për transformimin e LDK-së në një solucion siç është “LIDHJA”. Prandaj themi se pikërisht në zgjedhjet e sivjetme, të 06 tetorit 2019, elektorati Rugovian i LDK-së dhe Diaspora Evropiane e LDK-së, e kanë hetuar me kohë hilen e hileqarëve, prandaj e dështuan duke mos e votuar LIDHJEN, e cila u radhit në vendin e dytë.

Në këtë fragmentarizëm ideologjik, i cili vepron brenda LDK-së, penetrojnë disa klane dhe interesa më të dallueshme, të cilat mund të kategorizohen si:

1. Klani i RIINVESTIT, që përfaqësohet nga dr. Lumir Abdixhiku dhe dr. Avdullah Hoti, klan ky që nuk është i pa ndikim, sidomos kur të kihet parasysh se janë të klonuarit e Isa Mustafës.

2. Klani “Brezi i Republikës”, përfaqësohet nga dr. Vjosa Osmani dhe dr. Haxhi Avdyli, edhe pse kanë një popullarizim, janë sabotuesit e reformave të brendshme në LDK, gjatë vitit 2015-2016. Por kur dihet se Vjosa bashkë me Isa Mustafën, ishin Këshilltarë të Lartë në kabinetin Presidencial të Fatmir Sejdiut, duke se aksionar i kësaj Kompanie, (si Joker i dytë), duhet të jetë vet Isa Mustafa, i cili është Nëna e ideve të kësaj nëntoke.

3. Grupi nga FARK-u, përfaqësohet nga Anton Quni, i cili pasi nuk ka fuqi dominuese anon nga pala që do t’ia siguroj interesat e veta, por nëse shikohen disa implikime të tyre në shumë zhvillime brenda FARK-ut, Ministrisë së Mbrojtjes dhe vrasjeve në Koshare, frustërimi i herëpashershëm i Anton Qunit duket të jetë pjesë e shantazhit që mund ta ketë krijuar Isa Mustafa.

4. Grupi “Veteranët e LDK-së”, përbëhet nga: Ismet Beqiri, Agim Veliu, Lutfi Haziri e ndonjë tjetër, por fuqia morale e tyre, karshi grupeve të tjera është relativisht i dobët. Megjithatë edhe ky grup ka qenë i shantazhuar nga Isa Mustafa, me rastin e rrëzimit të Presidentit të Kosovës dhe më pas shantazhin që ia kanë bërë edhe kjo trojkë Fatmir Sejdiut, duket se është ai mozaiku që ka ditur t’i ndaj e përçaj vetëm metodologjia serbe sipas doktrinës “Përçajë e sundo”.

Sigurisht për shkak të kësaj atmosfere të fragmentarizuar, zgjerimi i kryesisë qendrore, ishte bërë për ta ruajtur ndikimin e vet Isa Mustafa, i cili siç thamë më lart është njohës i mirë i mentalitetit serb dhe doktrinës serbe, “përçaj dhe sundo”. Për ndryshim nga herëve tjera, të paktën kësaj radhe nuk u tha se është rritur numri i votave, pasi edhe vet kanë arritur me kuptuar se ky slogan është bërë bajat, kurse rezultati i zgjedhjeve sidomos për LDK-në ishte real.

Natyrisht në këto rrethana askush nuk jep përgjegjësi, e më së paku Isa Mustafa i cili ia lëshoi në duar pataten e nxehtë Vjosa Osmanit, e cila u vetësakrifikua për interesa të Isa Mustafës?! Ndonëse askush nuk e thotë se kjo miqësi e tyre po trasohet nga e kaluar e tyre si Këshilltar të Presidentit të Kosovës, të cilin e përmbysën për tu faktorizuar vet, duke luajtur lojën herë herë edhe gjoja të armiqësive në mes tyre. Prandaj pozita në vendin e dytë, është fat për LDK-në por fatkeqësi për Kosovën. Të kishin fituar kësaj radhe klanet brenda LDK-së, ka pasur rrezik që sigla LDK, të transformohet në LIDHJA, prandaj loja e Vjosa Osmanit, ishte taktikë por jo edhe sakrificë. Këtë që po them e dëshmon fakti se vet zonja Vjosa Osmanin, arriti për ta eliminuar Familjen Rugova, pa bujë e pa potere, askush dhe asnjë “Rugovistë” nuk reagoi, nuk tha gjë, ndonëse më 7 shtator 2019, para ish selisë së LDK-së, ajo publikisht para kamerave ka thënë se “jemi marrë vesh me Familjen Rugova”, ndërsa mos prezenca e kësaj familje gjatë fushatës në Prishtinë dhe sidomos mospjesëmarrja e tyre as në Tubimin elektoral që mbajti Nëndega e LDK-së në Velani, ishte tregues i qartë se Vjosa Osmani, ka orkestruar një lojë teatrale si pjesë e marketingut politik të kësaj fushate zgjedhore, ndërsa në anën tjetër përmbushi një dëshirë të kamotshme të Isa Mustafës për ta eliminuar jo vetëm Familjen por edhe emrin e dr. Ibrahim Rugovës, pasi siç kemi informata portreti i dr. Rugovës në selinë e LDK-së moti është zëvendësuar me atë të Isa Mustafës, por si në raste të tjera askush nuk ka reaguar dhe as nuk ka protestuar.

E nëse shikohet “30 Vjetori i formimit të LDK-së”, se si janë përjashtuar të gjithë figurat që e kanë themeluar LDK-në, madje edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, nuk do koment, por në rrjetet sociale (në Facebook), kanë uruar: “Qoftë e bekuar Lidhja jonë!”, Agim Veliu; “30 vjet, Besë e shpresë për Republikë!”, Lutfi Haziri; “Sot nderojmë themeluesit e Lidhjes”, Lumir Abdixhiku; “plot tri dekada të lidhjes sonë”, Vjosa Osmani, etj. Të gjithë këta e kanë hequr e mënjanuar siglën a prefiksin “LDK”, ku bashkë me Logon “30 VJET, Liri, Pavarësi, Demokraci”, janë tregues i qartë se kjo klientelë është në MISION të qartë për ta zhbërë LDK-në në LIDHJA, si hakmarrje pse Lidhja Demokratike e Kosovës, qysh më 23 dhjetor 1989, i zhbëri: Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, Lidhjen Socialiste të Serbisë dhe Lidhjen Komuniste të Kosovës. Nga kjo që po prezantojmë është detyrë e secilit anëtarë të LDK-së që të reagoj për këto deformime të fakteve historike, që bëhet nga kjo klientelë e specializuar kryesisht në Institutin RIINVEST, ose nga të tjerët që thonë se janë “Brezi i Republikës”, të cilët flasin se i duan e i respektojnë prindërit e tyre, por e kanë vënë kazmën e shkatërrimit mbi Elitën Intelektuale dhe themeluesit e LDK-së, të cilët hipotetikisht janë edhe prindërit e këtyre proceseve që u manifestuan në këto 30 vjet, nëpër të cilat kaloi skema politike e Kosovës. Tash sa anakronike duket insistimi i LDK-së për ta fituar me kushtëzime postin e Presidentit, të cilin dëshirojnë t’ia rezervojë Isa Mustafën, pavarësisht shëndetit të rrënuar, atëherë vendi ynë - Kosova, ka mundësi reale të futet në Librin e Rekordeve Guinness, për paradokset e saj. Ky insistim nuk është mençuri, mençuri është për të kuptuar (LDK-ja dhe vet Isa Mustafa), se me kushtëzime nuk mbulohen dështimet dhe pa pasur strategji nuk fitohen zgjedhjet, e aq më pak me përjashtime dhe linçime.

Në këto rrethana, duken si qesharake deklaratat e Isa Mustafës, për mungesën e transparencës që paska treguar ndaj tij Lëvizja VETËVENDOSJE. Këto deklarata kaq fallco të Isa Mustafës na janë të njohura qe 40 vjet, por ai nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi (morale dhe as politike), për dëmet që ua ka shkaktuar zhvillimeve politike në Kosovë. Edhe kryeneçësia, është aventurë e njohur për t’i ruajtur bizneset e tij private. Pra, LIDHJA, e ka merituar edhe këtë humbje, madje nuk e kanë merituar as këtë rezultat pasi kreu i LIDHJES nuk e ka menaxhuar fushatën për fitore, prandaj do të duhej me kokë ulur të iknin nga LDK-ja.

Parimisht LIDHJA, nuk e ka sakrifikuar Vjosa Osmanin, ajo këtë sakrificë e ka bërë për interesat e veta, madje duke i shkelur të gjithë, ka pretenduar se e mashtron edhe elektoratin e ndërgjegjshëm të LDK-së, i cili e dinë se Vjosa Osmani në politikë ka hyrë përmes Kabinetit Presidencial të Fatmir Sejdiut, ku bashkë me Isa Mustafën e paskan shantazhuar për tu faktorizuar vet. Këtë rol Vjosa Osmani e ka luajtur edhe në vitin 2015-2016, duke thënë se “nuk është momenti”, “nuk është koha”, “unë po hy brenda, për ta luftuar nga brenda”?! Ky skenar i realizuar me sukses, ka përjashtuar jo vetëm intelektual me emër, por fytyra e saj u duk sidomos në rastin e propozimit të Donikë Gërvallës, si kandidate e mundshme, kundër së cilës, sigurisht për interesa të Isa Mustafës, u tregua armiqësore vet Vjosa Osmani, e cila e linçoi, përjashtoi dhe ia ktheu shpinën.

LIDHJA, e bashkë me ta edhe Vjosa Osmani, paskan shpresuar në fitoren e këtyre zgjedhje, me struktura që asnjëherë nuk kanë qenë në LDK, pa bërë reforma të thella, të cilat, siç thamë, vet ajo i dështoi në vitin 2015-2016, prandaj as ajo si kandidate për postin e kryeministrit, as udhëheqësi i fushatës Lutfi Haziri, por as arkitekti i kësaj trojke Isa Mustafa, nuk marrin përgjegjësi për humbjen e këtyre zgjedhjeve, por shpresuakan duke bërë trysni mbi VETËVENDOSJEN, ta kompensojnë humbjen, duke grabitur postin e Presidentit, të cilin do të detyrohet VETËVENDOSJA për tua falur.

Fitorja e rrejshme se LIDHJA, paska dal njëjtë me VETËVENDOSJEN është mënyrë e manipulimit për të legjitimuar pafytyrësinë. Por, humbësit, si në çdo vend demokratik, duhet të ikën nga LDK-ja, bile me tërë suitën nga Instituti RIINVEST dhe bashkë me ta edhe ato dy grupet që i theksuam më lartë.

Befasi për këto zgjedhje padyshim ishte se kanë humbur “komandantët”, për të cilët thuhet se janë ngritur duke keqpërdorur gjakun dhe luftën e UÇK-së, të cilët i ndëshkoi elektorati i vet, jo elektorati i LIDHJES, e aq më pak ai i VETËVENDOSJES, sepse “Forca nuk e bënë fuqinë”?!...

Askush nuk e ka theksuar se fitorja e VETËVENDOSJES, në zgjedhjet e 06 tetorit 2019, është rezultat i pjekurisë politike të elektoratit të PDK-së, ishte vetëdija e tyre shtetformuese, ishte përgjegjësia e tyre historike, dhe padyshim edhe dashuria e tyre për Kosovën. Vetëm elektorati i PDK-së ka pranuar këtë shtangnim të proceseve, dhe kjo bëhej për fajin e “ca Komandantëve?!”, prandaj ata iu kanë thënë atyre JO, dhe ndryshimit PO! Le të shënohet ky konstatim se ndryshimin në Kosovë e bëri anëtarësia dhe elektorati i PDK-së i cili guxoi të refuzojë daljen në zgjedhje, që guxoi t’iu thotë mjaftë komandantëve të vet, dhe t’iu hap rrugë proceseve. E sikur në krye të PDK-së, të mos ishte Kadri Veseli, mbi të cilin rëndojnë akuza për vrasjet politike, sa ishte shef i SHIK-ut, dhe disa kandidat të konsumuar që kanë dhe akuza të përfolura, sigurisht rezultati do të ishte tjetër. Prandaj si rezultat i mosdurimit që pat elektorati i PDK-së, ndodhi kryqëzimi i Komandantëve të tyre duke e dështuar PDK-në.

Në anën tjetër, po në këtë proces elementi “ruso.serb”, bashkë me LIDHJEN, pasi e degraduan dhe përjashtuan Familjen Rugova, futën në lëvizje “gjakun e familjarëve të viktimave”, të atyre personaliteteve nga LDK-ja që janë vrasje me motive politike, sigurisht për t’i komprometuar edhe emrat e familjarëve që kanë bërë historinë. Madje nga zemërgjerësia që paska LIDHJA për LDK-në, këta familjar, në listën zgjedhore, kryesisht janë rreshtuar në dhjetëshin e parë. Në këtë plan, defekti moral i “PDK-së”, tashmë përmes LIDHJES, u bart tek LDK-ja, dhe fituan “ata ose ato” që për adutë të vetme kanë “gjakun e familjarëve të tyre”, që herët a vonë do ti kthehet bumerang LDK-së dhe proceseve.

Isa Mustafa, po tallet jo me VETËVENDOSJEN, por me tërë Kosovën dhe me Amerikën, prandaj është domosdoshmëri për një reagim intelektual dhe për ndërhyrjen e SHBA-ve, nëse aleatët tanë nuk dëshirojnë anarki dhe ngërç politik, që dëshiron për të paralizuar e ngadalësuar proceset nëpër të cilat po kalon Kosova!

St. Gallen, 31.12.2019.

Me shkas:

PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (13)

Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilin do t’ia

rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në

Librin e Rekordeve Guinness!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Pse nuk doli e para LDK-ja?

Lidhja Demokratike e Kosovës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme iu prezantua elektoratit me një listë konfuze, e cila paraqiste klientelë mjaftë interesante, e cila është sajuar për dështim. Në anën tjetër një pjesë e elektoratit të LDK-së, iu ka frikësuar afrisë së Vjosa Osmanit me Isa Mustafën, pasi ata janë të njohur si Këshilltarë të Lartë të Presidentit Fatmir Sejdiu, por edhe si komplotist të atij dështimi. Pozita e tyre në Presidencë, ishte bërë pa qenë fare anëtarë dhe në strukturat e LDK-së. Sigurisht ky duhet fatkeq, që atëherë paskan bërë planin për marrjen e “Kalas nga Brenda”?!

Çuditërisht në vend se të trajtohej si komplot kundër LDK-së dhe Kosovës, strukturat “për siguri” që duhet t’i ketë pasur LDK-ja, nuk i vuri përpara përgjegjësisë, as nuk ua ndaloi veprimtarinë në strukturat e LDK-së, por për fatin e keq ndodhi e kundërta, komplotisti Isa Mustafa me metodën e nëntokës, u zgjodh Kryetar i LDK-së, pa qenë kurrë më parë anëtarë i saj.  Edhe Vjosa Osmani, më parë nuk ka qenë strukturë e LDK-së, por e urrejnë, ish shefin e tyre, mikun e tyre, sa ishte President i Republikës së Kosovës, që e paskan këshilluar mirë?!

Komplotin e tillë, vet Sejdiu e kualifikon si veprim pas shpine, po këtu bëhet fjalë për komplotin që iu ka bërë Presidentit të Kosovës, e jo individit, ngjason në luftën për pushtet që kanë zhvilluar gjithmonë dinastitë e hershme dhe karagjorgjeviçet serbë, të cilët me vrasje dhe eliminime janë rrëzuar nga froni.

Në vend se LDK-ja ta merrte seriozisht këtë komplot kundër Presidentit i dal nga radhët e saj, i favorizoi për marshe të reja?! Një parti demokratike që është pjesë e EPP-së, për këto skandale do t’i vente përpara përgjegjësi partiake: Lista do të duhej të fillonte me Presidentin dhe Kryetarin e partisë prof. Fatmir Sejdiu, i cili në mënyrë urgjente është dashur të shkarkohej nga të gjitha strukturat e LDK-së, dhe t’i bëhej me dije se në demokraci secili merr përgjegjësinë e vet për raste të tilla. Po ashtu me dëbim edhe nga radhët e LDK-së është dashur të përjashtohen dhe të ndëshkohen komplotistët Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani. Nuk ndodhi kjo, por ata u shpërblyen me poste të larta udhëheqëse në LDK dhe në qeverisjen e vendit, andaj e kemi gjithë këtë Kaos, në LDK dhe në Kosovë. Në vendet me demokraci të zhvilluar do të niseshin edhe ndjekje penale për sabotazh dhe komplot shtetëror i cili kishte të bënte me autoritetin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Ky komplot kundër Presidentit të Kosovës, në masë të madhe ndikoi edhe reputacionin e vendit tonë në planin ndërkombëtar, por me shpërblimin që iu bë komplotistëve, dëm i madh iu ka bërë LDK-së, e cila edhe sot e kësaj dite po vuan tagrin e komplotistëve Isa Mustafa & Vjosa Osmani. Çuditërisht asnjë masë disiplinore nuk ndodhi, as një ndjekje penale nuk u bë, asnjë investigim gazetaresk nuk pat interesim, asgjë për besë, por shihet se dy Këshilltarët e Lartë të Presidentit, u bënë bashkë për t’ia marrë edhe LDK-në Fatmir Sejdiut, që i bie për ta pushtuar, “Kalanë nga brenda”, të cilën nuk arritën ta bëjnë dikur të burgosurit politik që ishin kategorizuar si marksist – leninist, ndërsa ky projekt u realizua falë nomenklaturës titiste në Kosovë. Ky paradoks është tepër i veçantë dhe mbase unikat, pasi nuk ka ndodhur askund në vendet e ish Kampit Socialist, që dolën nga diktatura komuniste, të vjen në krye të një Partie Demokratike, një komunist, madje pa qenë as anëtarë i asaj partie, siç ka ndodhur rasti në Kosovë me LDK-në.

Isa Mustafa, nga Instituti RIINVEST ka sjellë në struktura udhëheqëse të LDK-së një klientelë të dëgjueshme dhe të trajnuar për veprime të nëntokës, disa prej të cilëve ishin në Listën Zgjedhore që i printe Vjosa Osmani, bile të sistemuar në njëzetëshin e parë siç janë: Avdullah Hoti; Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Arban Abrashi; Arben Gashi; Vlora Dumoshi, e ndonjë që nuk e njoh, ndërsa nga Shoqëria Civile ka ardhur, Driton Selmanaj, edhe ky pa qenë anëtarë dhe strukturë e LDK-së; i ngjashëm është edhe rasti i Valon Murtezajt, i cili duhet të na tregojë në Francë a lejohet një Valon Francez, pa qenë anëtarë të futet në listat zgjedhore; ndërsa Anton Quni; përveç FARK-ut, bile atë pjesën e Bujar Bukoshit, kanë mjaftuar thashethemet për ryshfet e fajde, dhe për gjëra të tjera, siç janë rasti i vrasjeve në luftë. Se ka diçka që e gërryen ndërgjegjen e tij, e ka shfaq vet ai publikisht në Parlamentin e Kosovës. Por Anton Quni, do të mbahet mend për shkatërrimin e Degëve të LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, ku ka qenë drejtpërdrejt i angazhuar. Përveç Zvicrës, kujtoni mashtrimin dhe tradhtinë që Antoni ia ka bërë bijës së Heroit të Kosovës, Donikë Jusuf Gërvalla.

Titizmi ka vrarë natën dhe ka vajtuar ditën, ka vrarë tinëzisht burra e atdhetar të shquar, qoftë në prita ose vrasje të porositura, ndërsa familjaret e tyre i ka trajtuar me pensione, madje duke i ngritur dhe avancuar në sektorin e Sigurimit Shtetëror – UDB-e?! Kjo metodologji e cila nuk justifikohet, është vërejtur në Listën e Zgjedhjeve të 06 tetorit 2019, ku janë përfshirë familjarët e figurave të vrara politike nga radhët e LDK-së, vrasje këto që janë kategorizuar si vrasje me motive politike: Armend Zemaj; Doruntine Maloku; Besian Mustafa dhe Shkëmb Manaj, janë vetëm disa. Këtu mund të kategorizohen, por në një format tjetër edhe Fetah Rudi dhe Ilir Fadil Ferati. Të paktën për z. Rudi, LDK-ja është dashur për t’ ia siguruar një pension të dinjitetshëm, duket se Isa Mustafa, më kollaj e ka keqpërdorur fatkeqësinë e tij.

Ne e dimë se politika e mirë nuk zhvillohet kështu, nuk keqpërdoret gjaku familjar, mjaftë bënë “Komandantët”  me gjakun e luftëtarëve, pse edhe LDK-ja kopjoi këtë ves të shëmtuar, mund ta thonë strukturat e partisë, por dihet se askund nuk keqpërdoren (kaq shumë), atentatet politike, se askund në Evropën Lindore, në ato shtete që kanë dal nga komunizmi nuk është manipuluar kaq shumë, kaq keq as me luftën dhe as me gjakun e familjarëve.

Në anën tjetër edhe autoriteti i tyre publik është tejet diskutabil, sepse kështu si është vepruar, i bien se kanë shkelur Kushtetutën e Partisë (statutin dhe rregulloren për zgjedhje), duke i marrë nga arat dhe livadhet për t’i futur në Listën Zgjedhore?! E, kjo i bie për këta “Doktorant”, nëpër Universitete të Amerikës dhe Evropës, sikur edhe ata të kishin doktoruar, pa e kryer shkollën fillore, shkollën e mesme, fakultetin, duke u futur drejtpërdrejt në studime në nivelin Master dhe Doktoratë?!

Pas këtij veprimi, më lejohet edhe mua t’ua shtrojë një pyetje publike se cili është morali i tyre politik? Sidomos kur i drejtohen elektoratit, pa qenë anëtarë të LDK-së, pa e poseduar Librezën e LDK-së dhe pa e paguar as anëtarësinë, mësa shefi i tyre Isa Mustafa, i cili është zgjedhur kryetar i LDK-së pa qenë anëtarë i kësaj partie. Por nuk e kemi krejtësisht të qartë nëse edhe Vjosa Osmani, ka pasur këso privilegje në kapërcimin e hallkave të brendshme për avancim.  Ndërsa takimet e saj, qofshin zyrtare apo private me personalitetet nga Stejtdepartamentit Amerikan i Shtetit, e deri te takimet e saj me zyrtarët e CDU dhe ata në Bundes Tagun Gjerman, duke mos i përjashtuar as takimet e saj  me zyrtarët e lartë të EPP-së. Cili ishte qëndrimi i saj për Isa Mustafën dhe çfarë ka mundur me folur për personalitetin e tij.

Sipas kësaj shihet qartë se Isa Mustafa, është në mision për ta shkatërruar filozofinë politike të LDK-së, qoftë përmes eliminimit klasik të Familjes Rugova, për t’i dhënë imazh të keq LDK-së, ose përmes psikologjisë së KOMANDANTËVE të Luftës që futën në lojë gjakun e luftëtarëve, Isa Mustafa i shantazhoi edhe familjarët e viktimave, që duhet të gjykohet si mëkat, se as Zoti nuk e thotë që ta zëvendësojë logon e LDK-së me logon “LIDHJA”, e duke ia shtuar edhe “pikën”, madje duke e vendosur portretin e vet, (aty ku iu ka dhënë rasti), për të dëshmuar vazhdimësinë e LKJ-së.

Kështu si ishte, lista edhe përbrenda sojit, ishte heterogjene, një mozaik i ndërtuar me qëllimin e zi për të krijuar divergjenca ideologjike e konceptuale, mbi të cilat mjeshtërisht duhej të notonte Isa Mustafa. Natyrisht këto grupe kanë qasje dhe koncepte kundërthënëse, por sipas njohësve, lista kështu si ka qenë ka pasqyruar më së miri mozaikun e klientelës së fragmentarizuar, e kjo bëhej vetëm për nevoja strategjike, si luftë e bërrylave dhe intrigave të caktuar. D.m.th. edhe kësaj radhe LDK-ja nuk dashi me i fituar zgjedhjet sepse me pak ndryshime dhe me një strategji tjetër, kollaj do të dilte partia e parë, e nuk do të duhej të flisnim për pozitën e Presidentit.

Këto krahasime, nuk janë aspak shpifje, por vet Vjosa Osmani, ka deklaruar në TV Dukagjini, se  i ka pasur duart e lira dhe askush nuk iu ka përzier në përpilimin e kësaj liste, nga e cila siç ka thënë ajo, qeverinë do ta përbëjnë emrat e përfshirë brenda njëzetëshit të parë. Kjo na shtyn me besuar për një Zonjë me mjeshtri kalkulimi, duke manipuluar me emrat, sidomos me ata që janë themeluesit ose që kanë bartur përgjegjësi historike gjatë viteve të nëntëdhjeta siç është rasti i prof. dr. Rexhep Gjergjit, i pozicionuar në Nr. 80. Pastaj po në atë emision ajo ka deklaruar se raportet e saj me Isa Mustafën, nuk kishin qenë kurrë të këqija, që mund të përkthehet se të gjitha konfliktet e saj me Isa Mustafën, paskan qenë farsë, paskan qenë skenar të planifikuar, sa për të mashtruar opinionin dhe për t’i penguar të gjitha iniciativat e mundshme për reforma të brendshme, të cilat kanë mundur t’ia rrezikojnë pozitën Isa Mustafës. Mbase komplotizëm shqetësues por i mundshëm?!

Nëse i shikojmë kandidatët në listën zgjedhore, deri në numrin 20, zgjedhjet nuk fitohen pa kriter profesional, pa përfshirje adekuate regjionale, pa kriter gjinor, (brenda çdo dhjetëshi, proporcionalisht), dhe aspektet konfensionale etj. Një luftë e tillë kundër gjeneratës së vjetër është e pafalshme. Dr. Rexhep Gjergji, është dashur të përfshihet brenda dhjetëshit të parë, ndërsa Salih Cacaj, të paktën brenda njëzetëshit të parë. Po ashtu dy kandidatët e PSHDK-së, dr. Ukë Berisha dhe Zef Morina, është dashur të pozicionohen njëri brenda dhjetëshit të parë e tjetra brenda njëzetëshit, nëse ka pasur sinqeritet dhe duam për të treguar mentalitet Evropian, edhe ish Ministri i Mbrojtjes, Haki Demolli dhe akad. Frashër Demaj, është dashur të sistemoheshin brenda njëzetëshit për të krijuar një mozaik më të butë, sepse frika nga RINVESTI dhe Parashutistët nga FARK e nga Shoqëria Civile, si dorë e zgjatur e Isa Mustafës, është evidente, e frikshme dhe shqetësuese.

Në këtë listë është dashur pa tjetër të futet Hafiz Gagica dhe Donika Gërvalla, si përfaqësuesit më tipik të diasporës dhe patjetër është dashur të futet në listë edhe deputetja e legjislacionit të kaluar e bija e dr. Ibrahim Rugovës, për të dëshmuar Vjosa Osmani dhe klika e Isa Mustafës, se nuk ka tendencë për ta shfarosur emrin dhe filozofinë e LDK-së dhe atë të dr. Ibrahim Rugovës.

Vetëm me Institutin RIINVEST dhe “Brezin e Republikës” nuk fitohen zgjedhjet?!

Zgjedhjet nuk fitohen me rrena e dallavere, aq më pak me Institutin RIINVEST dhe “Brezin e Republikës”, por do të duhej me një ekip profesional shumë më të përgatitur, më profesional, më gjithëpërfshirës, më të kompletuar. Në asnjë rast nuk është dashur për ta mbuluar Logon, përkatësisht Siglën e LDK-së me LIDHJA as me sloganin e kopjuar nga PDK-ja “BESO”, pastaj askund asnjëherë nuk është dashur të mbulohet portreti i Presidentit Historik dhe kryetarit më karizmatik që pat LDK-ja, me njëfarë portret-kufomë të një teknokrati komunist. Nuk është dashur, përveç në Gjilan, të paraqitet askund Lutfi Haziri, ndërsa Vjosa nuk është dashur të flas pa koncept, se dëshmoi është tepër e papërgatitur dhe të mos çaraveshej aq e ekzaltuar, se veç fushatë ishte, pa pasur në dorë një koncept të shkruar se çfarë do të duhej me fol, premtuar dhe garantuar.

Përgjegjësia Nr.1, për humbjen e zgjedhjeve bie mbi bartësen e Listës Zgjedhore, dr. Vjosa Osmani, e cila vetë është deklaruar se askush nuk iu ka përzier në përzgjedhje, dhe se i ka pasur duart e lira me vepruar, andaj në fushatë zgjedhore është dashur (të paktën në Prishtinës dhe Podujevës), të shihej edhe ish kryetari dhe Presidenti që e kanë tradhtuar Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa, prof. dr. Fatmir Sejdiu, i cili me siguri LDK-së do t’i kishte sjell më shumë vota se kushdo tjetër. Pastaj në tubimet në Prishtinë dhe atë në Nëndegën e LDK-së në VELANI, (Nëndega e Presidentit Rugova), është dashur të ftohej edhe Familja e Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Pastaj, pastaj nëpër tribuna të nivelit lokal, po sidomos në debate televizive, aty ku bëhej fjalë për diasporën, është dashur të ftohen, veprimtar, intelektual dhe analist nga diaspora, (qoftë edhe autori i këtyre rreshtave), por në asnjë mënyrë ata që nuk kishin njohuri minimale.

Vota nuk fitohet vetëm nga Instituti RIINVEST dhe kleintela e ashtuquajtur “Brezi i Republikës”, as nga parashutistët që kanë ardhur nga Shoqëria Civile, se Kosova ka nevojë për kuadro të afta s’ka dyshim, por jo aso kuadro që të vetmen mbulesë kanë adutin e tragjikes familjare apo të diplomës që e kanë siguruar atje ku jeton elektorati i LDK-së në Diasporë, të cilën LDK-ja e urren shumë, kurse me diplomat e marra në Evropë dhe Amerikë, mburren duke i përdorur si karrem për të mashtruar e manipuluar elektoratin.

A është Vjosa Osmani, Angela Merkel?

Dr. Vjosa Osmani, nuk është Angelika Merkel, sepse edhe nëse llogaritim në proporcionin 1:1, ka rrezik se Vjosa Osmani, në llogaritë bankare të ketë trefish ma shumë kursime se sa Angela Merkel, se sa i përket hapësirës së banimit, tashmë dihet pasi Vjosa Osmani ka trefish hapësirë më shumë se sa Kancelarja gjermane Angelika Merkel, për të cilën është thënë se ka hapësirën e banimit më pak se 80 metra katror. E, Angelika Merkel është Kancelare e shtetit më të fuqishëm në Glob, ndërsa Vjosa është e shtetit më të varfër në Evropë. Pastaj Merkel, karrierën politike e ka mjaftë të rregullt, nuk e besoj se ajo ka dal nga kabineti i ndonjë Kancelari Gjerman, të cilin e ka shantazhuar për tu faktorizuar vet, ashtu siç ka vepruar Vjosa Osmanin, kundrejt Presidentit të Kosovës. Ajo karriera e saj nis nga një përkthyese në organizata të huaja, si këshilltare për çështje Juridike në Kabinetin e Presidentit, madje pa qenë strukturë e LDK-së. Pastaj nga aty në majat e LDK-së. Andaj duke qenë juriste paradoksi duket më tragjik, më komik dhe aspak demokratik!

Në vitin 2015-2016, Vjosa Osmani, ka pasur një rol për ta frenuar nismën për reforma, të cilën e ka kaluar duke zvarritur, duke kërkuar momentin, por duke u shprehur se ajo po futet me vazhduar përpjekjen nga brenda. Koha e vërtetoi dhe vet ka thënë se s’ka pasur kurrë konflikte me Isa Mustafën.

Dihet se Armend Zemaj, Anton Quni dhe Doruntinë Maloku, kanë qenë drejtpërdrejt në shkatërrimin e Degës së LDK-së në Zvicër. Natyrisht, përmes mercenarëve që i ka shpërblyer vet Anton Quni me certifikata veteranësh, dhe duke bërë skenar ish-polic të cilët sipas gjasave janë dëshmitar të mbrojtur, për të mos thënë spiun, e arritën qëllimit. Por Vjosa Osmani nuk ka reaguar madje as në rrugë private, duke iu shmangur edhe takimeve të rastësishme në Prishtinë. Vjosa ka qenë e informuar se si deputeti Armend Zemaj e ka kërcënuar dhe fyer Kryetarin e Degës së LDK-së në Zvicër, por as në atë rast nuk ka reaguar, kurse tani për djalin e Isa Mustafës, ishte një nga të parat. Vjosa nuk ka reaguar as kur babi i këtij djalit të kërcënuar, në cilësinë e Kryeministrit të Republikës dhe Kryetarit të LDK-së, bënë kualifikime që po të kishim shtet juridik, do të duhej të ndiqej penalisht. Po ashtu nuk ka reaguar as kur huliganët e Isa Mustafës, sulmuan fizikisht njërin nga themeluesit dhe veprimtarin shumëvjeçar të Degës së LDK-së në Zvicër. Heshtja e saj nuk besoj se ka qenë rastësi, ndërsa kulmi i kësaj heshtje do të jetë tërheqja e Donikë Gërvallës nga posti i kryetares së LDK-së në Gjermani, për tua krijuar mundësinë halabakëve për tu tallur me LDK-në, ndërsa në Zgjedhjet e 06 tetorit 2019, edhe pse u përfole emri i Donikë Gërvallës, edhe pse vet Vjosa u deklarua se ajo paska insistuar të mos jetë përfaqësuese e Degës së LDK-së në Deçan, por të futet nga Qendra në Prishtinë edhe për shkak të kuotës.

Gjatë fushatës, Donikë Gërvalla nuk u pa gjëkundi, sikurse edhe heshtja e Vjosa Osmanit kundrejt saj u bë plojë. Por vizita e saj në CDU dhe Bundes Tagun Gjerman, kohë më parë sikur ia hoqi velën tërë kësaj intrige. Donikë Gërvalla u detyrua të hesht sikurse edhe për Familjen Rugova, përkatësisht për Teutë Rugovën, më datën 7 shtator 2019, Vjosa Osmani para kamerave është deklaruar se ka qenë “vendim i përbashkët” me  Familjen Rugova. Ekzaltimi i saj pas LIDHJES dhe sloganit “Beso.”, e komplikon edhe më tepër çështjen, pasi Familja Rugova gjatë tërë fushatës nuk mori pjesë duke mbajtur heshtje absolute.

Prandaj do të ishte me interes nacional, për të gjithë ata që mendojnë t’i analizojnë zhvillimet politike në LDK, t’i shohin më saktë faktet, dhe të mos nxitojnë për aludime e propozime në dëme të Kosovës, pasi nuk na duhet për “ta heqim bakallin për ta vendosur bardakun”, ka pas thënë që moti diktatori i Shqipërisë Socialiste, Enver Hoxha!

Kriminaliteti ekonomik

Për kriminalitetin ekonomik dhe shtimin e pasurisë të Isa Mustafës, është folur mjaftë, qoftë për Fondin 3%, “Huan Popullore”, falimentimi i “Dardania Bankës”, keqpërdorimi i rreth 60 milion markave në Fondin UFORK. Madje kemi emisione të gazetarëve hulumtues si “Vjedhje në kohë lufte”, “Lidhja e terminaleve”, e shumë të tjera, por unë këtyre aferave po ua shtojë edhe disa të tjera më pak ose fare të përfolura për të cilat kam dëgjuar të cilat për Prokurorin e Shtetit, ose të Prokurorive të Krimeve të rënda është punë e thjesht për tu vërtetuar duke shikuar lëvizjen e pronarëve të tokave për të cilat flitet se:

1. Rruga “B” në Prishtinë

Para dy-tre vjetësh duke kaluar përgjatë asaj rruge një mik më pyeti nëse e mbaj mend përroin që ka qenë para se ajo pjesë e qytetit të bartej në atë pjesë. Po i thash! Ndërsa miku vazhdoi: Në atë kohë Isa Mustafa, ka dërguar klientelen e vet, nëse jo të bijtë dhe kanë blerë këtë tokë përgjatë lumit, pastaj e kanë dhënë me koncesion këtyre investitorëve. Në çdo hyrje sigurisht janë dy-tre banesa në emrin e tij ose të klientelës. Asnjëherë nuk më ka interesuar të merrem me këtë investigim gazetaresk, por për prokurorinë është çështje e thjesht për të shkuar se si janë ndërruar pronarët mbi ato parcela dhe nëse ka diç të saktë pse të mos hetohet!

2. Rruga Shkabaj – Bërnicë

Rrugës për në Mitrovicë, në fshatin Shkabaj (ish Orlloviqi), dukej një rrugë që do të lidhë një Unazë përreth Prishtinës që atë zonë me Bernicën. Miku i më tha se rruga kalon kah trojet (parcelat), e Isa Mustafës, qofshin në emër të tij, të bijve a ndonjë klienteliste që ai e kontrollon, s’ka rëndësi por Stadiumi i Ri i Prishtinës është thënë se po ndërtohet në Drenicë. Përveç se ai lokacion është shumë ma mirë, më afër Prishtinës, duhet të ndërtohet aty sepse janë trojet-parcelat e Isa Mustafës, dhe vlera e investimit duhet t’i shumëfishohet. Edhe kjo gjë për hetuesinë nuk është e kushtueshme të dihet prej se kurë datojnë ato parcela toke në emër të Isa Mustafës, pasi me tokat shtetërore përreth Prishtinës është folur shumë dhe për keqpërdorime (pasi mund të jetë mashtrim kundrejt pronarëve real), pse të mos verifikohet?!

3. Malet mbi Rimanisht

Aty ku përfundon Autostrada në fshatin Trudë, nisen vargmalet e Fshatit Rimanisht të cilat shtrihen në horizontin ku është paraparë devijimi i autostradës nga drejtimi Merdare për në kufirin në Fshatin Mutivodë, aty diku afër ku Isa Mustafa e ka shtëpinë në fshatin e tij të lindjes. Shoqëruesi im duke shtrirë dorën në drejtim kah duhet të gjarpëron ajo Autostradë, tutje janë mbi 200 hektarë mal që i paska blerë Isa Mustafa, në mënyrë që kur të shpronësohet me iu rrit disa herë vlera investimeve të tij, por përsëri duket si me hile, pasi ky zyrtar i ka në posedim vite më herët projektet dhe nëse ka diçka në këtë plan, ne nuk mund të themi asgjë më shumë vetëm se komunisti mbetët komunist edhe sikur ta shpërngulim për në planetin e hënës. Edhe këtu nuk do të jetë ndonjë vështirësi për tu ditur nëse ato male, në këto vitet e fundit kanë ndërruar pronarin e vet?


Modeli kroat për Kosovën
!

Modeli kroat, për ish kryeministrin e tyre është domosdoshmëri për Kosovën. Për ish kryeministrat dhe ministrat si dhe zyrtarët e lartë të cilët janë shkaktarët e gjithë kësaj gjendje. Nëse ky model do të ishte mirë, të nisej me Isa Mustafën, për t’i zbardhur të gjitha veprimet e tij politike dhe ekonomike, për tua zbardhur prejardhjen gjithë atij kapitali të grumbulluar, pastaj jo vetëm familjarëve por edhe klientelës së tij, këshilltar e mbrojtës për të cilët mediat shkruajnë se janë multimilioner, pasur kjo e shtuar vetëm nga përfundimi i luftës e këtej!

Reforma dhe Vetting në LDK

Se LDK-ja ka nevojë për reforma s’ka dyshim. Për domosdoshmërinë e reformave në LDK, kam shkruar qysh e kam kërkuar qysh në vitin 2000. Kjo temë gjatë këtyre viteve, vazhdimisht ka qenë obsesive, prandaj nuk kam prajtur së shkruari, analizuari dhe kërkuari për reforma rrënjësore dhe ngritje e institucionit të përgjegjësisë politike për humbjet dhe dështimet. Prandaj do të ishte mirë të niste ndonjë iniciativë nëpër nëndegë për tu shtrirë kudo deri në majat e piramidës. Por reforma serioze nuk mund të bëhen pa iu nënshtruar një Vetting-Verifikimi, të gjitha strukturat për të parë se si janë ngjitur ne maja të piramidës, në mënyrë antistatutare e jashtë çdo normë demokratike të gjithë studentë shembullor me grada doktorë shkencave, të mbrojtura po ashtu me sukses dhe nota të larta nëpër Universitetet Prestigjioze në Amerikë dhe kudo në Evropë. Këto hulumtime duhet t’i udhëheqin ekspertet e sociologjisë dhe të psikologjisë për të arritur me kap defektin e ADN-së së tyre, dhe për t’i lexuar karakteret sipas teorisë së Psike-Analistit Jug!

A meriton Isa Mustafa të zgjidhet President i Kosovës?

Jo në asnjë mënyrë! Sepse janë të mjaftueshme 40 vjetët e tij aktive në kriminalitetin e shëmtuar politik, organizativ dhe ekonomik mbi Kosovën. Ky njeri qëndroi gjithmonë në anën e errët të hënës, në të gjitha  proceset nëpër të cilat kaloi Kosova. Isa Mustafa nuk e meriton të zgjidhet President i Kosovës, bile ai duhet të përjashtohet edhe nga LDK-ja e bashkë me të, edhe të gjitha strukturat e kapërthura në mënyrë antistatutare dhe në kundërshtim me rregulloret për zgjedhje të brendshme. Shkelja e statutit dhe të rregulloreve partiake është njësojë si shkelja mbi Kushtetutën e Republikës. Po ashtu dihet se mbi Isa Mustafën rëndojnë shumë akuza, prandaj me “Ngërç Politik”, të bësh përpjekje për tu bërë edhe president, i tejkalon të gjitha normat, morale, psikike e psikologjike të individit. Isa Mustafa, dhe të gjithë vartësit e tij të cilët kanë krijuar pasuri në mënyrë jo të ligjshme, duhet të ndëshkohen dhe pasuria e tyre të konfiskohet, e jo pas humbjeve të 06 tetorit 2019, të mundohen me bllokada e marifete të tilla ta mbulojnë dështimin.

Me një fjalë, dikush duhet ta bind Isa Mustafën, se Kosova nuk duhet të trajtohet si klinikë për t’ia shëruar komplekset atij për tu bërë edhe President i Kosovës. Pra, Ai nuk duhet në asnjë mënyrë të zgjidhet President i Kosovës, por karriera e tij duhet të përfundojë ashtu siç kanë përfunduar të gjithë diktatoret që janë përballur me drejtësinë. Kosova meriton trajtim serioz, asaj i duhet një President më konsensual, më i pranueshëm dhe më unifikues për spektrin e përçarë politik!

Koalicionin e ardhshëm qeverisës “LVV & LDK”, duhet ta bëjnë këto dy subjekte politike, në të kundërtën përgjegjësia bie mbi Isa Mustafën dhe klientelën e tij!

St. Gallen, 03.01.2020

FUND



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT