Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ismet Krasniqi: Lindja e luftëtarit (Dramë)

| E enjte, 09.10.2008, 05:29 PM |


Nga Ismet Krasniqi, aktor

 

 

                    dramë

 

 

 Redaktor

PREND BUZHALA

 

 

Recensues

SEJDI BERISHA

DIBRAN FYLLI

 

 

Lektor

PREND BUZHALA

 

 

Ballina 

 IDRIZ BERISHA

 

 

Redaktor teknik

dibran fylli

 

 

Radhitja kompjuterike

ARIANIT KRASNIQI

 

 

 

ISMET KRASNIQI

 

LINDJA

E

LUFTËTARIT

 

dramë

në tri akte me tetë pamje

 

 

Klubi i Shkrimtarëve

„VOREA UJKO”

Klinë

2008

 

 

Lindja e luftëtarit______________________5

 

 

 

Në vend të parathënies

 

 

Fillimisht, teksti u shkrua si skenar filmi, por këtu iu dha trajta e dramës. Prandaj, drama mund të jetë edhe skenar filmi. Bëra përpjekje që temën bosht ta shtjelloj përmes ngjarjeve të mëdha të popullit tonë, të luftës se UÇK-së. U nisa nga dëshira që ta portretizoj një periudhë të  vështirë, por të lavdishme të historisë sonë. Lufta e  UÇK-së dhe e popullit shqiptar, motivoi edhe krijuesit  e artit skenik për të bërë .vepra arti. Pamjet, të cilat i paraqita  në libër, janë sekuenca  të ndodhura realisht, natyrisht duke i shndërruar ato në përjetime artistike. Kështu që  regjisori, aktori, qoftë skenografi  apo skenaristi,  që e vejnë në skenë apo në film,që e bëjnë film, do ta kenë më të lehtë realizimin e kësaj ideje. Në tokën e djegur, prapë jeta vazhdon. Brezat ripërtërihen. Në çdo përvjetor përkujtohen dëshmorët që ranë  në altarin e lirisë.

 

Autori

 

6_________________________Ismet Krasniqi

 

 

 

Personazhet

 

1. Plaku (Tushi)

 

2. Plaka (Hana)

 

3. Avdia-djali (Komandant i UÇK-së)

 

4. Shota (nusja)

 

5. Besa ( vajza)

 

6. Albani (djali)

 

7. Fshatari I

 

8. Fshatari II

 

9. Fshatari III

 

dhe statistë të tjerë:

-Fshatarë,

Ushtarë të UÇK-së ,

Milicë e paramilitarë serbë

 

 

Lindja e luftëtarit______________________7

 

 

 

 

Akti i parë

 

Pamja e parë

 

Skenografia:

 

-Skena paraqet një dhomë ndeje në shtëpinë e Tushit. Në të duken ca elemente, dy tre stola, një tavolinë në qoshe, në mes të dhomës është e varur një poq elektrik, i cili rri i ndezur, në anën e djathtë duket një dritare dhe përballë skenës është dera, e cila duhet të funksionojë. Nëpër mur ka ca fotografi të varura... Plaku vjen nga jashtë, ulet i mërzitur dhe e merr gjumi. Pranë tij sillen shtriga e lugetër, me rrobe të zeza, plaku trembet dhe gjuan me shtagë.... dhe zgjohet nga gjumi, duke dihatur. I lodhur, e thërret plakën...

 

 

 

 

 

 

 

8_________________________Ismet Krasniqi

 

 

Tushi:

Oj Plakë, oj Plakë bjerma një gotë uji... (plaka ia bien ujin, plaku e pinë ngadalë...)

 

Hana:

Plak, a ta bëj një kafe ?..

 

Tushi:

Aaa, moj plakë, as ujin s`po mundem me e pi, as për kafe nuk jam hiq !...

 

Hana:

Po çka ki o plak ? Ti mirë ke...

 

Tushi:

E, moj plakë, koha nuk asht për me kanë mirë, po ishalla Zoti e banë mirë...

 

Hana: 

S`di çka u bë me ty o plak, ti je kanë gajretçar e qetash krejt diçka t`ka hup busulla...

 

Tushi:

E moj plakë, lumja ti që s`di ma shumë...

 

 

 

Lindja e luftëtarit______________________9

 

 

Hana:

Allahile plak edhe me qeto lajme e ke teprua...aty flitet mbar e mbrapsht... e ti po nervozohesh...mos i këqyr ma.

 

Tushi:

Ishalla moj plakë e ka Amerika përnjëmend... heheee...se vaj halli...

 

Hana:

Allahile plak, mos ia le seri, Amerika larg asht prej neve ...

 

Tushi

(qesh...si me ironi) E moj plakë, me e pasë përnjëmend për një minutë qetu e ki... (bën me shtagë).

 

Në dhomë hyn Avdia, djali i tij

 

Avdia:

A u lodhtë. Babë, qysh e bane ditën sot?....

 

Tushi:

Po mirë, bre bir mirë, po ti kah ke?... Nuk asht mirë me dal vakt e pa vakt se ka ardhur kohë e lig...

10________________________Ismet Krasniqi

 

 

Avdia:

Babë e përcolla atë shokun temë  Agimin  shkoj për Gjermani.... e përcollëm për në Shkup me hyp n`aeroplan...

 

Tushi:

Haj medet haj, Shkupi skele e keqe ka shërbye për shqiptar... qysh moti...

 

Avdia:

Pse babë...?

 

Tushi:

Eee more bir, prej Shkupit  sa shqiptari a shkep nëpër dynja... (me buzë bën yyyoooo...) veç për Turqi sa kanë shku?!

 

Avdia:

Pse janë shkua atje ?...

 

Tushi:

Prej derti biro, zullumi i shkaut... Beng e beng i zgjidhshin familjet, ju bashin presion me ik prej Kosove... qetë armik e kemi pas gjithë mbi krye.

 

 

Lindja e luftëtarit_____________________11

 

 

Avdia:

Këqyr bre babë çka po të thamë, besën e zotit po ta jap se nuk kanë me mujt me lu me ne ma !....

 

Tushi:

He, more bir, nuk e njeh ti politikën e shkaut, ato që donë me ti ba ty, i thotë botës se po ma bëjnë mu...

 

Avdia:

Valla, more babë, nja po ta thamë... se me na damtu munet, po kurrë ma Kosovën se ka...

 

Tushi:

A, more bir, gatu e kam edhe unë se ky qyqan edhe në t`kalumen ka tregu se dëmton ku mundet e jo ku s’mundet, aji dëmton fëmije, pleq, gra e  ....

 

Avdia:

Babë, mos u banë fort merak për këtë punë se ka qare, ne shumë sene i kemi mësua prej teje përpara....n`televizor na ke mësua kënd me dashtë e kënd jo... (duke qeshur, e përqafon plakun..), Babë, po dal njëherë e kam një punë me e krye) .....

12________________________Ismet Krasniqi

 

 

Tushi:

Ani, bre bir, Zoti ua dhashë t`marenë.... Albani e Besa ku janë ?

 

Avdia:

Mos u ban merak, unë te ta po shkoj...

(e merr flamurin kombëtar dhe e fut n`gji, nen rroba)

 

Tushi:

(e shikon me përmallim....plaku pi duhan dhe mendon) Po thonë, bre bir, se ka dalë një ushtri shqiptare,  si ningjat ishin ata, he lumtë na t`lumtë për ta.....

 

Avdia:

Babë, a ki qef me i pa ...?

 

Tushi:

Boll, bre, pasha Zotin...

 

Avdia:

Babë, me ti pru në konak a ju banë  muhabet....

 

 

 

Lindja e luftëtarit_____________________13

 

 

Tushi:

(Nga figura plaku shihet i gëzuar) Po vallahi dashin ua prej veç le t`vinë.....edhe gotat kam me i cingrru me ta bile...

 

Avdia:

 Po babë, veç me i pru këtu në konak, ata ti lypin djemtë me u bë me ta.....

 

Tushi:

Ev, bir bre, unë bahna me ta e le ju... e din çka ka tha mulla Maliqi i Drenovcit...?

 

Avdia:

Jo valla, babë, e çka ka tha....?

 

Tushi:

Ka thanë, haram a me pi raki, e kur e kanë vet e me u bashku Kosovë e Shpini a a` haram me pi raki?  Mulla Maliqi ia ka kthye, me u bashku Kosovë e Shqipin unë

si hoxhë një bure duhet me e pi e le ma ju xhemati sa duhet me pi.... (qeshin të dytë përqafohen dhe sikur me përmallim përshëndeten...dhe pak guxhumiten në mes veti....) Hajt bir rruga e mbarë, e  u priftë e mbara. riju gati Besës edhe Albanit......

14________________________Ismet Krasniqi

 

 

Tushi:

Oj plakë !?...

 

Hana:

O haja....

 

Tushi:

 Bima një kafe... (pak më në qejf...)

 

Hana:

 A t`erdh qefi me pi kafe, a ?

 

Tushi:

Kafja pihet për qef, oj plak e  jo...

 

Hana:

Ani ani mirë  se qe po ta qes... (plaka ia bien kafen...e ulet aferë plakut).

 

Tushi:

Allahile plakë a po di gja për qeta fëmijë tonë... çka a ka bahet me ta ... po vinë vonë e po shkojnë herët e ?...

 

Hana:

(mendon ma thellë) Po si fëmija e tanë

dynjasë... (pak sikur i bien në mend diçka)...

Lindja e luftëtarit_____________________15

 

 

vallahi nuk e di, o plak veç, para dy net i kam pa me do tesha me lara e me  një flamur kuq e zi me tri shkronja të sarihta.... (gjatë kësaj kohe, sa flasin pleqtë...vendoset  xhirimi “Besa duke e qepur emblemën e UÇK-së...e djemtë duke e provuar uniformën).

 

Tushi:

(Bën me kokë, e kupton se çka po ndodh) O, ndihmo Zot. (ia bën vetes) Oj plakë, po a kem mill hiq a duhet me qu me blu  a ?...

 

Hana:

Po, ka boll veç ishalla me të shëndoshë e hamë... po ka po donë o plak...?

 

Tushi:

Po dal pak e po takohna me parinë e fshatit, s’i kam pa moti...

(plaku del nga dhoma, derisa plaka mbetet duke e shikuar pas).

 

Skena errësohet – ndërrimi i ambientit

 

 

 

 

16________________________Ismet Krasniqi

 

 

 

 

 

Pamja e dytë

 

(Në mes fshatit, fshatarët e tubuar, duke folur secili për qejf t`vetin...shkon plaku...bëhet një dialog paksa i tensionuar rreth situatës politike...)

 

Fshatari II:

Allahile, burra, përnjëmend po mendoni se Amerika ka me e bombardua Serbinë për ne, a?!...

 

Fshatari I:

Jo për ne, po për hir të drejtësisë e demokracisë...e kjo ka me ndodhë s`shpejti me emër të Zotit...

 

Fshatari II:

Po më duket, ti pramë s’i paske ngu  lajmet hiq...

 

Fshatari I:

Pse, çka thanë?

 

Lindja e luftëtarit_____________________17

 

 

Fshatari III :

Po s`na përmenden ne hiq, as s’e banë llaf punën e Kosovës bile...

 

Fshatari I:

Po a e përmendën Amerikën?

 

Fshatari III:

Po, Amerikën e përmenden...

 

Fshatari I:

E boll asht, kur përmendet Amerika, përmendemi edhe ne...

 

Fshatari II:

Po Rusia, s`po i bien hiq  natë krah ....Me këta jezita nuk asht shaka...

 

Fshatari I:

Aiiii qetash krejt ia nxjerre fundin, po aty ku kundërshton Rusia e Serbia për ne asht mirë....... (e bëjnë një të qeshur ironike, në ndërkohë, Fshatari II paralajmëron diçka)

 

Tushi:

(i përshëndet) Ju ngjatë jeta burra, po qysh jeni a si jeni a ?!

18________________________Ismet Krasniqi

 

 

Fshatarët:

Tungjatë jeta Tush, a mund dole, hajde ulu.

 

Tushi:

Qe qe qetu po ulna...(fjalët i ndërpret) Po hajt burra, folni çka ketë tujë  bisedua...

 

Fshatari I

Po, kem tujë folë, o Tush, për lajmet që i dëgjuam bram.....dikush po thotë ka me i ra NATO, dikush s`ka m’i ra...

 

Fshatari II:

Qebesa, more burra, vështirë e kemi, jemi rrokë me të fortin qysh koftë hair...

 

Fshatari III:

Jo more, çfarë i forti, i fëlliqtë po e fort jo trohën, edhe në fund të fundit me ta jem në luftë qe njëqind vjet.....

(dëgjohet një  e shtënë e fortë, pastaj edhe disa rafalë automatikësh....)

 

Fshatari I:

More burra qysh koftë hajr se qeto për nime e kanë .....

 

Lindja e luftëtarit_____________________19

 

 

Tushi:

More burra, ma nuk ka për mahi, veç përnjëmend, kush keni armë e mashqi, forconi, veç mali ishalla na shpëton.... a po e shihni, more burra, se vendi na metë shkret pa rini, tujë ik e tujë dal rrugëve të botës... deri kur, more burra, kështu pa u ba na të fortë, anemiku nuk bahet i lig, na duhet me u forcua... (dëshiron dikush për të folur) e dimë se asht rrezik, por edhe duar lidh s’mundem me ndjetë, se na dënon historia....T’i lamë inatet e armiqësitë ndërmjet veti e të kthehemi kundër armikut, kështu kanë vepruar gjithë herë shqiptaret kur atdheu ka qenë në rrezik....

(Plaku, duke folur, qitjet me automatik duke u  shpeshtuar...gjithë herë duke u tendosur atmosfera për luftë....Këtu mund të përdoret ndonjë incizim gjatë luftës, kur forcat pushtuese serbe bëjnë sulme me tanke e me armë....).

 

 

Skena errësohet - ndërrim i ambientit

 

 

 

20________________________Ismet Krasniqi

 

 

 

 

Akti i dytë

 

Pamja e tretë

 

Këtu shihen të rinjtë duke u mobilizuar... janë një rresht i gjatë pa uniformë, ata i pranojnë e i marrin me radhë uniformën dhe armët...

 

Avdia:

E, more shok. nuk mbahet mend se dikush ia ka sjellë lirin dikujt pa luftuar vetë, e ndihma na duhet edhe ne....

 

Shota:

(Duke u vesh urnë uniformë) Të lumtë goja, o Avdi, ashtu është...

 

Albani:

Tuci (frikacaku), s’ka  as dynja as ahiret ... (të gjithë qeshin...)

Shota:

Vëllezër, ta japim betimin, do të luftojmë për atdhe dhe do te vdesim nëse e kërkon

liria e atdheut..... (të gjithë i kryqëzuan duart me këngën Besa-besë.....).

Lindja e luftëtarit_____________________21

 

 

Avdia:

(Komandon me ushtarë dhe bën një parakalim. Në ballë është flamuri..... dhe shkojnë për ta ngritur flamurin.... me himnin kombëtar......gjatë tërë kohës vërehet një simpati në mes Shotës e Avdisë ....  këtë  pjesë e shoqëron marshi i UÇK-së).

 

 

Ngritet Flamuri – Rreshtimi i ushtarëve

 

Leximi i Betimit ushtarak në UÇK

 

 

Avdia lexon, ushtarët përserisin:

Si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm, që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të ATDHEUT.

Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im.

BETOHEM !

22________________________Ismet Krasniqi

 

 

Avdia:

          Para ushtarëve e mban një fjalim:

 

Ushtarë të nderuar, duhet ta ruajmë imazhin e luftëtarit të lirisë, në fillim do t’i përdorim edhe maskat, por duhet shumë të kemi kujdes që të mos na keqpërdorë askush, ka të atillë që mundohen maskën ta përdorin për qëllime të këqija, të tillët janë keqbërës. Pjesëtari i UÇK-së ka për obligim të sillet si ushtar i popullit, t’i zbulojë  ata që sillen keq në emër të UÇK-së, sepse ata që e keqpërdorin uniformën tonë, janë të barabartë me tradhtarët. Ne jemi të bijtë e këtij populli, por puna ende është e përzier. Për ta kursyer popullin dhe veten, duhet të veprojmë në këtë mënyrë. Populli është i gatshëm të na përkrahë. Lufta jonë është çlirimtare, ka për qëllim njëherë e përgjithmonë nga Kosova për ta larguar pushtetin okupues serb. S’ka arsye të frikësohet as popullata joshqiptare, duhet të jenë të frikësuar vetëm ata që i kanë bërë keq popullit. (Derisa flet Avdiu, Shota e shikon me vëmendje – përcillet me xhirime ekzistuese, si bartja e armëve me kuaj etj.. ushtarët e këndojnë këngën Besa...besë, besën e kem dhanë....)

Lindja e luftëtarit_____________________23

 

 

 

Pamja e katërt

 

(Si në Aktin e parë - Pamja e parë)

 

(Plaku e plaka janë në shtëpi, plaku po e fshin pushkën, ndërsa plaka po baron çorapë, xhemperë, hyn me shpejtësi Albani)

 

Tushi :

Çka u ba, bre bir ?

 

Albani:

Luftë babë, luftë...ama pushkën...(plaku ia jep pushkën... i përqaf dy prindit dhe u thotë) Mirë u pafshim në Kosovën e lirë....

 

Tushi:

(Ngrihet në këmbë. Prej krismave të mëdha sikur i sillet dhoma e bien në shtrat, gjysmë i rrëzuar...dëgjohen bombardime të forta të NATO-s....)

 

Hana:

A, fale Zot ....

 

 

24________________________Ismet Krasniqi

 

 

Tushi:

Amin....

 

Hana:

Po murmuron, donë me ra shi ....

 

Tushi:

Jo plakoo, nuk janë murmurimë, po NATO po bombardon.....

 

Hana:

Eu t`lumtë na t`lumtë, ia nisi... (kërcen prej gëzimi).

 

Tushi:

Mos u gëzo plak shumë, se tash ujku i plagosur është edhe më i rrezikshëm se ujku i shëndosh .....

 

Hana:

(këndon: “O kalle, kalle e qitja timin”, i dëgjojnë lajmet në televizor duke folur për bombardimet e NATO-s dhe suksesin luftarak të UÇK-së. Në ato momente vinë fëmijë, gra, plaka e pleq,  kanë ikur nga fshatrat e afërta, paramilitarët serbë duke vrarë e djegur fshatra të tëra...Në fshat shihet një e përzier,

Lindja e luftëtarit_____________________25

 

 

hyjnë paramilitarët djegin, vrasin, largojnë njerëz me dhunë nga shtëpia....)

 

Në shtëpi të plaku kanë ardhur vajzat e plakut me fëmijë... të cilët janë duke hëngër bukë në sofër, dëgjohet një e rrahur e fortë e derës së hyrjes....

 

 

Zëri i Policit serb:

Otvorite vrata, majku mu shiptarsko !?.....

(del plaku e çel derën, fillojnë t’i rënë, hyjnë brenda, një paramilitar serb i mëshon sofrës shkelm, i qesin nga shtëpia të gjithë dhe  ia fusin flakën shtëpisë së plakut)

 

 

 

Skena errësohet – ndërrimi i ambientit

 

 

 

 

 

 

 

 

26________________________Ismet Krasniqi

 

 

 

Pamja e pestë

 

Diku në malet e Kosovës

 

-Tani popullata në male, është e vendosur në tenda, me shporet t`vjetër, me saç duke pjekë, dikush duke larë tesha, dikush duke mbaru çajë, do duke bartur uji me shishe e   bidonë plastikë, duke përgatitur ushqim, kusia mbi shporet........

-Plaku e plaka të mërzitur, plaku pi duhan në llullë, pak më parë duhanin e kishte gri me thikë, është duke dëgjuar lajme në transistor...vijnë dy ushtarë të UÇK-së, njëri prej tyre me mjekër, janë të armatosur dhe në uniformë, përshëndeten me plakun dhe plaken, ulen e fillojnë muhabetin, iu tregojnë se Avdia po martohet me Shotën  në front të luftës.

 

Gjoni:

Kemi ardhur me ju marr myzhde se sot djali  juaj Avdia po martohet, perhajr ju koftë...

 

 

Lindja e luftëtarit_____________________27

 

 

Tushi:

Ani hair paçi e hair bëfshi, edhe ju per hajr u koftë, ju iu falënderoj për ketë myzhde......

 

Hana:

Po me kënd po martohet o djemtë e mi ?

 

Gjoni:

Nanë, po martohet me Shotën me një trimnesh si Shote Galica...

 

Hana:

Hajde perhajr koftë boll emën të mirë paska. Per hajr o plak, a po gëzohesh që po t`martohet djali ?

 

Tushi:

Hair paq plak, edhe ty per hajr.

 

ushtarët donë me shkua

 

Tushi:

Qebesa nuk shkuat pa e pi kafen...

(plaka ua bien kafet dhe peshqesh ua jep nga një pare çorapë për myzhde, këto çorapë janë prej atyre që i mbaronte në shtëpi plaka, pasi i pinë kafet vazhdojnë rrugën e vet).

28________________________Ismet Krasniqi

 

 

 

Në ndërkohë vijnë disa burra nga tendat tjera dhe pyesin çka u thanë ushtarët.....

 

Burri 1:

Çfarë lajmesh të mira kemi o Tush ?

 

Tushi:

E morëm një lajm të gëzuar...

 

Burri 1:

Ani perhajr koftë (burrat po donin me shkua)

Tushi: 

Kem  me pi nga një kafe se i kam dy gëzime...

 

Burrat:

Përhajr koftë.

 

Tushi:

Gëzim i parë asht që UÇK-ja po korr sukses në luftë kundër armikut, e gëzimi i dytë, djali i jem Avdia pjesëtar i UÇK-së po martohet.

 

Burrat:

Hajde perhaj, perhajr...

 

Lindja e luftëtarit_____________________29

 

 

Tushi:

Hajr e gëzim gjithmonë paçi.... (plaka i bien kafet)

 

Burrat:

Perhajr moj fisnike qe po e marton djalin..

 

Hana:

Hair paçi, e hair bëfshi...

 

 

Skena errësohet – ndërrimi i ambientit

Ose

(efekti shkrirje)

 

 

30________________________Ismet Krasniqi

 

 

 

Peizazh – kalim kohe (6-8 sek.)

 

Inserte të xhiruara – mund të hyjnë në punë edhe xhirime ekzistuese

 

 

-Gjatë kësaj kohe tregohen  inserte gjatë dasmës në mal,

-Hyn dhëndri në një tendë prej dushku

-Një ushtar shkrep pushkë kur hyn dhëndri në atë tendë .....

-Nga ushtarët është organizuar një koktej.

-Dy këngëtarë me  uniforma të UÇK-së këndojnë këngë patriotike...... diku pas mesnate... Këtu  akrepat e orës së murit fokusohen, e cila është vendosur në një lis.

-Fillon një luftë e ashpër

-Dëgjohen bombardime dhe të shtëna pushkësh.

-Ushtarët e UÇK-së mobilizohen, zhvillohet një luftë e rreptë, ku forcat e armikut pësojnë humbje të mëdha, të nesërmen ushtarët janë duke i pastruar pushkët e duke kënduar, (një ushtar i UÇK-së e ka dorën e lidhur me fashë, i cili është lënduar gjatë ofensivës, ndërsa Avdia e Shota e kanë një pushkë në

Lindja e luftëtarit_____________________31

 

 

dorë duke ia pastruar tytën...).

Komandanti i fton ushtarët për të ngrënë mëngjes.... të gjitha këto bëhen me komandë ushtarake.

 

 

 

Peizazh – kalim kohe

 

 

 

  Pas disa ditësh....

 

 

 

Zëri nga radiolidhja:

 

-Shota për Besën lajmërohu

-Marrje Shota

-Pozicioni

-Vetëm pak metra lagë grumbullit

-Prite komandën dhe qëllo mirë

-Kuptova...

 

 

 

 

32________________________Ismet Krasniqi

 

 

 

 

Akti i tretë

 

Pamja e gjashtë

 

-Një postobllok i milicisë serbe,

-I ndalon disa njerëz, ua merr lejet e njoftimit i keqtrajton dhe i shan....

-Një djalë e marrin e shtinë në picgauer, e keqtrajtojnë e përgjakin e pyesin për UÇK-në

-Këtu paraqitet dhuna, urrejtja me metodat ma klasike....... 

-Pëlcet lufta dhe një ushtar vritet e një plagoset

-Një i ri shqiptar arrin të largohet dhe iu bashkëngjitet shokëve .......

-Këtu behet një luftë e madhe dhe mbesin të vrarë disa  milicë serbë

-Milicia në shenjë revolte qytetarëve ua kall tendat, vret njerëz,

- Ushtria Çlirimtare e Kosovës e fillon një sulm të fort kundër çetnikëve serbë...

-Luftjnë Avdia, Shota dhe motra e Avdisë, Besa... dhe ushtarët tjerë,

-Për një moment Avdia çohet në këmbë për të luftuar,

Lindja e luftëtarit_____________________33

 

 

-Gjoni i bërtet poshtë: kujdes, mos n`këmbë, -Shihet ku i vret dy policë serbë, në atë moment vritet Avdia,

-Motra, Besa, vrapon drejt Avdisë së vrarë -Në anën tjetër kërkon ndihmë Shota, e cila është në momentet e lindjes ....

 

-Lufta vazhdon deri sa vriten edhe disa serbë dhe largohet, zmbrapset ushtria serbe...

-Vjen motra te Avdia i vrarë,  ia nxjerr flamurin nga gjiri dhe e mbulon me te, e mbulon me flamur kombëtar dhe nën tingujt e këngës së Salih e Feriz Krasniqit vajtimi i Avdisë e motra qan e përkëdhel......

-Në anën tjetër Shota duke lindur, i kujtohen ditët e martesës dhe në ndërkohë lind, asaj i ndihmon një motër  ushtare

-Shota lind djalë,

-Përfundon vajtimi i Avdisë, lind djali me emrin Luftëtar,

-Plakut i marrin myzhde për lindjen e nipit të tij,

-Plaku qet pushkë...

 

-Luftëtari....kthehet e përqafon plakën, në ndërkohë vinë disa ushtarë, dhe i thonë

 

34________________________Ismet Krasniqi

 

 

Ushtari 1:

Mixha Tush, bano burrë i fort, djali yt Avdia u vra, qysh vrahen trimat në frontin e luftës, ballë për ballë me armikun, Zoti u lasht shëndoshë

 

Tushi:

kofshi shëndoshë edhe ju zoti u lasht shendosh...

 

Hana:

(plaka ofrohet i dëgjon fjalët dhe fillon me qa me zë)  Oh e mjera unë e mjera…

 

Tushi:

Plakë, mos na korit, bëhu e fort, trimat nuk vajtohen…. (Derisa atij i kujtohet dasma e djalit qysh ka mëndu me ia bë....vjen djali Albani e përqafon Babën me lot ne sy) Mos qaj bir, liria pa  gjak nuk vjen....

 

 

 

 

Lindja e luftëtarit_____________________35

 

 

 

Pamja e shtatë

 

Peizazh – kalim kohe (6-8 sek.)

Pamja - ambient krejtësisht tjetër

 

-Tani Kosova është e çliruar, Tushi me familjen që kanë shpëtuar nga lufta ecin në këmbë, afrohen të fshati ku shtëpitë janë të djegura, shihen gjurmët e luftës.

-Djalin e qesin në një djep gjysmë të djegur, e mbulojnë dhe e përkundin, janë të ulur në oborr të shtëpisë.......

-Plaki i viziton të gjitha objektet në oborr.... dhe i kujtohen bisedat me djem, me bashkëfshatar pastaj dhuna e milicisë.....

-Plaku e gjen një foto të Avdisë në oborr.... e ndien një gëzim dhe me përmallim e përqafon foton, por mundohet për t’i fshehur lotët nga anëtaret tjerë të familjes,

 

 E pamja

 

-E përgatit një kërrigë te dera me një peshqir dhe foton e Avdisë.

-Vijnë njerëzit për krye shëndosh...Plaku i pret me gajret e burrnisht......

36________________________Ismet Krasniqi

 

 

-Edhe plaku Tush ua shëndoshë kryet të tjerëve dhe thotë 

 

Tushi:

Zoti ju lasht shendosh edhe ju se dëshmoret e kombit janë të gjithë popullit.

 

Fshatari I:

Burra jeni të lirë me fol. Tushi na ka dha leje, qebesa edhe ne na ndihmoni.

 

Fshatari: II:

Qebesa në ter Kosovën është ber luftë e tmerrshme, por disa pjesë e kanë përjetua më rend.

 

Fshatari I:

Po vërtet disa e kanë kalua ma rënd, po kësaj radhe, lufta  a shtri në krejt Kosovën edhe shkau e pa  po edhe bota se e kem për nime.

 

Fshatari III:

Komandanti Adem Jashari e qoi në vend

porosinë e Azem Galicës, Shotës, Isa Boletinit, Shaban Poluzhës e shumë trimave që se ndalen me shekuj luftën me shkuan.

 

Lindja e luftëtarit_____________________37

 

 

Fshatari I:

Ky truall (e rreh tokën me dorë) si ka duru kurrë sundimtarët e as zullumqaret.

 

Fshatari III:

Ah medet medet, çfarë trima kam pa në front të luftës, si vetima, e shumë prej tyre ranë heroikisht në frontin e luftës, Hallall u koftë, ishin ka të fort.

 

Fshatari I:

UÇK-ja e largoi shkaun prej Kosove, ajo forcë doli prej popullit, por s’duhet harru se edhe NATO i dha fuqi kësaj pune.

 

Fshatari II:

Luftën e drejt në Kosovë e përkrahën  edhe Klintoni edhe Toni Bleri.

 

Fshatari I:

Ti Tush banë gajret e mos u mërzit, ata që kanë ra për lirin e Kosovës, janë të pa vdekshëm, tash kur po i mbajmë përkujtimet në liri edhe dëshmoret janë më të qet... në atë botë.

 

 

38________________________Ismet Krasniqi

 

 

Fshatari III:

Boll  që njëherë e përgjithmonë e rrëzuan   murin e “ Berlinit” në mes shqiptareve.

 

Fshatari I:

O Tush me na dha leje se ne dom me u qu e ishalla mas tashi u vim n`gëzime.

 

Tushi:

Burra zoti u paftë e u ruajt.......po sa ta mbyll të pamën, ju jeni të ftuar në dasmë, do ta martoi djalin e dytë Albanin. Edhe nipi po më rritet, Luftëtari i gjyshit ... a dasmën që kam me e ba kur ta martoj nipin....

(Në këto çaste Tushi e ledhaton Nipin, i cili i rrinë gjithherë afër Gjyshit Tush)

Burrat:

 Hajde për hair e zoti të dhashë bereqet......

 

Tushi:

 Shqiptari prehet e vritet për atdhe po jetën e vazhdon dhe s`ka armik që ta  gjunjëzojë popullin shqiptar....

-Plaku i përcjell burrat (këtu ka vend edhe dasma të parashihet, plaku e marton djalin e dytë Albanin...) Dasma me traditë të vjetër...

Skena errësohet – ndryshim i ambientit

Lindja e luftëtarit_____________________39

 

 

Pamja e tetë

 

-Tani përkujtim për dëshmorët edhe për Avdiun

-Zbulohet përmendorja,ka qytetar, gra, burra, fëmijë, ushtar.....

-Luftëtari i vogël në rroba kombëtare qet lule te përmendorja e babës.......

-( lëshohet një këngë për dëshmoret....)

 

Fund

 

 

40________________________Ismet Krasniqi

 

 

 

MENDIMI I REDAKTORIT DHE

RECENSENTËVE

 

Lindja e luftëtarit_____________________41

 

 

Një krijim artistik pak më ndryshe

Në librin dramë të autorit aktor Ismet Krasniqi “Lindja e luftëtarit”, hasim në një stil të veçantë të krijimtarisë së tij artistike, skenike e letrare. Mund të thuhet se autori thur një vepër artistike-skenike duke synuar deri te një shfaqje teatrore-dramë, siç e quan autori dhe fiton përmasa shumëdimensionale deri në arritjen artistike për skenë. Me stilin e tij të veçantë, autori qëndron më afër dramës skenike e shumë më afër skenarit filmik e që lirshëm mund të quhet pak dramë skenike, pak skenar filmi televiziv e pak skenar filmi artistik. Stil ky ende i pa praktikuar në letrat shqipe, apo e tëra një dramë në mes një mori dramash, një dramë me shumë të panjohura, skena të përziera me pamje të reales e me imagjinatë të pranueshme për shikuesin, lojë artistike me përjetime shpirtërore aktoreske, regjisoriale, skenaristike e çka jo tjetër që del e shpërthen nga vetë shpirti i autorit si një vullkan, me mallin e tij për lirinë e atdheut, për veprat sublime të dëshmorëve të kombit, për të bëmat e çlirimtarëve, luftën e madhërishme të UÇK-së e deri të liria shpirtërore e një artisti. Dhe folës i autorial

dramaturgjik synon që me figurat e

42________________________Ismet Krasniqi

 

protagonistëve të luftës së lavdishme të UÇK-së të krijojë një shfaqje artistike skenike, duke filluar që nga akti i parë i pamjes së parë e deri te akti i fundit i pamjes së tetë t’i paraqesë dhe t’i nxjerrë në pah personazhet e dramës, ashtu dukshëm dhe realë, siç edhe ishin gjatë kohës së luftës në çdo cep të Kosovës. Aty vë në pah dramatik, përkrahjen e asaj pjese të popullit për luftë, organizimet e para të formacioneve ushtarake çlirimtare, betimin e tyre, rënien heroike të dëshmorëve, sulmet e çlirimtarëve mbi formacionet ushtarake e policore serbe, djegiet dhe shkatërrimet e deri edhe paraqitjen e tradita ve të kësaj pjese të Evropës që quhet Shqipëri. Dhe për fund, dua që autorit Ismet Krasniqi t’i shpreh mirënjohje nga shpirti artistik që pati guximin ta renditë një vepër me kaq pak faqe e me aq shumë domethënie, me plot art brenda saj e me shumëçka të panjohura artistike rreth saj... Gjersa të tjerët na i rrëmbejnë, mos të them na i vjedhin, i përvetësojnë apo mundohen prej hiçit të krijojnë “fytyra të lavdishme” për kombin e vet, Ismeti e bën të kundërtën, mirënjohjen artistike për vlerat!.. E ne heshtim... kur veprohet në të kundërtën, thua se na ka kapluar një gjumë i thellë !...

Dibran FYLLI, regjisor

Lindja e luftëtarit_____________________43

 

 

 

VDEKJA DHE LINDJA-MESAZH I PAVDEKËSISË

 

(Ismet Krasniqi: “Lindja e Luftëtarit”, dramë në tetë pamje – 2008)

 

Dramaturgjisë shqiptare edhe sot e kësaj dite i mungojnë tekstet origjinale. Pikërisht për këtë arsye, çdo dramë, monodramë apo komedi, çdo tekst i ri është i mirëseardhur, edhe pse ndonjëherë, apo edhe shpeshherë nuk mund të lavdërohemi me cilësinë e kësaj fushe të letërsisë dhe vlerave kulturore të artit skenik. Kjo, mbase është edhe dëshmi se dramaturgjia është fushë e cila do angazhim, sepse specifika e saj pas vetes tërheq edhe ato anët më të vështira. Ngase, kërkohet aftësi, mjeshtri dhe afinitet për të thurur dialogun, për t’i dhënë shpirt secilit personazh, por edhe për t’ia ndërtuar atij karakterin që i jep jetë tematikës dhe tërësisë së dramës. Nëse tërë këtë e marrim si qasje thelbësore të një dramaturgu, atëherë, kujtoj se autori i dramës “Lindja e Luftëtarit”, Ismet Krasniqi, i cili edhe është aktor profesionist me një përvojë prej dyzetë vitesh në artin skenik dhe atë

44________________________Ismet Krasniqi

 

 

filmik e televiziv, ka qenë i kujdesshëm që të gjitha këto, edhe pse në formë më të shkurtër, t’i mbarështojë për të na ofruar shtjellimin e një ngjarjeje, e cila është vetëm një fragment nga lufta që u zhvillua në Kosovë, për liri dhe për pavarësi.

Pothuaj se gjithnjë, motivi fillon në ambientet e fshatit, aty ku ndërlidhen dhe thuren e fillojnë pothuaj se pjesa dërmuese e ngjarjeve historike. Aty nis e rrëfimi dramaturgjik edhe i dramës nga lufta e Ismet Krasniqit. Ai në skenë vë plakun dhe plakën, që në fakt kanë simbolin e lashtësisë dhe të qëndresës e të trashëgimisë dhe pasardhës së historisë, që në fakt menjëherë krijon ambient dhe atmosferë të ngjarjes së tensionuar të jetës, të rrjedhës së saj, e cila preokupon dashamirët e artit skenik.

Pikërisht, për këtë arsye, ma merr mendja se tek drama “Lindja e Luftëtarit”, autori ka bërë përpjekje për të na e imponuar rrëfimin e përshpejtuar me të cilin dëshiron të na ofrojë rrjedhat e luftës dhe të asaj që nganjëherë bëhet ndodhi, si ta kishim goditur, siç është këtu fjala me martesën e Avdiut, i cili është pjesëtar i UÇK-së me Shotën dhe të cilët, përkundër dëshirës së madhe për luftë, ata

Lindja e luftëtarit_____________________45

 

 

 dashurohen dhe si fryt kanë fëmijën e tyre, i cili tani, kuptohet, djali i tyre, do të vazhdojë atë që e kanë filluar babai, gjyshi e stërgjyshërit e tij.

Në këtë rast, edhe pse me një shpejtësi të rrjedhës së ngjarjes në skenë, drama fiton në intensitet dhe efekt duke sjellë lajmin se pas dasmës Avdiu vritet nga forca armike. Por, tani kemi dy arshinë të ngjarjes, që dashamirët e artit skenik i ndanë në dysh: njëra anë është lufta e UÇK-së, respektivisht e Avdiut me shokët dhe me Shotën e të tjerët dhe vrasja e tij që përshkallëzon dhembjen e familjes, dhe tjetra; edhe shpresa për lindjen e fëmijës, i cili ngrit tensionin e synimit për vazhdimësinë e jetës. Kjo ngjarje e shtjelluar kështu nga dramaturgu, kujtoj se e ka ngritur cilësinë e rrjedhës së ngjarjes, por edhe të dialogut dhe të lojës në skenë, për të na bindur se vërtet jemi duke përjetuar çaste nga lufta për liri në Kosovë. Janë këto rrafshe në të cilat zbret tema e luftës dhe shqetësimet e brendshme shpirtërore, të cilat nuk janë vetëm shkak i luftës dhe i tragjedisë së shkaktuar nga ajo. Në këtë formë, përmes ngjarjes më të re të luftës, na e nxit edhe provokimin për t’i kujtuar edhe shumë ngjarje

46________________________Ismet Krasniqi

 

 

e tragjedi të tjera nëpër periudha dhe ecuritë historike, duke prekur dëbimin dhe shkapërderdhjen e kombit në dhe të huaj. Kështu, që, edhe shpërngulja edhe kurbeti sikur nga gërshetohen me rrjedhën e luftës. Prej këtu edhe merr akoma edhe më shumë në intensitet thurja dhe shthurja e ngjarjes, bile edhe atëherë kur nganjëherë loja dhe dialogu bie nga intensiteti, apo zhvillohen më zorshëm dhe në mënyrë sipërfaqësore.

Duke na imponuar lojën vetë tema që shtjellohet, sikur vetvetiu na paraqitet nevoja për kornizimin e ngjarjes, duke kërkuar jo vetëm lojën e përkryer të aktorëve, por edhe nevojën për efektet e qëlluara të skenës, muzikës dhe të efekteve të dritës. Këta komponentë tekstin e dramës do ta mishërojnë edhe më shumë dhe lojën do ta transformojnë si në realitetin e plotë të jetës. E gjithë kjo dhe bisedat e lëvizjet që ndodhin në fshat, gjithnjë mbajnë nën tension për t’u njoftuar sa më shpejtë dhe sa më fuqishëm me atë se çfarë po ndodhë dhe çfarë do të ndodhë. Kështu, bisedat në qendër të fshatit na bindin për rrjedhat, por edhe për fitoren mbi armikun, e cila me të drejtë përkrahet edhe bota demokratike dhe e lirë.

Lindja e luftëtarit_____________________47

 

 

Kjo ngjarje gjithnjë ngrit efektin ambiental për përgatitje për luftë, edhe pse kjo formë e lojës në skenë nganjëherë sikur na imponohet me dialogun e zorshëm, por gjithnjë për të përshpejtuar për ngjarjen që pason. Në këtë drejtim, edhe efektet filmike, jo gjithherë, janë të qëlluara dhe të efektshme, të cilat e sforcojnë dialogun dhe lojën në skenë.

Drama “Lindja e luftëtarit” e Ismet Krasniqit, është një përpjekje e sinqertë për të na ofruar pasqyrën e një fragmenti të jetës në kushtet e luftës. Kjo duket bukur e efektshme kur ngjarja merr në duart e veta efektin që me të shpejtë të organizohet popullata për tu kyçur në luftë. Duke e pasur për dëshirë zhvillimin e tillë të kësaj rrjedhje, autori edhe e nxiton lojën në skenë, e cila shpesh i reflekton anët pozitive të dramaturgjisë, por ndonjëherë edhe ato që janë të panevojshme, por të cilat mund t’i evitojë puna regjisoriale. Në këtë kontekst e kemi edhe paraqitjen e atmosferës së dhunës nga ana policore dhe ushtarake e armikut, e cila, edhe pse duket si pjesë e shkëputur nga rrjedha e dramës, ajo fiton në rëndësi për të na përkujtuar të gjitha ato skenat e tmerrshme në tërë vendin të cilat i ka shkaktuar okupatori.

48________________________Ismet Krasniqi

 

 

Edhe njëherë vlen theksuar se, vrasja e papritur e Avdiut nga ana e armikut në një anë, dhe Shota e cila ka për të lindur djalin në anën tjetër, janë si kulmi i ngjarjes në skenë, që sjellin dy sinjale: luftën dhe humbjen e Avdiut, dhe dy, Shota e cila lind djalë, si pasardhës i Avdiut (luftëtarit të UÇK-së), të cilat gërshetohen bukur për përjetësinë e popullit.

Me këto dy ngjarje, drama sikur merr kulminacionin për të rezultuar me çlirimin e vendit, e cila sikur nga autori i dramës na jepet kuptimi, se liria nuk mund të arrihet pa sakrifica, pa vdekje,... por ajo vjen edhe me lindjet e reja. Të gjitha këto, e ngritin imazhin dhe mesazhin e dramës, por edhe martesa e vëllait të Avdiut, Albanit dhe ngritja e përmendores së Avdiut e arsyetojnë domethënien shumëdimensionale të dramës “Lindja e Luftëtarit” të autorit, Ismet Krasniqi.

 

Sejdi BERISHA

 

 

Lindja e luftëtarit_____________________49

 

 

 

Guri Tragjik ndal rrokullisjen

 

Ismet Krasniqi tekstin e tij letrar e quan dramë, ani se e jep shpjegimin autorial se ka edhe variantin e tij të skenarit filmik. Ngjarja vendoset in medias res, e përshpejtuar, si paraqitje skenash masive të historisë sonë më të re, si këmbim skenash me idenë autoriale: vetëflijimet çlirimtare shqiptare ndodhën mu pse dhuna e lufta na janë padrejtësitë më të mëdha... e dikush duhet t’i dalë në pritë kësaj të keqeje që rrokullisej si ogur i keq në fatin tonë ekzistencial. Mbase, procedimori i tillë i përshpejtimit dramaturgjik, i këmbimit të shpejtë të situatave si në film, ka bërë që nuancimet emocionale, sidomos nuancimet psikologjike, të lihen mënjanë, sepse qenia e brendshme e njeriut nuk është e pandryshueshme, e ngurtë, rigide, sespe kjo botë e brendshme e qenies ndryshon në mënyrë energjike, dinamike nga ndikimet e jashtme...

Prandaj, të duket sikur nëpër hapësirat dramatike të kësaj vepre lëviz e rrokulliset pandalshëm ky Gur Tragjik i fateve e fatkeqësive ekzistenciale nacionale, familjare

50________________________Ismet Krasniqi

 

 

e individuale. I ngjashëm me atë gur të tragjedianëve antikë, apo me fijet e baladave tragjike shqiptare, si të kënga e njohur popullore “Motra e Avdisë”. Sikur historia e

përsërit ciklin e tij elegjiak. Porse këtij tisi pikëllues (vrasjes së Avdisë pas gëzimeve familjare), vjen shpresa për lindjen e fëmijës, si shenjë e trashëgimisë etnike për vazhdimësinë e brezave. E pra, autori e rikrijon baladën shqiptare me mjete dramatike e me sfondin e ngjarjeve nga historia jonë më e re, aty ku ndeshën ballë përballë vetëflijimi shqiptar për lirinë dhe çmenduria e tërbimi i luftës që e bën armiku. Për ta bërë më të prekshëm vajtimin popullor, në tekstin dramatik është motra ajo që vajton. Dhe aty ku jepet thelbi dramatik: bota reale dhe bota e fjalës artistike, në këtë rast, dramatike. Dhe Guri Tragjik ndalet diku në histori, kësaj radhe, në Historinë e çlirimit tonë Nacional.

 

Prend BUZHALA

 

 

 

Lindja e luftëtarit_____________________51

 

 

    Shënime për autorin

 

Ismet  Krasniqi u lind më 16.03. 1951 në fshatin Drenovc të Krahinës së Llapushës nga baba Sylë dhe nëna Xhemile. Është i martuar me Hatixhe (Gashi) Krasniqi nga Peja dhe kanë gjashtë fëmijë: Majlinda 1981, Pranvera 1983, Venera 1985, Albana 1987, Arianiti 1991 dhe Kaltrina 1992. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen, gjimnazin e kreu në Klinë, kurse studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Dega Filozofi-Sociologji, në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar profesor në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe ka qenë drejtor i shtëpisë së kulturës «Jehona e Dukagjinit.» Ka të kryer edhe Akademinë e Arteve- Studioja e Aktrimit klasa e prof. Enver Petrovcit. Që nga fundi i viteve ‘60 e këndej merret me aktrim. Ka luajtur me dhjetëra role në drama të ndryshme e pjesë skenike. Ka luajtur edhe në disa filma të metrazhit të gjatë si në filmat: ”Etjet e Kosovës” me regji të

52________________________Ismet Krasniqi

 

Synaj Raçes, ”Kukumi”(statist) me regji të Isa Qosjes dhe ka bërë regjinë e disa dramave dhe komedive. Shkrimet e para i filloi ti botoi në fletushkën shkollore në Carrallukë në vitin 1967, Fletushka  quhej “Rrezet e reja” redaktor i sajë ishte Tafil Kelmendi. Ka botuar artikuj në shtypin tonë të përditshëm . Ka punuar edhe gazetar-fotoreporter në gazetën e studentëve të Universitetit të Prishtinës «Bota e re» (1974-1977). deri  sa ishte nxënës në Klinë prej vitit 1970-1974 ka qenë antar i fotoklubit të qytetit.. Gjatë eksodit të Shqipëtarve të Kosovës për  në Shqipëri mars -qershor 1999, punoi mësues në Shkollën e Bashkuar “11 Shkurti” në Synej të Kavajës. Që­ nga rinia e hershme është marrë edhe me mbledhjen e folklorit. Ka inte­re­sim të­ veçantë edhe për studimin e tij, sidomos për repertorin e rapsodëve të njo­hur Salih e Feriz Krasniqi. Në festivalin folklorik “I këndojmë lirisë” ka dha kontribut të madh dhe nga Këshilli Organizativ ishte emëruar Drejtor Artistik i Festivalit. Nga viti 2002 udhëheq emisionin folklorik «Thesari i këngëve të tyre» në Ra­dio Drijon në Klinë, të cilin emision e transmetojnë edhe Radio Malisheva dhe Radio Peja dhe disa radio tjera

Lindja e luftëtarit_____________________53

 

lokale dhe ka përgatit mbi 200 emisione radiofonike lidhur me folklorin dhe me rapsodët e të gjitha viseve shqiptare,. shkrimet  e tij për kulturën  publiku i gjerë ka pasur rast t’i lexojë edhe në gazetat e ndryshme ditore dhe javore. Ka luajtur në disa filma si dhe ka përgatitur regjinë e dhjetëra dramave në Teatrin amator "Osman R. Gashi" në Klinë, publikut të gjerë i kujtohet në rolin e Lalës te Seriali “Cimerat” RTV 21. Disa herë është shpërblyer për rolin më të mirë në Festivalin e Humorit në Drenas, pastaj në festivalin e teatrove në Pejë si në festivalin “Lulëkuqet e prillit” në Dardanë. e etj. Ndër rolet që vlen t’i veçojë janë: Plaku-Nuradini në dramën “Gjaku i Falur” M.P, pastaj në rolin e Prefektit në dramën Myku i Fashizmit” M.SH. e me regji të Sylejman Lokajt, pastaj ne rolin e Gjyshit në dramën “Dasma e Ushtarit” me tekst dhe regji të Rushe Berishës, në rolin e Hamallit në dramën e Osman.R.Gashit “Hamalli”me regji të Dibran Fyllit, në rolin e Grof Gegës në dramën “Prej  çiftelisë te repi shqiptar” me regji të Esad Brajshorit, në rolin e Samhauinit në dramën ”Lugetërit e Shekspirit” me regji të Kastriot Saçipit, në filmat e metrazhit të

54________________________Ismet Krasniqi

 

shkurt “Detyrat e shtëpisë”dhe “Treni”me regji të Alban Gashit, në filmin “Runa Zot” me regji të Arsim Halitit, në serialin e Adem Mikullovcit “Policet” I e II,( në rolin e fshatarit) , ne rrolin e Miftarit ne programin e titulluar “Shoë pas gardhi” me regji te Faik Gashit,në komedinë”Cimë taksisti 1 dhe 2” me regji te Enis Limanit e Nexhmi Mehmeti, Në serialin “Prej fundi kah fillimi” me regji të Genc Hetaj, në projektin "Pak ma ndryshe" të "Studio Gashit" Klinë dhe me rastin e shënimit të 40-vjetorit të punës skenike ka luajtur rolin e Kërkuesit në monodramën"Obiliski pa adresë"me tekst të Sejdi Berishës e me regji të Sylejman Lokajt e skenografi të Idriz Berishës. Publikut i është i njohur me rolin e Lalës në serialin “Cimerat” RTV 21 me regji te Ekrem Xanit e Burim Halitit si dhe në  projektin e vitit të ri 2008 “ Gëzuar me Lalushin”pastaj projekti " 8 marsi i pavarësisë, "Martesa e Lalushit"  si dhe është duke përgatitur skenarin e dramës "Lindja e Luftëtarit". Për herë të parë para publikut ka dal në vitin 1967 në shkollën fillore “Bajram Curri” të Drenovcit të Malishevës, me pjesën skenike “Tafrruk Tafrrukuci  i Tafrrukajve “me regji të

Lindja e luftëtarit_____________________55

 

arsimtarëve Rrustem Morina dhe Shani Morina dhe në vitin 1968 në dramën “Cuca e Maleve”  me regji të arsimtarit Musë Morina. Me pjesa skenike “GJITHMON QOFSHIM TË BASHKUAR” aktruan: Igballe Qena dhe Ismet Krasniqi, muaren pjesë në festivalin „ Folklori në Kuvendin e Lezhës”, nëntor 2001. Ndersa me pjesa skenike RRUGA E LIRISË” me këtë pjesë skenike Ismet Krasniqi u paraqit  në festivalin e polifonisë në Vlorë, shtator 2005, pastaj në tubimin përkujtimor për Marie Shllakun, Imer Berishen në Doberdol (2005), si dhe në  festivalin folklorik “ I këndojmë lirisë” Klinë 2005. Ka të botuara librat «Qesh e qaj jetën tonë» (2005), si dhe librin  «Folklori- art i pavdekshëm. Kronikë festivalesh»(2006),  Është  libri i tret i tij  i  botuar drama "Lindja e luftëtarit" Autori ka në dorëshkrim edhe vepra tjera që pritet së shpejti të botohen. Është natar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Gjon GJERGJAJ

 

 

 

56________________________Ismet Krasniqi

 

 

 

           Katalogimi në botim – (CIP)

 

 

 

Tirazhi:

Formati:

 

 

U shtyp në shtypshkronjën

Drini  Graf

Klinë

 

Lindja e luftëtarit_____________________57

 

 

Reklama e donatorit