Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjergj Fishta ne shtratin e vdekjes

| E shtune, 30.06.2007, 10:10 PM |


Françeskanët duke përgatitur kufomën e At Gjergj Fishtës
Në një libër voluminoz me kapakë ngjyrë vishnje e thellë të vitit 1943, gjejmë tre fotografi befasuese. At Gjergj Fishta në shtratin e vdekjes. Veshur me rrobën e zezë të priftit, portretin e ngrirë e duart në kraharor. I shtrirë në qetësinë e përtejme. Dy priftërinj që i rrinë mbi kokë, mbase po pëshpërisin lutjet për amshim. Këtë moment, pak orë pas vdekjes në spitalin civil të Shkodrës me 30 dhjetor 1940 e ka fiksuar mjeshtri i madh i fotografisë së asaj kohe Marubi.   
Më tej dy imazhe të tjera. Kufoma e At Fishtës në Kishën e Françeskanëve në lagjen “Gjuhadol” në Shkodër. Kutia e drunjtë e gdhendur me zbukurime gjendet me qirinjsh. Përrreth njerëz pafund. Në ceremoni mijëra vetë kërkojnë të fiksojnë imazhin e fundit të Padër Gjergjit, priftit me zemër të madhe, patriotit ku kishin shenjuar shpresat, poetit të shndërruar në udhëheqësin shpirtëror të tyre.
Njëra prej tyre është një fotografi e fiksuar nga lart. Në mes duket trupi i pajetë i At Fishtës e përreth tij priftërinj dhe xhakonj veshur me të bardha, ndërsa kryejnë ritet e meshës. Pas tyre qindra njerëz që luten në heshtje.
Këto tre fotografi, janë thuajse të panjohura. Mund të jenë hasur mbase vetëm prej atyre pak studiuesve që kanë patur fatin ta shfletojnë këtë libër, i cili ruhet vetëm në një kopje në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Është një botim i rrallë, përkujtimor, me referate, esse, studime e analiza mbi jetën dhe veprën e Gjergj Fishtës, nga studiuesit më në zë të kohës. Tre vjet pas vdekjes, si një shenjë përkujtimi, ky libër u përgatit nga At Benedikt Dema, një ish-nxënës i Fishtës nën titullin “At Gjergj Fishta”.
Tani, jemi 66 vjet pas vdekjes së Gjergj Fishtës. Fotot i hasim rastësisht ndërsa shfletojmë këtë libër. Imazhet dhe diçiturat na shtyjnë të kërkojmë më tej. Fotoja e parë ka shpjegimin “Kufoma e At Fishtës mbë shtrojë të dekës, në spitalin civil të Shkodrës, pak orë mbas deke. Foto Marubbi”. Ndërsa dy fotot e tjera kanë shënimin: Kufoma e At Fishtës në Kishën e Françeskanvet. Foto “Marubbi”. Gjenden në një fletë me shkëlqim mes faqeve 464 dhe 465 në studimin biografik të Fr. Agustin Gemelli, Rector Magnificus i Universitetit Katolik të Zemrës së Kr. Milano. Në këtë studim mësojmë edhe për detaje të rëndësishme nga ditët e fundit të jetës së Gjergj Fishtës.
Në krye të shënimeve të tij Gemelli thekson:
“At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të Provincës Shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur sepse kam punuar për fe, për Atdhe, e për provincën tonë”. Prej këtij momenti, kërkim pas kërkimi, zbulojmë shumë detaje mbi ditët e fundit të At Gjergj Fishtës.
Studiuesi Tonin Çobani në librin e tij me esse “Miti dhe antimiti fishtjan”, na sjell shumë detaje kurioze, sipas citimeve nga burime të shumta mbi momentet e fundit të jetës së Fishtës dhe pikërisht në essenë me titull “Fishta dhe fashizmi”.
Është i njohur fakti se Fishta vdiq në kohën kur disa zëra e cilësonin atë si fashist.
Me 30 dhjetor 1940 mbarë populli Shkodrës e përcillte poetin kombëtar për në banesën e përjetme. Shqipëria ishte nën pushtimin fashist. Ceremonia e organizuar me këtë rast kishte përmasat e madhështisë së merituar. Në të merrnin pjesë zyrtarë të lartë dhe e vetë mëkëmbësi i mbretit Jakomon. Shumë telegrame ngushëllimi, ku theksohej fakti që Gjergj Fishta ishte akademik i Italisë. Mbi arkivolin e poetit kombëtar ishte hapur flamuri i Italisë fashiste së bashku me flamurin shqiptar edhe ky i rrethuar me shpatat e Liktorit.
Në dhimbjen e tyre njerëzit kërkonin nga oratorët të dëgjonin testamentin moral të shkrimtarit të tyre, atë që ai ua kishte përcjellë shqiptarëve me veprën e veprimtarinë e tij për gati një gjysëm shekulli. Donin ta dëgjonin publikisht si amanet të fundit, pasi që para 7 prillit ai nuk ishte prononcuar më, siç kishte bërë në çdo rast kur njerëzit kishte nevojë për fjalën e tij. Fjala e tij duhej të ishte porosia e madhe për ta, ashtu si atëherë kur luftohej për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare kur luftohej kundër pushtuesve serbomalazezë, kur Shkodra qeverisej nga Fuqitë e Mëdha, kur caktoheshin kufijtë e Shqipërisë, kur luftohej në parlament për një qeverisje demokratike, kur vetshpallej mbretëria shqiptare, etj.
Sipas at Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij, skena nga “Gjyqi  i fundit”. E gjejmë këtë shënim në librin e cituar që në krye.
Këto fjalë të thëna në agoni dy orë para se të vdiste, dilnin nga shpirti i trazuar i poetit dhe shprehnin një ndjenjë gati-gati hyjnore për vetëperfeksionimin e fratit artist. 
Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit  shkruan sërish në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vet me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për Fe, Atdhe,  e për Provincën tonë”.
Ky formulim siç duket ishte më i kënaqshmi për të gjithë palët, prandaj u përsërit edhe prej shumë të tjerëve, të cilët e kthyen si porosi për rininë shqiptare. 
Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i vërtetë i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani, që i qëndronte te koka në çastet e fundit.
“Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”. Gjergj Fishta ishte i ndërgjegjshëm për lapidarin që i kishte  ngritur vetes prandaj i përkiste edhe kombit. Lasgush Poradeci e barasvlerëson këtë thënie me vargun e Dante Aligerit: “… del resto, anche la nazione ha diritti su di me” (fundja edhe kombi ka të drejtë mbi mua), çka do të thotë se shpreh vetëdije të lartë  ashtu si e gjejmë në të gjithë veprën e tij, letrare e shoqërore. 
Ndërsa italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë , pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë “jo për tjetër, por, sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.
Të gjithë këto variante e dëshmi të kohës lidhen në të vërtetë mbi thënien e fundit, amanetin që la At Gjergj Fishta, teksa largohej nga kjo jetë. Por dy tre fakte dhe dëshmi tregojnë se At Gjergj Fishta ditët e fundit të jetës së tij i kaloi duke menduar për veprën e tij letrare. Njëra prej dëshmieve tregon idenë për t’iu rikthyer sërish kryeveprës së tij “Lahuta e malcisë”.
Ndërsa në studimin e  Fr. Agustin Gemellit gjejmë këto rreshta:
“At Fishtën e zuri vdekja  ndërsa kishte ndër duar  përkthimin e Petrarkës në gjuhën shqipe, sikurse kishte përkthyer që me kohë “Hymnet e shenjta” dhe “Pesë Maj” të Manzonit disa nga ariet e  Metazit dhe lirika nga shumë poetë të tjerë italianë.  
Ndërsa dëshmitë gojore e të shkruara përmenden herë pas herë, megjithëse qarkullojnë në rrethe të ngushta njerëzish të interesuar, duket se dëshmitë më të prekshme e reale, nga atmosfera e ditës së fundit të At Gjergj Fishtës mbi këtë tokë, janë ato tri foto të Marubit që na rrëfejnë imazhet e lamturmirës së tij.
Mbase nuk janë të vetmet foto që dëshmojnë për ditën e 30 dhjetorit 1940 në Shkodër. Mbase ndonjë tjetër i apasionuar ka fiksuar imazhe nga kjo ditë, apo në vetë studion e Marubit ruhen ende foto të tjera. Sidoqoftë, kërkimet dhe dëshmitë e reja do të zbardhin hapësira të tjera të panjohura e të lëna në hije qëllimisht mbi figurën e At Gjergj Fishtës.

Revista Mapo