E shtune, 20.04.2024, 02:46 PM (GMT+1)

Speciale

Vebi Xhemaili: Në Dibër fitoi Shqipëria në luftë kundër xhonturqve për arsim kombëtar

E enjte, 02.01.2020, 10:30 PM


NË DIBËR FITOI SHQIPËRIA NË LUFTË KUNDËR XHONTURQVE PËR  ARSIMIM KOMBËTAR (1909-2019)

ME RASTIN E 110  VJETORIT  TË KONGRESIT TË BURRAVE NË DIBËR

Nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili

Rezistenca e armatosur e shqiptarëve në vilajetin e Kosovës i frikësoi me të madhe xhonturqit dhe qeverinë e saj. Prandaj turqit e rinj e ndryshuan veprimin kundër shqiptarëve. Vendosën që nëpër mes alfabetit dhe të shkrimit në gjuhën shqipe tu imponojnë shqiptarëve qëllimet e veta, ti përçajnë shqiptarët,  për të sunduar më lehtë me Shqipërinë dhe popullin e saj. Prandaj me sugjerimin e turqve të rinj më 23 Korrik 1909, në ditën e përvjetorit të shpalljes së Hyrjetit u thirr KONGRESI I DIBRËS, kinse të manifestohet dita e konstitucionit dhe të shpalljes së njëvjetorit të rendit Parlamentar. Me pretekst të anulimit të vendimeve të mara në favor të programit kombëtar për autonomi në Kongresin e Manastirit.[1]

Xhonturqit të bindur se kanë përkrahjen e popullsisë së Dibrës filluan përgatitjet disa ditë përpara duke thirr delegatë dhe mysafir për të marrë pjesë sa më masovokisht në Dibër, për të minimizuar Kongresin e Manastirit dhe rëndësinë e tij.[2] Për këtë arsye turqit e rinj një ditë para  fillimit të Kongresit, organizuan miting të madh në shenjë të përkrahjes dhe të solidaritetit për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga hegjemonizmi i huaj. Kjo propagandë xhonturke bëhej me qëllim në prag të Kongresit për të bindur opinionin e brendshëm dhe i jashtëm “se shqiptarët janë së bashku me politikën që udhëheqin xhonturqit”. V.Xh).

Në mitingun e Dibrës organizator kryesor ishte: Ismail Pasha myderriz nga Dibra, një herrit edhe anëtarë i xhonturqve nga Stambolli, së bashku me Vehbi Agollin-Dibra, sipas mendimit të xhonturqve këta numëroheshin si njerëz të tyre.[3] Ndërsa për mentor të kongresit ishte caktuar Rexhep Vokë Tetova, Myfti i Vilajetit të Manastirit.[4] Me ndihmën e tyre xhonturqit ishin të bindur se do ti futnin thikën pas shpine Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe luftës së tyre për autonomi. V.Xh).

Më 23 korrik dita e premte para dite të gjithë delegatët  u grumbulluan në oborrin e selisë qeveritare ku u bë ceremonia për kremtimin e përvjetorit të vendosjes së kushtetutës. Aty do të fillonte edhe zyrtarisht hapja e kongresit. Në rrethana të jashtëzakonshme pasi ndërtesa mbahej e rrethuar nga forca ushtarake të pushtetit, që dëshmonin forcën përpara shqiptarëve. Disa delegat që mbanin krahun e lindjes, me oratorit e veta kërkuan  nga shqiptarët të bashkëpunojnë me vëllezërit e vet, se politika e xhonturqve dhe ajo shqiptare duhet të jetë një me turqit si otoman dhe shembull për popujt tjerë që jetojnë në kufijtë e Perandorisë Osmane; “Se shqiptarët nuk kanë kurrfarë pretendimesh kombëtare”. Rexhep Vokë Tetova, mbaroi fjalimin e vet me apelin, “se  myslimanët duhet ta pranojnë programin e përgatitur nga Komiteti i Partisë ”Bashkim e Përparim”.[5] Rexhep Nuredin Voka, në këtë kohë mbante mandatin e Myftinisë të Manastirit. Ky shumë qartë në diskutimin e vetë i definoi qëllimet e Kongresit, përkrahu fuqishëm hapjen e shkollave shqipe në tërë Shqipërinë Etnike, ndërsa në fushën politike përkrahu programin e xhonturqve, duke çuar ujin në mulli të tyre.[6]

Kongresi i Dibrës filloi punimet në pasditën e të premtes, Vehbi Dibra u ngritë të përshëndeste Kongresin, ai mbajti një fjalim tejet të zjarrtë që i ndezi të pranishmit. Xhonturqit ishin të bindur se Vehbi Dibra do të mbante krahun e tyre.[7] Në këto çaste kur e kishte fjalën Myftiu Vehbi Dibra,[8] ndodhi diçka e papritur, Kryetari i deritanishëm i Kongresit Ismail Beu u godit nga pika në zemër dhe mbeti i vdekur në sallë. Në këtë tollovi të krijuar rol historik ka luajtur strategjia e përsosur e Vehbi Agollit, i cili në ato çaste kur pritej ndërprerja e Kongresit ai me diskutimin e vetë tejet të prehtë vazhdoi fjalimin duke i zbutur zërat që kishin filluar të grindeshin midis dy rrymave në sallën e Kongresit duke kërkuar ndërprerjen e tij. Me vdekjen e papritur të Kryetarit të Kongresit në ceremoninë solemne të hapjes, akoma pa filluar punimet Kongresi i goditi rëndë planet dhe oreksin e turqve të rinj. V.Xh).

Si thamë edhe më lartë, këtë ditë xhonturqit e pritën në mënyrë solemne për të përkujtuar ditën e Shpalljes së Kushtetutës Parlamentare nga vetë Sulltani. Ky manifestim kishte prapavijën e saj për të fut përçarje në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe arsimdashësit në përgjithësi, duke vu në plan të parë përdorimin e alfabetit arab, duke propaganduar: “se është më mirë që gjuha shqipe të shkruhet me shkronja arabe”. Në këtë kongres merrnin pesë 322 delegatë nga troje të ndryshme të Shqipërisë. Në mesin e  xhonturqve kishte edhe shumë oficer, shumica me rrobe civile.[9] Në këtë kongres ka pasur pjesëmarrës edhe të viseve tjera të Turqisë Evropiane. Pra, pos shqiptarëve në Kongres merrnin pjesë edhe përfaqësues të kombësive tjera: 30 serb nga Vilajeti i Kosovës, 25 bullgarë të krahinës së Maqedonisë, 9 vlleh dhe 6-7 turq dhe 15 grek. Ndër delegatët serb më i zëshëm ka qenë Glisha Elezoviq në replikat e tij me Rexhep Vokën nga Tetova.[10] Voka iu kundërvu fuqishëm këtij ideologu serb nga Vuçitrna, tani më me banim në Shkup dhe përfaqësonte serbët në kongres. Ky haptazi doli në mbrojtje të projektit megaloman serb dhe kërkoi ndërrimin e emrit të Kongresit, që përputhej me programin e xhonturqve.[11]

Në Kongresin e Dibrës kishte përfaqësues të klubeve shqiptare si dhe klubeve nga Selaniku dhe Stambolli: si Mid’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, dhe Abdyl Ypi, të cilët në këtë kohë ende bashkëpunonin  me komitetin xhonturk “Bashkim e Përparim”. “Ndërsa Abdyl Ypi u bënte thirrje shqiptarëve  që të pajtohen me regjimin e turqve të rinj”.[12] 

Në Kongres dominonte rryma për Lëvizjen Kombëtare në krye me Dervish Himën, Sotir Pecin, Feim bej Zavalanin, Aqif pashë Elbasani, nga Fusha e Pollogut, në këtë krah bënte pjesë Halim Derralla dhe Myderrizi Mehmet Efendi Tetova.[13]   

           Turqit e rinj me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tyre me çdo kusht u përpoqën që të miratohet me shpejtësi programi i përgatitur që më parë nga Komiteti i Partisë “Bashkim e Përparim”. Por hasi në rezistencë të fortë nga krerët shqiptarë të Lëvizjes Nacionaliste Kombëtare, të cilët nuk lejuan që të preket interesi i çështjes kombëtare. Rryma e Lëvizjes Kombëtare në krye me nacionalistin e shquar Dervish Himën kërkoi me këmbëngulje që çështja për autonomi të ngel në programin e Kongresit.[14] Kjo  çoi në ngritjen e tensionit në mes rrymës për autonomi nacionale dhe turqve të rinj. Pa paragjykime, kjo ishte një arenë e hapur midis forcave nacionaliste dhe të moderuarve që mbronin politikën e turqve të rinj. Shqiptarët u ndanë në dy grupe autonomist dhe përkrahës të idesë osmanishte një shtet një popull. Ky dualizëm pikëpamjesh shkaktoi te një pjesë e mirë e atdhetarëve të njohur shqiptar revoltë, ku si rezultat ata braktisin Kongresin e Dibrës duke mos e pranuar  programin reaksionar prej 17 pikash të paraqitur nga xhonturqit, i cili apelonte në besnikërinë ndaj osmanizmit, kushtetutës dhe qeverisë turke. Prandaj ky kongres i organizuar nga xhonturqit u pagëzua. Kongresi i shqiptarëve dhe jo xhonturqve.[15]  

           Për realizimin e kërkesave politike, xhonturqit e angazhuan me të madhe myftiun e Manastirit Rexhep Vokën nga Tetova një nga mbrojtësit e flaktë të alfabetit shqip me shkronja arabe.[16] Ky ka qenë tej mase i angazhuar për aplikimin e programit politik të tyre, duke filluar nga Kuvendi i Ferizajt në vitin 1908, Kongresi i Manastirit, Dibrës. Programi i këtij kongresi me konspiracion  të madh, u shpërnda ditën e dytë në klubin e oficerëve nga ana e vetë oficerëve. Ky programi ishte përgatitur shumë më herët nga Komiteti Qendror “Bashkim e përparim”. Ky program u lexua nga myftiu i Dibrës Vebi Agolli Dibra. Në ato vendime thuhej se populli shqiptar shprehte gatishmëri për bashkëpunim dhe unjisim me Perandorinë Osmane. Ky imponim i vendimeve të përgatitura më parë shkaktoi mosmarrëveshje të mëdha. Delegatët u ndanë në dy grupe. Xhon turqit me përkrahësit e tyre kërkonin miratimin e vendimeve sipas turqve të rinj, ndërsa atdhetarët kërkonin realizimin programit kombëtar. Programi i paraqitur nga xhonturqit u aprovua pas ndërhyrjes që iu bënë disa formulimeve të programit me kërkesën e patriotëve shqiptarë. të dominuar nga xhonturqit: “Grupi delegatëve nacionalistë”. V.Xh).

Papritmas për xhonturqit, kongresi mori kahe tjetër falë kontributit të patriotëve shqiptarë. Pasi në këtë kongres u shtrua kërkesa për bashkim kombëtar në njësi administrative territoriale dhe u kërkua autonomia në kuadër të Perandorisë Osmane. Me një vetëqeverisje nga shqiptarët, shkollat në gjuhën shqipe etj. Në raportin e konsullit serb nga Manastiri thuhet : ”Këtu shihet qartë se xhonturqit në këtë kongres pësuan disfatë”.[17]

           Poashtu këtu duhet theksuar se ishin të kota ato fjalime të Vehbi Dibrës, Rexhep Vokës dhe Abdyl Ypit për kompromis midis tyre. Nacionalistët nuk lëshuan pe para kësaj propagande që kishin përgatitur mjaft përfaqësues të  e komitetit xhonturk “Bashkim e  përparim” ku bënte pjesë edhe Rexhep Voka.[18] Këta udhëheqës fetarë  u shitën për interesa të ngushta personale në dëm të lëvizjes kombëtare për autonomi arsimore “duke kërkuar unitet politik me ta, por kjo ishte e pamundur kur në Shqipëri kishte marrë hovë nacionalizma shqiptare për autonomi një komb  një shtet. V. Xh).

Pas diskutimit të Vehbi Dibrës dhe Rexhep Vokës më 24 korrik dita e shtunë në klubin ushtarak, ku merrnin pjesë të gjithë delegatët nuk u realizua kërkesa e xhonturqve dhe përkrahësve të tyre për miratimin e programit të paraqitur nga vetë xhonturqit. Por kërkesa për miratim u refuzua nga vetë atdhetarët. Ata kërkuan që më parë të njiheshin me programin e pastaj të diskutonin për përmbajtjen e kërkesave të xhonturqve. Me këtë qëndrim negativ të atdhetarëve, kongresi dhe politika xhonturke nuk arriti qëllimin e duhur që kongresit të mbyllej para kohe. Kjo nuk duhej të ndodhte deklaronin patriotët shqiptarë, pasi kërkesat kombëtare nuk ishin marrë ende në diskutim. Pra, që në fillim të punës së Kongresit dolën divergjencat në sipërfaqe midis dy rrymave.[19]

           Të dy grupet qëndronin fuqishëm në pozicionet e tyre, numri i madh i delegatëve mbi 320 vetë, rrezikonte shpërndarjen e kongresit. Në këto çaste tejet të rëndësishme për vendin dhe popullin shqiptar, Vehbi Dibra e mori fjalën, të pranishmit me vëmendje dëgjonin këtë diskutim pajtues që çonte në vazhdimin e punës e jo të ndërprerjes. Ky atyre që ishin më të zëshëm u tha se edhe unë jam i interesuar për këtë program dhe nuk jam që ky të anashkalohet. Ky diskutim i tij ndikoi pozitivisht edhe te përfaqësuesit e xhonturqve. Përsëri pati ndarje, disa ishin për bisedime në interes të kombit dhe të atdheut. Por pati edhe  që deklaronin: “nuk na duhen bisedime të nënshkruajmë projektin të hartuar nga xhonturqit dhe të shkojmë”.

Në këto çaste pati edhe ndërhyrje edhe të oficerëve duke treguar delegatëve edhe rrugën e forcës për ata delegatë që nuk ishin të gatshëm të nënshkruajnë programin. Për të neutralizuar situatën, ndërhyri Abdyl Ypi delegat i klubit “Bashkimi” nga Selaniku, i cili me një fjalim të urtë u shpjegoi të pranishmëve të drejtën e lirisë dhe fjalës që u garantohej me kushtetutë. [20]

          Në këto çaste zërat që filluan të dëgjohen nga disa delegat  shin tejet të ashpra. Atmosfera në sallë u tensionua tej mase, disa delegatë e lëshuan mbledhjen. Kjo bëri që mbledhje]a të ndërpritej dhe të dy rrymat të ndaheshin veç e veç në grupe punuese për të bërë konsultime për veprim të mëtutjeshëm. Patriotët shqiptarë u tubuan në teqenë e Baba Shabanit, ndërsa rryma proturke në Beledije.[21]

           Pas kësaj ndarje filluan përsëri bisedimet midis tyre nëpërmes delegacioneve për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të punës të Kongresit. Të dy palët ranë dakord që nga të pesë vilajetet të zgjedhin nga tetë përfaqësues. Përveç këtyre do të merrnin pjesë edhe pesë persona  tjerë sëbashku me Valiun e Manastirit Sami bej Kulla, inspektori i përgjithshëm i krahinës së Maqedonisë dhe tre dibranë. Kongresi i ardhëm gjithsejtë kishte 45 përfaqësues.[22]

           Poashtu ranë dakord për të gjitha vendimet që do të merrnin do të njoftonin të gjithë delegatët ku do të bisedonin për ti miratuar dhe të nënshkruhen nga ata. Poashtu vendim tejet më rëndësi ishte marrëveshja e re ku thuhej se pikat që do të miratoheshin nga Kongresi do të hynin në program dhe do të miratoheshin nga të gjithë delegatët. Këtu del në pah, se tani më edhe programi i përgatitur nga vetë turqit, duhej ti nënshtrohej Kongresit dhe të miratohej nga vetë delegatët me nënshkrime. Kongresi vazhdoi punën ditën e tretë m 25 korrik, ky tubim e mbajti në shtëpinë e Zejnulla Hatipit. Për kryetar përsëri me shumicë votash u zgjodh Vehbi Agolli-Dibra, për sekretarë u zgjodhën Halit Gjirokastriti dhe Isan Selaniku. Këta morën më shumë vota nga të gjithë delegatët. Por kësaj radhe nuk ishin të kënaqur rryma proturke, ata kërkuan të emëronin edhe një kryetar të dytë. Por propozimi i tyre nuk e mori numrin e duhur të delegatëve, pasi 25 ishin kundër, ndërsa vetëm 14 ishin për kryetar të dytë.[23]   

           Pra mund të konstatohet se në seancën e tretë të këtij Kongresi ndodhi e  kundërta. Nga ky çast Kongresin e Dibrës nuk e drejtonin xhon turqit dhe përkrahësit e tyre por vetë atdhetarët shqiptarë. Turqit e rinj tani më nuk qenë në gjendje të zgjidhnin e dhe vetëm një kryetar e jo më të udhëhiqnin me punët e Kongresit.[24]

           Në zhvillimin e punimeve të kongresit dhe marrjen e frymës kombëtare ka pasur ndikim të fuqishëm edhe prezenca e nacionalistëve shqiptarë në krye me Dervish Himën. Pasi me përhapjen e lajmeve të këqija se xhonturqit po bënin presione të ndryshme në Kongresin e Dibrës me mija malësor iu afruan qytetit të Dibrës për ti erdh në ndihmë atdhetarëve që po luftonin në të gjitha fushat kundër vendimeve dhe programit të përgatitur nga turqit e rinj. Në biseda me delegatët, populli kërkonte që të merreshin  vendime në favor të çështjes kombëtare.  Gazeta “Shqypja Shqinisë” do të shënoj më vonë fjalët e një shqiptari që ishte i gatshëm me forcat tjera vullnetare të flijoj veten për gjuhën ka deklaruar: “Unë nuk dij me shkrue sa me këndue por vetëm këtë e dij se kush di me shkrua e këndua në gjuhën amtare ka përparua”, prandaj edhe ne duhet të mësojmë gjuhën tonë e jo të botës.[25]

           Kongresi i Dibrës keqësoi edhe më tepër situatën edhe ashtu të tensionuar në mes shqiptarëve dhe turqve të rinj, sepse doli në shesh e vërteta se shqiptarët janë të vendosur në kërkesat e tyre dhe se janë të gatshëm të rezistojnë ndaj çdo përpjekje që tenton ta shuaj lëvizjen e tyre kulturo-arsimore.[26]

Xhonturqit u përpoqën që në kongres të ndezin fanatizmin fetar, me qëllim përçarje, por llogaritë e tyre të përgatitura më parë nuk u dolën si mendonin ata. Puna e kongresit mori llogari të papritur për politikën e tyre në saje të aktivitetit të patriotëve shqiptarë.[27]

           Pjesa e dytë e vendimeve të  kongresit ishte në përgjithësi në kundërshtim  me politikën e ndjekur nga xhon turqit në Shqipëri. Andej komiteti xhonturk “Bashkim e përparim” filloi një fushatë të gjerë për të popullarizuar nëpër mes të shtypit, mitingjeve, etj. Ajo reklamonte vetëm ato pjesë të vendimeve të kongresit të Dibrës që flisnin mbi gatishmërinë e shqiptarëve për të luftuar kundër armiqve të Perandorisë Osmane.[28]

Pas mbarimit të Kongresit të Dibrës turqit e rinj filluan ti ndjekin të gjithë kundërshtarët që ishin kundër alfabetit arab dhe platformës xhonturke. Për ti ndjekur udhëheqësit e popullit, ajo i shpalli si bashkëpunëtor të politikës Evropiane, të udhëhequr nga Austro Hungaria.[29]

Pasi Kongresi i Dibrës nuk i dha rezultate e pritura Komiteti xhonturk “Bashkime Përparim” vendosi të kalojë në një luftë institucionale kundrejt shqiptarëve. Gjatë verës të vitit 1909 ky komitete i propozoi parlamentit disa projekt ligje që mendonte se do të jenë më efikase  në pengimin e lëvizjes arsimore. Këto projekt ligje u aprovuan  në parlamentin xhonturk në gjysmën e dytë të vitit 1909, ku do të shërbenin si mbështetej juridike në luftë kundër lëvizjes kombëtare dhe asaj kulturo arsimore. Pra kundrejt shqiptarëve ishin të drejtuar dy ligje: “Ligji mbi shoqëritë”,  dhe ligji mi çetat apo “kaçakëve”. Ndërsa për ligjin për shoqëritë jepej sqarimi “Se ato mund të ekzistojnë  vetëm si shoqata otomane”.[30]

Sipas këtij ligji shoqatat dhe klubet kombëtare duhej të humbnin karakterin kombëtar të tyre. Valit e krahinave dhanë urdhër që me një herë të ndërpritet veprimtaria kombëtare e klubeve  dhe të shkollave kombëtare shqipe. Poashtu u ndalua shtypi i kohës, që tani më ishte bërë çerdhe e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.[31]  

Ky vendim i sjellë në parlamentin xhonturk, shkaktoi zemërime dhe protesta të mëdha në Shqipëri. Klubi i Elbasanit më 29 korrik 1909 protestoi pranë kryesisë së senatit dhe të parlamentit për këto masa antishqiptare dhe njoftoi klubet: e Selanikut, Manastirit, Shkupit dhe Janinës, që me klubet që kishin nën vartësinë e tyre, t’i bënin një protestë  të përbashkët parlamentit turk. Më në fund turqit e rinj kaluan në aksion. Në fund të korrikut të vitit 1909 likuiduan klubin shqiptar të Tiranës duke vendosur një regjim të fortë.[32]

I njëjti regjim u vendos edhe në Durrës dhe qytete tjera të Shqipërisë ndërsa në Gjirokastër anëtarët e klubeve shqiptare ishin thirrur në gjyq në Stamboll nga komiteti i turqve të rinj.[33]

Kujdes të posaçëm xhonturqit i kushtuan veprimtarisë së klubeve shqiptare në Kosovë, ku ndihej një aktivitet i gjerë politikë.[34] 51

Kundër politikës dhe masave të hapëta reaksionare të turqve të rinj protestuan patriotët shqiptarë, klubet dhe shtypi kombëtar. Gazeta “Dielli”, shkruante në ato ditë se “Sot punët në Shqipëri janë më keq se në kohërat e Abdyl Hamidit dhe gjuha shqipe ndiqet më tepër se kurrë ndonjëherë” dhe u bënte thirrje shqiptarëve “të bashkohen dhe të zënë luftën e vërtetë kundër armiqve të kombit tonë, luftën e vërtetë dhe të fundit kundër xhonturqve “.[35]

Edhe pse u përgatit nga turqit e rinj dhe kishte karakter reaksionar, kongresi i Dibrës pati edhe rëndësi kombëtare. Me përpjekjet dhe angazhimin e patriotëve shqiptarë, kongresi shqyrtoi edhe një varg çështjesh me rëndësi që kishin të bënin me lëvizjen kulturore arsimore shqiptare. Populli shqiptar, veçanërisht i rrethinës së Dibrës tregoi mjaft interesim për mbarëvajtjen e veprimtarisë së kongresit dhe kjo shërben si një nxitje për luftën e mëtejshme të popullit shqiptar kundër reaksionit të turqve të rinj. Kështu turqit e rinj me kongresin e tyre reaksionar në Dibër nuk arritën qëllimin e tyre të planifikuar, por vetëm thelluan edhe më kundërthëniet në mes popullit shqiptar dhe turqve të rinj. Me anën e këtij kongresi xhonturqit u munduan të mbulonin kundërshtitë e tyre me kombin shqiptar por edhe kësaj radhe nuk ia arritën qëllimin e caktuar. Kjo situatë e elektrizuar nuk i zmbrapsi udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare për ta vazhduar rrugën drejt autonomisë shqiptare, ata të pakënaqur me vendimet xhonturke, thirrën Kongres tjetër në Elbasan.

Pas kongresit të Dibrës u rit edhe më shumë reaksioni i turqve i turqve të rinj kundër lëvizjes kulturave arsimore shqiptare. Komiteti xhonturk “Bashkim e Përparim”, kaloi në luftë të hapët kundër shkollës, gjuhës dhe kulturës kombëtare shqiptare, kundër klubeve që drejtonin luftën e popullit shqiptar për thurjen e sundimit reaksionar turk. Kundër reaksionit xhonturk patriotët shqiptar u përgjigjën me një aktivitet edhe më të bujshëm dhe zhvilluan luftë të ashpër.

Në anë tjetër u përhap hovi i luftës në disa qytete të Kosovës, Burrat e kësaj ane filluan organizimet në Gjilan, Drenicë, Junik. Pasi Xhavit Pasha kishte vendosur të shkretonte Shqipërinë. Në Deçan u mbajt Kuvendi i burrave nën udhëheqjen Isa Boletinit, Sulejman Batushës, Shaban Binakut dhe disa patriotëve të tjerë ku morr vendim në Kuvendin e mbajtur te “Verrat Llukës” që të rezistohet me armë kundër regjimit të xhonturqve.          

Në këto rrethana të luftës për arsim kombëtar, marrëdhëniet shqiptaro-turke u acaruan fuqishëm pas kongreseve mbarëshqiptare. Turqit e rinj filluan t’i ndjekin të gjithë shqiptarët që ishin kundër alfabetit arab dhe platformës xhonturke. Për ti arsyetuar ndjekjet para kundër udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare ajo i shpalli si tradhtar të Perandorisë Osmane dhe njëherit bashkëpunëtor të politikës Austro-hungareze.

Kjo situatë e elektrizuar nuk i zmbrapsi udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare në krye me Dervish Himën, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Sali Gjukën, Halim Tetovën, Luigj Gurakuqin, Rexhep Mitrovicn dhe shumë veprimtarë tjerë  për ta vazhduar rrugën drejt Autonomisë së Shqipërisë, që u kurorëzua me sukses Pavarësia e Shqipërisë Etnike, në Kuvendin Mbarëkombëtarë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

31 dhjetor 2019-Tetovë



[1] Masar Kodra, kongresite vo Debar, Elbasan i Bitola na albanskoto osloboditelno dvizhenje, Skopje, 1969. fq. 107.

[2] i. g, Senkieviç, Osvoboditelnoe dvizenie albanskogo naroda v, 1905- 1912. Moskva, 1959.  vep. e cit. f. 141- 142.

[3] Muhamet Piraku, Legalizimi i Alfabetit të Manastirit, “Përparimi”, nr.11-12, Prishtinë, 1968, f.1038.

[4] Hasan Kaleshi, Neki problemi izuçavanja kulturne istorije Pologa za vreme turskog perioda, “ Bigorski nauçeno-kulturni sobiri, Gostivar 1971, f.182.

[5] I.G. Senkieviç, po aty. f.143.

[6] Hasan Kaleshi,Neki problemi izuçuvanja kulturne istorije Polloga...., pun. i cit. f. 182. 

[7] Shkri Rahimi, Qëndrimi i pushtetit turk ndaj çështjes së alfabetit, “Gjurmime albanologjike”, nr.1. Prishtinë 1969, f. 15.

[8] Arian Kadiu,  Dibra e Madhe (monografi), Tiranë 1996, f. 91; Debi Dibra në këtë kohë ishte anëtarë i klubit “Bashkmi” në Dibër. I themeluar në vitin 1909, për kryetar kishte Hafuz Sherif Llangun.

[9] Skender Rizaj,Albanska abeceda u nauçnoj literaturi, “Jugosllovenski istoriskki çasopis”,nr.1-2, Beograd 1969;Arian Kadiu, Dibra e Madhe, Tiranë 1996, f. 96; ky në punimin e vetë publicistikë përmend numrin e pjesëmarrësve 315-320, ndërsa pjesëmarrjen e delegatë përmendë pesë vilajetet nga 9 delegatë 54 delegatë.

[10] Hasan Kaleshi, Neki problemi izuçuvanja kulturne istorije Polloga...., pun. i cit. f. 182; Historia e popullit shqiptar II,  Tiranë 2002, f. 412, por duhet theksuar se ky botim më i ri ka shumë dobësi në lidhje me mirëvajtjen e punës dhe numrin e delegatëve që marrin pjesë në Kongresin e Dibrës. Në vitin 1909. Në veçanti kur në f. 413, përmendet komisioni prej 40 delegatës, ai nuk është komision por janë delegatë që zgjidhen nga përfaqësuesit e kongresit për mirëvajtjen e punës të kongresit deri në mbarimin e  saj. E cila arriti ti kryen punët me sukses.

[11] Po aty: Qazi Xhelili, Vehbi Dibra, personalitete dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, Tiranë 1998, f. 49.

[12] I. G. Senkeviç,  Osloboditelnoe dvizhenie albanskogo naroda v 1905-1912 g. Moskva 1959, f.146.

[13] I. G. Senkeviç, vep. e cit. f. 143; Hasan Kaleshi,Neki problemi izuçuvanja kulturne istorije Polloga...., pun. i cit. f. 181; (Mehmet Efendi Tetova, mendohet të jetë nga familja e Aqif Mehmed Pashës 1 cili ka shkruar shumë këngë në gjuhën persishte, arabe dhe turke, ka vdekur në vitin 1893).

[14] Hasan Kaleshi,Neki problemi izuçuvanja kulturne istorije Polloga...., pun. i cit. f. 185.

[15] Raporti i konsullit italian nga Manastiri, Bernardit,”Congresso albanese a Dibra”, më 3 gusht 1909.

[16] AIH, Materiale të arkivit të Vjenës, Dos. 19.1, 172-19.1,-181, v. 1909

[17] A. M. Shkup, Fond. PP. Mk. 355, Raporti i L. Mihajlloviqit, konsull serb në Manastir.

[18] Hasan Kaleshi, Neki problemi izuçuvanja kulturne istorije Polloga...., pun. i cit. f. 182.

[19] AHI, Materiale të arkivit të Vjenës, Dos.19,1.193, v. 1909, Raport i konsulit Pastolin, dërguar shkëlqesë së tij shkëlqesisë së tij zotit Baron fon Erental, në Vjenë.

[20] AHI. Materiale të arkivit të Vjenës, dos. 19,1,195, Raport i Konsullit Manastirit dërguar Vjenës, më 2 gusht 1909.

[21] AHI. Dos. 19-1, 195, Raport i konsullit të Manastirit dërguar z. Erental, më 29 gusht 1909.

[22] Po aty, raporti i njëjtë.

[23] AIH, Dos. A. IV, 102, f. IX, X.

[24] Ali Vishko, Kongreset e Alfabetit dhe shkollës shqipe, Shkup 1992,  f. 71.

[25] Gazeta “Shqipja e Shqypnisë”, nr.12-13, 31.01. 1911.

[26] Muhamet Piraku, Legalizimi i alfabetit të Manastirit,  “Përparimi” nr. 11-12 Prishtinë,1968, f. 1039.

[27] Shkri Rahimi, Qëndrimi i pushtetit turk ndaj çështjes së alfabetit, “Gjurmime albanologjike”, nr.1. Prishtinë 1969,  f. 15.

[28] Historia e popullit shqiptar, II, f.292.

[29] i. g. Senkievi], vep. e cit. fq. 145-147.

[30] AM-Shkup, Fond. J. Jovanoviqit, 1909, Raporti i konsullit serb nga Selaniku, më 12.11.1909.

[31] Shkri Radhimi, Qëndrimi i pushtetit turk, vep. e cit. f.16.

[32] Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit ngjarje më rëndësi në LKSH, Tiranë, f. 52.

[33] Po aty, f. 53.

[34] Shukri Radhimi, Qëndrimi i pushtetit turk ndaj çështjes së alfabetit, pun. i cit. f. f. 16.

[35] Gazeta “Dielli”, Boston 17, IX, 1909.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora