E premte, 19.04.2024, 05:48 AM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Si ta nxjerrim vendin nga kthetrat e uzurpatorëve!?

E enjte, 02.01.2020, 01:18 PM


Si ta nxjerrim vendin nga kthetrat e uzurpatorëve!?

Shkruan: Florim Zeqa

Në rrethana normale do të mjaftonin 5 vite pas përfundimit të luftës, për rimëkëmbje ekonomike dhe paqe sociale në vendin tonë. Mirëpo, edhe pse kaluan dy dekada nga përfundimi i luftës, shtetit të Kosovës i mungon  përspektiva zhvillimore, arsimi cilësorë, shëndetësia dhe kultura qeverisëse.

Si pasojë e ngufatjes së sistemit të drejtësisë nga politika, bartësit e institucioneve vjedhin në baza ditore buxhetin e shtetit dhe s'ka kush t'i dënojë!

Në anën tjetër qytetarët me bizneset e tyre kanë mbetur të pambrojtur në mes kusarëve politikë dhe hajnave ordinerë!

Dualizmi i veprimeve të pushtetarëve, përveq qytetarëve të vendit i ka vënë në lajthitje edhe ndërkombëtarët.

Veprimet e ndara dhe kokë në vete të dy liderëve shetëror, përkatësisht presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj i kanë shkaktuar dëme jashtëzakonisht të pariparueshme Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Me kursin kontravers qeverisës, liderët shtetërorë, Kosovën e kanë futë në rrugë  pa krye dhe  pambarim, sepse  orekset serbomëdha ndaj Kosovës nuk do të mbarojnë me ndarjen e veriut.

Me këtë diskurs të politikës kosovare, Serbia do të vazhdojë edhe më tutje agresionin e saj politik ndaj shtetit tonë, pasi pushtetarët e papërgjegjshëm kosovarë, integritetin dhe sovranitetin tonë e kanë vënë në "ankand publik", duke e shndërruar në tortë të shijshme për orekset garbitëçare, ku secili nga fqinjët dëshiron të merr pjesën që dëshiron!

Nënshkrimet nga ana e Thaçit dhe Mustafës e marrëveshjeve me Daçiqin përkatësisht Vuçiqin në Bruksel, Serbinë gjakatare e bënë hisedare në sovranitetin e shtetit të Kosovës në njërën anë, ndërsa në tjetrën i hapën rrugën Serbisë për anëtarësim në BE, përderisa kjo e fundit kosovarëve të viktimizuar ua ofroj  liberalizimin e vizave me kushtin e humbjes së territorit të shtetit,...për ironi të faktit edhe kësaj pushtetarët kosovar i thonë sukses!

Po i thonë kështu pushtetarët sepse dështimet dhe rrëshqitjet e njëpasnjëshme janë bërë çelës i suksesit të tyre personal, për pasurimin dhe ngritjen e tyre në karrierën politike.

Zbrazja e Kosovës nga të rinjët e saj

Një shoqëri njerëzore që mbanë në pushtet një klasë tërësisht të korruptuar dhe inkriminuar politike, nuk ka pse pret liberalizimin vrastar të vizave! Ngase liberalizimi i vizave në rrethanat aktuale, të uzurpimit të shtetit nga antivlerat, gjegjësisht të kapjes së tmerrshme të institucioneve të shtetit nga grupet kriminale, keq-qeverisja, parregullsitë dhe anarkia në sistemin gjyqësorë, zbrazja e shtetit nga të rinjët do të vazhdojë deri në pambarim...

Derisa të vie në pushtet një klasë e përgjegjshme politike, me etikë dhe integritet profesional për të udhëhequr shtetin dhe dikasteret përkatëse qeveritare, të gjitha dëshirat dhe shpresat e qytetarëve do të mbesin iluzione.

Mbase sjelljet e fundit të pushtetarëve, përkatësisht dualizmi i veprimeve të pushtetarëve aktualë do të jenë një "alibi" më shumë për getoizimin e mëtutjeshëm të qytetarëve të këtij vendi dhe talljen me liderët shtetëror të Kosovës dhe mosdhënjen e vizave nga shtetet e BE-së.

Si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme dhe zhgënjimit nga dështimi i koalicionit qeverisës LVV-LDK, javëve dhe ditëve të fundit është shtuar dukshëm fluksi i qytetarëve kosovar para ambasadave të huaja në Prishtinë, për të kërkuar vizën për largim nga ferri që u shkaktuan politikanët e papërgjegjshëm dhe mashtrues në dekadën e fundit në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës pa mirëqënje qytetare dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore.

Përderisa të zgjasin gënjeshtrat e pushtetarëve dhe mashtrimi i politikanëve, do të zgjas getoizimi i qytetarëve dhe zbrazja në heshtje e Kosovës nga të rinjët e saj!

Ata që tradhtojnë njëherë,  tradhtojnë përseri dhe me qindra herë

Pushtetarët aktual, përveqse sindromë kancerogjene e shtetit të Kosovës, janë shndërruar në thyerës të shpresave për jetë të popullatës shqiptare në Kosovë, kanë vënitur edhe ëndërrat e qindramijëra mërgimtarëve për kthim të shpejtë në vendlindjen e tyre.

Qytetarët e zhgënjyer në këtë klasë kusarësh dhe matrapazësh politik, e kanë humbur besimin në liderët aktual dhe subjektet ekzistuese politike.

Me fuqizimin e pakicës serbe dhe varësinë e madhe ndaj ndërkombëtarëve, që moti e kemi humbur sovranitetin politik, me prodhime te huaja (kryesisht serbe) e kemi humbur sovranitetin ekonomik, pa shëndetësi cilësore, me arsimin gjysmak dhe degradim kulturor jemi bërë shtet për gjynah të zotit.

Dy dekada nga përfundimi i luftës dhe 12 vite nga rishpallja e pavarësisë përballë njëra-tjetrës ndodhen dy shtresa të skajshme të popullsisë; oligarkët e pushtetit (politikanët multimilionerë) përballë një popullate të varfër, madje skajshmërisht të varfër, të harruar dhe nëpërkëmbur nga të gjitha pushtetet e pasluftës.

Qytetarët e Kosovës nuk e kanë më asnjë arsye që të ju besojnë politikanëve të papërgjegjshëm, të shantazhuar, të korruptuar dhe tejinkrimuar. Mjafton t'i shikojnë veprimet e tyre të përditshme, t'i shikojnë pasuritë e tyre të paligjshme, të shikojnë jetën e tyre luksoze prej “Sheikëve” në Kosovën e varfër.

Politikanët milionerë aq shumë janë shkëputur  nga interesat e popullit, saqë nuk e dëgjojnë më zërin e qytetarëve dhe nuk i shohin vuajtjet e përditshme të tyre.

Thirrjet e mërgatës për ndryshim, të pamjatuara

Nga paslufta e këndej, të gjithë pushtetarët pa dallim, e kanë përbuzur dhe injoruar mërgatën, me të gjitha kapacitet intelektuale të saj nga frika e humbjes së pushtetit.

Megjithatë, mërgimtarët edhe pse me mijëra kilometra largë vendlindjes, për asnjë çast nuk e harruan atdheun e tyre. Mërgata e jonë përveq ndihmave të pakursyera materiale për familjet e tyre, asnjëherë nuk i ndali përpjekjet për investime në shtetin e Kosovës.

Mirëpo, barrierat byrokratike, haraçi i pushtetarëve dhe mungesa e sigurisë së kapitalit ua pamundësoi realizimin e investimeve në vendlindje.

Mërgimtarët deri më tani i kanë provuar të gjitha mundësitë për ta bindur këtë klasë të papërgjegjshme për ndrrim të kursit qeverisës në vend.

Intelektualët nga mërgata, përmes shkrimeve analitike, kërkesave për ndryshim, peticioneve dhe formave tjera i bënë thirrje edhe popullatës për ndërgjegjësim dhe vetëdijësim, por të gjitha ishin të pamjaftuara.

Levizja e re politike, shpëtim për vendin

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret si kushtrim në ndërgjegjën e atdhetarëve me gjak të pastër shqiptar, për bashkim të mendjeve dhe zemrave edhe njëherë sikurse në fillimvitet e '90-ta, për ta nxjerrë Kosovën nga kthetrat e uzurpatorëve, matrapazëve dhe zhvatësve të buxhetit të shtetit, nga rrënuesit e vlerave dhe traditave tona shekullore.

Ndryshimet substanciale në skenën politike dhe shoqërore të vendit tonë,  mund të arrihen vetëm me bashkimin e kapaciteteve intelektuale të mërgatës sonë, me bashkimin e të gjitha forcave progresive, të shëndosha dhe të padjallëzuara njerëzore të vendit tonë.

Krijimi i një levizje të re politike nga elita intelektuale nga mërgata, konformë rrethanave kohore dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare është imperativ i ngutshëm kohor dhe i vetmi shpëtim për vendin.

Levizja e re politike nuk guxon të jetë vazhdimësi dhe as levë e asnjë subjekti politik ekzistues. Ngase secila nga subjektet aktuale politike, për të mirë apo për të keq e kanë kryer të vetën,...pragmatizmi politik dhe patrioztizmi i tyre përfundon tek "URA" mbi lumin Ibër në Mitrovicë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora