E premte, 29.03.2024, 02:46 PM (GMT)

Kulturë

Fatmir Halimi: Lasgushi - Poeti i parë i letërsisë moderne shqipe

E merkure, 01.01.2020, 12:38 PM


LASGUSHI - POETI I PARË I LETËRSISË MODERNE SHQIPE

(Në përkujtim të 120-vjetorin e lindjes)

NGA MA. SC. FATMIR HALIMI

1.HYRJE

Llazar Gusho u lind në Pogradec, më 27 dhjetor të vitit 1899. Ka vdekur në Tiranë, më  12 nëntor 1987. Në letërsinë shqipe është  i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci, qe poet, shkrimtar e përkthyes shqiptar. Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur etnonimin e vendlindjes, Poradeci. Lasgushi është Autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” botuar në vitin 1933 dhe “Ylli i zemrës” në vitin 1937, Këto dy përmbledhje poetike i ka botuar në Bukuresht të Rumanisë. Veç të tjerash, pas luftës së dytë Botërore Lasgushi njihet edhe për poemat: “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, etj. L. Poradeci gjatë jetës së tij përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si: “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, Poemat e Hajnes, të Majakovskit, lirikat e Gëtes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, e poetëve të tjerë.

Mirëpo studimin tonë do ta përqendrojmë, në dy kryeveprat e letërsisë moderne shqipe në poezi, që janë Vallja e yjeve dhe Ylli i zemrës.

2.VALLJA E YJEVE DHE YLLI I ZEMRËS

Këta dy libra për shumë çka janë të veçantë në poezinë moderne shqipe, pasi që sjellin risi të paparë deri atëherë në letërsinë tonë. Tiparet veçuese të tyre  janë; struktura gjuhësore, forma e përsosur, sistemi i ndërtimit të  veprës, përdorimi i figurave letrare sidomos i metaforës. Lasgushi me këto vepra është i veçantë edhe në trajtimin e temave, si mbi frymëzimin, mbi krijimin e botës dhe temën e dashurisë, e cila trajtohet gati në të gjitha ciklet e tyre, dhe me të drejtë disa studiues e quajnë poet i dashurisë. Shumë më parë, Aristoteli metaforën e quante mbretëreshë e tropeve stilistike, ndërsa e dimë që poezia është mbretëreshë e arteve, e kritiku dhe studiuesi ynë letrar S. Hamiti, Lasgush Poradecin e vlerëson si mbret të saj, pra mbret të poezisë në letërsinë moderne shqipe. Edhe pse këta dy libra janë shkruar në një periudhë të afërt kohore, Vallja e Yjeve,   1933 dhe Ylli i zemrës, 1937 janë pak a shumë të ndryshëm nga njëri tjetri, sidomos te tema që trajtojnë, por e ruajnë formën, strukturën gjuhësore dhe stilin, ku mund të them se nga libri i parë edhe janë marrë disa poezi tërësisht  dhe që janë kooperuar bukur në të dytin Ylli i zemrës. Pra Lasgushi te të dy librat i kushton rëndësi të madhe fjalorit gjuhësor, të shprehurit figurative, strukturës dhe formës së poezisë.

3.Vallja e Yjeve

Veprën Vallja e Yjeve, Lasgush Poradeci e botoi në Rumani (1933) nën përkujdesjen e Mitrush Kutelit. Poezitë e kësaj vepre sollën një ndjeshmëri të re në letërsinë shqipe, një kërkim të thellë gjuhësor e formal dhe një formë të paparë deri atëherë. Vallja e Yjeve ka këtë strukturë ciklike:   I.(Në vend parafjale) Zog’i Qiellit,  II. Vallja e Qiellit  III. Vallja e Dherit,  IV. Vallja e Yjeve,   V. Vallja e Përjetësisë, VI. Vallja e Vdekjes, VII. Kur nuk ndjehesh fare mirë. Prandaj, poezia e Lasgushit, siç lexohet në njësitë e vogla, duhet të lexohet në tërësinë e sistemit të vet poetik.  Pra, te vepra poetike Vallja e Yjeve, ai krijoi një sistem të njënjëshëm poetik. Poezia e tij, për gjuhën e bukur shqipe, figurën origjinale, formën e re dhe ndjeshmërinë e re është e papërsëritshme e letërsinë tonë. Ajo Nis me poezinë  Zog’ i Qiejve, e cila fillon me vargjet:

Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak…                                                                            Do t’j-a marr që sot e tutje si bilbil parëverak,                                                                                     Që nga fund i vetëvetës do të këndoj një mall të ri:

Që në fillim kjo vjershë paraqet kodin poetik të tij, duke sjellë tek lexuesi mesazhin se poetit nuk i pëlqen më kënga e vjetër, por do të këndojë këngën e re dhe mallin e ri duke e nxjerrë nga fund i vet-vetes. Poezia Zog’i Qiejve është një këngë për mënyrën e lindjes së poezisë dhe të ngritjes së saj deri në nivelin suprem të përjetësisë. Poezi e një rëndësie tjetër është vjersha Naim Frashërit, e cila nis me vargjet e Naimit, të vjershës së tij Fjalët e qiririt:

E ku shkruhen në kartë                                                                                                                    Fjalët e gjuhës së zjarrtë

Këtu, Lasgushi i këndon poetit tonë të madh, atë e ngrit në piedestalin më të lartë, deri në adhurim të të shenjtit:

Sepse Hije-e shentëruar nër të gjallët sikur t’ishte…                                                                     …Sikur të ishte nër të gjallë, Ti, xhuraja dhembshurishte,                                                                       Ti rapsod që pranë shqipes dit’ e nat’ i llodhe ballët,

Për punën që bëri ai në lërimin e gjuhën shqipe, të cilën  e pasuroi në veprat e tij. Në të njëjtën kohë ndjen dhembje për vdekjen e tij, por edhe për njerëzit që sot e bastardojnë gjuhën:

Ndaj shëmton fjal’e të folur nga padija, nga nakari” këtë gjuhë: “yll’i vjershërisë! Verb i Perëndisë!”.

Lasgushi përveç motivit patriotik, motivit për gjuhën, frymëzimin, ai i këndon edhe dashurisë, të cilat vjersha janë përmbledhur sidomos në ciklin Vallja e Yjeve. Dashuria është jo vetëm një emocion, por edhe fuqi themelore jetësore. Ai e këndon këtë ndjenjë si fuqi tokësore e qiellore. Por, thellësia e saj vërehet në botën njerëzore, kur e dashura këndohet në nivel të bukurisë trupore e shpirtërore. Këndimi lasgushian i dashurisë shfaqet sidomos në lirikat personale. Atëherë tingëllon i veçantë zëri i tij, figuracioni origjinal dhe variantet e ndryshme të ndjenjës së thellë. Titujt e këtyre lirikave; Syr’i fshehur, Vesë dashyrije, Erë trendeline, Ç’dëgjoj me sy të trembur etj. nuk dalin si emërtime, por vetëm si një figurë e zgjedhur. Kështu titujt e vjershave të dashurisë në të vërtet janë figura, metafora. Të gjitha këto lirika marrin karakterin e varianteve të një teme, - dashurisë.

4. Ylli figurë qendrore

Për shumë poetë qielli ka qenë sinonim i hapësirës, i kozmosit. Edhe pse në qiell lëvizin hëna dhe dielli, ato sikur janë të afërta me njeriun, poetin. Por trup qiellor për ta pushtuar, apo figurë për poetët e ëndërrimit kozmik ka qenë dhe mbetet ylli. Këtë figurë e ndeshim me një funksion shumë të ngarkuar poetik në veprën e L. Poradecit. Ylli i Lasgushit, si figurë qendrore e tij nuk është vetëm një simbol, në të përmblidhet një kuptim mbi jetën, ndoshta edhe vetë botëkuptimi i poetit. Figura e yllit bartet gati në të gjitha ciklet e veprës Vallja e Yjeve. Duke e interpretuar figurën e yllit në vallen e tij të hapësirës së paanë, mund të thuhet se poeti donë ta humanizojë kozmosin, hapësirën, njerëzimin. Pra edhe kështu është një figurë e humanizuar që zë ‘fill me dashuri’, ‘plotë me jetë-e mall të valë’. Ky yll duke lëvizur në hapësirën e pakufishme herë është ‘i lum’ e herë është ‘i mjerë’, i lum (lumtur) është ylli kur është plotë zjarr të dashurisë, e i mjerë kur i venitet dashuria, kur lodhet në këtë hapësirë të paanë për t’u afruar te tjetri.

4. Dashuria, tema themelore

Në veprën Vallja e Yjeve tema themelore është dashuria, e cila përveç figurës së yllit plotësohet edhe me fjalët ( simbolet ) si: zjarr, mall, varr, flakë etj. Dashuria, kjo temë e përjetshme njerëzore në veprën e Lasgushit projektohet në dy rrafshe kuptimi; në një anë si ndjenjë humanizuese, si frymë lëvizëse e jetës, dhe në anën tjetër dashuria si fuqi e afrimit të Trimit me Vashën (djalit me vajzën). Tek tema e dashurisë, por edhe te temat e tjera Lasgushi përdor figurat e hapësirës (largësia pakufi), figurat e kohës pakufi (përjetësia). Në temën e dashurisë për-veç këtyre përdor edhe figurat e kontrastit:

Dashuri-Heu! Mall I ri!                                                                                                                       Dashuri! Këngë e durimit                                                                                                              Liri! Nëse robëri!

Kontrasti ‘Ti liri/Ti robëri’ nuk përmbledh figura me kuptime që kundërshtohen, kemi të bëjmë me një shkrirje, me një figurë që shpreh një situatë.                        Pra, dashuria në poezinë e L. Poradecit  këndohet si një varrë që për të mbetur gjallë përditë e do nga një lëndim të ri, (dashuror).                                                              Është një ‘fshehtësi plot llaftari|plot ëmbëlsi vërerore!’, ndërsa vasha një qenie dhembshurisht e ëmbël. Kjo është një temë e përhershme e tij, ashtu siç është krijimi poetik që nuk lidhet me moshën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora