E diele, 05.04.2020, 06:52 PM (GMT+1)

Komente

Alfred Papuçiu: Piktori i merituar Agim Faja, Shqipëria dhe Kosova

E merkure, 01.01.2020, 01:36 PM


Piktori i merituar Agim Faja, Shqipëria dhe Kosova

Nga Alfred Papuçiu

Puna e palodhur është ligji i artit dhe i jetës, kurse arti është riprodhim krijues i realitetit. Për këtë arsye, artistët , poetët e piktorët e vërtetë nuk presin as porosi, as porositës ; ata krijojnë sot, nesër dhe gjithnjë. Këtu e ka burimin zakoni për punë, lufta e vazhdueshme me vështirësitë, mbi bazat e të cilave lulëzon bashkimi i lirë i artistit me muzën dhe me forcat e veta krijuese.  I tillë ka qënë Piktori i merituar, Agim Faja që nuk ka shumë kohë që u largua nga kjo jetë, pa mbushur 74 vite.

Kur shkoja në studion e piktorit të merituar, Agim Faja gjeja piktura, grafika, vizatime, akuarela, libra të shumtë, fotografi, shënime…Aty ishin mbledhur gjithçka nga veprimtaria e tij 50-të vjeçare. Përveç veprave të tija të çmuara në pikturë gjeje edhe librat e tij, të shkruara me aq ndjenjë, apo edhe qindra artikujt e shkruar në shtyp. Titullin „Piktor i merituar“ e ka marrë qysh në vitin 1987. Shkrimtari ynë i mirënjohur, Dritëro Agolli është shprehur: „Nga Shijaku kanë dalë njerëz të shquar në histori dhe në kulturë, ku jeton dhe piktori me emër të madh, Agim Faja, miku im gjysmëshekullor, ku kam lidhje familjare edhe nga motra, edhe nga nipërit dhe mbesat“. Dhe duke dëgjuar këto fjalë të të ndjerit, Dritëroit, për mikun e tij, më vjen para sysh veprimtaria krijuese e Agim Fajës, piktorit modest nga shpirti, por tepër njerëzor, prodhimtar i madh dhe me vullnet të papërshkruar që përveç qindra e qindra pikturave me vlerë, ka hedhur në letër qindra kujtime, mbresa, hulumtime, kryesisht të karakterit historik dhe dokumentar. Djali i mësuesit Hamdi Faja (“Mësues i Merituar”), Agimi do të merrte mësimet e para për pikturë në kursin e vizatimit në Elbasan nga piktori Vasil Toli. Agimi kishte filluar shkollën e mesme pedagogjike në këtë qytet, por pasioni për pikturën e shtyu të vazhdojë studimet për arte. Kreu Liceun Artistik ”Jordan Misja”, Tiranë për pikturë në vitet 1954-1958 në klasën e pedagogëve Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Kristina Koljaka dhe Kel Kodheli. Në vitin 1960 vazhdon studimet në Institutin e Lartë të Arteve Figurative. Është një nga studentët e parë të këtij instituti. Diplomën e mbron me tablonë “Ndërtuesit e lumturisë”. Përveç pikturave, ai është nga ilustruesit e parë të revistës „Fatosi“, qysh në vitin 1959 deri më 1975, sëbashku me Safo Markon. Ai është ilustrues i mbi 100 librave për fëmijë dhe të rritur, si dhe i Abetares së gjuhës shqipe. Sa bukur ka ilustruar librin „Një sirtar i veçantë“ të tim eti, Tunit, të cilin e kishte një nga shokët e tij më të mirë dhe më të afërt. Ai e ka cilësuar atë „njeri me zemër të madhe dhe tepër fisnik“. Letrat e Agimit ku flet për shokun e tij të afërt që iku shpejt nga kjo jetë, në moshën 53 vjeçare i ruaj me kujdes në arkivin tim të familjes. Me sa dashuri flet për të, në kujtimet e tij, ashtu siç flet për mjeshtrin e madh të pikturës shqiptare dhe europiane, Ibrahim Kodrën, apo „duke kujtuar njeriun e mirë dhe të dashur Andon Kuqali“, ish profesor i tij. Kujton udhëtimin e tij në Itali, bashkë me bashkëshorten, të ndjerën Durrije, i ftuar nga një ish-nxënësi i tij. Hulumtimi i tij „Historia e Tiranës, në foto të rralla“ është rimarrë edhe nga shtypi i huaj. Ndër punimet e Agim Fajës kujtojmë “Fëmijët në Erzen”, 1961 (studio e artistit), “Bisedë e përzemërt”, 1963 (studio e artistit), ”Verë e vitit 1965”, (GKA,Tiranë), “Pranvera”, 1960, (tempera GKA, Tiranë), “Mbrëmje”, 1965 (GKA,Tiranë), “Mëngjes fshatar”,1969 (linoleum, GKA,Tiranë), “Mbledhja e ullinjve” 1989, etj. Piktori Agim Faja ka çelur disa ekspozita vetjake, duke filluar nga viti 1968.

Në kujtimet e tij „Boshnjakët, mysafirët 100 vjeçarë të Shijakut“, ai kujton fëmijërinë e tij, boshnjakët ku ai blinte kallama sheqeri, lojrat e ndryshme në rrugicat e vogla. Libri i tij „Trimat e Skënderbeut“ është botuar edhe në Itali.

Ndërsa libri i Agim Fajës „Gjashtë ditë në tokën ëndërr“ përmbledh përshtypjet e tij nga udhëtimet në Kosovë. Ai është një dëshmi e kulturës dhe vlerave të përbashkëta të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Një kopje të këtij Ditari mallëngjyes, Agimi ja ka dërguar edhe Z. Ullmar Quick, kryetar i Shoqatës suedeze-shqiptare dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Suedi, me të cilin ka korrespondencë që nga 1 gushti 1997. Në një nga letrat e tij, Z. Ullmar i përgjigjet Agimit: „Ditarin“ tuaj e kemi përdorur pjesërisht në emisionet e „Radio Arbërise“, një radio lokale për shqiptarët e qytetit të Norkopingut…“

Tek libri „Gjashtë ditë në tokën ëndërr“, Agim Faja flet me respekt të veçantë për ish-presidentin amerikan Bill Klinton, ku ndër të tjera shprehet: „Në shekujt e ardhshëm, Kosova do të kujtohet si shesh beteje i forcave të fundit postkomuniste (me qendër në Beograd dhe përfaqësues Milosheviçin), me forcat përparimtare demokratike (me qendër në Amerikë dhe përfaqësues Bill Klintonin“. Me shumë respekt ka folur Agimi edhe për Nënë Terezën, për të cilën ka shkruar dy poezi. Në njërën prej tyre të shkruar më 12 shtator 1997, shtatë ditë pas vdekjes së saj, ai shprehet:

Ti u bëre Nënë e gjithë njerëzimit,
Gjithë njerëzit e ruzullit qenë fëmijët e tu,
O Nënë Terezë, o Nënë e Madhe,
Jetove me botën vuajtje e halle.

Pa lindur, Nënë nuk bëhesh kurrë,
Ti u bëre Nënë, pa lindur e pa burrë.

Dy ditë më vonë, Agimi shkroi poezinë tjetër „ O Nënë Terezë, pa ty bota do të mbetet jetime!“

„Kur isha nxënës në Lice, shkruan Agimi në këtë libër të tij me kujtime, shkoja vazhdimisht të shtunave, që kishim liridalje, në pinakotekën, e cila ndodhej në rrugën e Kavajës, për të parë pikturat e piktorëve tanë dhe të huaj, apo skulpturat, që ishin më të pakta. Bashkë me shokët, rrija me orë duke i soditur. Midis tyre më ka bërë përshtypje kompozimi i profesor Buzës „Refugjatët“, sa i vogël në format e sa i madh në mesazh, vizatuar fort dhe me një kolorit dramatik shumë të pasur dhe interesant. Nuk e teproj po të them se prof. Buzën ne e kishim idhull. Ai qe një piktor i veçantë, me gjurmë vërtetë të veçantë në artin tonë“.  Agim Faja punoi dhe për botimin e një vëllimi historik për qytetin e tij të lindjes, Shijakun. Ai në moshën 29 vjeçare fitoi të drejtën për të dalë në profesion të lirë. Qysh atëhere janë me qindra e qindra pikturat e tij, si dhe ka marrë pjesë në dhjetra e dhjetra ekspozita, ku ka fituar 18 çmime për veprat e tij (nga këto tre çmime të para kombëtare).  Nga viti 1969 deri më 1992 ka qënë anëtar i Komitetit Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe për disa kohë edhe Kryetar i saj për rrethin e Durrësit. Në vitin 1996 shpallet “Pishtar i Demokracisë” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit Shijak në vitin 1999. Në fondin e GKA, Tiranë nga krijimtaria e artistit ruhen njëzetë e katër tituj punimesh të viteve 1965-1982. Gjithashtu punime të artistit ndodhen në GKA, Durrës si dhe në institucione të ndryshme shtetërore, koleksione private dhe në studion e autorit. Kujtim Buza, Piktor i merituar, si dhe shumë mjeshtra të artit e kanë vlerësuar shijen e hollë dhe origjinalitetin e punimeve të Agimit. Unë ruaj si një kujtim të veçantë pikturën e bukur, të dhuruar prej tij, me pamje nga fshati shqiptar, e cila pëlqehet edhe nga miqtë e mij zviceranë dhe të kombeve të tjerë. Shumë prej veprave të Agim Fajës janë ekspozuar në Bienalen e Egjiptit, në Francë, në Gjermani, Angli , Itali, Algjeri etj. Pikturat e tij gjenden edhe në studiot  apo artdashësve në Itali, Kosovë, Zvicër , Australi, SHBA, Turqi, Hungari, Kolumbi, Venezuelë, Skoci, Britani e Madhe etj. Me rastin e 70-të vjetorit të lindjes së tij, ai paraqiti punimet e tij më të mira në një ekspozitë retrospektive. Ekspozita me titull: „Vite-jetë-punë“ u organizua nga Bashkia e qytetit të Shijakut, në bashkëpunim me Galerinë e Arteve Figurative të Durrësit dhe Galerinë „F“ në Shijak. Agimi ishtë i lumtur se nipi i tij Franci ndjek rrugën e tij të gjatë dhe të bukur, duke mbajtur çdo ditë penelin në dorë dhe duke pikturuar çaste nga jeta dhe bukuria e natyrës sonë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i piktorit dhe shkrimtarit Agim Faja

Gjenevë, 31 dhjetor 2019

Disa pjesë nga libri i piktorit Agim Faja « Gjashtë ditë në tokën ëndërr » Përshtypje udhëtimi nga Kosova (botues OMBRA GVG)

« Për mua ka qënë fat i madh që e kam patur mësues  tim at, pasi jam rritur midis librash, fletoresh e revistash; midis kalemash, penash e penicash, që në atë moshë që nuk kam ditur as të shkruaj e as të lexoj. Edhe më pas, kur u rrita dhe fillova të shkoj në shkollë e të ruaja ato shtatë krerë dele që kishim (se ne ishim gjysëm fshatarë), prisja me padurim të vinte mbrëmja që të kthehej Diu (Hamdiu-i jati) nga Shtraza e unë të shikoja figurat e fotografitë nëpër librat e revistat e tij. Ndiqja me kënaqësi edhe kur ai korrigjonte hartimet e diktimet e nxënësve të vet. Ndodhte që ndonjë revistë a libër ia merrja tinëz, pa leje, dhe kënaqesha duke i shfletuar, atje tek livadhi ku çoja delet. Kujtoj « Vatrën e rinisë », « Normalistin », « Shkëndinë « , « Bletën », « Shkollën Kombëtare » etj. Veçanërisht në kopertinat e revistave « Shkolla Shqiptare » » e « Shkolla Kombëtare », kujtoj që kam parë tre fotografitë e vëllezërve Frashëri (apostujt e idealit kombëtar), fotografinë e At Gjergj Fishtës, të fëmijëve shqiptarë me veshje kombëtare ; por ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, ka qënë fotografia e shtëpisë ku u mbajt Lidhja e Prizrenit…Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit qe për ne simbol i qëndresës. Pikërisht në këtë shtëpi « …bëhet një kthesë e madhe e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare »

KOSOVA DO TË RINGJALLET

«  Po. Dhe kjo nuk është utopi, por gjë e vërtetë. Turmat e pafund të dyndjeve të kosovarëve dhe shpërndarja e tyre nëpër botë, më kujtojnë eksodet biblike të atyre kohërave të mugëta, veçse me përmasa shumë më të mëdha. Ndërsa Kosova më ngjan me Jezu Krishtin, që po kryqëzohet, për të lindur një kohë e re : koha e demokracisë botërore. Ashtu si Jezu Krishti, ajo do të ringjallet, për t’i dëfryer botës së re, si Ai, Kosova është demokratja e fundit e erës së vjetër dhe demokratja e parë e erës së re.
« Në shekujt e ardhshëm, Kosova do të kujtohet si shesh beteje i forcave të fundit postkomuniste (me qendër në Beograd dhe përfaqësues Millosheviçin), me forcat përparimtare demokratike (me qendër në Amerikë dhe përfaqësues Bill Klintonin) »

« … Tek shoh në televizor rreshtin e pafund të kosovarëve të dëbuar nga serbët, kur futen në kufirin tonë, të lodhur, të raskapitur e të munduar ; kur shoh ata pleq e ato plaka, të parruar e tërë rrudha, ato gra e nuse, ato nëna e fëmijë të vegjël, që qajnë për tokën e tyre, shtëpitë që ua kanë djegur dhe të dashurit që i kanë humbur, mendja më shkon tek izraelitët e biblës, që hoqën aq shumë nga romakët. E kam thënë edhe më lart. Nga bisedat me ta, se si për të mbijetuar në tokën e tyre, për t’i bërë ballë represionit serb, u është dashur të bëjnë sa më shumë fëmijë, gjer më dhjetë e mbase edhe më tepër. Ose, për të ruajtur identitetin, u është dashur të ngjitin sa më shumë emra shqiptarë, si : Vlora, Elbasan, Erzen, Valon, Flamur, Arbër, Sarandë, Abetare, Shqipe e sa e sa të tjerë të panumëruar. Një grua kosovare që lindi këto ditë në maternitetin e Shijakut ia ngjiti djalit emrin Erzen, për hir të lumit, që kalon përmes qytetit tonë, Shijakut ».

« Ndërsa prisnim të na vinte mikrobuzi, pamë në një pallat 15-katësh një stendë të madhe me ngjyra, ku paraqitej në këmbë Presidenti i Amerikës, Bill Klinton, duke përshëndetur me dorën e djathtë. Qe vënë në pjesën e sipërme të pallatit dhe zinte për të gjati-poshtë tre kate të fasadës pa dritare. Qëndronte bukur. Dhe në fakt Kosova dhe kosovarët, jetën e tyre të pas vitit 1999 ia dedikojnë vetëm atij, atëkohë President i Amerikës. Pas Skënderbeut, në historinë e Kosovës, figura e Bill Klintonit, mendoj se është e dyta për nga rëndësia. Se ishte Klintoni ai që e rrëzoi atë përbindësh nga froni dhe e dërgoi të gjykohet në Hagë, ku gjykohen kriminelët e popujve. Dhe them, se s’do të jetë e largët dita kur, ashtu sikundër monumenti i Skënderbeut, do të ngrihet diku, në ndonjë shesh të Prishtinës edhe monumenti i Bill Klintonit“.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT