Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: U ngrit drejt qiellit një Zanë Perëndie

| E hene, 30.12.2019, 03:49 PM |


Me z. Agim Shehu dhe bashkeshorten e tij fisnike znj. Zana Shehu

U ngrit drejt qiellit një Zanë Perëndie

Ndahet nga jeta në Zvicër bashkëshortja e Poetit të shquar Agim Shehu, Zana Kokoshi Shehu, emrin e së ciles e pagëzoi Ali Asllani, një burrë i ndritur i Kombit

Nga Keze Kozeta Zylo

Një lajm i trishtë më pushtoi shpirtin në këtë fund dhjetori në New York.  Dhimbshëm e lexova statusin e Poetit të shquar të Kombit z.Agim Shehut për ndarjen nga kjo botë të gruas së tij gojëmjaltës dhe fisnikes Zana. Një shqiptare dritëdhënëse dhe një emigrante më pak…

Ndërsa kujtoj takimin e fundit që kemi pasur me Kryepoetin tepelenas Agim Shehu dhe bashkëshorten e tij Zanen në Amerikë, loti më pikon me tingull si vaj labeje në kartë, në këto orë të vona njujorkeze.  Ishte një takim i ngrohtë, i dielltë, sepse nga sytë e kadifenjta të Zanës shihja rrezet e arta dhe ndjeja shpirtin e saj aq të butë dhe prej fëmije siç i thur poezi i dashuri i saj i perjetshëm Agimi.  Një jetë bashkë na fliste plot krenari rreth tryezës miqësore dhe unë sa më shumë kalonin orët aq më shumë më dukej se ishja duke darkuar me një perëndeshë të vërtetë.

O Zot them në këto momente se: “Ku do t’i gjejmë këto Hyjnesha të arsimit kombëtar të atij brezi që po ikin dhe nuk e di kur do kthehen prapë… Zana kishte shumë ç’të tregonte kishte mbi supe një jetë të tërë në arsim, edhe pse fati e rëndoi shumë si mbesa e Kudret Kokoshit nga Vlora dhe nje nga intelektualet dhe patriotët e shquar të Kombit i cili u persekutua nga regjimi diktatorial.  Por Zana ishet gati si krijesë mitologjike si vetë emrin e bukur që kishte, dhe i ruajti me fanatizem emrin e familjes së saj po aq dhe të poetit bashkëshort që vuajti dënimin duke e çuar të punonte punë krahu në Elbasan.  Emri i Zanës është një histori e bukur pagëzuar nga atdhetari i zjarrtë dhe poeti Ali Asllani.  Po sjelle në këtë homazh disa fragmente nga kujtimet e z.Shehu titulluar “Dy orë me Ali Asllanin” dhe ja se si:  “Në fillim të dashurisë i thashë sime shoqeje se ke emër shumë të bukur, prerë nga legjenda hyjnore e zanave në mitologji. Harmonizon me “Agimin”...’! Më tha me gëzim të çiltër e disi krenare: “Ma ka vënë poeti i hollë lirik, njeriu ynë, Ali Asllani...” Biseda vazhdoi gjatë dhe e bukur nga jeta e tij të cilën e dashura ime e mbante të gjallë në kujtesë.

…Trokitëm e hymë ngadalë si te një tempull në konakun e tij. Një grua me lëvizje të përmbajtura tërë mirësi na drejtoi brënda. Ishte e shoqja, Qanieja. Në tërë fytyrën e saj kish një mirësi të butë përpunuar nga mundime e fatkeqësi. Rudhat e holla e bënin më të dhëmshur (nëpër ato rudha kish përcjellur në botën tjetër të birin që vdiq në varfëri nga tuberkulozi, pasi s’kishin mundësi për mjekimet e duhura). Na përqafoi të dyve.  Zanën e mbajti gjatë, thua nuk i mbaronte dot tërë ato fjalë dashurie me kujtimet që kish në zemër për të.

…I shoqi tanimë i moshuar u ngrit lehtë, tërë mirësjellje fisnike, përqëndroi vështrimin të na njihte.  Mua më kaloi lehtë, si të panjohur.  Sytë i ndali te ime shoqe të cilën ende s’po e njihte saktë. “Jam Zana, Zana Kokoshi...” iu drejtua ajo dhe e përqafoi duke u përlotur mbi të. Ai mbeti i hutuar si te legjenda e rinjohjes. “Zana...Zana ime...” foli ai tepër i prekur dhe po e përqafonte duke mërmëritur rrokje fjalësh të pakuptueshme.

“Se të harruam! Si të kam, floriri im?! Ismail Beu e çmonte shumë xhaxhain tënd, të ndjerin Qazim. Atë e caktoi përfaqësues të tij në Memorandumin e Gërçës.  Në Deklaratën e Pavarësisë jo rastësisht hodhi firmën krah Ismail Beut...” “Ia kanë shuar emrin” foli me gjysmë zëri ime shoqe. “Pema kur krasitet bëhet më e shëndoshë” shtoi ai duke vënë buzën në gaz.  Zanës i qe bërë fytyra krejt e purpurt, pa gjetur dot fjalë të saktë t’i përgjigjej më tej. Ai vazhdoi me një mirësi të ëmbël si prej perëndie: “Nuk e harroj, kur ishe në Pedagogjike këtu, vija të merrja çdo të shtunë e të ktheja të dielën. Në orën e caktuar ty të gjeja te vëndi para portës ku më prisje.  Sa më shihje turreshe më hidheshe në qafë e të mirrja për dore si një keçe Vlore...” E shihja me adhurim se si tërë fytyrën ia mbulonte një gëzim i brendshëm gati si prej fëmie. Befas kaloi në pyetje tjetër: “Si kalon tani”? “Shumë mirë - iu përgjigj ime shoqe, - kam dy binjakë të vegjël, m’i mban në prehër vjehrra, një nënë labe e rrallë...” Atij iu mbush fytyra me dritë, e vështroi …Zanën me sy të qeshur si ta ledhatonte, e foli si nga thellësia e vetes së tij: “..Keçe Vlore kryeneçe/ që hutoje një krahinë...” Heshti me sy të qeshur mbi të duke menduar vazhdimin e vargjeve e shtoi: “...Sot si nuse 20 vjeçe/ po e mbush me zogj shtëpinë...”. La përshtypjen se u gëzua që e gjeti saktë e bukur dhe të dy të qeshur po shiheshin gëzueshëm në sy sikur njiheshin për herë të parë.

…Qeshi përsëri tërë mirësi. Thamë fjalët e fundit e u ngritëm. “Më eja nganjëherë se më gëzon zemrën - i tha sime shoqeje. - Kam nevojë të më vish...Më tha Perëndia që të vura emrin! E mbase jetën e kalon gjer në fund si Zanë. Kima kujdes - më tha mua në fund si me zë lutjeje. Do të ta shpërblejë Perëndia se është vajzë Perëndie”. U përqafua me të i përlotur, e u ndamë. Doli te dera e sytë i mbante nga Zana, si nga një pëllumb që i largohej e nuk do ta takonte më kurrë...

Natyrisht ajo ka qenë një grua besnike, e mençur dhe e bukur në krah të poetit, ndaj dhe pena e tij brilante i shkruan Zanës: Ledhaton vajzën, përkëdhel birin/ Më sheh dhe hesht/ mendon pazarin/ Te thinjat zë të lëmoj hirin/ dhe më merr malli për zjarrin…

Në moshën e trete ata janë emigrantë azilantë në Zvicër dhe doemos kjo është tronditëse të lesh Atdheun dhe të shkosh në një vend tjetër, por kushtet e helmëta i detyruan të iknin sa më parë.  Pena e Poetit duket se i shërben dhe më mirë Kombit në një vend të lirë siç është Zvicra, është një shërbim nga atdhetar soji, i një race virgjine Shehu dhe Kokoshi…

Por sot dua të ndalem tek metaforat tejet të holla dhe fine që na dhuron poeti Shehu për Zanën gojë sheqeren do te thoshnin nga anët tona dhe çfarë mjeshterie sjellë me paralelizmin figurativ midis borës që s’pushon në Alpet e bardha të Zvicrës dhe shpirtit të ngrohtë të saj si në këto vargje në : « Dimër zvicre”  Bie dëborë e hollë, e hutuar/ vellon e bardhë në dritare ma shtriu/ Kërkonte nusen/ Pa gruan time të thinjur dhe shkriu!...

Dashuria e çiftit bashkëshortor ngeli e pastër si velloja e bardhë e Zanës e cila ecën si në balada dhe i lexojmë në këto vargje brilante si: “Vellua e bardhë e nuses/ kujtimet na erdhën pranë/ nga lëndina e bregdete/ një mjegull, mbi Vjosë matanë/ vellon e kish marrë me vete.

Për vellon poeti do të tregonte: “Në bisedat tona intime, e pyes një ditë, pse adhuron vetëm Vellon? Ma ktheu, se vetëm ajo na mbeti e bardhë, e paprekur nga fati i zi!? Heshta në botën time dhe vazhduam shetitjen te vendi ynë buzë liqenit”.

Dhe shetitja e tyre s’do te ndalet kurrë, sepse është historia dhe jeta e pazakontë e një cifti bashkëshortor të kapur dorë për dore perjetësisht.  Zana, kjo hyjneshë e Poetit dhe e lexuesve të shumtë u ngrit drejt qiellit me vellon e bardhë si vetë shpirti i saj që fali vetëm mirësi e dashuri në botën e egërt ku jetoi dhe punoi. Ajo ndrit nga lart si nje nuse e bukur me shkelqim nga fijëza Hëne Progonati dhe mjaltos hojëzat e nje shpirti poetik.

Dritë të pastë shpirti mësuesja jonë dritëdhënëse!

Lamtumirë Zanë Perëndie!

30 dhjetor, 2019

Staten Island, New York