E hene, 30.03.2020, 08:14 AM (GMT+1)

Komente

Alfred Papuçiu: Kur do të shohim Shtetet e Bashkuara të Europës – ëndërr e të madhit Viktor Hugo

E diele, 29.12.2019, 12:33 PM


Kur do të shohim Shtetet e Bashkuara të Europës – ëndërr e të madhit Viktor Hugo

Nga Alfred Papuçiu*

Herë pas here u kthehem shënimeve, mesazheve nga ana e miqve të mij të mirë që më shkruajnë lidhur me mendimet që shpreh në shtyp, sidomos për dëshirën time që edhe Shqipëria dhe Kosova, të jenë një ditë në Europën e Brukselit. Një prej tyre është dhe profesori i nderuar i gazetarisë shqiptare, Hamit Boriçi, i cili para do kohësh më shkruante:

“Lexova ciklin e shkrimeve - mbrojtje e shkëlqyer e të drejtave të patjetërsueshme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar; aktakuzë kundër grupeve dhe individëve jo thjeshtë dashakëqinj të Shqipërisë, por edhe politikanëve amoralë në Europë e Shqipëri; advokaturë mjeshtërore me dituritë e një diplomati e publiçisti për çështjet ballkanike, europiane dhe më tej.
Artikujt janë mbrujtur me fakte dhe interpretime kompetente, shprehur me retorikë racionale, por edhe emocionale. Ju nuk keni qëndruar indiferent ndaj kësaj padrejtësie të radhës të paprinciptë që i bëhet Shqipërisë dhe Ballkanit, por u ngritët si tribun i drejtësisë kombëtare e ndërkombëtare, duke u dhënë një shembull edhe politikanëve dhe diplomatëve tanë që shtrirë në plazhe rrezitën për të fituar energji që të zihen me njeri-tjetrin sa të fillojë vjeshta politike në Shqipërinë e "reformave të mëdha"; dhe ashtu mendojnë si e si të vazhdojnë mashtrimet për premtimet e përbetimet që i bënë elektoratit, pa çka se harxhuan miliona Euro e Dollarë edhe nga arka e shtetit. Ju përgëzoj edhe për stilin dinamik që përshkon artikujt tuaj; për mjeshtrinë e komunikimit, duke u servirë lexuesve të interesuar dhe të painteresuar informacione, fakte dhe argumente të pakundërshtueshme.
Me respekt të veçantë, Hamiti”

Ndërsa një mik tjetër, Profesor Luan Shahollari, më shkruan:

“Përshëndetje nga Tirana ,Alfred!
Më vjen mirë që menjëherë pas vizitës në Shqipëri po "ktheheni" here pas here me shkrime në shtypin shqiptar. Kjo tregon se Dheu Amë ju ka dhënë gjallëri e krijimtari...E lexova edhe shkrimin për Hugoin e Madh dhe Shtetet e Bashkuara të Europës dhe më kujton qëndrimet e tua për Europën që në vitet 90-të, kur unë kam ardhur në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën dhe me pëlqeu. Tek libri im i fundit, të kam përmendur me shumë respekt për vizionin tënd largpamës për Shqipërinë dhe Europën. Ndërkohe jam duke lexuar librin "Meditim p
ër shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara", i cili po më suprizon me gamën e gjërë të temave dhe personazheve që keni hasur në jetën tuaj interesane, brënda dhe jashtë shtetit, ku sundon tema e dashurisë dhe respektit për njeriun dhe Shqipërinë. Përshëndetje dhe urime! Luani”

Këto mendime të shprehura janë pasqyrimi i një mendimi origjinal dhe të lirë. Ai lidhet me mendimin e përhapur tek një pjesë e opinionit europian: Europa i përket të gjithë shteteve dhe banorëve që e përbëjnë atë, pra duke përfshirë edhe ”Europën tjetër”, ku bëjmë pjesë edhe ne, Shqipëria, Kosova, Zvicra dhe një numër shtetesh të tjerë që janë akoma jashtë saj. A do ta mendojë këtë stafi i ri, drejtues i Europës së Brukselit që është krijuar këto ditë? Këtë do ta tregojë koha, nëse vizioni i tyre për Europën pa kufi që e kanë menduar disa dekada më parë, baballarët e Europës, do të bëhet më në fund realitet.

Studimi i çështjeve europiane më ka shtyrë të gërmoj më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë.  Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë, figurat e atyre që shkrinë energjitë për Europën, si Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, De Gasperi, Robert Shuman.

Qysh nga Lufta e Dytë Botërore, pajtimi franko-gjerman ishte një nga shtyllat e integrimit europian. Përballë Lindjes që ishte nën kontrollin e ish- Bashkimit Sovjetik, Perëndimi krijoi Këshillin e Europës në Strasburg, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pastaj disa vende europiane krijuan Komunitetin Europian, i cili pak e nga pak u zgjerua dhe sot quhet Bashkimi Europian, i përbërë nga 27 vende. Që nga viti 1989, historia e Europës ka patur ndryshime të thella. Në Lindje, regjimet komuniste u ”fundosën” dhe lindën nacionalizmat. Europa, pa të lindin si kërpudhat pas shiut, Shtete- kombe, shpesh në luftë me njeri tjetrin. Tanimë, shihet një formë tjetër e bashkimit midis vendeve europiane të Lindjes dhe të Perëndimit. Shqipëria tashmë bën pjesë në institucione të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe ushtarak në Europë: në Këshillin e Europës, në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, në Aleancën e Atlantikut Verior, në organizma europiane të Kombeve të Bashkuara, si Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, si dhe ka paraqitur kërkesën për integrim në Bashkimin Europian.

Qasjet gjeografike dhe gjeopolitike të kontinentit europian kanë marrë parasysh ndryshimin e shkallës së Bashkimit Europian që nga zgjerimi i madh i 2004 -2007. BE e 27 - 29 në 2012 - e ka vendosur veten si sistemin qendror të organizimit politik në kontinent. Sidoqoftë, nëse e kthejmë pikëpamjen dhe ne e konsiderojmë kontinentin në tërësi, vërejmë se BE përmbledh "vetëm" 27 shtete nga 49 që përbëjnë kontinentin në përkufizimin e tij, të mbajtur nga Këshilli i Evropës (47 shtete anëtare + Bjellorusia të pezulluara që nga viti 1997 + e njohën pjesërisht Kosovën).

Europa jashtë-BE

Totali i Këshillit të Europës

total

%

Sipërfaqja

Popullsia

Numri i shteteve

6 016 075 km²

325,9 millions

22

57,9

39,5

44,9

10 392 855 km²

826,2 millions

49

Në vitin 2010, mbi një sipërfaqe prej 4,376,780 km², BE mblodhi 500.3 milion europianë, ose 42.1% të zonës së përcaktuar nga Këshilli i Europës, nga 10,392,855 km² dhe 826 milion banorët e interesuar. Në të gjithë kontinentin brenda kufijve të tij konvencionarë, BE ka 68.2% të popullsisë. Dhe të tjerët?

Europa jashtë - BE mbledh kështu 22 shtete - një numër që ka rënë në vite - të cilat janë shpërndarë shumëllojshëm në të gjithë kontinentin, me madhësi shumë të ndryshme dhe peshë ekonomike dhe demografike. Ato gjithashtu ndryshojnë në natyrën dhe intensitetin e marrëdhënieve të tyre me BE-në. Shkurt, nuk mund të flasim për një tërësi homogjene, as politikisht, as gjeografikisht. A e bën kriterin e anëtarësimit jo-BE, në një element të unitetit në një grupim të tillë? Cilat pika të përbashkëta mund të ketë ndërmjet Moldavisë, e cila ka GNP më të ulët për frymë në kontinent (1,229 € / banor) dhe Zvicrën (45,814 € / banor)? Midis Rusisë së gjerë dhe shumë të populluar (17,098,241 km² për 141 milion banorë) dhe principatës së Andorrës (468 km² për 95,000 banorë)? Sidomos pasi që është e nevojshme të shtohen në këto 22 shtete, territoret europiane që i përkasin një Shteti Anëtar, por që nuk janë pjesë e BE: Ishujt e Kanalit (Jersey, Guernsey), Man, ose Faroe, si dhe bashkitë italiane të Livigno dhe Campione d'Italia (i bllokuar në Zvicër). Këto mikro-territore mbledhin gati 250,000 banorë.

Natyra dhe intensiteti i marrëdhënieve me BE-në, vendi i shteteve ose grupimet e shteteve në arkitekturën gjeopolitike të kontinentit mund të japin një çelës të qasjes gjeografike të kësaj tërësie. Fakti është se ekzistojnë kategori të ndryshme të shteteve, të cilat është e mundur të identifikohen nga profili i tyre dhe konceptimi i tyre për marrëdhëniet e tyre me BE: mospranimet vullnetare, planifikimet që të bashkohen afatmesëm, afrimi strategjik me qëllim të ribalancimit politik dhe / ose ekonomik… kur pyetja është unanime brenda elektoratit dhe grupeve politike kombëtare!

Ne mund të identifikojmë disa grupe shtetesh të shqetësuar nga probleme të ndryshme: shtetet e EFTA-s, ato të CEFTA / CEFTA (Shoqata e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore), ato të CIS dhe mikro-shteteve. Rusia dhe Turqia janë raste të veçanta për shkak të peshës së tyre ekonomike dhe demografike. Këto dy shtete gjithashtu kanë karakteristikën e përbashkët të territorit të tyre kombëtar. Për të shkuar më tej në Europën e Re që nuk dihet kur do realizohet, duke nxitur kështu shtete dhe forca jashtë Europës të marrin, ndoshta primatin..

A mos bëhet kjo enkas për ta mbajtur përsëri një pjesë të Ballkanit dhe të Europës Jugperendimore si fuçi baruti, që popujt që e përbëjnë atë të mos jenë të qetë? Shqiptarët nuk  kërkojnë ndrime kufinjsh me futjen e tyre në Europë, megjithë padrejtësitë që ju bënë atyre, disa shtete europiane, në vitin 1913, që për çudi janë krijuar si të tilla, shumë më pas Shqipërisë dhe Kosovës. Ata nuk kërkojnë as ”dhuratat” që i bëri E. H., Titos, duke i dhënë atij territore shqiptare, sikur i kishte si çifligje të veta (?!). Ata kërkojnë vetëm të kenë mundësi të lëvizin lirshëm, si paraardhësit e tyre, për të parë të afërmit që japin ndihmesën për zhvillimin e vendeve europiane.
Në një qëndrim të tillë, përveç shqiptaruqëve, që ”për inat të sime vjehrre”  çirren kund
ër përkatësisë në Bashkimin Europian, pasi u ka nxjerrë bojën dhe Mitrua ”dështaku”(?!) futen edhe një grupim armik që për interesa meskine nuk duan ta shohin Shqipërine dhe Kosovën në Europë. A nuk duhet të mendohet mirë ky grupim se nuk u a ka fajin populli sovran për një ecuri të tillë,  se nuk duhet të afishojë më “çirrjet” e tyre në kundërshtim me dëshirën e një populli të tërë shqiptar në Shqipëri dhe Diasporë,  se e mira e Shqipërisë dhe e bashkëbesëlidhësve është në Europën e Brukselit, siç u realizua dhe në Aleancën e Atlantikut verior, apo me SHBA dhe vendet e tjera mike të Shqipërisë dhe Kosovës ? Nuk duhet t’i vihen më gurë, more të paudhë,  udhës së nisur nga demokracia e brishtë shqiptare, pasi gjithkush që vepron kështu, fshehur apo hapur, do të mallkohet dhe dënohet edhe nga të afërmit e tyre, që po i vënë emrit të familjes një njollë të zezë zifti që nuk hiqet më kurrë. Shërbimi më i madh që i bëjmë Kombit në këto çaste, është që t’i lëmë mënjanë mërirat e kaluara, mllefet personale. E njëjta rrugë duhet të zgjidhet edhe në Kosovë, dhe ti lihet pa vonesë të fillojë punën, krahas parlamentit të ri që u krijua, edhe qeverisë së re të ligjshme të Albin Kurtit.

Edhe duke mos qënë parlamentarë, shteti i brishtë demokratik do t’u japë një punë, përveç bizneseve që keni krijuar me kohë. Kështu e ngrehim më lart, ju shqiptarë të ndershëm në Diasporë dhe Komb,  figurën e shqiptarit trim, me karakter, të çiltër, mirënjohës, mikpritës, qoftë ai malësor, fshatar, intelektual, por që ka një aspiratë të madhe: futjen në Europën e Brukselit, pasi aty është para shumë kombeve që e përbëjnë atë, por në klubin e madh të përfaqësuesve zyrtarë të shteteve europiane.

Nënë Tereza dhe Papa Gjon Pali i Dytë

Në padrejtësitë që i bëhen popullit fisnik shqiptar, kanë dorë dhe llobet e fuqishme, sado të pakta, armike të Shqipërisë dhe Kosovës, që janë të lidhura me mafian ndërkombëtare. Ata i sollën fenomenet negative në Shqipëri, thjesht për interesat e tyre që ta shtyjnë pranimin e Shqipërisë në Europën e Brukselit sa më tepër që të kenë mundësi, të marrin ata akoma pjesën e luanit, në ndarjen e ndihmave europiane. Ata që i mbajnë akoma në dorë fatet e Shqipërisë dhe Kosovës në Bruksel, duhet ta dijnë mirë se kanë qënë shqiptarët ata që i kanë mbajtur, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vatrat e tyre, pa i dorëzuar tek nazistët gjermanë,  mijra italianë që kishin ardhur si pushtues. Ata u mbrojtën dhe u larguan vetëm pas mbarimit të kësaj Lufte. Janë me mijra e mijra ata grekë që kanë marrë ndihma nga shqiptarët gjatë luftës italo-greke dhe si mirënjohje breza të tjerë të këtyre njerëzve humanë shqiptarë, marrin pension nga shteti grek. A nuk duhet në këto çaste, këta miq të Shqipërisë, grekë, që për çudi mbeten më tepër miq të serbomëdhenjve, apo  italianë, si edhe çifutë (të vetmit shqiptarët në Europë që nuk i dorëzuan hebrejtë tek xhelatët nazistë)  të ngrejnë zërin e tyre për të vënë në vend padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Apo tashmë ata e ”kanë kaluar lumin” dhe u intereson që edhe disa vite të përfitojnë nga puna e papaguar e atyre mijra e mijra shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, që rropaten rrugëve të Greqisë, Italisë dhe Europës!?
Më kujtohet para disa vitesh, një bashkëkombas i yni, ju drejtua një ministri të jashtëm të një vendi europian, ku ishte vendosur: ”Zoti ministër, unë kërkoj nga autoritetet tuaja të departamentit të brëndëshëm të më japin lejen e qëndrimit këtu, pasi unë kam dhënë kontribut edhe për vendin tuaj duke luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Ministri qeshi me të madhe dhe u dha porosi atyre që ishin pranë tij t’i jepnin përgjigje pozitive qytetarit nga Shqipëria.
Kam një simpati të veçantë për Zvicrën . Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj dhe nuk dihet se kur mund të bëjë pjesë në të. Por ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me fqinjët që janë në Europėn e Brukselit, apo edhe më larg. Zvicra nuk e ndien mospraninë e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe ndoshta nuk ka nevojë për atë Europë “deri diku të korruptuar”. (Të më falin zyrtarët europianë, por këtë e shpreh që të mos marrin më nëpër këmbë një popull sovran, autokton, si populli shqiptar. Mjaft më me ndërhyrje dhe anatema që nuk do të harrohen nga populli europian i Shqipërisë). Zëri i Zvicrës dëgjohet dhe vlerësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipėri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit dhe jo të shkojmë në Bruksel apo në Strasburg dhe të paraqesim argumente qesharake dhe të kundërta që lidhen me çështjet madhore të kombit dhe që brezat e ardhshëm apo edhe shumica e shqiptarëve europianë nuk i “hanë më”. Po nuk deshëm njėri-tjetrin si vëllezër, si miq, dashamirës, solidarë, edhe pse nuk mund ta zgjedhim fqinjin, kolegun, apo përfaqësuesin e një partie opozitare, atëhere do të mbetemi te demokracia e brishtë, e filluar qysh para gati 30 vitesh.

Gazetari André Crettenand ka botuar një libër të bukur për vendin e tij të vogël, Zvicrën. Së shpejti ai do dalë në shqip për lexuesin tonë në Kosovë, Shqipëri, Zvicër dhe kudo në Diasporë.  Në çdo faqe që përkthej, mendoj se çfarë mund të marrë edhe Kombi ynë nga ky vend i vogël si Zvicra.

"Përsosmëria është e pranishme në këtë vend". Në librin e tij të vogël, nga numri i faqeve,  me titull "Zvicra. Shpikja e një kombi ", André Crettenand shkruan me plot elozhe për origjinën e tij. Ky ish gazetar i "L'Hebdo" dhe TSR, ish drejtor i informacionit në TV5 Monde në Paris, aktualisht Drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Televizionin zviceran, është autori i një "deshifrimi" të Konfederatës, në koleksionin « shpirti i popujve .Në një numër të vogël faqesh, André Crettenand tregon më tepër se 500 vite të historisë të Zvicrës.

Kam lexuar shumë libra për arritjet e këtij vendi të vogël, gjatë tre dekadave të jetës sime në Zvicër që e kam përshkruar disa herë,  me sipërfaqe afro dyfishi i vendit tonë që Rilindasit tanë e kanë menduar edhe për Shqipërinë tonë, por edhe për Kosovën martire. Por ju them të drejtën se ky libër më ka bërë  të mendoj edhe për Kombin tonë që ka vlera dhe pasuri natyrore shumë më tepër se Zvicra, një bregdet të virgjër, në një pjesë të territorit të saj, dhe njerëz punëtorë dhe paqedashës, apo edhe në Kosovë me njerëz liridashës dhe krenarë. Prandaj u nisa për udhë dhe vendosa ta përkthej në shqip, këtë libër të përkryer, të një gazetari të njohur zviceran.

Ai thotë se shembulli i Zvicrës është unik dhe kur i them se Rilindasit tanë donin që Shqipëria të bëhej si Zvicra, buzëqesh dhe thekson se çdo vend ka karakteristikat e veta, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, për të cilat ka lexuar dhe i njeh edhe nëpërmjet shkrimtarit të shquar, Ismail Kadaré, apo bisedave që kemi shkëmbyer bashkë. Falenderon dhe gazetën « Bota Sot » që ka botuar një shkrim dinjitoz për librin e tij.

Libri fillon me historinë e Vilhelm Tell, mitit themelues të Zvicrës, dhe përfundon me homo alpinus, një popull i begatë, shumë gjuhësh dhe i përbërë nga shumë kultura, duke përfshirë  edhe rreth 200 mijë  shqiptarë, që ndjek në 2016 rrugën e tij drejt përsosjes. Gjatë përshkrimit të tij, André Crettenand lëkundet mes lavdërimit dhe kritikave rreth këtij shteti pothuajse tepër të begatshëm për të qenë i sinqertë, shumë pak i njohur për të qenë i vlefshëm dhe tepër i qetë dhe i lumtur për të ekzistuar. Ai druhet pak kur flet për vendin e tij kaq bukur, sidomos, për një ndjenjë krenarie që si një zviceran i mirë na mëson  të përmbahemi . Por modestia e lexuesit zhduket nga ndjenja e saktësisë së një Zvicre, të treguar nga një prej bijve të saj. Një libër për ta kuptuar zviceranët, duke u kujtuar atyre që jetojnë atje, përse ndihen aq mirë dhe ata që kanë ikur pse duan të kthehen. Ashtu si autori i librit, tek i cili ne ndjejmë një nostalgji të ëmbël për këtë vend të privilegjuar që "nuk është zvarritur në fatkeqësitë e botës". Një vend nga i cili duhet të marrë shembull edhe Kombi ynë. Po të shkosh në muzeun « Alimentarium » në Lozanë sheh me syte e tu, rrugën e vështirë të Zvicrës dhe zviceranëve, që sot janë shembull në tërë botën për përkushtimin e tyre dhe arritjet e shumta në fusha të ndryshme të jetës, në marrëdhëniet e shkëlqyera me fqinjët, edhe pa bërë pjesë në Bashkimin Europin, apo edhe më tej me vendet e tjera të botës, duke përfshirë edhe SHBA.

Pse Zvicra?, shprehet autori.

“Gjithçka fillon nga një lojë mizore. Një gjykatës, përfaqësues i Habsburgëve dënon një malësor rebel. Ky është i detyruar të qëllojë një shigjetë mbi një mollë të vendosur në kokën e të birit. Ushtrim i rrezikshëm. Ndërkaq, burri e pranon sfidën. Dhe ja del mbanë. Por ai ka fshehur një shigjetë tjetër. I detyruar të jape shpjegim mbi shigjetën e fshehur, ai pranon se ajo ishte ruajtur për gjykatësin, në rast fatkeqësie. Më vonë, malësori e vret gjykatësin e mbrapshtë.

Lind legjenda e Vilhelm Telit. Ajo do të kalojë shekuj, do të frymëzojë poetët, do të mahnitë zviceranët. Kurajo, zotësi, dëshirë për pavarësi, revoltë kundër fuqive, personazhi Tel u pajis me të gjitha cilësitë, duke i dhënë Zvicrës legjendën e praruar, për të cilën ajo u bë krenare. Një legjendë që kapërceu larminë e gjuhëve, territoreve dhe feve. Sot, historianët thonë se Vilhelm Teli nuk ka ekzistuar kurrë. Pa dyshim. Të paktën, legjenda ka patur efektet e saj : »Si koka e prerë e Orfeut, mitologjia vazhdon të flasë, edhe pas vdekjes së tij, edhe me kalimin e kohës ». Ne jemi të të njëjtit brum si dhe ëndrrat, thotë Shekspiri.

Përsosmëria ndodhet në këtë vend. Peisazhet janë të përkryer. Qytetet kanë një pastërti të habitshme, fshatrat të zbukuruar me lule, rrugët të rregullta. Dëbora çdo vit është e pranishme dhe ndriçon vendin. Banorët e saj flasin të gjitha gjuhët, ata u përkasin kulturave të ndryshme, jetojnë në një harmoni të përkryer. Një mekanizëm politik i gjetur u jep mundësi minoriteteve që të nxjerrin në pah të drejtat e tyre. Qeveria ka një stabilitet të dalluar. Populli vendos për gjithçka, në sajë të demokracisë të drejtpërdrejtë. Cilësi që hasen në fushën ekonomike. Zvicra zë vendet e para në botë për shpikjet. Me të vërtetë nuk ka papunësi. Ka pak konflikte sociale. Me përjashtim të disa grindavecëve kritikues, Zvicra është e njëzëshme. Gjendja është idilike. Ose më mirë, këtë duan të mbajnë mend për atë, sikur përsosmëria mbizotëron ndaj çdo kritike. Gjetiu, gjithmonë është më keq. Përsosmëria dhe e veçanta. Zviceranët e zonës gjermane kanë shpikur një fjalë për ta shprehur këtë : Sonderfall. Ai përmbledh si neutralitetin, sistemin politik dhe mbarëvajtjen ekonomike. Pa dyshim, asnjë vend nuk ka trumpetuar aq shumë se ai është « i veçantë », ndryshe nga të tjerët dhe për këtë arsye duhet lënë i qetë. Një rast i veçantë në botë, një model përsosmërie, por që asnjeri nuk e bën të vetin. Ndoshta është frika e një lumturie që do të dilte shqetësuese. Kështu, Orson Welles flet për Zvicrën në filmin e tij « Njeriu i Tretë » : « Gjatë 30 viteve në Itali nën Borgia, ata patën luftë, terror, vrasje dhe masakra, por gjithashtu është Mikelanxhelo, Leonadro da Vinci dhe Rilindja. Në Zvicër, ata kanë patur 500 vite të një dashurie vëllazërore, demokracie dhe paqeje, dhe çfarë solli kjo? Ja ku është.

Nuk bëhet Historia me gjykime të mira. Nuk ka stacione metrosh me emra të bujshëm betejash. Nuk ka kremtime të madhërishme, parakalime në bulevardet e mëdha. Zvicra ka shpikur orën tingëlluese në shtëpi. Ajo e mbylli orën në një kuti prej druri,  e zotëroi siç ndoqi fatin e vet : në mënyrë të pandalshme.

Kështu që zviceranët ditën të tregojnë historinë e tyre të praruar. Atë të një populli të vogël të guximshëm që arrin të mbijetojë në një natyrë të vështirë, shpesh vetëm në një mjedis perandorish, dukatesh dhe mbretërimesh ziliqare. Të një vendi punëdashës, të shkathët, të shpejtë, shpikës. Atje ku të tjerët mbështeten tek një e kaluar e lavdishme, pallatesh me afreske, katedralesh gotike, gërmadhash antike, monumentesh përrallore, Zvicra ka investuar tek peisazhi dhe mirëqënia. Zviceranët janë të ndërgjegjshëm se jetojnë në një vend të dashur nga perënditë. Po ata janë modestë, disi të mjaftueshme, nga ata që e njohin sekretin. Zvicra nuk ka qënë prirur nga prozelitizmi i Francës revolucionare, e vendosur për të përhapur dritën tek i gjithë planeti. Ajo e di që është një model, ajo e di që të tjerët e dijnë, pra ajo nuk ka nevojë të mburret shumë.

Ndoshta kjo histori e mjaftueshmërisë të të ardhurave ka lindur në Marignan. Disfatë e paharruar e zviceranëve që deri atëhere terrorizonin ushtritë e të gjithë dinastive europiane. « Ndëshkuesit e mbretërve » u ndëshkuan edhe vete. Historianët hahen mbi rëndësinë e ngjarjes dhe rolin që ka luajtur kjo disfatë në përfytyrimin zviceran. Kremtimi i 500 viteve të betejës, në 2015 solli një polemikë të madhe. Njëra palë gjykonte se neutraliteti zviceran ishte frymëzuar nga ngjarjet italiane, të tjerët mendonin se kjo disfatë nuk e kishte dobësuar shpirtin luftarak të zviceranëve dhe as nuk kishte kontribuar në tërheqjen e përgjithshme të vendit.

Megjithatë unë mendoj se  ngjarja ndikon në psiqikën kolektive dhe nëse atëhere nuk pati pasojat e shpresuara të një disfate absolute, ajo shërbeu më vonë si simbol. Një popull i mbyllur në vetvete, i gatshëm të eksportojë aftësinë e tij- do të jenë mercenarët- por duke zgjedhur për çdo rast- Kongresi i Vjenës i 1815- statukuonë se sa çdo zgjerim të territorit. Një popull, siç thotë Regis Debray në librin e tij Urimi i kufinjve, « është një çështje mitesh dhe formash. Kërkohen një legjendë dhe një hartë ». Legjenda, ishte Teli, harta, qe ky « vend i vogël ».

Midis Veriut të zotë dhe Jugut që kërkon të shijojë kënaqësi materiale, Zvicra mori nga pak nga të gjithë. Mund të thuhet se ajo ka « zemrën franceze dhe kokën gjermane », siç thoshte filozofi Feuerbach, që kërkonte një përkufizim të një mendimtari ideal. Por këtu mendimtari është punëtori me përvojë të madhe.

Për Zvicrën nuk është dëgjuar të flitet shumë që nga fillimi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo tërhiqej në kohën e duhur nga një gjendje e vështirë, por nuk përcaktonte rregullat. Ajo nuk ishte një mbretëri, ajo nuk ushqente të ishte një përfituese e famshme dhe e pangopur, ajo nuk ndërtonte një perandori. Tek « Zotërit e Greqisë », helenisti nga Lozana, Andre Bonnard thotë :” Mjerr njeriu shumë i lumtur ». Lumturia e plotë dhe pa fund është një grackë apo një vegim. Asnjë njeri nuk ka të drejtë për lumturinë absolute, privilegjin hyjnor ».

Zvicra është një vend i qetë dhe gjithmonë i mundshëm për mërgatë, që nuk ka mjerim por megjithatë e ndërlikuar, e shqetësuar. Sypatrembur, por egoistë nga kujdesi i tepruar, të aftë për më të mirën por dhe më të keqen, për arritje të shkëlqyera . Zviceranët nuk kanë patur fatkeqësitë e botës. Dhe megjithatë kanë shpikur frika bashkëkohore: një sulm i papritur atomik, pushtim i njoftuar nga Lindja, luftë kimike. Jo se këto rreziqe nuk kanë egzistuar, por zviceranët janë të përgatitur me kujdes të tepruar. Vlerësohet më mirë qetësia kur shmang katastrofën.  Të Vjetërit e përcaktonin në këtë mënyrë epikurizmin –arritjen e lumturisë. : të gëzosh lumturinë e të egzistuarit në siguri në breg, kur furtuna fillon në det të hapur. Pra fillimisht Zvicra është ky vend i qetësisë. Ajo ka frymëzuar më tepër poema se sa tragjedi. Në brigjet e Lemanit janë vendosur kompozitori Paderevski në Morzhe, shkrimtari Vladimir Nabokov në Montrë. Atje, Stravinsky kompozoi Ardhja e pranverës. Çarli Shaplini u vendos në Vevei. ” Në buzë të Lemanit, Stendali, Michelet, Ruskin dhe Tolstoi e ndjenë më të butë ardhjen e Lumturisë, të Poezisë dhe të Bukurisë...”. Dhe në kohë të tjera ishin Huhuenotët të përzënë nga Franca, Germaine de Stael që iku nga Napoleoni, Lenini që përgatiti kthimin në Rusi. Pak kohë më parë, David Bowie.

Kjo i ka magjepsur romantikët. Viktor Hugo e përshkoi Zvicrën në 1839. Ai hartoi një raport të plotë lidhur me udhëtimet e tij helvetike qe e çuan nga Bazeli në Vevei. Ai përfshin në tekstin e tij vizatime, skica. Ai shënon, komenton. Në fillim, e frymëzon Rini i madhërishëm, pastaj Alpet, më në fund liqeni. “ Liqeni më guduliste këmbët. Ishte një qetësi e madhe në këtë natyrë të madhe. Ishte diçka madhështore dhe e butë. Një çerek ore më vonë, varka ishte zhdukur, afshi i liqenit ishte qetësuar, qyteti ishte në gjumë.

“Helvétia është një mit . Zvicra është një markë. Por si u krijua si vend, i populluar nga tetë milionë banorë, krenarë, megjithë ndryshimet e tyre, me flamurin e tyre me Kryqin e Bardhë që njihet kudo ? Dhe si arrin ajo të mbetet aq e begatë, duke qëndruar me vetmohim, jashtë Bashkimit Europian që e rrethon ? Që nga brigjet e liqenit Leman deri tek fusha e Grütlit, në lartësitë e Zvicrës qëndrore, deri tek luginat e Valesë, të rëpira deri në kufinjtë italofone të Tessin. Identiteti i Zvicrës kudo është ngritur në virtut. Por kujdes. Kjo lumturi e të qënit zviceran, shpesh e karikaturizuar nga ata që e vëzhgojnë nga jashtë me zili, gjithashtu meriton një diagnozë kërkuese ».

Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë, si dhe bashkëkombas, apo udhëtoj diku nëpër territorin e saj, mrekullohem me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë, ku shpesh bisedoja miqësisht dhe lirshëm me mikun e mirë të tim eti, Tunit, Xhevat Beqaraj apo me profesorin e nderuar të Historisë së Francës në fakultet, Koli Xoxi, me babain e gazetarisë Prof. Hamit Boriçi, me profesorët e nderuar dhe miq të mij të mirë Ksenofon Krisafi dhe Shaban Murati, me miqtë profesorë që mblidheshim tek Colosseum çdo mëngjez. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura, të kaluara buzë detit Adriatik dhe Jon, si dhe Semanit, Vjosës. Nuk mund të harroj udhëtimet në rivierën shqiptare, ditët e bukura të kaluara në Sarandë, në atë mrekullinë e kafes së “Gjuetisë”, në Lezhë, në Valbonën ku u mrekulluan miqtë e mij brazilianë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët karakteristike, në Voskopojën e paraardhësve të mij, si dhe atje buzë Gjanicës, në Fier prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe takoja dhe bisedoja me xha Pilon e Muzeut, por edhe shkrimtarin Jakox Xoxa që shkruante “Lumin e Vdekur”. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës”, po në Fier, ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur. Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, edhe për mua është kthyer në një argëtim, për të plotësuar pemën gjenealogjike, të lënë me kujdes nga im atë i paharruar, Tuni. Shpesh pyesja edhe nënën time të ndjerë, si dhe motrën time, apo edhe të afërm për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë time. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike, do të thotë të studjosh gjeografinë, historinë, demografinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga paraardhësit. Gjenealogjia jep një ndihmesë të madhe edhe për gjenetikën. Mjekët kur duan të kuptojnë marrëdhëniet midis prindërve që janë të prekur nga e njëjta sëmundje e trashëguar, i drejtohen gjenealogjisë që dëshmon në shumë raste lidhjen midis grupeve të popullsisë.

Historia e Europës, është e lidhur me atë të vendit tim, disa shekullore, Shqipërisë. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime: mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, Skënderbeu europian, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm, vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, Kosova, edhe ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Evropë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë. Europa tani përbëhet nga shtete kombe, që në të kaluarën kanë qënë në luftë me njëri tjetrin. Por tani vërehet një etapë e re e historisë europiane, ashtu siç e ëndërronte Vikor Hygoi i madh, Curçilli, De Rougemont, dhe siç e ëndërrojnë shqiptarët autoktonë europianë. Historia e Europë,s pas kohës së luftrave dhe nacionalizmave, ka si drejtim kontaktet midis popujve, komunikimin dhe kritikën e përbashkët, shkëmbimet ekonomike, sociale e kulturore.

Ismail Kadare

Komuniteti Europian është një arritje e mirë e një projekti të paqes që mbështetet në përvojat e shumta të shkëmbimeve midis popujve të kontinentit. Europa në tërësi do të forcohet në mënyrë të vërtetë,  vetëm në sajë të solidaritetit me të gjithë botën që e përbën atë dhe jo me një „ndërtim“ të një fortese të rremë dhe egoiste. Edhe Skënderbeu, për të cilin u flas miqve të mij europianë, është pjesë e pasurisë së përbashkët europiane. Edhe Nënë Tereza, Isa Boletini, Adem Jashari, Bubulina, Shota Galica, Zhan D’Ark, si edhe Vilhelm Teli i Zvicrës.

Europa ka si kufij Atlantikun, Oqeanin Arktik, Uralin, Mesdheun, brigjet veriore dhe perendimore të Pont-Euxin dhe më në jug Bosforin dhe Hellespontin. Pa botën e Mesdheut, Europa nuk do të ishte e plotë dhe fizionomia e saj do të ishte e mangët, pasi vlera politike dhe ekonomike, kulturore, shpirtërore e Mesdheut kanë një rëndësi të madhe për civilizimin europian.
Lufta civile kërcënoi të përfshijë të gjithë ish- Jugosllavinë, « shtet artificial » që doli e « fituar » nga Lufta e Parë Botërore, nga ndarja e pabesë e kufijve, në sajë të disa fuqive të mëdha që vendosnin pa marrë parasysh aspiratat e popujve që e përbënin Europën. Në të gjitha republikat e Jugosllavisë të drejtuar nga serbomëdhejtë u përhap fryma dhe dëshira për autonomi dhe më tepër. Spastrimet e komunistëve nacionalistë kroatë pastaj serbë, të instruktuara nga Tito në fillim të viteve 70-të, të kryera pas vdekjes së tij sidomos në Kosovë, ishin shenjat paralajmëruese, të një revolte më të madhe. Dëshira për pavarësi ishtë e afërt Krijimi i shteteve të pavarur dhe njohja e tyre nga komuniteti ndërkombëtar do të sillte patjetër një zgjidhje të vazhdueshme të problemeve të kombësive dhe minoriteteve në Jugosllavi dhe në Europë, si edhe të problemeve të tranzicionit drejt demokracisë dhe zhvillimit. A duhej refuzuar akoma pavarësia e Kosovës ndaj Serbisë  Erdhi koha, bile e vonuar që ajo të kishte shtetin dhe strukturat e veta, identitetin e saj. Duhej ndërtuar një arkitekturë e re europiane, në një tërësi të Europës multinacionale, multifetare, shumëgjuhëshe dhe kulturash. Shqipëria, njëfarë kohe e tulatur nga problemet e veta, me ardhjen e qeverisë demokratike mbështeti me forcë krijimin e Republikës së Kosovës, duke provokuar reagimin e serbëve të Milosheviçit që refuzuan të heqin dorë nga ajo që ata e cilësojnë si „djepi i kulturës së tyre“.

Shaban Murati

Edhe sot, me mundësinë e padrejtë që u jipet serbomëdhenjve,  e içëve të tjerë kriminelë, që t’i bashkohen armatës së madhe të serbomëdhenjve që janë larguar me pasuritë e tyre që në kohën e Titos, apo ato femra të bukura serbe që janë martuar me autoritete europiane, intelektualë, historianë që bëjnë historinë e shteteve europiane dhe atyre që janë akoma jashtë saj, Europa e Brukselit bën hesapet pa hanxhinë. Pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarët që janë aty autoktonë. Pakica serbe është vendosur aty më vonë dhe kjo dihet historikisht dhe e argumentuar edhe nga historianë të nderuar europianë dhe të pavarur nga propaganda serbomadhe. Për më tepër dihet se jeta e përbashkët e popujve të Jugosllavisë nuk ka qënë në respekt të barazisë dhe identitetit, apo zhvillimit ekonomik të çdonjerit që e përbëjnë atë. Komuniteti europian dhe sidomos SHBA po pranojnë pak e nga pak se kjo është „çështje jo vetëm europiane“ dhe po marrin përgjegjësinë e tyre. Megjithatë, Milosheviçi,dhe ata që e pasuan, duke marrë si shkak revoltën e ligjshme të popullit kosovar, të mbështetur nga bashkëkombas që jetojnë jashtë dhe popuj miq, trumbetuan me mllef ideologjinë e Serbisë së madhe. Flaka nacionaliste serbomadhe u përhap nga një republikë në tjetrën. „Divorci“ i popujve ju kundërvu sistemit nacional totalitar. E drejta për vetvendosje u vu në rend të ditës. Një hap u bë me pavarësinë e Kosovës. Urojmë që kjo padrejtësi e historisë së sotme, me refuzimin e vizave për qytetarët e shtetit të pavarur të Kosovës,  të shkojë sa nuk është vonë, në krahun përparimtar…
Po të shfletosh volumet e « Historisë së përgjithshme të civilizimeve » të shkruara nga „kokat e mëdha“ të historisë, duke përfshirë edhe serbë të vendosur prej kohësh në Europën e Brukselit, deri vonë nuk gjeje ndonjë referencë për Shqipërinë. Nuk është vendi këtu për të dhënë argumenta të tjerë, jo vetëm si ato të profesorit zviceran, Basil Schader, njohës i përkryer i gjuhës shqipe, gjuhëtarëve, historianëve në botë, lidhur me historinë e civilizimit shqiptar, por kjo harresë të bën të mendosh : historianët që kanë shkruar historinë e Europës, edhe të « Europës tjetër » a mos i ka dhënë vetë shans E.H. të « sundojë » në Shqipëri nga 1944 deri në 1985, derisa vdiq ? E vërtetë është se në atë periudhë, veprat e tij kishin përparësi dhe përktheheshin edhe në gjuhë të huaj, ato përmbanin edhe fakte historike, por ata historianë që formulonin edhe historinë e Shqipërisë, krahas asaj të « Europës tjetër », diku atje në një vend të Europës, nuk mund të merrnin si bazë referenca të diktatorit. Por nga ana tjetër, në mos gabohem, janë botuar në gjuhë të huaj edhe në atë kohë libra si « Historia e Shqipërisë », në gjuhën frënge, nën kujdesin e profesorëve të nderuar shqiptarë, mbi 25 vite më parë, që përmban edhe fakte historike të pakontestueshme për historinë e civilizimit shqiptar, jo vetëm gjatë kohës së Skënderbeut, por edhe më parë. Për çudi, botimi i 2004 « Ligjërata ballkanike: fjalë dhe njerëz », i të njëjtës shtëpi botuese në Francë, nuk i referohet shumë veprës së francezit Zhorzh Kastelan (Georges Castellan) « Histori e Ballkanit » (shekulli XIV-XX), 1991, e cila përmban fakte historike bindëse dhe për civilizimin e « Europës tjetër », duke përfshirë edhe Shqipërinë, edhe për autoktoninë e shqiptarëve e shumë dëshmi të tjera, por autori i « Ligjëratës… » gjen me vend të përmendë nga libri i profesor Kastelanit vetëm faktin se « populli » i Shqipërisë « del shumë jashtë cakut të shtetit të tij eponim dhe duke bërë këtë ai kënaq dëshirat kontradiktore të lexuesve francezë dhe ballkanikë ». Autori nuk mungon t’i japë vend edhe Mira Millosheviçit, gruas së diktatorit të vetëvrarë, në një kohë që mund të merrte, ndër të tjera, të dhëna historike nga botimi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti Historisë të vitit 1993 (mbi 11 vjet para botimit të « Ligjëratës… », me titull: « The truth on Kosova » (E vërteta mbi Kosovën ). Ky botim voluminoz prej 350 faqesh ka dokumenta mbi ilirët dhe autoktoninë e shqiptarëve.

Që populli shqiptar s’ka dalë jashtë « cakut » të shtetit të tij eponim, mjafton të përmendim vetëm shkrimin e studjuesit Aleksandar Stipeviç, me titull «Every story about the Balkans begins with the Illyrians » (Cdo histori mbi Ballkanin fillon me Ilirët »), apo të studjuesit tjetër Radoslav Katiçiç «  Mbi antroponiminë dhe etnogjenezën e Shqiptarëve » ; të prof. Henrik Baric « Disa të vërteta mbi banimin e hershëm të shqiptarëve në Gadishullin e Ballkanit » ; apo prof. francez Alain Ducellier « A e kanë pushtuar shqiptarët Kosovën » ; ai libër përmban burime të shumta studimore , jo vetëm nga arshivat qëndrore shtetërore të Republikës së Shqipërisë, por edhe të Turqisë, të Austrisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, të Gjermanisë, të arshivave të Foreigh Office të Britanisë së Madhe dhe të vetë ish-Jugosllavisë.

Gjatë qëndrimit tim disa ditësh para disa kohësh në Tiranë mora librin e tretë të diplomatit dhe gazetarit penëartë, me një përvojë 40 vjeçare edhe në fushën e gazetarisë, apo prej një dekade, në atë të diplomacisë. E kam fjalën për Shaban Muratin, me të cilin vite më pare, në vitet 70-80-të ishim kolegë. Atij ndoshta nuk do t’i vijë mirë që unë shkruaj për të, pasi ai është tepër modest, por leximi i librit, si dhe dedikimi që më ka dërguar, nuk mund të më lënë pa e përmendur. « Fredit, mikut tim të vjetër, me vlerësimin për kontributin e shquar në promovimin e çëshjesh shqiptare nëpër botë. Shabani”. Do të uroja që libri i Shaban Muratit të ishte në tavolinën e çdo diplomati shqiptar kudo në « Europën tjetër » apo në vendet e Bashkimit Europian, dhe gjetiu. Ai është një analizë e përkryer e “Cështjes shqiptare pas Pavarësisë së Kosovës”,  është një testament diplomatik. Siç shprehet ndër të tjeranë librin e tij me postulata tepër aktuale, vetë analisti ynë i shquar, diplomat karriere dhe ish drejtor i Akademisë Diplomatike të Shqipërisë, se janë shkëputur njëherë e përgjithmonë nga ide, doktrina, programe dhe ambicje për ta sabotuar këtë çështje”. Dhe ai vazhdon: “çështja shqiptare është ende e kërcënuar, sepse shtete ballkanike, që kanë një trashëgimi historike jo miqësore me çështjen shqiptare në përgjithësi dhe me përbërës të saj në veçanti, si psh me Kosovën, nuk kanë dëshmuar“çështja shqiptare identifikohet me mbrojtjen e interesave strategjike e jetike të kombit shqiptar. Në këtë kuptim, shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kudo që jetojnë, nuk mund të mos ndjejnë edhe vetë veten e tyre si pjesë dhe bartës të çështjes ende të pazgjidhur shqiptare”.

Një shërbim i tillë ndaj Kombit që bën Shabani me librat e tij, duhet lavdëruar. Më parë ai fillimisht“ I bëri një analizë të thellë procesit të « ndërrimit demokratik » në Serbi, pas rënies së regjimit famëkeq të Millosheviçit. Libri i tij « Serbia kundër Serbisë » - analizë e një gjysëmrevolucioni të lënë përgjysëm, botuar nga shtëpia botuese « Albin » në 2005, lexohet me nje frymë dhe s’ke dëshirë ta lësh pa e mbaruar deri në fund. Në të flitet me realizën edhe për « Europën tjetër » dhe rolin ogurzi të disa qarqeve keqdashëse.

1-     Nga dëshira e mirë e disa shteteve europiane për të parë Serbinë të inkuadruar në proceset e reformave demokratike bashkë me shtetet e tjera të rajonit.
2-     Nga dëshira jo e qartë e disa shteteve të Bashkimit Europian dhe e Rusisë për të kundërshtuar praninë dhe rolin e NATO-s në rajonin e Ballkanit.
3-     Nga dëshira e vjetër e disa shteteve të rajonit për të bërë një rikompozim të aleancave të vjetra në terrenin ballkanik me të njëjtën bazë antishqiptare. Ekspertë të ndryshëm vlerësojnë »se Serbia ia arriti këtij avancimi nëpërmjet nxitjes, pjesëmarrjes dhe fryrjes së vatrave të tensionit në rajonin tonë. Nuk ishte rastësi që ajo i lidhte vatrat e ndryshme të tensionit në Ballkan vetëm me emërtim shqiptar dhe me përrallën e vjetër të përpjekjeve për « Shqipëri të Madhe ». Fushata intensive e diplomacisë serbe për satanizimin e faktorit shqiptar në Ballkan, e kombinuar me veprimtaritë e lidhjeve të vjetra të shërbimeve sekrete dhe me idiotizmin apo mercenarizmin e disa grupeve revolucionare ose kriminale shqiptare, arriti të lëvizë për të keq në disa kancelari opinione dhe qëndrime kundrejt kombit shqiptar » :
Shaban Murati e meritonte të shkruheshin faqe të tëra për librin e tij, si dhe të tjera për Bosnjën etj. Shaban Murati shpreh një të vërtetë të pamohueshme në librin e tij të fundit që çdo historian apo analist i Ballkanit,  Europës  mund ta vërejë thjesht : « Cdo diplomat dhe analist e ndjen se bëhet e vështirë të kuptohet plotësisht kuadri i rolit dhe i veprimit të një shteti në Europën Juglindore, pa njohur edhe pikëpamjen e të gjitha kryeqyteteve rajonale, me të cilat shteti përkatës ka marrëdhënie dhe raporte historike e perspektive.

Një pikëpamje nga Shqipëria del si një nevojë për çdo studjues, që kërkon të plotësojë njohjen e hartës historike, diplomatike dhe politike të rajonit. Nuk janë të paktë diplomatët dhe studjuesit europianë, që e kanë krijuar opinionin e tyre për Shqipërinë dhe kanë formuar kulturën e tyre për çështjen shqiptare në Ballkan nga literatura politike serbe. Nuk kam hasur ndonjë studjues apo diplomat, që ta ketë formuar opinionin e tij për Serbinë nga literatura politike e Shqipërisë. Serioziteti i analizës dhe kërkimit të së vërtetës këshillon njohjen e dy literaturave… ». “Enigmat diplomatike të Pavarësisë së Kosovës”-fletë nga ditari i një ambasadori është shkruar për çështjen e statusit dhe të pavarësisë së Kosovës, brenda vorbullës së ngjarjeve,” i nxitur nga ndjenja e detyrës për të dhënë një kontribut modest në përpjekjet për të shpeguar në kohë për opinionin public dhe diplomatic shqiptar se çfarë po ngjet, për të dërguar një sinjal drejt vendimmmarrësve, nëse kanë patur veshë dhe dëshirë për të dëgjuar”.
Këto postulata dhe libri i sipërpërmendur i analistit të politikës së jashtme, prej mëse 50 vitesh dhe diplomatit të urtë, modest, por me tepër kulturë, Shaban Muratit, duke njohur thellësisht jo vetëm historinë, politikën, kulturën, zakonet e vendit të vet, por edhe të vendeve ku ka qënë ambasador, do të dëshiroja të përktheheshin sa më parë në gjuhë të huaj, qoftë anglisht, frëngjisht, apo gjuhë tjetër. Ky do të ishte një shërbim i madh që do t’i bëhej edhe kombit tonë dhe vënies në vend të të vërtetave historike që të mos shtrëmbëroheshin enkas, apo edhe të prirur për t’i servirur opinionit publik dhe lexuesit « fjalë dhe njerëz » që mund të shkaktojnë keqkuptime apo fatkeqësi popujve dhe vendeve të « Europës tjetër ». Mjafton që këta autorë të shohin edhe « jetët e dymbëdhjetë Qezarëve », 12 biografi të ndara në 8 libra për Qezarin, Augustin dhe trashëgimtarët e tyre julio-klaudienë (Tiberin, Kaligulën, Klaudin, Neronin) ; apo për tre perandorët e vitit 69 (Galba, Othoni, Vitelliusi), ato të tre perandorëve të dinastisë flaviane (Vespasienin, Titysin, Domilienin). Në to mëse njëherë përmenden me respekt Ilirët, paraardhësit autoktonë të « shqipëtarëve », « arbanasve », « arbëreshëve », « arvanitasve ». Le të lexojnë Homerin dhe ç’thotë për shqiptarët, dijetarin francez Solange d’Angely.

Çfletoj kohë pas kohe edhe librin e Gaston Boissier i Akademisë Franceze « Ciceroni dhe miqtë e tij », studim mbi shoqërinë romake të kohës së Qezarit, botuar nga libraria « Hachette » në 1923. Në të përmenden me simpati dhe shqiptarët. Po t’i kthehem qoftë edhe me dy rreshta librit të profesorit francez Zhorzh Kastelan « Historia e Ballkanit » ke respekt për këtë studjues që i jep vendin që meriton edhe « Europës tjetër », pra ndër ta dhe Shqipërisë dhe librin ja dedikon : « Kolegëve dhe miqve të mi në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani, Turqi e ish-Jugosllavi, të cilët gjatë një çerek shekulli më bënë ta kuptoj e ta dua Ballkanin ». Këtyre historianëve duhet t’u jepen në dorë dhe t’u besohen arkivat e shteteve europiane, në mënyrë që e vërteta historike të mos shtrëmbërohet dhe t’i shkojë për hosh keqdashësve të « Europës » për ta përçarë atë, për të futur pyka midis tyre.
Pra në këto çaste do të dëshiroja që ata që vendosin në Euopën e Brukselit, të cilëve do t’u dërgojmë një letër si intelektualë shqiptarë në Diasporë, të mësojnë edhe për Kombin tonë që i ka dhënë Europës figura të shquara, shumë më tepër se serbofilët që ai takon dhe ku sot e kësaj dite me mijra e mijra shqiptarë japin ndihmesën e tyre në fushën e ekonomisë, të shkencës, të ndërtimit, arsimit, që ato të ecin më përpara. Jo vetëm Ismail Kadarenë që njihet në botë më tepër se sa një president i çdo vendi qoftë, por edhe
Robert De Niro, Aleksandër Moisiu, Sandra Bullock, James Belushi, Ferid Murati, Angjelin Prelocaj, Eliza Dushku, Stan Dragoti, Riçard Lukaj, Joseph DioGuardi, Emina Cunmulaj, George Tenet, Kledi Kadiu, Laura Mersini Houghton , Tedi Papavrami, Anthony Athanas, Erald Dervishi Saimir Pirgu, Fadil Berisha, Liria Begeja, Nik Xhelilaj, Karl Gega, dhjetra e dhjetra artistë që i ka duartrokitur, ma merr mendja në skenat madhështore të Brukselit, Skalës, Parisit, Nju Jorkut, Athinës, Buenos Airesit, etj., edhe kryetarë shtetesh që e përbëjnë Europën. Hendeku midis « Europës tjetër » dhe Europës së 27-tëve nuk duhet të thellohet më. E vërtetë se epoka e E.H. e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një « vend i mbyllur », « hermetik ». Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur « flakën » diktaturën vite më parë, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët. Është e vërtetë që « arbanasit » kur u larguan nga vitet 1700 nga tokat e tyre amtare, u detyruan nga të tjerët të ndronin emrin, siç u detyruan edhe shqiptarët krishterë në kohën e otomanëve të ndryshonin emrat e tyre për të pasur një punë në administratën e asaj kohe. Megjithatë të vërtetat dhe vlerat e një kombi nuk mund të shuhen. Është e vërtetë që nga « padija » apo enkas, bashkë me qingjat shqiptarë, u grabitën dhe u shitën për dy kacidhe edhe zbulime arkeologjike, në ato vende që akoma i shkojnë për hosh për interesa të ngushta Beogradit dhe jam i bindur që kanë ndikuar  në vendimarrjen famëkeqe të  deri djeshme. Por ato nuk mund ta lënë Shqipërinë në një « Europë tjetër » për shumë kohë. Miku im Franko, si edhe unë ruajmë si të shenjta pemën gjenealogjike të familjeve tona, si edhe shumë familje në Europën e të 27-tëve. Nxisim edhe fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe gjysheve. Bëri mirë Zografë Kokthi që na dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj, luftëtarit me kobure, Dhimitër Kokoneshi që të mos e harrojnë brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse disa popuj, duke përfshirë dhe shqiptarët, si rezultat i pushtimeve të huaja, u detyruan të ndronin fenë, apo i janë bërë dhe padrejtësi të tjera, kjo nuk do të thotë se nuk janë të denjë për të zgjeruar Europën e të 27-tëve dhe duhet të qëndrojnë përjetësisht në « Europën tjetër ». Të jesh në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një mënyrë e përkohshme jetese në të përditshmen e një qytetari europian, për të cilën unë shprehen pa prapamendime…Të gjithë jemi të ndërvarur dhe të lidhur me njeri tjetrin. Sipas mendimit bashkëkohor « Individualiteti » ka kuptim vetëm kur je në një grup dhe kur shkëmben mendime, por edhe kulturën, etj., me të njëjtën barazvlerë. Shumë vende që hynë vite më parë, apo edhe vitet e fundit në Europën e Brukselit dhe u shkëputën nga « Europa tjetër », nuk kishin të njëjtin nivel zhvillimi, siç e kanë sot, pasi kanë marrë subvencione të shumta. Korrupsoni në « Europën tjetër » është i dukshëm dhe në anën e « civilizuar ». Kjo si rezultat i një të vërtetë, pasi njerëzit bëhen të pangopur por disa herë edhe nga xhelozia…Lexojmë çdo ditë lajme të mira…Disa shoqëri ajrore përfshirë së fundi dhe Easyjet, etj fluturojnë në Shqipëri në aeroportin modern “Nënë Tereza” të Rinasit. Ku shqiptarët si edhe unë kemi tani pasaportat biometrike që siç duket përfaqësues të BE si kanë parë. Por do t’i a dërgojmë t’i shohin! Të shohin edhe autostradën që lidh Tiranën me Rinasin apo me Fierin tim. Të shohin bankat e shumta europiane dhe amerikane që janë vendosur në Shqipëri dhe i kanë shtuar dita ditës përfitimet e tyre. Të shohin disa universitete europiane ku japin mësim profesorë të dëgjuar shqiptarë që kanë studjuar në Europë dhe kolegë europianë apo amerikanë. Të shohin ato magazina madhështore që u a kalojnë atyre të shumë vendeve europiane, të shohë…Europën vetë , në Shqipërinë e brishtë demokratike !

Dëgjojmë edhe se statusi i Kosovës do të merret parasysh, shumë shpejt. Jetojmë në një epokë të jashtëzakonshme, plot shpresa dhe shqetësime, një epokë ku zbulimet pasojnë njëra tjetrën, ku qëndrimet e kundërta nuk kursejnë as zakonet dhe as traditat më solide ; një epokë ku problemet që dje nuk viheshin në dyshim : të energjisë, të zhvillimit të vendeve europiane, të strukturave politike të botës së industrializuar, sot përbëjnë një shqetësim për disa ; tani jemi « të pushtuar » nga Televizionet publike dhe private, si dhe gazetat e shumta ;  diku shprehen për paqe, për buqeta me lule, solidaritet, mirësi ; diku tjetër vetëm kriminalitet, prostitucion e drogë… Fenomene që nuk ishin të dukshme në të kaluarën, si rezultat i « hermetizmit ». Shumë prej tyre u sollën enkas nga mafia italiane, apo edhe vetë ndonjë fqinj, enkas për ta lënë Shqipërinë jashtë Brukselit. Thuhej për të qeshur se ekonomistët shqiptarë po të shkojnë në Amerikë do ta shkatërojnë ekonominë amerikane, me padijen e tyre. Por shumë prej tyre punojnë edhe në Uoll Strit, edhe diku tjetër, në aeronatikë, apo si arkitektë, profesorë, artistë, edhe në Europën e të 27-tëve…Ka ndonjë që të shtyjë hyrjen e Shqipërisë apo Kosovës « de jure » në Bruksel, pasi u pëlqen fuqia e lirë punëtore shqiptare, mungesa e mbrojtjes së tyre nga « shteti i së drejtës » ku jetojnë…Ne jetojmë edhe në një epokë të solidaritetit ndërkombëtar, kur i jepet dora njeri tjetrit. Në këtë ndërvartësi të thellë, kufijtë pothuaj fshihen midis njerëzve apo edhe shteteve fqinje. Zvicra dhe Franca në kufijtë e tyre, nuk kanë mure ndarëse, apo tela me gjemba. Por kanë bimësi dhe lule. Natyrisht kontrollet « e lëvizshme » nuk mund të shmangen ndaj keqbërësve.
Nën shembullin e Komunitetit Europian që i bashkoi armiqtë tradicionalë, sapo kishte mbaruar lufta, popujt e vendeve të tjera europiane që nuk bëjnë akoma pjesë në Europën e të 27-tëve, pra janë në ”Europën tjetër”, si Zvicra, Norvegjia, Shqipëria, Kosova dhe disa vende të tjera europiane, do t’i sjellin asaj një frymë të re bashkëpunimi dhe paqeje në kontinent. Pra nga 49 vende që e përbëjnë kontinentin europian, vetëm 27-të prej tyre ndodhen në Europën e Brukselit.

Dihet botërisht se të paktën tre qytete kryesore të Shqipërisë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, me një jetë të pandërprerë, kanë afërsisht një moshë me Romën. Gjurmët arkeologjike greko-ilire-romake, teatro dhe amfiteatro ndodhen kudo në vendin tonë. „Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit europian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër 10 a 12 gjuhët bazë të kontinentit“, na kujton shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadaré. Dhe ai vazhdon me argumenta: „Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan të zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Europës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria“.
Më lejoni ta përfundoj këtë shkrim me mendime të mija modeste, pa mllef, pa nerva, pa prapamendime për vende që i përkasin « Europës jashtë Brukselit », me fjalët e shkrimtarit të madh francez Viktor Hygo, shumë dekada më parë, në fjalimin e tij më 21 gusht 1849, në Kongresin e Paqes për „Shtetet e Bashkuara të Europës“: „ Do të vijë dita kur armët do t’u bien nga duart, edhe juve! Do të vijë një ditë kur lufta do të duket gjithashtu absurde dhe do të jetë po aq e pamundur midis Parisit dhe Londrës, midis Petersburgut dhe Berlinit, midis Vjenës dhe Torinos, që siç është e pamundur dhe duket absurde sot midis Rouenit dhe Amiensit, midis Bostonit dhe Filadelfias. Do të vijë një ditë kur ju Francë, ju Rusi, ju Itali, ju Angli, ju Gjermani, ju të gjithë, kombe dhe kontinent, pa humbur cilësitë tuaja të veçanta dhe individualitetet tuaja të lavdishme, do të shkriheni ngushtësisht në një bashkësi superiore dhe do të ndërtoni vëllazërinë europiane, ashtu si Normandija, Bretanja, Burgonja, Lorena, Alzasa, të gjitha provincat tona që u bënë njësh me Francën. Do të vijë një ditë kur nuk do të ketë më fusha të tjetra lufte dhe se tregjet do të hapin rrugën e tregëtisë dhe mendjet e njerëzve do mbushen me mendime. Do të vijë një ditë kur mortajat dhe bombat do të zëvëndësohen nga votat, nga votimi i përgjithshëm i popujve, nga arbitrazhi i nderuar i një senati të madh sovran që do të jetë në Europë, ashtu siç është Parlamenti në Angli, ashtu si është Dieta në Gjermani, si është Asambleja Ligjvënëse në Francë ! (Duartrokitje) Një ditë do të vijë kur do të tregohet një top në muze, siç tregohet sot një instrument torture, duke u habitur se çfarë ka qënë ai (Të qeshura dhe bravo nga salla). Do të vijë një ditë, ku do të shihen këto dy grupe të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkuara të Europës (Duartrokitje), të vendosura përballë njeri tjetrit, duke i dhënë dorën njeri tjetrit, mbi detet, duke shkëmbyer produktet e tyre, tregëtinë, industrinë, artet, gjenitë e tyre, duke deshifruar globin, duke kolonizuar shkretëtirat, duke përmirësuar nën shikimin e Krijuesit dhe duke kombinuar sëbashku, për të patur të gjithë mirëqënie, këto dy forca të pakufishme, vëllazërimi i njerëzve dhe fuqia e Zotit (Duartrokitje të zgjatura) Victor Hugo.

*Autori ka mbrojtur “Diplomën e Studimeve të Larta Europiane”/DEA/ në Universitetin e Gjenevës, me temën “Shqipëria dhe Europa – perspektiva të integrimit” dhe ka punuar në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Europën në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, dhe në organizma të tjera ndërkombëtare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT