Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Kujtoj… sot, mbas pak vjetësh librin...

| E diele, 29.12.2019, 11:06 AM |


2020

VITI I AT GJERGJ FISHTES

-8o VJET-

1940 - 2020

AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

ASHT MENDJA, ZEMRA E

SHPIRTI I

POPULLIT SHQIPTAR !

PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)

Vllazen e Motra Shqiptarë!

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                              Me respekt, Fritz RADOVANI

Kujtoj… Sot, mbas pak vjetësh librin:

Daniel GAZULLI - Fritz RADOVANI

Në 70 – vjetorin e vdekjes së Poetit tonë Kombëtar!

Ia kushtojnë, Autorët.

Dhjetor 2010.

Kopertina®: Foto e Përkrenares Gj. Kastriotit Vienë, D. Gazulli 2007

Portret i At Gj. Fishtës, Grafikë nga F. Radovani, 2010.

JETA DHE VEPRA E

AT GJERGJ FISHTËS OFM.

ASHT  PËRGJITHMONË:

MENDJA, ZEMRA DHE SHPIRTI I

POPULLIT SHQIPTAR !

30 Dhetor 1940...

Nalt nga qielli zbret një Engjëll e bie tue përplasë Flatrat  e Tij...

Asht Flamuri i Shqipnisë, që mbulon Fytyrën e Poetit tonë Kombëtar...

E bashkë me Te... vorroset edhe Ai, ndoshta përgjithmonë....

Themi përgjithmonë, mbasi atë ditë nuk u vesh vetëm Shkodra, Malet e fushat e saja me të zeza, po u vesh gjithë Shqipnia, tue hy në zi të pafund të vitit 1941...

Plot 70 vjet ma parë! Kur Shqiptarët menduen se një zemër e madhe pushoi së rrahuni, pikërisht prej asaj dite Ajo vazhdoi me gufue ma shumë se kurrë, për t’ i ndejë fjalës së dhanun:

Kurrë, Shqipni, s’kam me t’ harrue,

Edhe në vorr me t’ përmend kam.

E kjo, me siguri, asht arësyeja që At Gjergj Fishta, vazhdon mos me u prehë në vorrin e vet!

Me mbarimin e luftës, re të zeza, ngarkue me llohë stepash ruse e zgjyrë kulisash serbe, u shfaqen në qiellin e letrave shqipe, si në gjithë jetën shqiptare, e zunë yjet ma të ndritun; ndër ta edhe yllin e kalvarit të mundimeve shekullore, At Gjergj Fishtën. Por ai:

Ndërtue kishte ‘i pomendore,

rr’fe as mot mos m’e dërmue.

Nuk mund të shkatrrohej vepra e Tij gdhenë me daltë hutash e

martinash drejtpërdrejt mbi shkambijtë alpinë; nuk mund të shuhej Ai vullkan, shpërthye ma shumë prej zemres se sa prej mendjes së Poetit erudit. Kujtuen përbindshat katilë se vullkanin do të mund ta shuenin përgjithmonë tue hedhë baltë mbi te, po më kot: Ai shfaqej e rishfaqej me një shkelqim lëbyrës në qiellin e zymtë shqiptar të letrave.

Dhe ja, yjet e rralluem kanë zanë përsëri vend në Panteon.

Njeni prej tyne na grishë sot t’i përkujtojmë 70-vjetorin e vdekjes.

Që ky komb ynë i lashtë i Mesdheut të bahej shtet e të mund t’ i dilte zot vetes, nuk mjaftonin martinat e topat e botës mbarë; duhesh dituni, pa të cilën asnjë komb nuk mundi t’u bajë ballë rrebesheve të historisë. Asht kjo arësyeja që pushtuesit kudo në botë, ma parë se kështjellat, rrafshojnë shkollat, themelin e ndërgjegjes kombëtare e liridashëse pakufi të Tij.

Ndërkohë qiri i Frashërllijëve ishte ba pishtar, Prizreni shpërndante anë e kand Shqipnisë flakë lirie e atdhetarie. Shkodra e vjetër, dikur portë e Ballkanit, po zgjohej nga letargjia e randë osmane, nga një gjumë vërtet vdekjeprues. Malet po shkundnin supet e pluhnosuna nga zgjedha disashekullore.

Lezha, që pesë shekuj ma parë do të merrte përjetësisht në gji Gjergjin e Madh të Historisë, katër shekuj ma vonë do t’ i jepte  Atdheut në një fshat të vogël të Zadrimës, Gjergjin e dytë, Apostullin e Lirisë. Fishta, ky fshat shpeshherë i pashënuem në harta, e ndoshta i lanun në harresë me dashje, asht sot në gojën, mendjen e zemrat e shqiptarëve kudo që janë në trojet e tyne sidhe kudo përreth ku gjendet “gjaku ynë i shprishur.

Ishte fund i asaj nate të gjatë osmane, “natë tri herë mizore”, që kishte rrënue qytete e fshatra, kështjella e kisha, kur lindi Ai me 23 tetor 1871. Atdheu kishte në trup nandë varrë, Atdheu ynë i brishtë ishte tretë në dhimbjen e vet. Bijtë e Tij të ligun, por të paepun, sa kishin fillue me thurë andërrat e para për një Shqipni “zonjë më vete”. Ndërkohë, çapojtë gllabrues të sllavëve të jugut e ata të helenëve kishin shkëputë mish e gjak nga Atdheu ynë brijëdalë e lakmia e tyne ishte me të vërtetë rrënqethëse.

Po Zoti nuk do kurrë  me e humbë Truellin e Kastriotit të Madh...

E n’ ato gërmadha të braktisuna, Ai i Lumnueshmi, dërgoi një djalë me emnin Zef...Kur ishte 9 vjeç, porsa Françeskanët kishin çelë në Troshan një shkollë, ndër nxanësit e parë ishte edhe Zefi i vogël, i biri i Ndokë Simonit.

Një studjues dhe adhurues i Popullit Shqiptar, At Lavro Mihaçeviq, pikërisht Ai profesor i Kolegjit Françeskan të Troshanit, ishte që zgjodhi dhe çoi në Bosnje për studime At Gjergj Fishtën dhe At Shtjefen Gjeçovin. Më 1886, Zefi 15-vjeçar asht në Bosnje për të vazhdue ma tej studimet. Atje filloi me marrë nektarin e dijes...

Mbas një viti, simbas rregullave françeskane, ndërroi emnin nga Zef në Gjergj. Ishte një përkim fatlum të merrte emnin e Kastriotit të Madh, emën që e mbajti me nder sa ishte gjallë.Zadrimori i ri, atje në dhé të huej, mes mureve të Kuvendeve të Guçjagorës e të Livnos, mallin e tij vullkanik filloi ta shprehte në vargje, i ndikuem edhe nga poetët dalmatë Andrea Kaqçiç e Gega Martiç, edhe ata të përvëluem për liri.

Më 1893 Fishta i ri u kthye në Atdhe. Me 25 shkurt 1894 meshoi për herë të parë në Troshan, pikërisht aty ku kishte hedhë hapat e parë drejt një bote të trazueme e që quhej bota e shkronjave dhe e ditunisë.

Kurse më 1897-1898 shërbeu si kapelan në Lezhë, ku do të kthehej herë mbas here, sidomos për të gjetë prehje e për të shkrue disa prej kangëve të Lahutës, këtu, në mes zadrimorëve të tij e Lekëve të Malësisë, që rrethonin Lezhën. Ku tjetër mund të gjente prehje e frymëzim si në Lezhë ku ishin:

qielli i kaltër, toka e blerë,

njeti dimën, këtu pranverë …

Por nuk do të ishte gabim të shprehemi se e përpjeta drejt lavdisë e At Gjergj Fishtës nis pikërisht në Gomsiqe, ku pat rastin e fatin të njihej me Abatain e Mirditës, Imzot Prengë Doçi, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepun, por edhe poet e burrë me kulturë të rrallë për kohën: Kishte rrahë botën në mërgimin e tij të detyruem, prej Njufëlandit të SHBA, deri në Indi. Abati do të bahej udhëheqësi shpirtnor e kulturor jo vetëm i Tij, po edhe i shumë klerikëve të tjerë.

Në janar 1899, Imzot Doçi bahet nismëtar i themelimit të Shoqnisë “Bashkimi”, tue mbledhë rreth vetes anëtarë të shquem, si Dom Ndoc Nikajn, At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, At Shtjefen Gjeçovin, Dom Ndre Mjedën. E nisun si shoqni kulturore, ajo luejti rol të dorës së parë jo vetëm me botimin e fjalorit të quejtun i “Bashkimit”, e të 34 librave të tjerë, por sidomos në krijimin e një votre atdhetarësh që shkelqej në gjithë Shqipninë.

Luigj Gurakuqi, At Gj. Fishta dhe Don Ndre Mjedja, 1923.

Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit Shkodër.

Arkitekt At Gj. Fishta. Foto Marubi 1935.

Kuvendi Françeskan ishte kthye në berthamë të një qendre të studimeve albanologjike. Krahas shërbimeve fetare, ata banin edhe jetë shkencore sikur të ishin në një institut të mirëfilltë studimor. Shoqnia “Bashkimi”, e  ma vonë edhe revista “Hylli i Dritës”, ishin monumenti që ndërtoi Akademia Françeskane.

Që në nisje të veprimtarisë së Tij poetike, pedagogjike, gjuhësore, publiçistike, ende nën sundimin otoman, At Fishta u kosiderue menjëherë Apostull i Shqiptarisë, por me një vizion përveçse thellësisht kombëtar, kryekëput edhe përendimor dhe europian.

Aty ku vuni kambën e zbathun të fratit t’ Asizit, vështroi me kujdes dhe përvetësoi me saktësi nga goja e popullit frazeologjinë e tij, që arrijti me e njohë si pak kush para e mbas Tij dhe e vuni në punë ma aq mjeshtri, sa rrallë kush mundet me lidhë fjalën me psikologjinë e popullit të vet, për me lanë në thesarin e kulturës sonë kombëtare kryevepren e letërsisë shqipe, “Lahuta e Malsisë”, e cila ngërthen 15.563 vargje ndër 30 kangë. Krijimtaria poetike e botueme e At Fishtës kalon 50.000 vargje.

Ai ishte i pari drejtor shqiptar qysh prej themelimit të shkollës françeskane më 1861. Asht ky një çast në jetën e Fishtës që nuk mund të kalohet lehtë, pse:

Kur në shkollë zbutun shqiptari,

N’mni t’ket marrun ai gjakun dhe dhunën

E me dije të ket kapun ai punën,

Shqipnisë fati do t’i çilet taman.

Duen apo nuk duen disa, Ai na mësoi të gjithë Shqiptarëve me shkrue e me lexue në Gjuhën Shqipe. Alfabeti nuk ishte një çashtje teknike akademikësh, po një çashtje kombëtare që kërkonte BASHKIM e ngritje mbi çdo ndasì, grindje, mni e ngatrresë, për atë gjuhë që ishte:

Porsi kanga e zogut t’ verës,

Që vallëzon n’ blerim të prillit;

Porsi i ambli fllad i erës,

Që lëmon gjinjtë e drandofillit:

Porsi vala e bregut t’ detit,

Porsi gjama e rrufesë zhgjetare,

Porsi ushtima e një tërmeti,

Ashtu asht gjuha jonë Shqiptare!

Vazhdon…

Melbourne, 29 Dhjetor 2019.