Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: T’i kam fal ty me tana - Oh si Elvana nuk ban ma nana!

| E premte, 27.12.2019, 01:14 PM |


T’i kam fal ty me tana/ Oh si Elvana nuk ban ma nana!

Opinion rreth këngës fituese me titull të pakuptimtë “Me tana” të çmimit të dytë në Festivalin e 58-të të Këngës në RTSH

Nga Keze Kozeta Zylo

Është e pamundur të rrokësh dhe të diskutosh rreth artit në Shqipëri, por kur bëhet fjalë për një Festival të pervitshëm Kombëtar ja vlen të sakrifikosh kohën flori tënden që mundohen të t’a bëjnë bakër ca surrogato tekstesh dhe që ngjiten me katapultë (tregtish) në majën e olipmpit të çmimeve të artit.  Nuk befasohem me çmimet që nga më të lartat e Kombit që jepen aq lehtaz dhe që në Shqipëri i bie që një në çdo tre veta ka varur ne qafe çmimin kombetar, por befasohem me publikun që i skuqen duartë nga duartrokitjet frenetike, kur dëgjon tekste të pështira, të pakuptimta, deformime sintaksore, perçudnime të gjuhës sonë Hyjnore.

Ëshë mjerim kombëtar kur humbasin shijet estetike në popull, në shkolla, dhe për rrjedhojë zverdhet dhe “kalbet” fjala elegante e bukur shqipe.  E pamundur ta kuptosh këtë tekst të këngëtares Elvana Gjata tashmë shumë të njohur në Shqiperi dhe më shumë, e cila në festivalin e 58-të  këndoi këngën me titull “Me tana” ku midis të tjerash thuhej: “Ti kam fal ty me tana/ Me tana o me tana/ Dashni më fal/ O kush ka me ma nal…”

Kjo këngë me këtë tekst basardon gjuhën zyrtare, apo dhe gegënishten që është një pasuri më vehte kombëtare.  Quo vadis Kultura Kombëtare!  Festivalet e Këngës në RTSH janë pasuri kombëtare dhe ato duhen mbrojtur me fanatizëm professional e kulturor.  Por unë do t’i mëshoj mos çuditjes sime për çfarë po ndodh me artin dhe kulturën shqiptare, që fatkeqësisht shumë fusha kanë rënë në duartë e tregtareve të ndyrë që s’e kanë për gjë ta shesin si prostitutë rrugësh artin në skenat më të njohura siç është ajo në pallatin e kongreseve apo në Eurovizion.

Edhe nxënësi më i keq me notën pakaluese nuk do të ma shkruante këtë tekst kaq të ulët të nivelit gjuhësor, kaq të pështirë, banal dhe kaq të pakuptimtë!...

Ju ftoj ta lexoni këtë banalitet dhe nivel skandaloz si në këto “vargje”: Kohën ndale ndale/ Të shkoj ngadalë ndale/ o me ngadalë ndale/ Na na na na na…

Ky lloj te shkruari që vetëm Elvana dhe soji i Elvanës e kupton të kujton novelisten e famshme amerkane Nelle Harper Lee kur thotë se: “Gjuha e keqe është një fazë që të gjithë fëmijët kalojnë dhe ajo vdes me kohën kur mësojnë se nuk po tërheqin më vëmendjen me të.

Po Elvana është kaq foshnjore sa edhe pse në një moshë të pjekur vazhdon të ngelet me atë lloj fjalori në varfëri të tesjskajshme dhe të shesi këngën, muzikën, tekstin si ndër më të mirën e vitit…

Festivali i këngës në RTSH nuk është personal, por është kombëtar, nuk është për analfabetët e Gjuhë Shqipe, por është për elitën e fjalës së bukur, nuk është për ahegun në mejhanet me qepë e gjizë dhe nga një gotë raki përpara, por është skenë kombëtare e muzikës së kultivuar.  Festivali i këngës ne RTSH nuk është për anëtar të jurisë të sojit Rita Petro për të cilën kam mbajtur qëndrim ne një shkrim timin, kur u vlerësua para pak kohësh me çmimin “Lumo Skëndo”  Mithat Frasheri mu në zemër të kulturës në palcë të Tiranës nga “kryeqeveriu” shqiptar Rama në bashkëpunim me ish ministren e kulturës Kumbaro të cilët i dhanë autores Petro për librin me titullin “Vrima” çmimin më të lartë “Lumo Skëndo”, me rastin e 95-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare.  Po sjellë në vëmendjen tuaj disa vargje nga libri “Vrima” e autores Petro dhe anëtare në jurinë e Festivalit të 58-të në RTSH si:  “Tani hiqi brekët ule kokën dhe shih mes kofshëve… Kjo është…? lulja ime”…   Ose po e sjellë në vëmendjen tuaj dhe tekstin e poezisë së hyjnizimit të incestit midis vëllait dhe motrës si: “Kur më prek/ Me duart aq të buta/ Lëkurën ma puçrron…/ Pse kur më puth në qafë/ Drithëroj e tëra/ Njomem atje poshtë?

Cfarë mallkimi kur dëgjon dhe krahason këto këngëtare me artiste të jashtëzakonshme të Kombit tim si Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha etj!

Megjithatë do të thoshte Anjshtajni se “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar; jo për shkak të njerëzve që bëjnë gjëra të këqija, por për shkak të njerëzve që i shohin ata dhe nuk bëjnë asgjë, heshtin”…

Çfare trishtimi kur dëgjon dhe lexon këto tekste surrogate që ashtu si fëmijët kur dëgjojnë për herë të parë fjalët e turpshme dhe i përdorin vend e pavend ashtu dhe këta tregtarë të fëlliqur të artit kanë ngelur në atë nivel mjeran.  Këta kanë ecur ne drejtim tjetër duke arritur të kenë pasuri të patundshme në flori pikërisht nga heshtja jonë e papranueshme.  Dhe kjo është sa e dhimbshme po aq dhe e frikshme, sepse: “Ti kam fal ty me tana/ Oh si Elvana nuk ban ma nana!...

26 dhjetor, 2019-të

New York