E marte, 23.04.2024, 10:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Beqir Cikaqi: Faik Tafolli - Larg atdheut frymojmë shqip

E marte, 24.12.2019, 02:13 PM


Opinion për librin: “LARG ATDHEUT FRYMOJMË SHQIP”,  të autorit Faik Tafolli

Libri e shpalos botën e atij që e shkruan, kurse të tjerët mësojnë prej tij!

Nga Beqir Cikaqi

- E fillova me këtë titull të nderuar të pranishëm, për të iu mbajtur vazhdimisht vëmendjen për librin që sot po promovohet “Larg atdheut frymojmë shqip” me autor  profesorin e nderuar Faik Tafolli.

Ndonëse me këtë libër po takoheni për herë të parë, autori i këtij libri nuk është i pa njohur në ketë mjedis e më gjerë, si kolegë e mik, si mësues e profesor, si aktivist e atdhetar, ... Edhe si drejtues shoqate, madje edhe kryetar për disa mandate rresht. Tani, profesor Faikun, do ta njohim edhe si autor libri, që duke e shpalosur botën e vet edhe në të shkruar, ne të tjerët do të mësojmë edhe më shumë prej tij, për historikun 25 vjeçar të SHK “ Dardania” Montebeluno të Trevisos.

Që ta paraqes opinionin tim për këtë libër në ditën e promovimit, pranova me kënaqësi, por kur e lexova librin, u ndjeva në një pozitë jo të mirë, sepse nga materiali i përfshirë në këtë libër, nuk dija çka të përzgjedh për opinionin tim, kur gjithçka është interesante të përcjella me foto që ia shtojnë vlerën librit, e që është krejt e logjikshme kur dihet se një fotografi flet sa një mijë fjalë.

Këtu lexojmë se shumë gjëra janë harruar, e shumë të tjera që nuk ishin të ditura deri më tani, andaj libri na i rikujton, na i tregon dhe i ruan edhe për gjeneratat e ardhshme. Me fjalë tjera ky libër do të shërbejë edhe si pjesë e arkivit jo vetëm Shoqatës ”Dardania”, por edhe gjithë diasporës shqiptare në Itali.

Një çerekshekulli aktivitet i Shoqatës Kulturore “Dardania” të Montebellunos (TV), nuk është pak,  që në këtë libër është paraqitë bukur, me radhë dhe të kuptueshme, me rëndësi historike e kombëtare... Nuk mund të lë pa përmend paragrafin e fundit në faqe 19 : “Ishte kjo e domosdoshme që krahas veprimtarisë të ndryshohet edhe statuti i kësaj Shoqates që përputhej me kërkesën për lejimin e shkollës shqipe të cilën gjë e kërkonte shteti Italian”.

Në bazë të asaj që lexova në libër e pata mundësi ta kuptojë se profesori, përveç që është një familjar e prind i mirë; përveç që është një edukator për fëmijë e të rritur i mirë; përveç që është një frymëzues dhe veprues i devotshëm i çështjes kombëtare; përveç që është drejtues dhe kryetar i një Shoqate me një emër shumë domethënës, sikur është DARDANIA, është edhe një autor libri me një titull që përcjellë një mesazh shumë të fuqishëm për gjithsecilin shqiptar ku do që jeton: “Larg atdheut frymojmë shqip”, që përfshin aktivitetin e SHK “ Dardania” në Montebelluno TV nga 1994 deri 2019.

Kështu, kur e lexon këtë libër, fitohet përshtypja, se pedagogu dhe punëtori i pa lodhshëm i arsimit dhe kulturës, profesor Faik Tafolli, pas një pune frytdhënëse shumëvjeçare, ka arritur që aktivitetin e tij, me bashkëpunëtorët e vet dhe bashkatdhetar tjerë, ta përmbledhë në këtë libër i cili i tejkalon përmasat e një libri të llojit të vet. Pasi që libri përmban histori e heroizëm, solidaritet e humanizëm, sakrificë e mobilizim, mësim e aktrim, sport e kulturë, festa e promovime, vizita e përkujtimore, fotografi e fjalë, e shumë çka tjetër. Pra, është libër monografik, historik, biografik, dokumentar, e, edhe shkollor.

Libri jep me kuptuar veprimtarinë dhe aktivitetin kombëtar të shoqatës “Dardania”, e pse jo edhe lavdin e kësaj Shoqate me dëshmorë kombi si Afrim Selmanaj, mandej luftëtarët e lirisë. Fatmir e Safet Guri, Sadik e Selman Bytyqi, Muhamet Kryeziu e Bekë Shala, etj. që ishin anëtar të Shoqatës “Dardania”, dhe në kohën e mobilizimit, braktisën vendet e punës në Itali e iu bashkuan kushtrimit të atdheut për Çlirim nga okupatori shekullor serbo-sllav. Kështu duke e njohur lexuesin se si është formuar shoqata, iniciatorët, drejtuesit e parë, zgjedhjet e herë pas hershme, personalitete të ndryshme që e ka vizituar shoqatën dhe diasporën e këtushme shqiptare, autori sqaron se Shoqata fillimisht kishte qëllim humanitar, mandej organizativ, për të kaluar në atë mobilizues, arsimor, edukues, etj. gjithherë me karakter kombëtar. Ku pas luftës së fundit në Kosovë, shoqata është orientuar në prezantimin e kulturës shqiptare nga Shoqëria Kulturore Artistike që veproi në gjirin e shoqatës duke prezantuar përveç nëpër festa kombëtare edhe në festivale që organizoheshin nga vendoret. Ndërsa, nga viti shkollor 2004/2005 ka startuar edhe me shkollën shqipe të MP, me qëllim të ruajtjes se asimilimit të fëmijëve me origjinë shqiptare që lindin e jetojnë në këtë pjesë të Italisë. Të gjitha këto i ka prezantuar autori me foto dhe shënime përcjellëse.

Gjithashtu, në libër zënë vend të merituar reportazhet, shkrimet, portretet, etj. për aktivitetin e shoqatës nëpër gazeta të ndryshme nga autor të ndryshëm, ku në faqen 48 të librit hasim faqen e gazetës me titull: “ Tubim komemorativ i Shoqatës “Dardania” me rastin e vdekjes së presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova “. Mandej, zënë vend edhe vizitat e organizuarat të shoqatës në Kosovë e Shqipëri.

Në libër ceken sfidat dhe sukseset e  shoqatës dhe individëve të caktuar, anëtar të shoqatës, ku prezantohet magjistri i parë shqiptar në Itali, anëtar i shoqatës “Dardania”, me titullin “Jo nuk jemi të huaj, jemi bijtë e kësaj toke” që është vërejtje serioze për dikën në atdhe(jo të gjithë!), që neve në diasporë na quajnë të huaj.

Dardania, djep i shqiptarisë,  është një tjetër titull bombastik, kësaj radhe në favor të aktivitetit Ora Letrare të organizuar nga Shoqata “Dardania” në shkurt të 2019.... Nuk anashkalohet as veprimtaria e shkollës shqipe, si pjesëmarrja në zgjedhjet e LASH në Itali me gjithë kontributin e rëndësishëm të Shoqatës, mandej pjesëmarrja në Konkursin e Diturisë në nivel të shkollave shqipe në Itali, etj.

- Derisa libri fillon me historikun e formimit të shoqatës, me emrat e drejtuesve fillestar, vazhdon me  zgjedhjet e herë pas hershme, përfundon me emrat e drejtuesve të tanishëm të shoqatës, me shpresë të vazhdueshme se historiku i aktivitetit të Shoqatës “Dardania” të Montebellunos(TV) do të pasurohet në të ardhmen me veprimtari edhe me libra tjerë, gjithashtu me vlerë.

Librin e botoi Shoqata për Kulturë dhe Art ”Elena Gjika – Dora d’Istria” Suharekë. Me konsulent: Sherif Gashi, e punën kompjuterike: Berat Batiu. Gjithsejtë ka 156 faqe me tekst e fotografi. Libri është teknikisht i përkryer dhe zbukuron raftet e bibliotekës shtëpiake.

Urime profesor! Librit tuaj “Larg atdheut frymojmë shqip” i urojë rrugëtim të mbarë e të dinjitetshëm tek lexuesit!

Meqenëse ky libër përurohet për nder të festes ton të madhe kombëtare, shfrytëzojë rastin të iu urojë “28 Nëntorin” të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duke filluar nga ju që jeni këtu. Gëzuar!

Fund Nëntor 2019.Treviso.Itali



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora