Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Nuk jemi ardhacakë në tokat tona

| E shtune, 21.12.2019, 04:59 PM |


Nuk jemi ardhacakë në tokat tona

Përputhja e trojeve që flisnin dikur, e që edhe sot flasin shqip me kufijtë etnikë të ilirëve të jugut e të epirotëve të lashtë brenda e jashtë Shqipërisë, mund të shpjegohet vetëm me autoktoninë e shqiptarëve në këto troje

Shkruan Fahri Xharra

“Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë, banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtëzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë”. “Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrnjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta. (Atë Gjergj Fishta ,1939).

“Zbulimi” i Popoviqit për shqiptarët

Përputhja e trojeve shqipfolëse të sotme me kufijtë etnikë të ilirëve dhe epirotëve të lashtë brenda dhe jashtë Shqipërisë etnike mund të shpjegohet vetëm me autoktoninë e shqiptarëve në këto troje. Në vitin 1958 njëfarë Ivan Popoviqi (Slaven und Albaner in Albanien und Montenegro) e ”zbulon” se duke u mbështetur kryesisht në ”argumentime” gjuhësore i paraqet shqiptarët si popullsi e ardhur në trojet e sotme të tyre në një kohë të papërcaktuar në mesjetë, por, sipas tij, gjithsesi pas sllavëve. Pse e gjithë kjo luftë, pse i gjithë ky ngulm gati dyqindvjeçar i fqinjëve që të na “gjejnë kohën se kur kemi ardhur “këndej pari dhe të “nderojnë“ edhe me vendin se nga “ishim”? Historia është shkencë ekzakte dhe nuk duron “mrekulli” se e vërteta qëndron edhe nën tokë e edhe në ujë, asaj ne duhet t´i japim gjuhën dhe të flasë. “Në malet, mbi zonën e banuar me sllavë dhe protoromanë mbeti një popullsi blegtorale që mund të cilësohen si protoshqiptarë”, thoshte Ivan Popoviqi. Objekti dhe qëllimi i pikëpamjeve që e kundërshtojnë autoktoninë e shqiptarëve është i qartë (N. Çabej, Ilirët që mbijetuan) të gjendet një vend nga dikur jo fort larg në histori, shqiptarët të kenë ardhur. Por, kot. “Mrekullitë” nuk i duron shkenca e historisë. Por, ka edhe nga ata që nuk i bishtnojnë fakteve dhe e thonë atë që duhet thënë se në burimet historike nuk bëhet fjalë për ndonjë migrim të shqiptarëve. Andaj, është e natyrshme që shqipja është folur, që nga kohët e lashta në ato vende ku flitet edhe sot, pa i llogaritur vendet tjera ku iu kanë humbur gjuhën..Gjuhëtari Radoslav Katiçiq: “Grupe shqipfolëse ka në Epir, në pjesën perëndimore të Maqedonisë dhe në lindje të Malit të Zi. Në Kosovë popullsia është kryesisht shqiptare. (Katiçiq, Ancien Lanuages of the Balkans) dhe përfundon që kjo zonë e banuar me folës të shqipes gjendet thuajse tërësisht brenda territorit të lashtë të ilirëve. Për këtë arsye, ai e sheh normale dhe të natyrshme gjuhën shqipe si pasardhëse moderne të ilirishtes. Në një blog serb lexova ku thuhet se shqiptarët e Kosovës nuk kanë aspak lidhshmëri me ne dhe ata janë ashtu si e thoshte plaku shqiptar në një TV-intervistë: “Ne jemi ilirë’, ky nuk është vendi i serbëve, ne gjithmonë kemi qenë këtu, kjo është jona, kjo është jona...”

Shën Flori e Shën Lauri nga Ulpiana

Por, te shkojmë edhe më larg në histori: Më 18 gusht, Kisha katolike përkujtoi dy shenjtorë, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën për Shën Florin e Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianës në tokën e Dardanisë, Kosova e sotme. Shën Niketa, i njohur edhe me emrin “Shën Niketa i Dardanisë “apo “Shën Niketa i Remessiana-s” ( tek sllavet: “sveti Nikita”, kompozoi himnoren e mirënjohur “Te deum, laudeamus”-“ Ty Zot të lavdërojmë”. Të paktën që nga fillimi i shekullit të kaluar, kur britaniku A. E. Burn botoi në Cambridge (1905) monografinë “Niceta of Remessiana”, dihet botërisht se ky shenjtor doli prej botes iliro-shqiptare. Vetë Shën Niketa shkruan me dorën e tij: “Dardanus sum” jam dardan. Në vështrimin historik shfaqja e Nënë Terezës si përfaqësuese e një misioni të shenjtë, në hapësirën dhe botën shqiptare jo vetëm nuk ka asgjë të papritur, por vjen si përforcim i një tradite dymijëvjeçare. Tradita e takimit të hapësirës shqiptare vazhdoi me shekuj. Në veri Shën Sergji e Baku; në jug Shën Gjon Vladimiri, deri tek Shën Kozmai, tregojnë se bota shqiptare jo vetëm nuk ishte e largët për misionaret e shenjtë, por, madje, ofronte mjedis zhvillimi e lartësimi. Kjo nuk lidhet vetëm me krishterimin, por me bashkësinë shqiptare në tërësi. Ruajtja e kodikëve të Shqipërisë në ketë mjedis ku kanë kaluar rrebeshe kohësh dhe ku janë kryqëzuar ndikime mospajtuese, shpreh edhe një here një vlerë prej vlerave etnodalluese të popullit shqiptare, tolerancën ndërfetare të tij, një model tolerance edhe për shqiptarinë e sotme.

Të tilla dorëshkrime janë pjesë e identitetit kulturor të popullit, që i ka ruajtur dhe i japin emër Shqipërisë në botë. Prandaj, ne përulemi me emocion dhe nderim para tyre. Nuk jemi ardhacakë në tokat tona. Të kotë e keni ju, turq, grekë e serbë.

Fahri Xharra

Gjakovë