Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmir Halimi: Në lidhje me vizitën e Aleksandër Vuçiçit në Tiranë

| E shtune, 21.12.2019, 05:00 PM |


NE LIDHJE ME VIZITEN E ALEKSANDER VUQIÇIT SOT NE TIRANE

Nga Mr.Sc. Fatmir Halimi

Shtëpia botuese ProkultPress ne Prishtine nga e hëna lexuesve te vet ne Kosovë por edhe me gjere u ofron romanin e Kristaq Turtullit "Zera në humbëtirë".

Me këtë rast si botues i shkrimtarit te madh Kristaq Turtullit nga Korça e bukur e me vendbanim ne Kanadanë e largët dua te prononcohem ne lidhje me takimin e sotshëm te Edi Rimës dhe "vellait" te tij serb A. Vuqiçit.

Edi Rama  para se që ai te bie ne ‘përqafimin’ e tij, ta lexoj këtë libër monumental korçarit të tij e Kristaq Turtullit dhe ta njoh me mirë këtë serbin e tij shovinist, armikun tonë të përbetuar, sepse këto dy figura sot ngjajnë shumë me personazhet që i ka trajtuar Turtulli në romanin e tij si janë Vili Tare - shqiptar dhe Sllobo Dragojeviqi-serb, ku Vili (Rama) për pushtet dhe karrierë i shkel dhe i gjunjëzon miqtë e tij dhe behet vegël e Jugosllavisë së atëhershme. Shtrohet pyetja në roman kush e pësoi, e përgjigja është se e pësoj Kosova që mbeti edhe për 100 vjet nën okupimin serb.

Dhe dua t’i them Edi Ramës sot se Mini-shengeni nuk është asgjë tjetër pos plani i Serbisë së madhe, i cili plan kishte filluar të realizohet edhe para 70 viteve, konkretisht më 1946,  kur Shqipëria e atëhershme kishte nënshkruar me Jugosllavinë për lidhje e ekonomive të dy vendeve, e ku Enveri i atëhershëm pas 2 viteve largohet nga ky komplot jugosllav. Kurse sot A. Vuqici po e realizon me kryeministrin tonë Edi Ramën.

Se shkrimtarët janë prijës të mëdhenj të ngjarjeve të historisë këtë po e dëshmon edhe shkrimtari ynë i madh Kristaq Turtulli.

KUSH ËSHTË KRISTAQ TURTULLI DHE Ç SAGA E TIJ "ZERA NË HUMBËTIRË"

Kristaq Turtulli sot është një emër i madh, i cili po bën historinë e letërsisë sonë shqipe. Ai  është autor i dhjetëra romaneve.  Një njeri me dije të thellë nga fushat e psikologjisë, sociologjisë, historisë, dhe filozofisë, bashkë me shkrimtarët e mëdhenj botëror që si prijës merret, Gabriel Garsia Markezi, të cilin e pasuan Umberto Eko, Dan Braun, është arkitekti i letërsisë sonë postmoderne i këtij mileniumi. Qëllimisht përmenda këta emra sepse ne si kritik të fushës së letërsisë Turtullin duhet ta shohim nga ky kënd dhe nga kjo prizëm e interpretimeve tona diskursive, kritike e letrare, e assesi nga një rrafsh më i ulët. Shkrimtari Turtulli me sagën e tij romanore: Saga e zërave, e zhurmave, që deri tash para lexuesve po paraqitet me dy romane: “Zëra në lavjerrës” dhe tash me romanin “Zëra në humbëtirë”, po e mbyllë një etapë të trajtimit të historisë sonë të trishtë kombëtare, kurse në rrafshin e letërsisë sonë po hap një etapë të re të këtij mileniumi të ri, etapën e postmodernitetit të cilën shumë rrallë, apo fare pak mund ta shohim sot te shkrimtarët tanë. Sot letërsia jonë kombëtare vuan nga shumë stereotipa, nga folklorizmi i temave, nga niveli i ulët i shkrimit dhe trajtimit të tyre, pra letërsia jonë është e mbuluar nga një katrahurë e përgjithshme e nga mospërgjegjësia para lexuesve tanë. Prandaj është sot Kristaq Turtulli, i cili me qasjen filozofike dhe psikologjike të temave, letërsinë tonë e ngrit në piedestalin më të lartë kombëtarë dhe ndërkombëtar, pasi që romanet e tij janë të përkthyera në disa gjuhë; e sidomos në gjuhën e parë të botës letrare, në gjuhën angleze.  Në qasje të interpretimit të tekstit letrar që na ofron Turtulli duhet ta shohim edhe nga karakteri filozofik, pasi që ai sot është një ndër filozofët më të mëdhenj brenda artit të letërsisë. Gati askund nuk mund të gjejmë mendime filozofike brenda letërsisë sonë si te letërsia romanore që krijon sot shkrimtari i madh Turtulli: “Nata gjithnjë është më e barrë dhe nuk dihet çfarë pjell”,  “Zemra të kishte mundësi të mendonte, do ndalonte së rrahuri, do bëhej kambanë e shurdhër, varur në degë të rrapit shekullor”, teksti i tij është i mbushur me përplot thënie të tilla.      Romanet e tij duhet të shihen edhe nga aspekti psikologjik. Askund te romanet e shkrimtarëve tanë nuk mund t’i gjesh personazhet të ndërtuara psikologjikisht më bukur dhe më fuqishëm si te Turtulli. Shkrimtari ynë aq bukur aq fuqishëm dhe me aq emocion futet në botën psikike të karaktereve të tij, saqë te lexuesi ngreh mornica, ngrit leshrat e trupit duke e magjepsur me magjinë e shkrimit dhe të përshkrimit të situatave në të cilat gjenden ata. Përmenda vetëm këto dy aspekte duke sugjeruar për interpretuesit dhe kritikët e diskursit letrar se romanet e tij sot ngërthejnë edhe shumë aspekte të interpretimit si atë, historik, social, kombëtar e patriotik.

Fabula e sagës “zëra në humbëtirë”

Fabula e romanit “Zëra në humbëtirë” në vija të trasha vërtetë mund të shihet si një sagë e zërave dhe e zhurmave të mëdha të një kohe dhe periudhe të caktuar historike. Pra ngjarja është e vendosur dikund në ndonjërin e qyteteve të Shqipërisë ose pasi është fiksion mund të jetë secili qytet shqiptarë gjatë kohës së Luftë së dytë botërore, prandaj mund të them se kjo fabul mund të ketë ndodh ose mund të jetë zhvilluar në Koçë, Durrës, Tiranë, Shkodër, e qytete të tjera. Karakteret e personazheve janë të ndërtuara deri në imtësi, siç janë Dhimitër Leka, Mara, Leonard Madhi, Irena, Mentor Saturni, Melez Rralla, Haxhi Gala, Vili Tare, po deri në detaje janë të rafinuar edhe njerëzit e huaj, siç janë, Zoran Çoçiçi, Sllobo Dragojeviqi –serb, etj. Strumbullari i të gjitha ngjarjeve, temave, motiveve, dhe krejt kësaj sage është Dhimitër Leka, i cili paraqet karakterin e një shqiptari e patrioti të kulturuar, karakterin e një njeriu i një familje përparimtare me stabilitet ekonomik. Ai qysh si student merr mbi supe një barrë të rëndë, por edhe si profesor që të luftoj për çlirimin e atdheut të tij nga okupatori, por edhe të çlirimit dhe të bashkimit të trojeve shqiptare si të Kosovës e Çamërisë, përmes këtyre forcave të reja që i kishin përqafuar masa e gjerë dhe rinia si në vendin e tij, po ashtu edhe në vendet fqinje. Nën maskën e çlirimit dhe vëllazërimit proletar, në mesin e shqiptarëve futen jugosllavët të cilët ndihmojnë formimin e partisë simotër në Shqipëri. Ata përmes ideologjisë komuniste depërtojnë thellë te shqiptarët, sidomos te njerëzit udhëheqës të luftës për çlirim, por atyre u has sharra në gozhdë përballë Dhimitrit, i cili përveç çlirimit të Shqipërisë kërkon që edhe Kosova t’i bashkohet asaj pas përfundimit të luftës dhe të mos jetë nën thundrën serbo-sllave. Slloboja e Zorani, dy serb të cilët kishin ardhur si emisarë komunistë në mesin e shqiptarëve gjejnë një njeri të përkushtuar dhe të etur për  pushtet, siç ishte Vili Tare, i cili futet në lëvizjen e madhe për çlirim të vendit përmes Dhimitrit si shok i tij i studimeve. Pra Dhimitrin do ta luftojnë deri në shkatërrim përmes miqve të tij më të ngushtë, përmes shokëve të tij të idealit. Fundi tragjik të Dhimitër Lekës, është i paparë dhe i pa lexuar ndonjëherë në letrat tona shqipe. Turtulli këtu ka krijuar skenat më të rrëqethshme që mund t’i ndërtojë imagjinata e njeriut. Përmes këtyre pamjeve lexuesin e ngrit deri në kataklizëm, e bën ta ndjej dhe ta përjetoj thellë në lëkurën e tij, por edhe në shpirtin e tij përmes emocionit të dhimbjes.