E shtune, 20.04.2024, 09:20 AM (GMT+1)

Mendime

Mero Baze: Nexhmije Hoxha dhe hakmarrja për përmbysjen e komunizmit

E merkure, 08.10.2008, 04:17 PM


Mero Baze
Nexhmije Hoxha dhe hakmarrja për përmbysjen e komunizmit

Nga Mero Baze

E veja e diktatorit shqiptar u shfaq në ekran për të na kujtuar 100-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës dhe për të demonstruar arrogancën e saj ndaj gjithkujt që ajo mendon se i ka bërë keq. E trimëruar nga harresa e shoqërisë shqiptare dhe nga papërgjegjshmëria me të cilën u trajtua dekomunistizimi i vendit, e veja e diktatorit vuri në shënjestër të intervistës së saj dy emra që dominojnë jetën politike dhe kulturore të Shqipërisë, Sali Berishën dhe Ismail Kadarenë. Të parin u përpoq ta poshtëronte. Duke “treguar” një histori që “ia kishin treguar” dhe duke u përpjekur të hakmerret ndaj asaj që ajo e quan poshtërim të zhvarrosjes së Enver Hoxhës dhe burgosjes së saj, Nexhmije Hoxha në të vërtetë na fyen të gjithëve përveç Sali Berishës. Skena që ajo prodhon për të fyer kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, por dhe njeriun që luajti rol vendimtar në përmbysjen e regjimit të saj, bëhet jo për të fyer Sali Berishën, por për ta na fyer ne të tjerëve, duke na treguar se kë kemi kryeministër.

Urrejtja e saj ndaj Sali Berishës ka shkuar në skaj dhe kjo i bën nder Sali Berishës. Ajo e identifikon atë si njeriun më të urryer të saj dhe është e qartë se urrejtja nuk vjen nga ato që ajo i quan gjeste servilizmi të një ish-komunisti fanatik, por gjeste force të një lideri antikomunist. Nëse Sali Berisha do të ishte luajal me Nexhmije Hoxhën dhe familjen dhe pas viteve ‘90, nëse do ta respektonte atë dhe t’i shkonte për 16 tetor në shtëpi për vizita, natyrisht Nexhmije Hoxha nuk do ta përmendte kurrë atë skenë të sajuar që prodhoi për ta poshtëruar atë. Urrejtja e saj është ende me sistemin që zëvendësoi regjimin e saj.

Në koshiencën e saj armiqtë e mëdhenj të saj janë ata që luajtën një rol kyç në përmbysjen e komunizmit. Ajo ende nuk fal arratisjen e Ismail Kadaresë dhe sinjalet për përmbysje që ai iu dha shqiptarëve, dhe udhëheqjen e lëvizjes antikomuniste prej Berishës. Dhe për këtë përpiqet t’i poshtërojë të dy. Berishën, duke sajuar një skenë groteske servilizmi dhe Kadarenë, duke e përshkruar si njeri konfidencial dhe servil të familjes së saj. Kjo intervistë, ndoshta e fundit e jetës së saj, identifikon qartë ata që i prishën më shumë punë pushtetit të saj. Përpjekja e saj për t’i poshtëruar ata, thjesht iu bën nder atyre.

Nga ana tjetër, kam vënë re se nuk ka ende ndonjë reagim serioz të ndonjë intelektuali shqiptar apo ish-të persekutuari ndaj kësaj interviste, por kanë vrapuar politikisht të përdorin sulmet e saj ndaj Sali Berishës dhe Kadaresë. Realisht, sulmi ndaj Berishës na fyen ne dhe jo Berishën. E ka bërë apo s’e ka bërë atë skenë Berisha, është një çështje shumë banale në raport me atë që Berisha ka bërë publikisht ndaj familjes Hoxha, rrëzimin e saj nga pushteti. Dhe Nexhmije Hoxha nuk ia fal këtë të fundit. Po qe se mbretëria e Hoxhës do vazhdonte, dhe Sali Berisha do të ishte ai që përshkruan Nexhmija, ajo skenë nuk do të tregohej kurrë për publikun. Ajo tregohet, dhe me siguri, duke qenë e sajuar, nga një grua e ligë që urren atë që ai ka bërë më pas, rrëzimin e diktaturës. Ajo synon të na thotë ne, se Enver Hoxha dhe regjimi i tij ishte një elitë më dinjitoze se e sotmja. Ajo përpiqet të fyejë në thelb sistemin, vlerat e prodhuara nga pluralizmi dhe tregu dhe mbi të gjitha ne që kemi bërë zgjedhjen tonë për qeverinë dhe opozitën. Pikërisht kjo tendencë e saj dëshmon ligësi dhe neveri për sistemin dhe për ata që ajo i quan në koshiencën e saj si shkaktarë të përmbysjes së parajsës së saj.

Ne si shoqëri e meritojmë të fyhemi, jo pse kemi zgjedhur Sali Berishën, Fatos Nanon apo Edi Ramën, jo pse respektojmë Ismail Kadarenë apo vlera të tjera të qëndrueshme të shoqërisë sonë, por sepse pranojmë të na tregojë se ç’duhet të bëjmë në 2008 një njeri që ka qenë mallkimi i Shqipërisë prej vitit 1944. Defektet e Sali Berishës, Fatos Nanos, Edi Ramës dhe gjithë klasës politike në Shqipëri janë gabime dhe jo krime. Nexhmije Hoxha nuk e ka me gabimet e tyre sot, por me faktin se ata ndihmuan në shembjen e pushtetit të saj. Dhe në ligësinë e mbledhur brenda vetes, duke parë se si bota lëviz dhe pa pushtetin e saj kriminal, ajo përpiqet të poshtërojë ata që nuk ia kishte prerë mendja se do ta rrëzonin. E përsëris që atyre u bën nder, ashtu sikundër ne i bëjmë nder vetes si shoqëri, duke i treguar vendin që ka në histori një monstër e tillë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora