Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arratisja e Ingridit

| E merkure, 20.12.2006, 10:58 PM |


Ingrid Gjoni
Nxiton hapat nën ritmin e takave të mprehta për t’u ngjitur në katin e dytë të një prej lokaleve diskrete në ish-Bllok. Me një fytyrë tejet të paqtë, sikur pak minuta më parë të mos kishte qenë në kulmin e nervave në mes të trafikut të paralizuar të metropolit të fton të gjerbësh kafen e mëngjesit me të, ndërsa vetë preferon lëngun e frutave. Ingrid Gjoni duket tejet e zënë me telefonatat dhe mesazhet që shfaqen pas çdo beep-i në ekranin e celularit. Gjallëria e festave të fundvitit nuk e ka rrëmbyer si gjithë të tjerët. Ka një agjendë të ngjeshur me koncerte dhe i duhet të sakrifikojë sadopak nga dashuria e saj, edhe për karrierën. E presim tri ditë pa Enean dhe është duke menduar sesi mund t’i shtyjë ato pa të. “Me 31 dhjetor marr avionin për tu nisur në Athinë, ndërsa dy ditë më pas në Selanik. Do të jem vetëm, pasi Enea nuk ka vizë për momentin dhe nuk mund të më shoqërojë si gjithmonë në koncertet e mia”-rrëfen Ingridi. Shtrëngon telefonin duke treguar se ai mjet i vockël pune dhe qejfi njëkohësisht, është e vetmja zgjedhje për të komunikuar kur ata do të janë larg. Ka ndodhur edhe herë të tjerë, por ky moment festash do ti gjejë të ndarë, sigurisht vetëm për pak ditë. Në finishin e këtij viti dhe pragun e atij që do të shkelim, Ingrid Gjoni si këngëtare ka plot projekte të reja, një prej tyre është videoklipi i ardhshëm, pse jo edhe ndonjë surprizë tjetër më e madhe. Por tani i duhet të mendojë më shumë për momentet që po përjeton përkrah Eneas, djaloshit që i ka rrëmbyer zemrën, me të cilin prej kohësh, po jetojnë në të njëjtën çati dhe siç thotë, ndihet vërtet e lumtur.

Pse kam zgjedhur bashkëjetesën
Tringëllima e ziles së celularit që i ndërpret bisedën e huton fare. Por vjen në vete teksa sheh që në ekran shfaqet emri i të dashurit të saj. Ai ka shkuar të porositë drekën: zogj fshati dhe sallata të freskëta. “Porositi zemër. Merr sa të duash...nja gjashtë copë se jam shumë e uritur. Të puth”-thotë Ingridi dhe teksa mbyll celularin sytë i rrezatojnë nga gëzimi. Ajo rrëfen se është një prej atyre drekave të bukura që preferojnë të kalojnë së bashku të vetmuar në shtëpi. Të ulur këmbëkryq, madje përtokë, duke zhytur gishtërinjtë mes ushqimeve të bollshme dhe duke pirë nga një gotë vere. Ka raste që edhe dehen dhe ashtu si gjysmë të përgjumur, në vend që të kalojnë në dhomën e gjumit marrin rrugën sërish nga kuzhina. Nuk e fshehin aspak se që të dy janë vërtet të lidhur me aromën dehëse të kuzhinës, ku edhe kalojnë shumë kohë bashkë...! “Bashkëjetesa është më shumë se fejesa. Unë parapëlqej këtë stil jete. Bashkëjetesa shërben më shumë për t’u njohur me njeri-tjetrin dhe nëse duhet që ne të vendosim një unazë në dorë sa për të zyrtarizuar fejesën, këtë mund ta bëjmë edhe brenda një dite. Na pëlqen të jemi kështu dhe ndihemi mirë, të lumtur”-pohon vajza e vogël e familjes Gjoni.

Një ditëlindje e pazakontë
Teksa pi edhe të fundit pikë që ka ngelur nga lëngu i saj i preferuar i frutave, Ingridi rrëfen se nuk i janë shuar ende emocionet që i ka dhuruar festa e një jave më parë. Ka qenë pikërisht ditëlindja e saj. Mes gjithfarë impenjimesh që ka për ditë në agjendën e saj, ajo pothuajse e kishte harruar. Ka ngjitur e rraskapitur shkallët e shtëpisë dhe aty, Enea i ka hequr lodhjen si me dorë. Pas trokitjes në derën e shtëpisë së re, ku bashkëjeton me të dashurin, kanë nisur surprizat e ditëlindjes së saj. Ka qenë një drekë e shtruar jo mbi tryezë, por përtokë. Gatime speciale, zogj fshati, të preferuar nga Ingridi dhe shampanjë. Një tortë disakatëshe, fishekzjarrë dhe urime të cilat i ka marrë pa fund. Ndërsa në darkë është gjendur po kaq e emocionuar, teksa lëkura e saj ka prekur në petalet e kaltra të trëndafilave që kishin mbushur shtratin. “Kjo ishte dhurata më e bukur që kam marrë gjatë gjithë jetës time. Jam emocionuar pa masë dhe ndier në qiellin e shtatë. Pas vitit të ri, kur të kthehem nga Athina do të marr disa ditë pushimi dhe me Enean do të udhëtojmë drejt Italisë”-thotë ajo, për të kompensuar tri ditët e ndarjes.

“Ja çfarë ka ndryshuar tek mua”
Askujt nuk i janë shuar ende nga kujtesa fotot e nxehta të Ingridit, këtu e plot pesë vjet më parë. Ishte e para femër e zhveshur in topless. Por në harkun e këtyre viteve, Ingridi ka ndryshuar kryekëput nga ajo vajza plot adrenalinë që u zhvesh para syrit magjik të aparatit fotografik. Vetë motra e vogël e familjes Gjoni, përpiqet të bindë për këtë: jo me faktin se prej kohësh nuk frekuenton si dikur klubet e natës apo sepse tani nuk është edhe aq sqimatare sa dikur në zgjedhjen e veshjeve. Fundja, e ka kuptuar se përveçse një artiste, di të sillet gjithashtu njësoj edhe si tokësorët e tjerë. Jo të pakta janë rastet kur edhe ajo zbret me këmbë në tokë, për t’u bashkuar dhe sjellë njësoj si vajzat e metropolit. “Nuk jam e fiksuar si më parë pas veshjeve firmato apo markave të njohura. Nuk mund të them që ha gjithmonë në restorante të kushtueshme. Shkojmë shumë shpesh në restorante luksoze, por ka edhe raste kur na i jep mendja, duke qenë se jemi të dy tipa të lirshëm, të ulemi edhe në lokale të zakonshëm, të hamë sandiuç apo kukurrec, ushqime që çdo kush i preferon” -tregon Ingridi, duke mos fshehur se prej kohësh ajo ka mësuar të sillet, jo më si ajo vajza që nuk kursehej për argëtim, por si Ingridi që nuk e ka njohur askush.

Në janar, gati videoklipi i ri
Pas suksesit që vulosi në verë videoklipi “Jek e Jek”, tani është e bindur më shumë se duhet të punojë edhe më fort. Është një kompozim me Flori Mumajezin dhe me një fabul vërtet plot intrigë. “Shoqja kërkon të kapë të dashurin e tim, duke u përpjekur të bëja të gjitha ndryshimet e mundshme në pamjen e saj të jashtme për të më ngjasuar mua. Por, as silikoni dhe as ndryshimi i ngjyrës së flokëve nuk mund të më zëvendësojnë”-tregon Ingridi. Është një këngë që edhe pse në dukje i jep një këshillë shoqes, realisht ka plot humor dhe batuta që vërtet do t’i bëjnë ato vajza që tentojnë të rrëmbejnë të dashurit e shoqeve të heqin dorë sa më shpejt nga këto sjellje. Edhe për Ingrid Gjonin, ky është një veprim që realisht nuk do ta falte lehtë. “Tradhtia është e vetmja gjë që nuk mund të toleroj në një lidhje. Qoftë edhe flirt në distancë. Për Enean nuk i lë asnjë shteg, madje edhe bilardo luajmë bashkë. Në çdo moment të ditës ai është pranë meje, dhe është shumë i kujdesshëm”-tregon këngëtarja bukuroshe, e cila vjen me një look krejt ndryshe nga ai që jemi mësuar ta gdhendim në kujtesë me imazhet e videoklipit “Jek e Jek”. Realizimin e klipit të ardhshëm Ingridi e sheh edhe me syrin e profesionistes, kjo për faktin se disiplina që i ka injektuar shkolla duhet me patjetër të respektohet edhe në shesh xhirim. Ajo po mendon më shumë për xhirimet, të cilat ka shumë gjasa të jenë të lidhura me stinën, borë dhe situata të ngjashme, që do ta bëjnë shumë dinamike klipin e saj të ri. Ingridi tregon se ka gjasa që në të ardhmen e afërt të mos ketë ndonjë bashkëpunim me të motrën, Inisin. Ky konkluzion ka ardhur pas “I ziu ti”, kënga e cila u dha të dyjave shumë sukses. Por, Inisi nuk mundi dot të ndiqte nga pas gjithë atë të agjendë të ngjeshur koncertesh, pasi siç tregon edhe motra e vogël, nuk i ka fort qejf diskot dhe mjediset e mbyllura.

Olsi Kolami