Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Anton Nikë Berisha: Vazhdimësi e traditës së prozës së lirë dhe artistike

| E premte, 20.12.2019, 07:38 PM |


Vazhdimësi e traditës së prozës së lirë dhe artistike

Nga Anton Nikë Berisha

Kush e lexon me vëmendje romanin e Petro Markos “Qyteti i fundit”, të botuar në Tiranë më 1960, dhe e njeh prozën që u botua para tij, nuk e ka vështirë të thotë se kjo vepër është një vazhdimësi e mirëfilltë e përftimit të prozës së lirë dhe artistike, që u zhvillua në traditën shqiptare, duke filluar nga parathëniet dhe pasthëniet e veprave të Pjetër Budi: “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), të pjesëve të prozës në dramën “Emira” të Françesk Anton Santorit, dhe mbërriti një rrafsh të lartë sidomos me tregimet dhe novelat e Mihail Gramenos, Ndoc Nikaj, Ernest Koliqit, Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit), Migjenit etj. Në mënyrë të veçantë Koliqi dhe Kuteli e ngritën dhe e pasuruan prozën tonë me përbërës të qenësishëm, të cilësuar me një frymëmarrje të gjerë dhe me një art të madh. Në këtë rrjedhë duhet të përmendet veçmas romani “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, i botuar në Tiranë më 1965, një nga kryeveprat e prozës shqiptare të gjitha kohëve.

Romanet “Qyteti i fundit” i Petro Markos dhe “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës përligjin një dallim të madh brenda gjithë letërsisë shqipe që u krijua në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit ose, si thuhet rëndom, të letërsisë së realizmit socialist. Po përmend këtu dhe romanin e Ramadan Rexhepit “Udhëkryqi”, të cilin autori filloi ta shkruajë nga viti 1957, po u botua më vonë në Suedi. Mjerisht, ky roman komunikoi pak me lexuesin dhe në qenësi mbeti i panjohur dhe pa ndikim në prozën tonë.

E kundërta ndodhi me romanet “Qyteti i fundit” dhe “Lumi i vdekur” që në një periudhë përjetuan një komunikim të madh dhe bënë një ndikim të dukshëm në prozën tonë shqipe në përgjithësi, përkundër faktit që kjo gjë u hesht dhe nuk u tha në përmasën e duhur për arsye se sistemi komunist – socialist propagandoi veprat që i përfillën dhe u dhanë jetë përcaktimeve dhe ideologjisë përkatëse dhe i lanë në heshtje ose i vunë në listën e zezë veprat e tjera, që nënkuptoi mos komunikimin e tyre.

Romanet e përmendura të Markos dhe të Xoxës përligjin largimin dhe shkëputjen më të mirëfilltë nga veprat letrare që u krijuan në Shqipëri gjatë gjithë kohës së komunizmit. Ato, para së gjithash, i cilëson një frymëmarrje e gjerë, përkatësisht një rrëfim i lirë dhe i degëzuar, ku shpërfillen gjedhet dhe kufizimet e shtjellimit dhe të shqiptimit poetik të dukurive përmes tekstit si strukturë gjuhësore shprehëse.