Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Klajd Kapinova: 100-vjetori i kishës së parë ortodokse në Amerikë

| E merkure, 08.10.2008, 06:34 PM |


Për herë të parë, kur u hap kisha e parë në Boston, shërbimet fetare u mbajtën në shqip për t’u shërbyer të krishterëve ortodoksë në gjuhën e tyre. Prifti ynë i parë dhe i paharruar, i cili më vonë u bë hierark, Theofan Stilian Noli, filloi një punë voluminoze të jashtëzakonshme e të gjithanshme në vitin 1908 që i shërbeu popullit këtu dhe në atdhe në mënyrë të mrekullueshme. Gjatë dekadave në vazhdim, ne kemi parë ngritjen e shumë juridiksioneve, ndërhyrjen e revolucioneve laike nga jashtë vendit dhe efektin që ato patën te besimtarët këtu, ndërthuerjen e konsideratave politike dhe patriotike të cilat përbenë sfida për komunitetet tona dhe shpesh krijuan përçarje në to, si me çdo betejë të përkohshme e laike ne përjetuam si dhimbjet ashtu dhe triumfet, humbjet dhe ringjalljet. Gjatë dhjetë dekadave të fundit ne kemi mësuar shumë mësime dhe kemi dështuar në përqafimin e njeri tjetrit me më shumë ngrohtësi. Ndarjet tona nuk kanë qenë si pasojë e rrethanave, por ato janë krijuar nga ne vetë. I kemi ndarë përvojat me të tjerët pasi ne jemi sa të veçantë aq edhe të ngjashëm me të tjerët…”

 

+ At Nikon (Lionil)

Episkop i Boston - it, New England dhe

Kryedioqeza Ortodokse Shqiptare ne Amerikë

+ At Ilia (Katre)

Episkop i Philomelion

 

 

 

“… Shqipëria, Kosova, do t’u jenë përherë mirënjohës ShBA-së padallim të gjithë amerikanëve të cilët kanë ndihmuar kauzën e Shqipëqrisë dhe të Kosovës, të cilat kanë bërë të mundur që të kemi një lidhje shumë të fortë midis nesh, jemi aleat dhe jemi partner për demokraci, prosperitet, paqe dhe siguri. Si President i Shqipërisë, më lejoni, në emër të gjithë popullit shqiptar, kudo ku jetojnë në të gjitha sferat e jetës në zonat e Shqipërisë, tju them se ne jemi krenar për përfaqësuesit tanë kudo ku jetojnë, për diasporën shqiptare në Amerikë, se kjo diasporë ka ditur të ndërtojë jetën e vet në një vend shumë të fuqishëm dhe demokratik në ShBA, ka ditur të kthej kokën edhe nga hapat e Shqipëris, të Kosovës, duke kontribuar moralisht, materialisht, financiarisht. Ky sukses që Shqipëria ka sot, natyrisht është në një mënyrë edhe roli i ndjeshëm i diasporën në Amerikë. Para 3 ditëve kam pasur rastin që të jem sëbashku me Presidentin e Kosovës z. Fatmir Sejdiu në Selinë e OKB-së. të dy sëbashku me delagacionet respektive kemi mbrojtur të drejtat legjitime të institucionit të Shqipërisë por edhe kauzës së Kosovës, për të qenë një shtet i pavarur, sovran në multietnicitetin, në paqe dhe barazi, për të qenë një vend i cili do të përjetohet në mënyrë të sigurtë në sfiden dhe rrugën Euroatlantike. Me këtë rast me lejoni të përcjell edhe një dëshirë të Presidentit të Kosovës z. Sejdiu, duke e ditur që unë do të merrja pjesë në këtë ceremoni, t’ju përcjell përshëndetjet e tij e përzemërta dhe falënderimet për ndihmen që keni dhënë për Kosovën…   

 

Bamir Topi,

President i Shqipërisë

 

 

Nga Klajd Kapinova, New York

 

 

 

BOSTON (Massachusetts). Mëngjezi i ditës së shtune (27 shtator 2008) filloi me një shi të lehtë, që përkdhelte makinën tonë. Nga New York-u po niseshim drejt Boston-it, aty ku zë fill vatra e parë e komunitetit shqiptar në ShBA. Shiu i rrëmbyshëm vjeshtor në Boston, që për dy ditë do të shoqërohej me Stuhinë Kaja (Hurricane Kyle), nuk pengoi tubimin e amerikanëve dhe shqiptarëve në zhvillimin e programit për celebrimit e 100-vjetorit në kryekishën e Shën Gjergjit, ku filloi të shkruhet historia e Arkidioqezit të kishave ortodokse shqiptare në Amerikën e Veriut (1908-2008).

Sekretari i Përgjithshëm i “Lidhjes së Tretë Prizrenit” në mërgim (1962), aktivist e kryetar i kryesisë së Federatës Panshqiptare “Vatra”, dega në Queens NY (1980-1992) z. Tomë Mrijaj, që shoqërohej nga bashkëshortja znj. Lisa Mrijaj shefe e stafit në zyrën e Bashkisë së Yonkers-it NY, si gjithnjë me një buzëqeshje dhe modesti flet për historinë e organizatës, që ka njohur udhë të gjatë historie nga koha e krijimit, lulëzimit dhe dobësimit në ditët tona.

Gjatë gjithë rrugës bisedonim shtruar. Si gjithnjë i kudogjenduri e i papërtuari i së përditshmes “Bota Sot” gazetari z. Beqir Sina, kërkonte të dinte më shumë mbi historikun dhe figurat kryesore të Vatrës (1912) në Boston, me të cilët kishte patur fatin dhe nderin të takohet kosovari i parë vastris z. Tomë Mrijaj, gjatë jetës së tij prej shumë dekadave në Amerikë…

Dita e parë ishte organizuar me akomodimin e miqve nga shtete të ndryshme të Amerikës në hotele, të cilat, u bënë të mundur falë kujdesit përsonal të Fortlumturisë së Tij Kancelarit të kryekishës ortodokse të Shën Gjergjit në Boston At Arthur Lionil, një vijues i denjë i veprës së paraardhësit Metropolitan Imzot F. Nolit.

Në hollin e Hotel Courtyard “Marriott”, disa amerikanë me origjinë shqiptare qëndronin në radhë, duke biseduar. Stephania nga Philadelphia, i uron shoqes së vet mirëseardhjen në Boston në gjuhën shqipe. Ajo është në moshën 74 vjeçe, por e mbajtur dhe buzagaz. Gruaja e moshuar na paraqet grupin e vogël që sapo bërriti të besimtarëve prej 10 vetësh, që kishin ardhur nga dy kishat ortodokse dioqezane shqiptare të Philadelphia-s. Më pas biseda zhvillohet vetëm në gjuhën angleze, mbasi ajo kërkoi ndjesë së nuk dinte më shumë shqip. Stephania, më tha se të parët e saj katragjyshërit kishin mbi 150 vjet që ishin larguar nga katundi Drenova i Korçës. Ishte me të vërtetë një bisedë e ngrohtë dhe miqësore… Meqenëse po afrohej koha e kokteit u përshëndetëm… 

 

 

Mikpritja e At Lionil-it në sofrën e madhe të kishës

 

 

Koktei i organizuar në Seaport Hotel World Trade Center Boston (Mass.) filloi në orën 6 p.m. (mbasdite), që më pas i la vendin darkës së madhe festive të shtruar nga kryekisha e Shën Gjergjit në bashkëpunim me komunitetin ortodoks shqiptaro-amerikanë. Programi ishte konceptuar në dy ditë.

Dita e parë, filloi me koktejin dhe darkën përkujtimore për 100-vjetorin e meshës së parë në gjuhën shqipe dhe themelimin e kishës së parë ortodokse shqiptare në Amerikë (1908), ku do të mbahen fjalimet e rastit. Në sallën e koktejit ishte vendosur dy monitorë dhe një pikturë e prelatit ortodoks, burrit të shtetit, patriotit të shquar largpamës, studiuesit, poliglotit, përkthyesit, shkrimtarit, ekumenikut të papërsëritshëm, politikanit, enciklopedistit, kryevatristit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë Imzot Theofan Stilian Nolit.

Dita e dytë, ishte planifikuar me meshën solemne përkujtimore në kryekishën e Shën Gjergjit në South Boston, e cila u bashkëcelebrua në gjuhën shqipe nga mëse 20 meshtarë të kryesuar nga hierarkët arqibishop të arkidioqezit të kishës ortodokse shqiptare në Amerikën e Veriut.

Sallë e madhe komode u bë vendi, ku Fortlumturia e Tij At Arthur Lionil priti të gjithë mysafirët shqiptarë e amerikanë. Mikpritësi me hijëshinë e veshjes së hierakut si Kancelar i kishës orthodokse, me të gjithë miqtë fliste dhe interesohej të dinte se nga kishin ardhur. Ai u uronte mirëseardhjen të gjithëve në gjuhën shqipe, më një buzëqeshje, që fiksohej nga blicat e aparateve fotografik. Ishin mbledhur aty shqiptarë të hershëm dhe ata që kanë ardhur pas vitëve 90 në Boston, Worcester, Natick, Southbrige (Massachusetts), Philadephia, Cleveland (Ohio), Trumbull (Connecticut), Farmington Hills (Michigan), Jamaica Estates, Jamestown (New York), Folsom (California).

At Lionil, është marrë drejtpërdrejtë me organizimin deri në detaje më të vogla të gjithë programit, i cili, u kurorëzua me sukses me meshën solemne dhe koktejin e madh, të mbajtur në sallën e katit të dytë të kryekishës së Shën Gjergjit.

Të gjithë njoftimet dhe ecuria e aktivitetit është bërë përmes komunikimit me internet. Që nga ftesat dhe deri tek vendi i parkimit të makinave për mysafirët e largët, At Lionil i ka programuar në mënyrë të përsorur, i mbështetur fuqishëm edhe nga grupi organizator.

Kleriku i lartë mbante në qafë me përvujtëri kryqin e stolisur, që ka mbajtur dikur paraardhësi i tij prelat Noli. Ai është krenar që mban reliken historike të Metropolitanit Imzot Noli dhe është sot bari shpirtëror në vreshtën e Zotit, si vijues i denjë i burrit të madh të kombit shqiptar.

Dhe historia ka ngjashmëri. Kjo të kujton kryqin në gjoks të prelatit dhe martirit të fesë së Krishtit e Atdheun të paharrueshmin Ipeshkvin e Durrësit Imzot Vinçenc Prennushin (1885-1949), kryqin e bariut shpirtëror të të cilit e mban me nder e lavdi sot Shkëlqësia e Tij Imzot Rrok Mirdita (1939), Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë-Durrës.

Mirëseardhjen dhe paraqitjen e të ftuarve në tavolinën e nderit e bëri zonja Lauren Gregary, drejtuese e programit festiv. Mbi historinë 100-vjeçare të kryekishës së Shën Gjergjit në South Boston foli z. Michael Gregory. Darka u përshëndet nga ylli i Hollywood-it Jim Belushi (1954). Fortlumturia e Tij Bishop Katre, i cili, foli mbi jetën dhe veprimtarinë e eruditit intelektual shumëdimensional, e burrit të shtetit largamës, klerikut paraardhës e themelues i kryekishës ortodokse shqiptare në South Boston, Bishop Metropolit Imzot Theofan Stilian Noli.

Shumë vatranë të vjetër, që janë edhe antarë të kryekishës së Shën Gjergjit në South Boston dhe të ardhur posaçërisht nga shtete përreth nderuan në meshën përkujtimore, themeluesin metropolitan të parë, klerikun e arkidioqezit Peshkop Nolin. Ata kërkonin të takoheshin me drejtuesit kryesorë. Petrua njeri prej tyre, me qetësi dhe buzëqeshje tha se edhe pse nuk njohim dhe s’kemi takuar asnjërin prej drejtuesve të Vatrës sot, ne jetojmë ende me kujtimet e bukura nostalgjike të të pavdekshmit Imzot Nolit. Zemra dhe shpirti i pashuar i Vatrës, ndërhyri në bisedë Sokrati një burrë i thyer në moshë, është dhe do të mbetet vendlindja e saj këtu në South Boston…

Grupi i vogël i vatristëve nga New York-u (ku është edhe Qendra kryesore sot me zyrat e saj në Bronx, NY) dhe shtetet përreth, nuk mori pjesë në ditën e dytë kushtuar meshës solemne (që ishte dhe programi final i përkujtimit të kryekishës së Shën Gjergjit në South Boston) të kryebariut e kryevatristit themelues Noli, që sëbashku me patriotin e shquar Faik Konica (1876-1942), i japin jetë Vatrës në këtë kishë ortodokse, që për shumë dekada e kthyen në vatër të zjarttë të shqiptarizmës dhe ekumenizmit.

Për miqtë dhe besimtarët u shpërndanë falas libri përkujtimore: “Celebrating 100 Years 1908-2008 Albanian Orthodox Archdiocese in America” (Boston, 2008). Në faqen e dytë të saj me ngjyra janë dhënë shpërndarja gjeografike e të gjithë kishave ortodokse shqiptare të arkidiozeqit në Amerikë si dhe një foto e Bishopit Metropolitan Imzot Nolit.

Duke lexuar me kujdes librin përkujtmor, shohim se mesazhe kanë shprehur At Nikon Bishop i Bostonit, New England dhe Arkidioqezit Shqiptar në Amerikën e Veriut; Presidenti i ShBA-së z. George W. Bush, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bamir Topi, si dhe është botuar fjalimi predikues i At Arthurit E. Liolinit në Kryekishën e Shën Gjergjit (duke e quajtur atë si Muaji i Ndjeses dhe Muajin Nolian). Aty është botuar letra origjinale e Senatorit të Massachusetts z. John Kerry, Kryetarit të Bashkisë së Boston-it z. Thomas M. Menino, nga Komunuethi i Massachusetts Governatori i Shtetit z. Deval L. Patrick, Presidentja e Këshillit të Qytetit Boston zj. Maureen E. Feeney, Bishop Ilia Katre, miku special, që kishte ardhur nga Los Angeles (California) Ylli i Hollywood-it aktori i famshëm komedian me origjinë shqiptare Jim Belushi, familja e fëmijëve të Anthony dhe Esther Athanas: Anthony Jr. & Maureen Athanas, Michael Athanas, Robert Athanas, Paul & Jane Athanas, Harry Bajraktari, Ekrem Bardha etj.

Pothuajse të gjithë klerikët ortodoksë të arkidioqezit të kishës shqiptare në Amerikën e Veriut ishin kishin ardhur të ndanin gëzimin e përbashkët të kryesuar nga Bishopi i Bostonit, New England dhe arkidioqezit shqiptar Fortlumturia e Tij  Rt. Rev. Nikon (Liolin), At Ilia Episkop i Philomelion-it dioqeza e ortodoksisë shqiptare, At Dimitri Arqibishop Metropolitan i Dallas-it dhe South Locum, At Seraphim Archibishop Metropolitan i Ottawa-s dhe Canada-së etj.

Më sëshumti kishte njerëz të thyer në moshë, që flisnin anglisht dhe pak të rinj të ardhur nga Shqipëria që bisedonin në shqip. Sigurisht gjenerata e dytë dhe e tretë, që përbën pjesën më të madhe të komunitetit të dy kishave ortodokse në Boston dhe disa shtete e qytete rreth Massachusetts.

 

 

Noli Apostull i Fesë e Atdheut

i përjetshëm edhe mbas 100 vjetëve

 

 

Dijmë se Fan Noli nuk qe vetëm Ipeshkvi i Ortodoksvet Shqiptarë n’Amerikë. Ai qe njeriu i aktivitetevet të mëdhaja e të shumta… Takimin e parë mjaft të përzemert, e bamë në rezidencën modeste të Imzotit. Ai u interesue për klerin katolik. Natyrisht, mosha dhe peripecitë e jetës sonë kishin qenë të ndryshme. Kishte simpati, sidomos për disa të klerit katolik, që kishin qenë afër me idetë e tija për nji Shqipni demokratike…ai, tue i parapa ma së mirit kohnat, i dikutonte me njifarësoj kënaqësijet shpirtnore çashtjet e ditës. As që i ndejti larg idesë s’afrimit në mes të Kishës Orthodokse dhe Katholike, sidomos në nji formë interkomunikimi. Sigurisht, në nji formë, ku secila kishë të ruente individualitetin e vet me normë, ligje e tradita, deri ku t’ishte e mundun… Kështu, në muejin e marsit 1962, qe pregatitë nji takim zyrtar ne pallatin e Kardinalit, ku morën pjesë, posë Kardinalit, Imzot Noli, famullitari i Kishës së Shën Gjergjit At Christ Ellis, thelologu i theologjisë Orientale i St. John’s Semminary në Boston dhe i nënshkruemi… menjiherë mandej filluen kuvendimet rreth mundesivet t’afrimit të dy kishavet. Imzoti, i tha Kardinalit, se ai kishte qenë gjithmonë nji studjues i afërt i Kishës Katolike dhe se kishte qenë gjithmonë nji admirues i sajë, në Shqipni dhe jashtë…

 

Mons. Dr. Zef J. Oroshi (1912-1989)

 

 

Në orën 10:00 a.m.(28 shtator 2008) në katedralën e Shën Gjergjit në South Boston, u mbajt mesha solemne në përkujtim të 100-vjetorit të krijimit të kishës së parë shqiptare në gjuhën shqipe. Kjo meshë e përshpirtshme në gjuhën shqipe, u organizua nga Kancelari At Arthur Lionil dhe u udhëheq nga Fortlumturia e Tij Peshkopi Nikon Lionil dhe Peshkopi Ilia Katre.

Nga hierarkia e kishës viti 2008, është quajtur ndryshe si Viti i Apostolatës së Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën e Veriut. Pranvera e luleve, ka qenë edhe pranvera e kishës së Shën Gjergjit, shejtit të mirënjohur (Kreshmën e Madhe, Pashkës së Madhe, Ringjalljes së Krishtit-Zot) në besimin e krishterë nëpër botë.

Në predikimin e tij në kryekishën e Shën Gjergjit në South Boston, para besimtarëve ortodoksë dhe botuar në librin përkujtimor, Fortlumturia e Tij At Lionil, ka thënë, se: “…Gjithashtu muaji mars ka qenë për fat dhe mbarësi një muaj i veçantë Nolian.  Më 8 mars, F.S. Noli u shugurua prift – me hirin e Shpirtit të Shenjtë dhe me përkrahjen e popullit tonë. Në muajin mars nisi misionin e tij të mrekullueshëm e të shenjtë fetar, letrar, patriotik dhe kombëtar. Më 15 mars meshoi për të parën herë në Malboro dhe Hudson, atje ku Kristaq Dishtnica ndërroi jetë një vit më parë, pa shërbim fetar. Më 22 mars, mblodhi shqiptarët e mbarë Bostonit për meshën kryesore në këtë kryeqytet të mërgimit për t’a meshuar në gjuhën shqipe. Kjo ngjarje u parashikua nga Abdyl Frashëri si e nevojshme për të formuar një shtet të lirë e të pandarë. Ishte ngjarje të cilën Faik Konica e cilësoi “pikëthimi e historisë sonë”. Në muajin mars kisha e jonë mori emrin e Shën Gjergjit, pasi ishte shenjti adash i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Sot katedralja e jonë mbetet institucioni më i vjetër i pandërprerë shqiptarë, jo vetëm në ShBA, por edhe në mbarë botën. Në këtë vend liridashës, Noli gjeti një mjedis për të shprehur dhe plotësuar potencialin e tij në shumë fusha.  Nuk ka institut shqiptar më të vjetër që përfshihet në këtë përshkrim. Dhe më 13 të muajit mars mbylli sytë i madhi Fan Noli dhe hyri në histori si burrë shteti, përkhtyes, dhe peshkop i kishës, dhe një njeri i jashtëzakonshëm jo vetëm për ne, por edhe për të tjerë në shumë fusha njerëzore.”

Në qarkulloren e njëqindvjetorit të shkruar nga klerikët e lartë: Fortlumturia e Tij At Nikon Episkop i Bostonit, New England dhe Kryedioqeza Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe Fortlumturia e Tij At Ilia Episkop i Philomelion Dioqeza Ortodokse Shqiptare në Amerikë, ndër të tjera thuhet se:

Për herë të parë, kur u hap kisha e parë në Boston, shërbimet fetare u mbajtën në shqip për t’u shërbyer të krishterëve ortodoksë në gjuhën e tyre. Prifti ynë i parë dhe i paharruar, i cili më vonë u bë hierark, Theofan Stilian Noli, filloi një punë voluminoze të jashtëzakonshme e të gjithanshme në vitin 1908, që i shërbeu popullit këtu dhe në atdhe në mënyrë të mrekullueshme.

Gjatë dekadave në vazhdim, ne kemi parë ngritjen e shumë juridiksioneve, ndërhyrjen e revolucioneve laike nga jashtë vendit dhe efektin që ato patën te besimtarët këtu, ndërthuerjen e konsideratave politike dhe patriotike të cilat përbenë sfida, për komunitetet tona dhe shpesh krijuan përçarje në to, si me çdo betejë të përkohshme e laike ne përjetuam si dhimbjet ashtu dhe triumfet, humbjet dhe ringjalljet. Gjatë dhjetë dekadave të fundit ne kemi mësuar shumë mësime dhe kemi dështuar në përqafimin e njeri tjetrit me më shumë ngrohtësi. Ndarjet tona nuk kanë qenë si pasojë e rrethanave, por ato janë krijuar nga ne vetë. I kemi ndarë përvojat me të tjerët pasi ne jemi sa të veçantë aq edhe të ngjashëm me të tjerët.

Ne kemi qenë pasionantë dhe të arsyeshëm, këmbngulës dhe elastikë në gjetjen e mënyrave për të kapërcyer mosmarrëveshjet. Megjithatë kohët e përçarjes nuk arritën të mjegullonin ose të pengonin paraardhësit tanë në misionin e tyre, për të përmbushur rolete  tyre peshkopale para Krishtit: të shkoni, të mësoni, pagëzoni dhe tu shërbeni atyre që ju janë besuar juve dhe të parëve tanë.

Në këtë moment, ne kujtojmë me lutje hierarkët që na kanë udhëhequr, Peshkopin Theofan (Noli), Peshkopin Mark (Lipa), Peshkopin Stefan (Lasko) si dhe priftërinjtë dhe besimtarët e shumtë të fesë tonë, që kanë shkuar para nesh në prehjen e tyre të përjetshme. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!...

Klerikët dhe besimtarët ortodoksë në Amerikë dhe veçanërisht në Boston asokohe dhe sot e kanë përqendruar vëmendjen tek shpallja e Ungjillit së Krishtit, duke përkujtuar këtë shekull me përulje, gjithçka që ka ndodhur më përpara me shpresën se i qëndrojnë besinik aspiratave dhe nevojave të brezave të ardhshëm, për shpëtimin dhe përjetimin e tyre të ushqyer nga besimi.

Në Amerikë gjenden 13 kisha ortodokse të shpërndarë në disa shtete, si në: St. George Church South Boston (MA, 1908), St. Thomas Church Farmington (MI, 1929), St. John Chrysostom Philadelphia (PA, 1931), St. E. Premte Church Cleveland (OH, 1938), St. Nicholas Church Jamaica Estates (NY, 1941), St. Elia Church Jamestown (NY, 1911), St. Nicholas Church Southbridge (MA, 1912), St. Mary’s Assumtion Church Worcester (MA, 1915), SS. Peter and Paul Church Philadelphia (PA, 1915), Church of the Annunciation Natick (MA, 1919), St. George Church Trumbull (CT, 1925), St. John the Babtist Church Boston (MA, 1936), Holy Trinity Mission Folsom (CA, 2004).

 

 

Nga Filadephia grupi më i madh i miqve

 

 

Në tavolinën #39, me miqtë e mi kishin zënë vend shumica e bashkëatdhetarëve, që kishin ardhur të organizuar nga dy kishat shqiptare ortodokse St. John Chrysostom (1931) dhe SS. Peter and Paul Church (1915, Philadephia PA). Pranë meje ishte një grua e moshuar rreth 70 vjeçe me origjinë nga Permeti, që kishte lindur në Philadelphia. Ajo tha, se komuniteti i kishës ortodokse në Philadelphia janë pothuajse të gjithë sot në këtë përkujtim historik. E emocionuar ajo përpiqej të nxirrte pak fjalë shqip dhe ato të nëndialektit të një fshati nga ku prindërit e saj kishin emigruar. Edhe të tjerët ishin nga Korça dhe Permeti.

Një çift i ri që kishte ardhur nga Philadelphia, që respektivisht kishin nga një motër dhe vëlla dhe një mike e tyre që kishte 6 muaj që kishte ardhur në Amerikë flinin gjatë gjithë kohës me ne shqip, ndërsa më të moshuarit dëgjonin dhe përpiqeshin të mesonin ndonjë fjalë më të përdorur në gjuhën shqipe.

Nga Philadelphia ishte edhe grupi më i madh i mysafirëve, që kishin ardhur për të ndarë me bashkëatdhetarët e Bostonit gëzimin e përbashkët, që edhe mbas 100 vjetëve kryekisha e Shën Gjergjit, mundi të mbijetoi qëllimit të idesë fisnike të bashkimit të shqiptarëve rreth vatrës së ngrohtë që Noli mendjendritur themeloi.

Integrimi në jetën amerikane i shumë gjeneratave të emigrantëve, që kanë ardhur nga shtete të ndryshme të botës dhe më sëshumti në rastin konkret ato të ardhur nga Shqipëria e Jugut, ka bërë të mundur që të harrohen gradualisht gjuha e kultura shqiptare, ndonëse shoqëritë, klubet dhe institucionet fetare e kulturore me sforcë kanë mundur të mbijetojnë. Këtë më së miri na e tregon historia e emigracionit amerikan të shumë banorëve, që u vendosën për herë të parë si kolonë në Amerikë.

Kështu miliona gjermanë, irlandezë, italianë, ebrej, francez apo vendet aziatike, afrikane dhe më sështumti nga Amerika Latine, sot në pjesën më të madhe janë asimiluar ose janë të shkrirë gradualisht në jetën amerikane, duke ruajtur si relike respektin për kulturën e shteteve nga ato kanë ardhur.

Amerika, është një shtet gjigand multietnik, që me zhvillimin e shpejtë progresiv përfshinë në vorbullën e adaptimit popuj e kultura, duke lënë gjurmë në mijëra muzeume, dokumente dhe arkiva që përbëjnë historinë e kombit të ri amerikan (1492 –2008).

 

 

Kisha katedrale e Shën Gjergjit

vatër e ngrohtë e emigrantëve në Boston

 

 

 Kohët kërkuan përpjekje të ngutshme, për të krijuar një kishë, që t’u drejtohej emigrantëve shqiptarë në gjuhën e tyre, duke siguruar tekstet liturgjike dhe duke ruajtur ndërgjegjeshmërinë e parimeve si në atdhe dhe vetëkëmnguljen e mësuar këtu në Amerikë.

 

Kancelari At Arthur Lionil

 

 

Në Boston jetojnë rreth 600, 000 vetë, në pjesën më të madhe janë të përqëndruar objektet e kultit të ritit roman. Besimtarët katolik, përbëjnë edhe përqindjen më të madhe të shpërndarjes gjeografike, gjë që ka lënë gjurmë në historinë e këtij qyteti të madh. Këtu gjenden pak kisha ortodokse.

Kur i afrohesh kryekishës katedrale të Shën Gjergjit në South të Bostonit, nga pamja e parë e saj të duket se kemi të bëjmë më një objekt që ka strukturë arkitektonike të kishave ortodokse që ndodhen në Shqipëri, ndërsa në brendësi të saj të gjithë ambientet janë tipike të ritit bizantik oriental.

Edhe ndërtesat përreth saj janë të vjetra nga ana e stilit strukturor, që janë ndërtuar ndoshta disa shekuj më parë, që ndërthuren me rrugë të ngushta dhe shumë kthesa. Vetë kryekisha katedrale e Shën Gjergjit ka një moshë 100-vjeçare.

Ajo është e vogël dhe pa parking makinash, sikurse ndërtohen sot objektet e reja të kultit kristian. Vlerat historike dhe ruajtja e origjinalitetit të ambientave të saj, ka bërë që katedralja e Shën Gjergjit (St. George South Boston Massachusetts), të përfshihet më 25 nëntor të vitit 1998 në Rregjistrin e Vendeve Historike Kombëtare.

Sapo i ngjitesh shkallëve në krahë të majtë është hyrja kryesore, ku menjëherë të bie në sy busti i themeluesit të kryekishës së Shën Gjergjit hierarkut Peshkop Theofan Stilian Noli (1882-1965), i derdhur me mjeshtëri në bronz me veshjen e klerikut si peshkop metropolitan.

Ai qysh në ditën e parë filloi të kryej shërbesat fetare meshën, leximet liturgjike, dhe ritet ortodokse, si: pagëzimin, kungimin, krezmimin, rrëfimin, vajimim, kurorë martese, pagëzimin e shtëpive, përcjelljen e të vdekurve në amshim etj., vetëm në gjuhën e ëmbël shqipe.

Kupola e vjetër, është e ndërtuar me material druri dhe e gdhendur me zbukurime me motive fetare të ritit ortodoks. Edhe faqata kryesore ballore dhe ato anësore janë prej material druri të gdhendur nga mjeshtër të ikonografisë bizantine, që kanë lënë gjurmë në kulturën fetare ortodokse edhe në Boston.

Jezu Krishti, ky idhull i besimtareve të krishterë, qëndron madhështor në faqatën ballore të kishës kathedrale të Shën Gjergjit që shoqërohet përrreth nga afreske me motive të pastra fetare. Organoja e vjetër dhe kori i kishës gjenden në krahun e majtë. Një pjesë e besimtarëve mund të ngjiten përmes shkallëve të drunjta e të shtruar me karpet në katin e dytë, ku gjenden disa stola të gjatë për të ndjekur meshën me përvujtëri.

Në të dy krahët hyrëse të kishës, janë të vendosur objektet historike në disa vitrina prej xhami dhe në mure gjenden të varura shumë foto origjinale, që dëshmojnë bindshëm për historinë e hershme të Shtëpisë së Zotit në Boston. Kudo është themeluesi dhe meshtari i parë i kësaj kishe Peshkop Noli, që si një baba i mirë shpirtëror, ka mbledhur rreth kryekishës emigrantët bashkëkombas, që u vendosën aty si kolonë e parë për një jetë më të mirë.

Kjo pamje muzeale të shoqëron edhe në sallat e tjera. Në katin e nëndheshëm, gjendet kuzhina, disa tavolina të stilit të vjetër mbuluar me mushama, të cilat jatë të njëllojta me ato të fototove të vjetra historike të kryekishës kathedrale. Por duhet thenë, se jo të gjithë darkat festive me pjesëmarreje shumë të madhe për kohën janë mbajtur këtu.

Kështu Imzot Fan Noli, është i fiksuar në celuloid me shumë bashkëatdhetarë kryesisht nga Shqipëria e Jugut. E tillë është një foto e vitit 1923, ku Noli gjendet në mes të dhjetra emigrantëve, që jetonin dhe punonin me familjet e tyre në South Boston.

Sërisht aktiv. Ky është Noli, që vijueshmërisht donte të mbante të bashkuar shqiptarët asokohe. Dhe këtë e shpreh edhe me piknike tipike shqiptare, duke ruajtur traditat dhe zakonet e trevave nga vinin emigrantët bashkëkombas. Një rast i tillë, është organizimi i piknikut prej Shoqërisë Katundi e pagëzuar me emrin kuptipmlotë shqiptar “Fatmbarësia”, në 31 korrik 1927.

Në kuzhinë gjenden edhe fotoja, kur me në krye Peshkop Nolin, është bërë përkujtimi i 40-vjetorit të gazetës së Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” e pagëzuar me emrin “Dielli” (1909), që mban datën 14 tetor 1949.

Në vitrinat prej xhami ishin pasqyruar nën kujdesin e At Lionil edhe shumë libra në gjuhën shqipe, shkrime, dokumente, albume, revista, gazeta, të cilat sot ruhen me përkujdesje të veçantë në Bibliotekën dhe Arkivin e Nolit. Aty mund të shikosh të ekspozuar librat arkivor mbi Federatën “Vatra”, për periudhën e vitëve 1876-1976, “Albumi Përkujtimor i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” 1953-1954”, “Federata Pan-Shqiptare “Vatra” Dega Nr.1 1992 në Boston” etj.

Sërisht një foto e rrallë dhe origjinale, gjendet e varur në murin e sallave të Kishës, në të cilën është fiksuar 50-vjetori, në nderim të Imzot F.S. Nolit organizuar nga Federata “Vatra”, mbajtur më 3 shtator të vitit 1956 në ambientet e Hotel “Statler” Boston, Mass.

Një kremtim solem tjetër i rëndësishëm, ka qënë darka e mbajtur për nder të Imzot Nolit, sponsorizuar nga miqtë e tij amerikanë. Një ndër këto sponsorizuese, janë edhe vajzat e Geroge Statler Hotel, në muajin nëntor të vitit 1956 japin një darkë të madhe për nder të nder të Nolit.

Pak me tutje është një foto interesante me disa emigrantë dhe një dëshmi historike e shkruar me sa duket nga vetë Noli, gjendet në ambientet e kuzhinës në pjesën e nëndheshme të kishës. Kështu thuhet në shkrimin e ekspozuar përmes një faqe libri tashmë të zvardhur nga koha, se shqiptari i parë që ka mbërritur në Amerikën e Veriut dhe konkretisht në ShBA, është katundari Kol Christofer-i në vitin 1886.

Për nder të konsakrimit me titullin më të lart si Bishop (Peshkop, që është e barabartë me misionin kryebariut ose Ipeshkëvit, sikurse është traditë në ritin roman latin (katolik), shënimi im K.K.), detyrë të hierarkut të lartë të cilën kleriku shqiptar e mbajti me nder deri sa ndërroi jetë në vitin 1965. 

Miqtë dhe bashkëpunëtorët e Nolit ishin të shumtë, por në Boston kanë mbetur në kujtesën e historisë: Faik Konica, Sotir Peci, Kol Tromara, Nani Theodore, Llambi Misho, Anthony Athanas, Koli Christofori, Kristo Kirka, Kristo Dako, Josif e Vasil Pani, dhe klerikët katolikë që e vizitonin e bisedonin shpesh Nolin, Dom Ndrek Ndrevashaj (Detroit), Mons. Zef Oroshi (New York) etj.

 

 

 

Opinione

 

 

Fortlumturia e Tij At Arthur E. Lionil, meshtar në kryekishën katedrale të Shën Gjergjit në South Boston: “Asnjë prej nesh nuk mund të krahasohet me njeriun që ishte Noli ynë, por marrim shembullin e tij për të ndërtuar një imazh më të mirë për popullin tonë, për të përgatirur një vizion të ri për të ardhmen, ashtu si Noli veproi, me mish e me shpirt, në kohën e tij për të gjetur një rrugë më me vlerë. Ai e kuptoi dhe na mësoi, që në fëmijëri, se mikpritja në shqiptarët është parim themelor i traditës së lashtë. Madje më e rëndësishme është se këtë parim e kemi jo vetëm për miqtë, por edhe për ata me të cilët nuk kemi të njëjtat qëndrime apo mendime, për të gjithë që na trokasin në derë. Edhe kur një kundërshtar na nderon, duhet të përgjigjemi në sjellje tepër të veçantë.”

Presidenti i Shqipërisë z. Bamir Topi: “Përkujtimi i i 100-vjetorit të Liturgjisë së Parë Hyjnore në Gjuhën Shqipe, të Meshës së parë Shqipe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston dhe të Krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është homazhi më i lartë dhe nderi i merituar që i bëhet tingëllimit të njëqindë të Këmbënës Kishës së Imzot Fan Stilian Nolit në South Boston. Muzika këmbanore njëqindvjeçare na bën të gjithëve të rikthejmë kujtesën tonë në ato vite të veshtira të kombit shqiptar, të luftës së tij për pavarësi politike, për pavarësi shpirtërore dhe të përpjekjeve të rilindasve shqiptarë për të ruajtur gjuhën e bukur shqipe…

 

Jim Belushi, aktor i famshëm komedian në Hollywood: “Jam shqiptar! Kam ardhur këtu për ta treguar këtë krenari dhe dëshiroj, që edhe shqiptarët e tjerë ta shfaqin këtë krenari kudo që shkojnë, duke thënë: Unë jam shqiptar! Kur isha në vendlindjen e babait në Shqipëri nga të gjithë anët shikoja si në pasqyrë figurën time. Të gjithë më dukeshin të njëjtë si unë. Babit tim i kishte hyrë frika në trup nga rregjimi i Enver Hoxhës. U nisëm në vendin e të parëve tanë me ftesë të Presidentit z. Sali Berisha, ku na u rezervua një pritje e madhe deri tek shtrimi i tapetit të kuq. Ishte një befasi për mua nga pritja që na u bë… Në fund të takimit z. President e pyeti babain të tregonte përshtypjet, por ai ishte ende i frikësuar nga ato që kishte dëgjuar që ndodhnin në Shqipëri. Ai shtangu. Unë i dhashë zemër, duke i thënë: Fol baba se nuk ka më komunizëm këtu dhe nuk të fut njeri në burg…”

 

Don Ndue Gjergji, famullitar i kishës katolike “Zoja Pajtimtare” në Detroit, Michigan: “100-vjetori i përkujtimit të themelimit dhe thënies së meshës së parë në gjuhën e bukur shqipe në South Boston, është një ngjarje e rëndësishme në mbarë historinë e popullit shqiptar, për kishën ortodokse shqiptare dhe për ne katolikët, sepse jemi vëllezër të një besimi në Krishtin. Vetë Imzot Fan S. Noli me At Shtjefen Gjeçovi OFM, edhe me të tjerë klerikë edhe në Shqipëri kanë punuar për lëvizjet ekumenike. Ata me punën e tyre, kanë synuar të bëjnë bashkimin e kishave motra katolike me atë ortodokse. Prandaj Imzot Noli, me formimin e autoqefalisë, një pavarësi e madhe shpirtërore, mbesi një njeri i madh. Ai është i madh, sepse deshti bashkimin, pra ekumenizmin. Kisha katolike dhe ortodokse janë dy kisha motra. Ai ishte një përsonalitet i madh i kombit shqiptar, diplomat e burrë shteti, letrar e përkthyer i shquar, mendimtar dhe peshkop i ndritur. Ai në këtë mënyrë reflektoi shumë bukur, për afrimin e bashkimin e gjithë shqiptarëve dhe në veçanti për ekumenizmin midis të krishterëve shqiptar në emigracionin. Për mua është një gëzim i madh dhe uroj që ky përvjetor, të sjellë diçka të bukur mes nesh, një këndellje tjetër të jetës fetare, një lidhje më të ngushtë më të mirë mes kishave tona. Në Amerikë kemi disa kisha katolike dhe po këtu ka shumë më tepër kisha ortodokse. Do të ishte mirë, që të bëjnë njohjen e metejme mes njeri tjetrit, duke bashkëpunuar, ashtu sikurse kanë bërë paraardhësit tanë klerikë të ndritur dhe të vlerësojmë traditat e ndryshme të krishterimit tonë. Unë Fan Nolin e kam njohur vetëm përmes shkrime. Paraardhësi im Don Prek Ndrevashaj e ka takuar dhe gjithnjë fliste me admirim për te. Ai e ka njohur personalisht, janë takuar dhe kanë biseduar për një kohë të gjatë për çështje të ndryshme. Kam dëgjuar se edhe Mons. Zef Oroshi e ka njohur Nolin. Don Preka thoshte, se takimet e tija me Nolin kanë qenë aq të mëdhaja, sepse ai ishte një shpirt shumë i madh. Noli ynë, ka ditur të vlerësojë çdo gjë, të zbulojë çështjet shqiptare delikate dhe t’i trajtoi me kulturë e kujdesin e një mjeshtëri të madh. Në atë kohë ekumenzimi nuk ka qenë një çështjet shumë e dikutueshme, por klerikët shqiptarë kanë qenë vizionar për të ardhmen e besimtarëve të krishterë, duke u përpjekur që të shohin ato se çfarë na bashkojnë dhe jo ato gjëra që ne na ndajnë. Noli me shpirtin e pastër të tij ka synuar bashkimin e të krishterëve. Në Koncilin e Dytë të Vatikanit, kisha katolike hapet ndaj krishtërimit dhe sidomos ndaj kishave simotra, për të krijuar ura lidhje dhe bashkëpunimi. Noli, mbetet një ndër figurat më të mëdha e të ndritura të popullit shqiptar, sepse ai në të gjithë lëmit ka shkëlqyer.”

 

Tomë Mrijaj, studiues, Sekretar i Përgjithshëm i “Lidhjes së Prizrenit” në mërgim me qendër në New York: “Për mua është një kënaqësi e madhe që sot gjendem këtu me ftesë të Fortlumturisë së Tij Kancelarit të kryekishës ortodokse të Shën Gjergjit në South Boston At Arthur Lionilit. Kam qenë kryetar për 12 vjet në Queens New York dhe antar i bordit të Federatës Panshqiptare “Vatra” këtu në Boston. Për çdo vit 2-3 herë në vit kam ardhur në Boston për t’u takuar me vatristët e vjetër dhe të rinj. Është kënaqësi për mua që po vijojnë përkujtimet e figurave të shquara të Vatrës dhe punës së madhe që ka bërë Imzot Fan Noli gjatë në kishën e Shën Gjergjit në South Boston. Sot ndoshta është pak më lehtë, por asokohe ka qenë shumë e vështirë për Nolin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, sepse pengesat kanë qenë të ndryshme, por Noli i madh, falë largpamësisë dhe gjakftohtësisë ka ditur t’ia dalë mbarë. Vetë numëri i madh i shqiptarëve në ditët e sotme tregon respektin që ata kanë pasur dhe kanë për Nolin. Këtu sot jemi mbledhur nga të gjithë trojet etnike shqiptare. Para disa ditëve unë kam nxjerrë një libër, me titull: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”. Mons. Oroshi, ka qenë një mik i madh i Imzot Nolit. Imzot Oroshi për 8 muaj ka jetuar në Boston dhe çdo ditë takohej me Nolin, ku diskutonin tema të ndryshme shqiptare dhe ato ekumenike që nga dy klerikët e lartë shqiptarë janë parë si nevojë e domosdoshmëri e bashkimit të kishave katolike e ortodokse. Mjerisht Noli ndërroi jetë dhe nuk u bë i mundur bashkimi i dy kishave. Një diçka më vjen keq: Pse Vatra u largua nga Bostoni!?  

 

klajdkapinova@yahoo.com