E enjte, 28.03.2024, 10:19 PM (GMT)

Mendime

Alfred Papuçiu: Kujtimet për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët këto ditë dhjetori

E enjte, 19.12.2019, 08:31 PM


Kujtimet për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët këto ditë dhjetori

Nga Alfred Papuçiu

Shkas për këtë shkrim në këto ditë para Krishlindjeve, u bë miku im nga Kosova, Samiu. Atëhere, duke mbajtur në krah djalin e tij , Gentin që shihte varur në mur flamurin kombëtar, ai më dhuroi ndër të tjera një kasetë me muzikë të artistes sonë të Popullit, Vaçe Zela. Nuk e di, por në mbrëmje e dëgjoja me vemendje zërin melodioz të Vaçes, ato këngë të viteve 60-70 dhe m’u kujtua koha kur ajo këngëtare me atë zë kumbues e të fuqishëm, i këndonte Atdheut të saj, Myzeqesë ku ka lindur e jetuar, të gjitha trojeve shqiptare. M’u kujtua dhe miku im, ish bashkënxënësi, inxhinjeri Budjoni, të cilin e takova rastësisht në Florida ku është vendosur me familjen e tij. Ai më pyeti atëhere për Vaçen, për shëndetin e saj dhe unë të them të drejtën nuk dija më shumë se ai, megjithëse Vaçe Zela banonte në Zvicër. Ndoshta puna, hallet e përditshme nuk na kanë lejuar të takohemi me të gjithë njerëzit në Zvicër e mbi të gjitha me një artiste të madhe e cila e ka kohën e kufizuar dhe nuk është me shëndet të mirë. Ndoshta një rast do të ishte një ditë feste ku të ftoheshin shkrimtarë, piktorë, studentë, punëtorë të nderuar që për vite të tëra jetojnë në Zvicër. Natyrisht shqiptarët shkojnë tek njeri tjetri dhe bisedojnë për hallet e tyre, e megjithëse larg diskutojnë me dashamirësi edhe për vendin e tyre Shqipërinë, për të afërmit e tyre, për shokët e tyre

Në këto ditë dhjetori më kujtohen edhe miqtë e Shqipërisë, personalitete të fushave të ndryshme, të cilët nga mënyra se si komunikojnë me shqiptarët, qoftë në takime zyrtare, apo sipas ftesave në familjet e tyre, tregojnë interes për Shqipërinë si dhe kanë respekt për të gjithë ata shqiptarë që japin ndihmesën e tyre  në një mënyrë ose një tjetër për vendin e tyre. Edhe tani pas pasojave të tërmetit. Kadri Avdullahi që banon në Gjenevë, më shkruan nga Tirana se solidariteti i bashkëbesëlidhësve po pasqyrohet kudo me ndihmat që po vijnë nga shumë vende të botës. Ledi Ikonomi më dërgon çdo ditë njoftime mbresëlënëse.  Gazetat janë me njoftime për ndihmat që do jape Europa, Amerika dhe vende të tjera dhe për organizimin e konferencës së donatorëve. Gjergji Biba më shkruan për solidaritetin e bashkëbesëlidhësve kudo në botë. Njoftime që të mallëngjejnë. Biznesmeni Behgjet Pacolli dhe shumë të tjerë do të ndërtojnë banesa për të prekurit nga tërmeti.

A mund të mos permend piktorin e talentuar, të ndjerin Bujar Marika,  i cili në çdo ekspozitë pikture që ka organizuar në Zvicër, Gjermani, Francë e gjetiu apo që piktura të tij janë depozituar edhe në muze të SHBA, gjithmonë e permend prejardhjen e tij nga Shqipëria dhe është krenar për këtë. Më kujtohet si sot kur studentë të shumtë që studjojnë në Gjenevë, vunë mbi ballkonin e ndërtesës ku banojnë, si dhe në stadium flamurin shqiptar, ditën kur Shqipëria luajti në Gjenevë me Zvicrën. Nuk mund të ri pa përmendur kujtimet e Tafil Boletinit, këtij atdhetari të përkushtuar, i cili e vuri jetën e vet në shërbim të kombit e atdheut, si demokrat, pa menduar për interesin vetiak, por për njerëzit e thjeshtë edhe gjatë kohës që ishte në Fier. Në këto ditë dhjetori, pas pasojave të tërmetit, të përkushtuarit Hasan Barmeta, Erlind Llupo dhe bashkëshortja e tij, Jorida dhe Roel Zoga dhe shumë të tjerë, kanë filluar punën për të pritur në muajin prill 2020, klientët e parë që do të vijnë të pushojnë në plazhet tona të bukura, të Golemit apo bregdetit tonë  nga Saranda në Velipojë.

A mund të ri pa përmendur në këto çaste,  André Crettenand, i cili tregon më tepër se 500 vite të historisë të Zvicrës, tek libri i tij “Zvicra - zbulimi i një Kombi”. Kam lexuar shumë libra për arritjet e këtij vendi të vogël, gjatë tre dekadave të jetës sime në Zvicër që e kam përshkruar disa herë,  me sipërfaqe afro dyfishi i vendit tonë që Rilindasit tanë e kanë menduar edhe për Shqipërinë tonë, por edhe për Kosovën martire. Por ju them të drejtën se ky libër më ka bërë  të mendoj edhe për Kombin tonë që ka vlera dhe pasuri natyrore shumë më tepër se Zvicra, një bregdet të virgjër, në një pjesë të territorit të saj, dhe njerëz punëtorë dhe paqedashës. Prandaj u nisa për udhë dhe vendosa ta përkthej në shqip, këtë libër të përkryer, të një gazetari të njohur zviceran.

“Helvétia është një mit, shprehet autori . Zvicra është një markë. Por si u krijua si vend, i populluar nga tetë milionë banorë, krenarë, megjithë ndryshimet e tyre, me flamurin e tyre me Kryqin e Bardhë që njihet kudo ? Dhe si arrin ajo të mbetet aq e begatë, duke qëndruar me vetmohim, jashtë Bashkimit Europian që e rrethon ? Që nga brigjet e liqenit Leman deri tek fusha e Grütlit, në lartësitë e Zvicrës qëndrore, deri tek luginat e Valesë, të rëpira deri në kufinjtë italofone të Tessin. Identiteti i Zvicrës kudo është ngritur në virtut. Por kujdes. Kjo lumturi e të qënit zviceran, shpesh e karikaturizuar nga ata që e vëzhgojnë nga jashtë me zili, gjithashtu meriton një diagnozë kërkuese ».

A mund të mos përmend Profesorin e dëgjuar zviceran, anëtarin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Jean-Philippe Assal, i cili në një ceremoni për nder të tij, përmendi të parën Shqipërinë, nga vendet ku ka mbetur i impresionuar dhe janë realizuar projekte në fushën e shëndetësisë, si dhe do të realizohen edhe në të ardhmen. Nuk mund të ri pa permendur edhe të ndjerin, muzikologun Marcel Cellier, pjesëmarrës në Festivalin Folklorik shqiptar, i cili me nagrën e tij ka realizuar emisione aq mallëngjyese për Shqipërinë në „Radio Suisse Romande“, disa muaj me radhë. Apo i madhi, kineasti Freddy Buache, i cili mbeti i impresiounuar nga vizatimi i portretit të tij, prej kineastit shqiptar, Bujar Kapexhiu, gjate ditëve të filmit shqiptar, në Kinematekën zvicerane në Lozanë. Shkrimtarja e dëgjuar zvicerane, Marie-Luce Dayer, me të cilën po përgatis një vëllim tjetër dy gjuhësh me titull “Në krahët e shqiponjës”, pas „Karuzelit të ëndrrave“, botuar në shqip, e njeh Shqipërinë dhe shqiptarët nga shkrimet dhe bisedat me shqiptarët, nga Ismail Kadare, nga respekti që ka krijuar për fëmijët shqiptarë, të cilëve u ka dhënë me dashuri mësim. Cdokush që kalonte vite më parë në rrugën e Elbasanit,  nuk mund të mos ndalte shikimin tek shkrimtarja zvicerane, profesoresha, Francine Koch, autore e librit « Fëmija shqiptar me sy të zinj », një libër mbresëlënës, me përshtypje vetiake gjatë vizitave në Shqipëri që ndërmorri në vitet 1994-97. Atë libër që unë e përktheva në shqip, me shumë dëshirë, ato ditë dhjetori. Më kujtohet një darkë, kur ishim ftuar nga Francine Koch, në një festë të organizuar në Gjenevë për Shqipërinë. I gjithë mjedisi ishte me plot fotografi nga Shqipëria, fëmijë zviceranë dhe shqiptarë, edhe nga Kosova,  të gëzuar kërcenin sëbashku. Kudo kishte flamurë shqiptarë. Një simbol i madh që na krijonte përshtypjen se ishim në Shqipëri, apo Kosovë, në tokën tonë. Nuk mund të harroj humanistin, Musa Zenelaj, I cili ishte i përkushtuar, deri në fund të jetës së tij, për tu a bërë sa më të lehtë jetën pacientëve që vuajnë nga talasemia në Shqipëri. Në sa e sa konferenca ndërkombëtare kemi marrë pjesë me të, organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Talasemisë, TIF, ku ai ngrihte zërin e tij, për të ndihmuar Shqipërinë me ndihmesë teknike për pacientët e shumtë talasemikë. Ai vazhdonte këtë rrugë, pas përpjekjeve të profesorëve Selaudin Bekteshi, Enis Boletini dhe Afërdita Gusho që gjithë jetën e tyre u përpoqën që tua bënin sa më të lehtë jetën, pacientëve shqiptarë.

Krahas këtyre vlerësimeve për personalitetet e huaja, dhe shqiptarë, më kujtohen mbresat e atyre ditëve të dhjetorit, kur ish-profesori im i letërsisë, fisniku Nonda Bulka na ftoi të zhvillonim mësimin në kodrat e Liqenit të Tiranës. Një çast i paharruar atë ditë të bukur që besoj se u kujtohet të gjithë shokëve dhe shoqeve të mija të Universitetit. Më kujtohet dhe profesori i paharruar, Vedat Kokona i cili ditëve të dhjetorit,  ngjitej me ne në këmbë në malin e Dajtit, megjithë moshën e tij atëhere, mbi 60 vjeçare. Ai na spjegonte me dashuri e erudicion letërsinë frënge dhe fliste me admirim për korifenjtë e asaj letërsie, veprat e të cilëve i përktheu gjatë gjithë jetës së tij. A mund të ri pa përmendur të paharruarin, Reis Malile, tepër njerëzor, që një ditë dhjetori nuk harronte të na dërgonte, megjithëse ishim larg Atdheut, përshëndetje dhe urime për Vitin e Ri që do të vinte. Më kujtohen ato ditë dhjetori të vitit 1959, kur im atë i paharruar, Tuni Papuçiu, duke pasur mbështetjen e shkrimtarit Bedri Dedja, dhe shumë shkrimtarëve dhe piktorëve të tjerë, përfshirë dhe piktorin e shquar Agim Faja, punonte deri natën vonë, me devotshmëri, mbi bocat e revistës „Fatosi“ për ta nxjerrë numrin e saj. A mund të ri pa permendur akademikun Bedri Dedja, i njohur botërisht në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, i cili megjithë moshën e tij mbi 70 vjeçare nuk rreshte pa shkruar edhe nga Nëshateli i Zvicrës, ku vinte herë pas here, për vocërakët e Shqipërisë kudo që ishin, që ta mbajnë gjallë gjuhën amtare dhe dashurinë për vendin e tyre. Romani i tij i ri që titullohet „Sikuriada, ose Kalamajtë e pallatit tim-3“, i redaktuar në mënyrë të përkryer nga bashkëshortja e tij Pandora Dedja, i drejtohej , siç thoshte vetë autori „popullit të kalamajve, jo vetëm me ngjarje të vërteta e përralla, por edhe me një program se si ata do ta shndërrojnë e përparojnë atdheun e tyre të dashur, kur të rriten e të bëhen gra e burra, deputetë, ministra e kryeministra, presidentë, prefektë, kryetarë bashkie, drejtorë, inxhinjerë e artistë. “Përrallat e Zvicrës” që unë I përktheva profesorit të nderuar në frëngjisht, lexohen nga vocërakët shqiptarë, zviceranë dhe gjetiu. A ka krenari më të madhe që të jesh shqiptar kur lexon shkrimet e shkruara me dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët nga Bajroni, Robert d’Angely e qindra të tjerë. Ne jemi krenarë që i përkasim një populli që gjuha e tij është një nga  gjuhët origjinale indo-europiane më të vjetra dhe që ka mbetur e paprekur megjithë invazionet e shumta të huaja. Një gjuhë që vazhdojnë ta flasin e mësojnë fëmijët shqiptarë në Zvicër, Amerikë, Gjermani, Kanada etj.,  e mijra të tjerë, falë edhe kujdesit të autoriteteve të këtyre vendeve. Këto ditë dhjetori na bëhet zemra mal kur kujtojmë solidaritetin e përkryer pas rënies së tërmetit në Shqipëri, të një populli që ka pasur nënë Terezën si bashkëatdhetare. Të respektosh dhe të duash vendin tënd, të punosh me devotshmëri për të kudo që je, është një shenjë dinjiteti dhe emancipimi.Të tillë janë miqtë, shokët, të afërmit e mij kudo që janë, në Zvicër, Sunio, Toronto, Nju Xhersi, Nju Jork, Florida, Las Vegas, Berlin, Bordo, Londër, Stamboll, Stokolm, Romë, Shqipëri, etj., etj. Prandaj, në këto çaste, duhen flakur tej fryma e klaneve, e futjes së pykave midis bashkëatdhetarëve kudo që janë, e shpërndarjes së fletushkave apo e letrave anonime kundër bashkëkombasve, nga ana e njerëzve dështakë dhe arrivistë që vegjetojnë akoma edhe pak edhe nëpër rrugët e Europës apo botës. Në fakt ata nuk i shërbejnë kombit, por prishjes së frymës së kohezionit, të dashurisë për njeri tjetrin, ata i shërbejnë kthimit të një kohe që ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Do të ishte me mend që ata të kujtojnë se jetojnë në vende si Zvicra apo edhe gjetiu, ku bashkëjetojnë me zviceranët  apo popujt e këtyre vendeve, shumë përfaqësues nga popuj dhe shtete të ndryshëm të botës, të cilët identitetin e tyre kombëtar e ruajnë me ligje. A nuk duhet të marrim shembull nga shumë popuj të vendeve të tjerë që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për të punuar dhe jetuar edhe në një shtet tjetër, qoftë edhe për disa vite, dhe që e duan njeri tjetrin, bashkëatdhetarin e tyre, e ndihmojnë njeri tjetrin dhe me sa kanë mundësi japin ndihmesën e tyre me investime për shtetin e tyre amë. Por kjo do të arrihet nëse krijohet një frymë solidariteti apo mbështetje nga të gjithë ata që e ndjejnë se edhe diaspora shqiptare kudo që është, të afrohet dhe të bëhet e ndërgjegjëshme për fatet e një kombi të lashtë dhe që nuk mund të zhduket kurrë megjithë anatemat apo pykat e ndonjë keqdashësi të kohëve moderne. Fatet e Shqipërisë dhe të Kosovës, mund të mbrohen nga të gjithë shqiptarët kudo që janë pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare apo politike, si dhe miqtë e tyre të shumtë në botë. Ky meditim personal përçohet i tëri nga mbresat e mija të sinqerta jetësore, nga dashuria dhe malli për atdheun, nga synimi për të sjellë si një shqiptar i thjeshtë një mesazh human.

Gjenevë, më 15 dhjetor 2019



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora