Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: "Lidhja" rrënuese e LDK-së rugoviane!

| E diele, 15.12.2019, 10:49 AM |


"Lidhja" rrënuese e LDK-së rugoviane!

Shkruan Florim Zeqa

LDK-ja në prag të 30 vjetorit të themelimit të saj ndodhet para momentumit më të rëndësishëm historik, ku duhet të përcaktohet çartë për formimin e institucioneve të reja të shtetit dhe ndarjen e pushtetit me Vetëvendosjen ose të qëndroj në opozitë si parti politike e qendrës së djathtë, që synon zhvillimin e vendit në staza të gjata sipas linjave programore dhe në përputhje me profilizimin e saj politik.

Deri para ardhjes puçiste të Isa Mustafës në krye të LDK-së, ishte nder dhe kënaqësi të ishe pjesë e kësaj partie politike. Me ardhjen e Isa Mustafës në krye, LDK-ja rugoviane nga një shtëpi e madhe, e besës dhe shpresës së shqiptarëve të Kosovës u kthye në thyerse të shpresave të qytetarëve, në të cilën u instaluan format më përfide të shantazhit politik dhe kërcënimeve ndaj atyre që merrnin guximin të shpreheshin ndryshe, e në veçanti ndaj analistëve dhe gazetarëve të padëgjueshëm ndaj Isa Mustafës dhe klanit Riinvest.

"Lidhja" produkt i klanit mafioz Riinvest

Sot, pas afro një dekade të ardhjes së Isa Mustafës në krye të LDK-së, përveqse ka ndryshuar rrënjësisht struktura drejtuese e partisë, ka ndryshuar edhe aspekti vizual i saj.

Në kryesinë e LDK-së jo vetëm që më nuk ka themeltar dhe bashkëpunëtor besnik të liderit historik Ibrahim Rugova, kësaj partie ju hoqen edhe dy nga tri germat emblematike, duke e shëmtuar (transformuar) LDK-në në "Lidhja" e klanit Riinvest të Isa Mustafës.

Tani me "Lidhja" identifikohen të gjithë klanorët e Isa Mustafës, servilët dhe puthadorët, urithët dhe sekserët e nëntokës, por jo edhe elektorati besnik i LDK-së rugoviane.

Kapja dhe uzurpimi i LDK-së nga klani Riinvest dhe grupet e interesit filloj në Kuvendin e VII-të, me zgjedhjen puçiste të Isa Mustafës në krye të LDK-së.

Vetëm një ditë para kuvendit të VII-të zgjedhor të LDK-së në vitin 2010, monstrumi politik i shekullit, për t'ia arritur qëllimit politik, organizoi protesta në Prishtinë kundër zgjedhjes së Dr. Fatmir Sejdiut kryetar i LDK-së.

Në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të 31 Majit 2015, diktatori Isa Mustafa e vuri nën kontroll të plotë e gjithë strukturën partiake të LDK-së, duke i lënë jashtë dyerëve të kuvendit zgjedhor shumë themeltarë të LDK-së si dhe dy degët më të organizuara të LDK-së në Diasporë (Gjermani dhe Zvicër).

Pas këtij kuvendi, subjektit i ndërruan edhe emrin nga LDK në "Lidhja" e klanit Riinvest, ku pas ndryshimit të emrit, kjo parti nuk e mbanë më as targën e "surrogatit" të LDK-së rugoviane.

Kuvendi i IX-të Zgjedhor i LDK-së i mbajtur më 3 Gusht 2019, nuk doli të jetë më shumë dhe as më pak sesa përseritje e kuvendit të VIII-të dhe vazdhimësi  e zgjedhjeve nëpër degë.

Me mënyrën antidemokratike të zgjedhjes së Isa Mustafës, gjegjësisht të shmangies së votimit të fshehtë, aklamacionistët dhe puçistët në LDK forcuan  dhe betonizuan vazhdimësinë e uzurpimit dhe kapjes së LDK-së.

Ndëshkimi meritorë i LDK-së dhe PDK-së

Për aq sa ishte meritorë ndëshkimi i PAN-it, ishte meritorë edhe ndëshkimi i LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, por që ky ndëshkim do duhej të ishte akoma më i thellë dhe më i ashpër për puçistët dhe karrieristët, mashtruesit dhe uzurpatorët e shtetit.

Për hirë të së vërtetës, sikurse PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja e kanë të merituar ndëshkimin nga elektorati kosovarë për shkak të bashkëqeverisjes së gjatë në pushtetin qendror. Pra të dy partitë, PDK e LDK, për aq sa janë meritorë për ndërtimin e institucioneve shtetërore pas 17 shkurtit 2008-të, po aq janë "meritorë" edhe për instalimin e nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Binomi PDK-LDK, përkatësisht binomi Thaçi-Mustafa paraqet binomin më fatkeq dhe binjakëzimin kriminal SHIK-RIINVEST që gjunjëzoi shtetin dhe keqëpërdori paratë e qytetarëve (mërgimtarëve) të Kosovës.

LDK duhet ta ndihmojë e jo kushtëzojë Albin Kurtin

Sikurse mbajtja e premtimeve elektorale që është borxh ndaj votuesve, edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është obligim dhe çështje ekzistenciale e jo lojë pushtetore e liderëve partiak.

LDK në bisedimet me LVV-në duhet të kërkoj atë që i takon në përputhje me rezultatin zgjedhor, që i bie, ndarjen në mënyrë proporcionale të posteve ministrore dhe asgjë më pak dhe as më shumë.

Mënyra se si lideri i LDK-së, Isa Mustafa po pretendon të kushtëzojë marrëveshjen e koalicionit me LVV-në, duke e siguruar për vetën e tij mandatin e presidentit të vendit, përveqse precedan politik dhe egoizëm i pastër njerëzor, shpërfaq ambiciet e pashërueshme pushtetore të një monstrumi politik.

Pazarin e pistë politik për postin e presidentit e instaloj pikërisht klani puçist i klanit i Riinvest-it brenda LDK-së për ta bërë Hashim Thaçi president si kundërshpërblim për postin e kryeministrit të Isa Mustafës.

Prandaj, përseritja e një skenari të tillë edhe tani e dëmton rëndë të ardhmen e vendit tonë së paku edhe për një dekadë.

Heshtja e kandidates për kryeministre dhe personit më të votuar në LDK, zonjes Vjosa Osmani përballë realitetit të krijuar, përkatësisht skenarit bllokues të marrëveshjes për koalicion qeverisës me LVV-në, mund t'i kushtojë asaj me humbje të imazhit dhe kredibilitetit të arritur në zgjedhjet e 6 tetorit.

Isa Mustafa ia bëri lojën më djallëzore Vjosa Osmanit, duke e nxjerr atë në treg për t'i marr votat e elektoratit të LDK-së, ndërsa pazaret e "mbrëmjes" për postin e presidentit i bën vet, duke e lënë Vjosën dhe gardën e re të LDK-së jashtë vendimarrjes për marrëveshjen e koalicionit qeverisës me LVV-në.

Kjo lojë e dyfisht e liderit të LDK-së është bërë temë e të gjitha mediumeve televizive, medieve të shkruara dhe atyre elektronike në mbarë trojet shqiptare dhe diasporë.

Për më tepër se kaq, përmes klanorëve të tij, Isa Mustafa e ka lansuar propagandën përçarëse në opinionin publik kinse LVV-ja po e planifikon zgjedhjen e Rexhep Qosjes për president të Kosovës.

Sikur LVV-ja ta pranoj ofertën e LDK-së që Isa Mustafa të zgjidhet president me marrëveshje politike në vitin 2021, ajo do të bëhej e mirë për klanorët e Isa Mustafës, në të kundërtën "Lidhja" vazhdon ta trajtojë LVV-në si parti e ekstremit të majtë dhe pjellë e PDK-së!

Kjo është logjika e shantazhuese klanit Riinvest, e njërit prej klaneve më të rrezikshme në Kosovën e pas luftës, që thyen shpresat e qytetarëve, dëmtuan imazhin e shtetit të Kosovës dhe rrënuan në themel LDK-në e Ibrahim Rugovës.

Llogaritë e gabuara të LDK-së, e ndihmuan ngritjen e LVV-së

LDK-ja terrenin e humbur politik nga Vetëvendosja nuk mund ta ri-kthejë asnjëherë përmes shantazheve dhe kushtëzimeve, por vetëm përmes ndryshimeve substanciale dhe reformës së thellë partiake.

Nga këtu shihet se LDK-ja nuk i ka bërë mirë dhe me kohë parallogaritjet dhe as përgatitjet e duhura për zgjedhjet e 6 tetorit. LDK-ja, jo vetëm që nuk i bëri përgatitjet e duhura paraprake për proces zgjedhor, po na vë në lajthitje të gjithëve me veprimet e saj në fazën finale të marrëveshjes për koalicionin qeverisës me LVV-në.

Si na qenka e mundur që vetëm tani kur permendet emri i ideologut dhe mentorit të Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit, Rexhep Qosjes si president konsensual, LDK-ja ta kuptoj se edhe LVV-ja është siq e thonë ata pjellë e LPK-së!?

Si ka mundësi që vetëm tani LDK-ja ta kuptojë se në LVV është edhe Rexhep Selimi, ish Ministër i Punëve të Brendshme në "Qeverinë e Përkohshme" të Hashim Thaçit, që pret të rikthehet në të njëjtën ministri nga Albin Kuurti!?

Prandaj, LDK-ja është dashur të mendoj me kohë për të gjitha, pra edhe për këtë përballje pas zgjedhore (edhe sikur të dilte parti e parë), e jo tani kur mundësitë i ka të limituara.

Prolongimi i qëllimshëm i reformës zgjedhore

Dështimi i reformës zgjedhore i filluar 10 vite më parë, është produkt i  neglizhencës së drejtuesve aktual të LDK-së ("Lidhja"), të joshur pas posteve pushtetore që e lanë në harresë të plotë iniciativën për krijimin e infrastruktures ligjore për zgjedhjen e presidenit drejtëpërdrejt nga populli, ide kjo e kahmotshme e presidentit Rugova.

Sikur të arrihej reforma e shumë pritur zgjedhore për zgjedhjen e presidentit nga populli, as Isa Mustafa dhe as Rexhep Qosja nuk do ta kishin guximin që të përballeshin me vullnetin e popullit, për shkak se që të dy e kanë një histori të përbashkët në sistemin sllavo-komunist dhe atë ndarjes dhe përçarjes së shqiptarëve në të njëjtat periudha historike.

Sikur në zgjedhjet e brendshme partiake në LDK të respektohej vullneti i  elektoratit për ndryshime në kreun e partisë, LDK-ja do të triufonte bindshëm  partia e parë në vend në zgjedhjet e 6 tetorit, për çka sot as që do të debatohej për temat në fjalë.

Prandaj, vetëm dhe vetëm një proces i lirë dhe demokratik i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në LDK, i cili do ta nxjerr një udhëheqje të pastër dhe kredibile çfarë e meriton LDK-ja rugoviane, do të krijon edhe premisat e një ndryshimi të madh në vend, ku LDK-ja përveq kthimit të besimit në elektoratin e saj tradicional, do të bëhej tërheqëse për të gjithë qytetarët e vendit.

Pa çkapjen e LDK-së nga klani mafioz i Riinvest-it nuk mund të ketë as reformë zgjedhore dhe as çkapje të shtetit. Pa çkapjen e LDK-së nga strukturat e SHIK-ut dhe urithët e nëntokës kriminale nuk do të zbardhen asnjëherë vrasjet kriminale të aktivistëve dhe veprimtarëve të saj, dhe pa largimin e humbësve serik të pesë palë zgjedhjeve dhe zhbërjen e "Lidhja"-s së klanit Riinvest, LDK-ja do të mbetët vetëm patericë e partive tjera dhe do të numërojë vetëm humbje pa asnjë fitore në zgjedhjet nacionale.

Sllogani i ditëve të fundit i lansuar në rrjetet sociale nga veglat e liderit diktatorial; "Isë, Isë, president i Dardanisë", është mesazhi më i keq për shtetin e Kosovës dhe alarmi më kërcënues për të ardhmen e LDK-së rugoviane.