Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Dahri: 752 vjet më parë dhe e nesërmja

| E shtune, 14.12.2019, 08:40 AM |


KORRIK 1267 - 26 NËNTOR 2019

752 VJET MË PARË DHE E NESËRMJA

Nga Fahri Dahri

Në librat që janë shkruar, botuar e që shkruhen, ku edhe unë kam shkruar e botuar, në  kënd vështrimin tim, arrihet të tregohen, nxirren jashtë vetes për të mos i marrë me vete, vuajtjet, dhimbjet, amanetet, ashtu dhe sukseset, arritjet pozitive të breznive para nesh dhe ato të brezit tonë, për t’ia dhënë ato kohërave që do vijnë.

? Nga lartësia e viteve që kam arritur, mendimet e drejtëpërdrejta, tregojnë se e shkuara është evidente (e dukshme) në mënyra dhe forma të ndryshme. Atë e gjejmë në nëntokë nëpërmjet kërkimeve gjeollogjike, arkeologjike, ndërtimet e ndryshme nëntokësore si ndërtime rrugësh, ndërtesash, rezervuarë; ajo na del nga ndonjëherë edhe si efekt i lëkundjeve sizmike, rrëshqitje dherash, përmbytje etj. të kësaj natyre.

Të shkuarën e gjejmë tek artet e ndryshme, si në modernet dhe në ato primitivet nëpër shpella, guva, objekte kulti, skulptura, etj. Gjithashtu të shkuarën e lexojmë tek të shkruarit, të cilat gjendet në raftet e bibliotekave shtetërore, private dhe personale. Tërësia e të gjitha veprave të shkruara (artistike) dhe të veprave nga krijimtaria gojore, të shkruara ndër kohëra i trashëgojmë nga letërsia. Letërsia është art i fjalës së shkruar, e cila është krijuar nga njerëzit e shkolluar. Krahas letërsisë së shkruar kemi edhe letërsinë gojore, e cila është krijuar nga këngëtarët popullorë, anonimë. Tek këngëtari popullor është pasqyruar jeta e vërtetë, problemet të cilat kanë shoqëruar ndër shekuj vetë njerëzimin.

Nuk është vetëm letërsia që përfaqëson të gjitha veprat, ato u takojnë edhe fushave të tjera të dijeve si historisë, filozofisë, sociologjisë etj. Emërtimi “letërsi artistike” shënon dallimin midis veprave shkencore dhe veprave letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës. Dallohen disa gjini letrare: lirike, epike, dramatike-drama, epiko-lierike. Ashtu si letërsia e shkruar edhe llojet e lertërsisë gojore përfshihen në këto gjini: epike, lirike, dramatike dhe rrëfimet. Në gjininë epike hyjnë veprat ku autori rrëfen ngjarje (vetë ose me personazhe) dhe shkruhen në vargje që e marrin temën nga ngjarje historike etj. si në prozë, romane, novela, tregime. Në gjininë epike dallohen dhe llojet epiko-lirike, ku autori përveç rrëfimit të ngjarjeve, shpreh edhe ndjenjat e mendimet e tij, si në: poemat, balladat, fabulat. Në gjininë lirike hyjnë ato krijime, në të cilat autori nuk rrëfen ngjarjet, por shpreh ndjenjat dhe mendimet e tij. Në gjininë dramatike përfshihen ato vepra, të cilat shkruhen me qëllim që të vihen në skenë dhe të interpretojnë aktorët.

Llojet e shkrimeve letrare, zënë vendin e tyre dhe, direkt apo indirekt, me mjeshtëritë artistike sjellin, mbartin ndodhitë e kohërave të shkuara. Veçanti në llojet e veprave letrare, në këndvështrimin tim, vend tepër të rëndësishëm, më të sigurtë, më të drejtpërdrejtë dhe pasqyrim më të vërtetë, real, janë shkrimet dhe botimet historike. Këto të fundit, ndryshe nga veprat e artit që përqëndrohen, lexohen dhe studiohen në grupe, apo rangje të caktuara njerëzish; kanë një shtrirje më të gjërë, janë më të kërkuara, më të pranishme tek mbarënjerëzimi. Është pikërisht kjo veçori, që shkrimet dhe botimet me temat historike, kanë gjetur shtim interesash me shtrirje të madhe në të gjitha shtresat shoqërore. Gjykoj se shkrimi i historisë sjell në çdo kohë realitetet e së shkurës, ajo është e vërteta e prekshme, e cila ka përparësitë e saj.

? U ndalëm pak në trajtimin e veprave letrare, për të theksuar se krahas tyre, në gjykimin tim, vend të veçantë dhe parësor, mbajnë shkrimet dhe botimet që përshkruajnë ngjarjet historike. Duke qenë se Historia është shkencë shoqërore e cila studion të kaluarën e shoqërisë njerëzore gjatë evolimit mijëra vjeçarë të njerëzimit dhe që bazohet në të mbledhurat e dokumenteve dhe materialeve të shumta të grumbulluara nga arkeologët, antropologët, vendosa, që kohën e jetës në pension, t’ja kushtoj studimeve, kryesisht lidhur me prejardhjen, ngjarjet dhe rrugëtimin mbi 4 mijë vjeçar të fisit “thesprot-çam” të etnisë shqiptare të Rajonit të Thesproti/Çamërisë, të banuar në kufij fort mirë të përcaktuar që nga lashtësia e deri ditët e sotme.

Zgjodha për të shkruar dhe botuar në të 12 librat, pikërisht në fushën e veprave shkencore, mbasi kjo bën dallimin mes letërsisë artistike. Pra, zgjodha vetë realen dhe jo nëpërmjet personazheve, kjo sepse në radhë të parë e mbi të gjitha ajo trevë dhe banorët saj ishin lënë në harresë, të nëpërkëmbur, të përbuzur me strategji armiqësore, fort mirë të ndërtuar që, fisi “thesprot/çam” të shuhej. Jam i vetëdijshëm se objektivin e caktuar e kam arritur, kjo edhe se shkrimet dhe librat e botuara janë mirëpritur dhe vlerësuar nga mjaft intelektualë me zë!

Askush nuk e mohon të ardhmen, por në të vërtetë e ardhmja nuk dihet, as njihet, vetëm paraimagjinohet, imagjinohet. Ajo nuk ka siguri të njëjtë për çdo individ nëse vërtet do të vijë, do të preket, apo do të bëhet e “sotme”. E sigurtë për njerëzimin është e shkuara dhe e sotmja. E nesërmja nuk është tjetër veçse e sotmja ose e shkuara, të ardhmen e gjejmë vetëm në dëshirën e shpresës. E nesërmja apo e ardhmja bëhen të vërteta dhe ekzistente vetëm kur vjen e sotmja dhe kjo, mbas 24 orësh bëhet e djeshme dhe e shkuar. E sotmja dhe e shkuara janë koncepte vetëm të shoqërisë njerëzore dhe që e gjejnë të vërtetën, apo realizohen këtu, në Tokë.
        Toka, ashtu si trupi ynë rënkon, dhe rënkimet rrahin fort, si flevët (damarët) e gjakut në trupin tonë. Kjo ka qenë dhe është e vërteta. Në këtë realitet detyrimisht kërkohet që njerëzimi të respektojë ligjet e natryrës, t’u përshtatemi sa të jetë e mundur, të kujdesemi për Tokën, siç kërkohet të kujdesemi për trupin tonë, sepse është vetëm dhe vetëm në interesin tonë. Çdo abuzim, apo tejkalim nga normaliteti, si ndaj trupit tonë dhe Tokës, na kthehet, ose në siguri, ose në pasiguri të së nesërmes, nëse arrihet!. Askush të mos mashtrohet, por gjithkush të jetë i sigurtë që trupat tanë, gjithë shoqëria njerëzore dhe gjithçka që na rrethon është produkt, pjesë e pandarë e Tokës dhe siç dihet Toka është pjesë e Universit.

? Katastrofat, ndodhitë e rënda natyrore ndaj njerëzimit, njihen nëpërmjet shkrimeve dhe botimeve historike, të cilat nuk duhen marre e parë si kuriozitete, por duhet të shërbejnë për të siguruar mbrojtje sa më të mundshme prej tyre. Tërmeti i vitit 1267 në Durrës, dihej si nga historia, por dhe nga pasojat e lëna, të dukshme e të prekshme edhe në ditët tona. Një katastrofë afro tetëqind vjeçare, absolutisht nuk mund të anashkalohej, por detyrimisht e pranishme, duke filluar nga projekti strukturor, arkitektura, instalimet inxhinerike, studimet gjeologjike, sizmike, etj. Çdo shtet është i ndërtuar me struktura institucionale. Siguria, fuqishmëria për zhvillimin, prosperitetin e vendit dhe popullit të tij, varen plotësisht tek ndërtimi dhe funksioni i strukturave institucionale, ashtu edhe tek ndërtimet e të gjitha llojeve siguria, jetëgjatësia dhe qendrueshmëria ndaj fenomeneve natyrore varen nga saktësia e strukturave solide (të forta), të cilat gjatë ndërtimit mbajnë në konsideratë detyrimisht zbatimin e projekteve përkatëse.

? Sado të fuqishëm të jemi fizikisht, diturakë, të pushtetshëm apo të pasur, përpara Tokës, Universit, jemi të papërfillshëm. Shumë, shumë mundet të bësh emër në histori, por kjo mbetet e izoluar vetëm dhe vetem tek një rreth i caktuar shoqëror; ndërsa ndaj Natyrës, jemi të panjohur, të papërfillur. Një asgjë që nuk ekziston, veçse jemi pjesë e një lloj energjie mes shumë energjish që qarkullojnë në Univers. A nuk u shpall Çezari mbret, perandor i përjetshëm? Historia na tregon se po. Ashtu u shpall, por ligjet e natyrës vazhduan të sillen ndaj tij, si për gjithë të tjerët!.
        Të jemi vigjilent, të ruhemi, të kujdesemi dhe të respektojmë ligjet e natyrës. Të përpiqemi të sigurojmë kushte për bashkjetesë dhe të mundohemi ti përshtatemi fenomeneve natyrore duke respektuar gjithçka na rrethon,  te mos neglizhohet ndaj pritshmerive natyrore. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se jemi të përfshirë në nji nga llojet e energjive, sepse ajo është pjesë e natyrës. Jo të gjitha energjitë i dallojmë, i njohim apo i kuptojmë. Shpesh themi: "Sa të vegjël jemi para natyrës", kur në të vërtetë nuk jemi tjetër veçse një nga shumë llojshmëritë e energjive të saj.
        ? Ndaj të ndjekim urtësitë e shkuara: "Të punojmë sikur nuk do vdesim kurrë dhe të duam, respektojmë e të tolerojmë sikur do të vdesim sot"!.         
        Tiranë, më 30 Nëntor 2019.-