E premte, 29.03.2024, 01:00 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Albert Camus - Shkrimtari i absurdit dhe i revoltës

E enjte, 12.12.2019, 08:36 PM


ALBER KAMY – SHKRIMTAR I ABSURDIT DHE I REVOLTËS

Sizifin duhet ta përfytyrojmë të lumtur. (Kamy)

Ekziston e vërteta jote, por edhe e vërteta ime. (Kamy)

Nga Xhelal Zejneli

Alber Kamy (Albert Camus) ka lindur në Mondovi të Algjerisë më 7 nëntor 1913. Vdiq në aksident rrugor në Villeblevin, afër Parisit, më 4 janar 1960. Është romancier, eseist, dramaturg dhe filozof francez. Rrjedh nga një familje e varfër punëtorësh. Babai i tij ishte francez, ndërsa nëna spanjolle. U shkollua në Algjeri. Ishte agjent tregtar, meteorolog, nëpunës në një agjenci anijesh si dhe nëpunës në prefekturë. Qysh si nxënës gjimnazi, sensibiliteti i tij përshkohej nga tre pasione të mëdha: nga letërsia, nga teatri (ishte dramaturg, regjisor dhe aktor), si dhe nga sporti, e sidomos futbolli. Gjatë gjithë jetës së tij, më së miri ndjehej në shoqërinë e aktorëve dhe të sportistëve. Teatri për të ishte një shkollë e pazëvendësueshme e moralit ekipor apo kolektiv dhe kundërpeshë e vetmisë gjatë të shkruarit. Kamy i takon filozofisë së ekzistencializmit.

*  *  *

Ekzistencializmi (fr. Existentialisme është drejtim dhe doktrinë filozofike që ka pasur jehonë të madhe në letërsi dhe në art. Filozofi francez Emanuel Munie (Emmanuel Mounier, 1905-1950) i cili është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të personalizmit francez, thotë se rrënjët e ekzistencializmit shkojnë thellë në të kaluarën, në antikë. Munie dhe Zhan Val, thonë se ekzistencialistë të pavetëdijshëm kanë qenë Sokrati dhe Platoni, pastaj stoikët, Shën Augustini, Shën Bernari, Paskali dhe Men de Biran. Ekzistencializmi modern fillon me filozofin danez Seren Kjerkegor (Sören Kierkegaard, 1813-1855). Pas tij pasojnë filozofët gjermanë Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976) dhe Karl Jaspers (Karl Jaspers, 1883-1969). Në kuptim të plotë të fjalës, ekzistencialistë të vërtetë janë shkrimtarët, përkatësisht filozofët francezë Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, 1905-1980), Merlo-Ponti (Maurice Merleau-Ponty, 1908-1961), Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960) dhe bashkëjetuesja, përkatësisht ithtarja e filozofisë së Sartrit - Simon de Bovuar (Simone de Beavoir, 1908-1986). Ekzistencializmi niset nga këto pyetje: a i prin ekzistenca esencës, d.m.th. a i prin qenia thelbit apo anasjelltas?

*  *  *

Pikëpamjet e veta filozofike Kamy i paraqiti në veprat “Miti i Sizifit” (Le Mythe de Sisyphe, 1942) dhe “Njeriu i revoltuar” (L’Homme révolté, 1951). Tezat e përgjithshme të tij realizohen dhe eksplikohen edhe në një varg romanesh, në radhë të parë tek “I huaji” (L’Étranger, 1942) dhe te “Murtaja” (La Peste, 1947) si dhe në esenë Vera” (L’Été, 1954).

Filozofia e Kamysë, krejt asaj që e quan “absurde”, ia kundërvë përvojën e revoltës, si i vetmi kuptim i absurdit. Sipas tij, “historinë e çojnë përpara pikërisht ata të cilët në çastin e duhur, dinë të protestojnë kundër saj”. Kjo nënkupton “tensionin e pandërprerë dhe qetësinë e tkurrur për të cilën flet poeti”. Mirëpo, jeta e vërtetë ndodhet pikërisht te thelbi i ndarjes së njeriut më dysh. Revolta vazhdimisht përplaset me të keqen, ndërsa arti dhe revolta do të vdesin vetëm kur të vdes njeriu i fundit. Madje, thelbi i artit qëndron në revoltë, për arsye se arti gjithmonë është protestë ndaj realitetit, flakërim ndaj ekzistencës. Përballë të menduarit, vepra artistike, në sferën e shqisave ruan absurden.

Detyrë kryesore e artit është të pasqyrojë absurditetin, për arsye se sikur ky absurditet të mos kishte qenë ekzistenciale dhe e papërsëritshme, përkatësisht e painterpretueshme, dhe sikur bota të ishte e qartë, as që do të kishte art.

Mirëpo, liria e artit, sipas Kamysë nuk vlen shumë po qe se nuk ka qëllim tjetër përveçse t’i sigurojë liri krijuesit artistik. E po qe se liria paraqet rrezik, atëherë është më se e qartë se ajo nuk do të  turpërohet.

Kamy me rreptësi e mohon teorinë e realizmit socialist, për arsye se ky art sa më tepër që është socialist, aq më pak është realist. Kjo estetikë që ka dashur të rrënjoset në realitet, është bërë idealizëm i ri, skemë e re, po aq e pafrytshme sa ka qenë edhe idealizmi borgjez. Dy estetikat – njëra që rekomandon refuzimin e plotë të së tashmes dhe tjetra që synon refuzimin e krejt asaj që nuk është e tashme, në fund bashkohen larg realitetit, në të njëjtën gënjeshtër dhe në eliminimin e artit. Akademizmi i së djathtës përbuz mjerimin, gjë të cilën akademizmi i së majtës e shfrytëzon, por në të dy rastet mjerimi sa vjen e shtohet, ndërsa arti gjithnjë më tepër pakësohet. Por, pa kulturë dhe pa liri relative me të cilën ka të bëjë arti, edhe një shoqëri e përsosur nuk është gjë tjetër veçse një xhungël. Kështu që, çdo krijim autentik si revoltë, është dhuratë për ardhmërinë.

Përballë spontanitetit të kësaj revolte, sipas Kamysë, revolucionet shoqërore konkrete nuk sjellin kurrfarë ndryshimesh të njëmendta dhe nuk ofrojnë perspektiva. Revolucioni Borgjez Francez, i vitit 1789, e solli në pushtet Napoleonin III. Revolucioni i Madh Socialist i Tetorit, i vitit 1917, e solli diktatorin Stalin. Revolucionarët italianë e sollën Musolinin, ndërsa Republika e Vajmarit – Adolf Hitlerin.

Pra, në këtë botë absurde, në të cilën njeriu është i huaj dhe i cili nuk e njeh as veten, padrejtësi dhe vuajtja do të ketë gjithmonë. Me fjalë të tjera, revolucioni mbështetet në ide dhe dëshiron t’i japë formë botës dhe ta ndryshojë atë sipas konceptit teorik të vet. Prandaj, revolucioni nuk i vret vetëm njerëzit, por edhe parimet. Megjithëkëtë, “revolucionari njëherazi është edhe revoltues, e kur pushon të jetë  revoltues, nuk është më as revolucionar, por polic dhe funksionar që kthehet kundër revoltës”.

Filozofia e absurdit,  sipas Kamysë, nuk do të thotë njëherazi edhe afirmim irracionales. Te “Miti i Sizifit” Kamy shkruan: “...kur e vërej kufirin e arsyes, nuk e mohoj atë, ngase e pranoj fuqinë relative të saj”.

Revolta dhe protesta e Kamysë, përkundër  rrëfimit me pasion dhe talentit me të cilin janë pasqyruar, janë të pjesshme, jokonsekuente dhe të kufizuara nga pozicioni kundërthënës i tërë filozofisë së tij të absurdit – thotë kritiku francez Gaetan Picon (Gaëtan Picon, 1915-1976). “Është për të ardhur keq që Kamy nuk shkon deri në fund të revoltës së tij dhe të pasioneve të tij. Na duket sikur kemi të bëjmë me një energji që qëndron pezull, me një forcë që është ndalur në gjysmë të rrugës” – thotë Pikon.

*   *   *

Kamy, sikurse edhe Sartri, librat e tij të parë i shkroi para Luftës së Dytë Botërore, për t’u bërë pas luftës, krahas Sartrit, autori francez më i lexuar dhe më me ndikim. Ndërmjet romanit “Neveria” (La Nausée, 1938) të Sartrit dhe romanit të parë të Kamysë “I huaji”, të botuar katër vjet më vonë, ka ngjashmëri të mëdha, por edhe dallime të mëdha. Ka pasur kritikë letrarë që kanë thënë se “I huaji” është kopjim i “Neverisë”. Heroi qendror i romanit “I huaji” – Merso (Meursault), i ballafaquar me konvencionet e shoqërisë qytetare si dhe me indiferencën e paimagjinueshme të botës, është i pushtuar nga ndjenja e absurditetit të jetës dhe nga nevoja për revoltë.

Letërsia e Kamysë është e afërt me rrethin e letërsisë ekzistencialiste të pasluftës, por, te Kamyja është shumë më i theksuar synimi nga artizmi, madje në të gjitha zhanret në të cilat u dëshmua: në roman, në novelë dhe në dramë si dhe në esenë lirike dhe në atë filozofike.

Letërsia për të është një përpjekje që të paraqitet absurditeti i jetës dhe i botës, përvojë e privilegjuar e luciditetit të njeriut, por edhe synim për ta përkufizuar dhe për të arritur të bukurën. Ekonomia rigoroze e shprehjes dhe e matjes së fjalës në përgjithësi, dozimi me maturi i emocioneve dhe i racionalitetit, respektimi i theksuar i traditës – në radhë të parë i traditës klasiciste franceze – janë karakteristika të frymës dhe të stilit të Kamysë.

Opusi i Kamysë nuk ofron një imagjinatë spektakulare të papërmbajtur, as edhe postulate të një sistemi filozofik të fortë. Vepra e tij kurrë nuk mbyllet në vete si një përfundim i padiskutueshëm i autorit. Përkundrazi, ajo rishqyrtohet dhe vihet në pikëpyetje. Prej entuziazmit rinor nga drita dhe nga klima e nxehtë e Mesdheut, duke u përshkuar nga ndjenja e absurditetit të jetës dhe të botës, në kontakt me përvojën e sëmundjes dhe të luftës, duke kërkuar humanizëm dhe  solidaritetit njerëzor mbi gërmadhat e vlerave të rrënuara, e deri te bilanci i ankthshëm i luciditetit dhe i pafuqisë së shkrimtarit të shekullit XX, vepra e Kamysë pasqyron me maturi lakoren subtile të dilemave të njeriut dhe të shkrimtarit të kohës sonë.

Fryti më i mirë i krijimtarisë rinore të Kamysë, pa dyshim është  “Gostia” (Noces, 1939), libër me katër ese lirike poetike për Mesdheun. Në faqet e këtij libri janë të pranishëm në mënyrë alternative poeti dhe moralisti: Kamy dëshiron që çështjet të cilat i shtron, t’i ndjejmë, por edhe t’i njohim. Metafora dhe refleksioni filozofik dhe moral ndërrohen radhazi dhe ndërthuren. Në to jehon besimi në mbretërinë e kësaj bote, si një rrugë e vetme dhe e arritshme për njeriun, e përbërë nga drita, nga kaltërsia e qetë e qiellit, nga aroma e detit dhe e luleve, nga nxehtësia e diellit dhe e plazhit, nga jeta e trupit, që e ka filozofinë e vet. Në esetë lirike “Gostia” dhe “Vera”, vërehet ndikimi i romancierit, eseistit, dramaturgut dhe poetit francez, Andre Zhid (André Gide, 1869-1951), më 1947 i laureuar me Çmimin Nobel. Vërehet edhe ndikimi i filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçes (Friedrich Nietzsche, 1844-1900).

Në vitin 1942 del në dritë romani “I huaji”, një nga veprat fundamentale të letërsisë botërore pas luftës, si dhe eseja filozofike “Miti i Sizifit”. Në këta dy libra autori kërkon kuptimin e fatit njerëzor pas shkatërrimit të vlerave krishtere dhe të vlerave qytetare. Tek “I huaji” Kamy flet për një ndarje ndërmjet individit dhe universit. Mersoja është i përshkuar nga ndjenja se në botën ku jeton, është i rrethuar nga gënjeshtrat e mëdha të njerëzve dhe të institucioneve të shoqërisë, ndaji i dorëzohet botës së pafund të elementeve.

*   *   *

Romani “Murtaja”  dhe eseja filozofike “Njeriu i  revoltuar” synojnë të jenë udhërrëfyes të revoltës dhe të solidaritetit kolektiv pas përvojës së absurdit dhe të vetmisë.

Pjesët dramatike të Kamysë, “Kaligula” (Caligula, 1944) dhe “Mosmarrëveshja”, në një anë, si dhe “Shtetrrethimi” (L’État de siege, 1948) dhe “Të drejtët” (Les Justes, 1950), në anën tjetër, janë alegori dramatike të cilat po ashtu radhiten në polet e absurdit dhe të revoltës.

Kamy ishte i mllefosur nga agresiviteti i progresistëve të Parisit. Për këtë flet në romanin e tij të tretë “Rënia” (La Chute, 1956), vepër kjo tejet interesante dhe e ndërlikuar. Ai e quan roman për “heroin e kohës sonë”, e ky është intelektuali – akuzues i akuzuar, gjyqtar i penduar. Ky rrëfim përmban 170 faqe dialog, ose më saktë monolog, për arsye se bashkëbiseduesit të rrëfyesit nuk i ofrohet rasti që të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme. Protagonisti i tij, ndonëse i pajisur me një kulturë impozante, tregon sesi krejt ajo kulturë ia ka vrarë atij pastërtinë shpirtërore dhe njerëzoren. Përkundër kësaj, njeriu mund të bjerë në greminën e pashpresë. Me një ironi të madhe, me virtuozitet dhe stil të përkryer “Rënia” duket sikur dëshmon për ndjenjën e luciditetit dhe të pafuqisë së shkrimtarit të shekullit XX.

*   *   *

Një kohë, Sartri dhe Kamy kishin raporte të afërta. Autorin e “Neverisë” e quanin anije, ndërsa autorin e romanit “I huajit” barkë të lidhur për këtë anije. Në vitin 1951 Kamy botoi librin “Njeriu i revoltuar”. Shumë studiues e konsiderojnë si një ese të rëndësishme të shekullit XX. Duket sikur kemi të bëjmë me historinë e dramatizuar dhe dramatike të ideve evropiane që nga iluminizmi deri te mesi i shekullit XX. Në të vërtetë, ky libër është fryt i përvojave kryesore të Kamysë: i përvojës së fashizmit dhe i preokupimit të qarqeve të caktuara të parisienëve në periudhën e pasluftës me idenë e dhunës revolucionare në shërbim të komunizmit. Kamy në të jep analizën dhe kritikën, si totalitarizmit të majtë, ashtu edhe atij të djathtë.

Ndërkaq, intelektualët e tubuar rreth Sartrit, i cili e pranonte vetëm kritikën e totalitarizmit të djathtë, pikëpamjet e sipërthëna të Kamysë i pritën me kritika të ashpra.

Midis këtyre dy viganëve të mendimit estetik evropian, në revistën Combat të Parisit u zhvillua një polemikë e ashpër që zgjati muaj të tërë. Kritika që Kamy ia bëri totalitarizmit të majtë, për qarqe të caktuara të Perëndimit ishte e mirëseardhur. Në vitin 1957 u  laureua me Çmimin Nobel për letërsi.

*   *   *

Kamy lëngonte nga TBC-ja. Ishte duhanpirës i pasionuar, njësoj sikur Sartri. Nuk e përfillte institucionin e bashkëshortësisë konvencionale. Gjatë jetës, kishte disa lidhje dashurie. Në vitin 1937 u njoftua në Algjeri me Fransin For (Francine Faure, 1914-1979), matematikane dhe pianiste e specializuar për Johan Sebastian Bahun. Nga martesa e tyre e lidhur më 3 dhjetor 1940, më 1945 (pas çlirimit të qytetit ) lindën në Paris binjakët: vajza Katrin (Catherine) dhe djali Zhan (Jean).  Kjo ishte grua e dytë e Kamysë. Kamy vdiq më 1960, në moshën 47 vjeçare, në një aksident rrugor.

“Erdha t’ju tregoj se, po qe se nuk do të qani në varrimin e nënave tuaja, do të dënoheni me vdekje” - Kamy drejtuar studentëve dhe profesorëve të Harvardit.

*   *   *

Sartrit iu nda Çmimi Nobel më 1964, d.m.th. 7 vjet pasi iu dha Kamysë. Por, ai e shkagoi (e refuzoi) atë. Më 1945 e kishte refuzuar edhe çmimin “Legion d’Honneur” (Legjioni i Nderit).  Më 14 tetor 1964, Sartri i dërgoi Komiteti të Nobelit një letër në të cilën kërkonte që ta hiqnin emrin e tij nga lista e të nominuarve. Njëherazi i paralajmëronte anëtarët e jurisë se, po qe se do ta laureonin, ai nuk ka për ta pranuar Çmimin. Komiteti i Nobelit ndërkaq, nuk e mori parasysh kërkesën e Sartrit dhe më 22 tetor 1960 ia ndau Çmimin Nobel. Arsyet e refuzimit të Nobelit, Sartri i shpjegoi në një prononcim të botuar më 23 tetor 1964 në gazetën Le Figaro të Parisit. Midis tjerash, ai thotë se nuk dëshiron që një çmim i tillë të ndikojë që ai të “transformohet”, duke shtuar njëherazi se nuk dëshironte të merrte anë në konfliktin kulturor midis Perëndimit dhe Lindjes, duke pranuar një çmim nga një institucion kulturor prominent perëndimor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora