E marte, 19.03.2024, 10:09 AM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Dezinformatat e Beogradit kundër grupeve e individëve shqiptarë që vepronin kundër Jugosllavisë

E hene, 09.12.2019, 09:23 PM


(TOP SEKRET) DEZINFORMATAT E BEOGRADIT KUNDËR GRUPEVE E INDIVIDËVE SHQIPTARË QË VEPRONIN KUNDËR JUGOSLLAVISË

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Gjatë viteve 1980-1990 në mes udhëheqësve të Serbisë, e Jugosllavisë- Beogradit e udhëheqësve të Prishtinës qarkullonin dhe lëshoheshin shumë komunikata, informata, shkrime të ndryshme që kryesisht për opinionin e gjerë kishin shenjën “Top sekret”.  Më 7 shkurt të vitit 1980, Kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Kabineti i kryesuesit, Anëtarëve  të Kryesisë të KQ të LKJ, sipas urdhrit të përfaqësuesit të Kryesisë të KQ të LKJ, iu ishte prezantuar një informatë për veprimtarin armiqësore  të grupeve e individëve  nga pozitat e nacionalizmit shqiptarë dhe irredentës dhe për masat e marra ndaj tyre.

Sipas shkrimit, thuhej se Informata (të cilën do e trajtojmë në vazhdim), ishte formuluar në bazë të vlerësimit dhe përfundimeve  të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LKK-së dhe Kryesisë të KSA të Kosovës. Shifra e informatës ishte  06. Top sekret, me nr. 4/4. E kishte nënshkrua  Shefi i kabinetit të kryetarit të Jugosllavisë, Sllavko Toshiq, më 7.II. 1980, Beograd.

Në Arkivin e Kosovës duke hulumtuar për veprimtarin ilegale patriotike të organizatave, grupeve e individëve, në fondin e Komitetit Krahinor, hasa në këtë dokument-informatë që ishte “Top sekret” (“Rreptësishtë e besueshme”) që e posedonin vetëm organet më të larta jugosllave.

I N F O R M A T Ë

PËR VEPRIMTARIN ARMIQËSORE TË GRUPEVE E INDIVIDËVE  NGA POZITAT E NACIONALIZMIT DHE IRREDENTIZMIT SHQIPTAR DHE MASAT E NDËRMARRA NDAJ TYRE

Personat që jepnin këtë informatë për nevoja të brendshme politike i informonin organet më të larta shtetërore se që nga maji i vitit 1979, në shumë vende në KSA të Kosovës, në mënyrë intensive  është manifestuar veprimtaria propaganduese armiqësore nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë.

Format e veprimtarisë propaganduese: Sipas informatës që e jepnin organet e pushtetit thuhej se kishte dy mënyra të veprimtarisë. Ato jepeshin  në formë të shkrimit të parullave  dhe në shpërndarjen e pamfleteve. Megjithëse,  në Kosovë edhe më herët, theksohet në informatë se “ishin  ballafaquar me veprimtari armiqësore  nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë” kështu që mund të thuhet (pohonin informatorët), se edhe kjo është vazhdimësi e kësaj veprimtarie. Megjithatë në bazë të orientimit ideologjik dhe në kohën në të cilën ajo zhvillonte këtë aktivitet, kjo veprimtari  karakterizohej sipas Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës:

Koha në të cilën ndodhnin këto ndryshime, karakterizohej me periudha të spekulimeve intensive  dhe kalkulimeve  të forcave armiqësore  në Jugosllavi dhe në botë duke pasur parasysh prizmin e ardhmënisë së vendit.

Pastaj vinin kundërshtitë e ndryshme sociale e ekonomike dhe vështirësitë që e karakterizonin Kosovën (të shqiptarëve në përgjithësi  dhe në disa pjesët tjera të Jugosllavisë). Të cilat rrjedhin nga prapambetja e trashëguar ekonomike  si dhe nga zhvillimi i dobët i dinamikës së përparimit, që dukshëm ndikon tek një numër i konsiderueshëm i të rinjve .

Shtimi i veprimtarisë ideologjike-propagandistike-subversive  nga RP e Shqipërisë, e cila kryesisht është e orientuar ndaj Kosovës dhe shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi, e cila tenton që të zgjoi vetëdijen nacionaliste e irredentiste tek ata, thuhej në dokument.

Është shtuar aktiviteti i veprimtarisë të forcave armiqësore në perëndim në raport me Kosovën, e veçanërisht organizatat e ndryshme reaksionare të emigracionit shqiptarë, por në vitet e fundit edhe “grupet marksiste-leniniste” nga të cilat disa nën ndikimin ideologjik edhe janë në  lidhje të vazhdueshme me PPSH.

Kryesia e KK të LKK në mbledhjen e saj të 26, të mbajtur me 21 qershor 1979 dhe në mbledhjen e 28, të mbajtur me 6 shtator 1979, u vlerësua kjo mënyrë e veprimit armiqësor dhe në bazë të saj e miratua një informatë e gjerë në të cilën u dha vlerësimi i karakterit kontrarrevolucionar e armiqësor i parullave dhe i veprimtarisë. U insistua në shtimin e punës ideologjike dhe politike në përgjithësi, sidomos në mesin e të rinjve , në shtimin e kujdesit dhe organizimit që të pengohet kjo mënyrë dhe organizimet tjera  armiqësore dhe të shpejtohet puna ideo-politike dhe aktiviteti në përgjithësi për zbulimin e akterëve të aktiviteteve armiqësore.

Debate të shumta lidhur me informatën

Informata e lartë përmendur u shpërnda dhe u njoftuan të gjitha Komitetet komunale dhe organizatat bazë të LK në Kosovë, dhe në bazë të saj (informatës), ato bënë vlerësimin e situatës ideo-politike në komunat e tyre. Ndërsa, lidhur me informatën e Komitetit Krahinor të LKK-së, u mbajtën shumë mbledhje dhe u diskutua  gjerësisht me një numër të madh të të rinjve në Lidhjen e Rinisë Socialiste. U mbajtën takime e  këshillime me punëtorët e arsimit dhe me punëtorë e qytetar anë e kënd Kosovës. Dhe sipas informatës thuhej se “Në çdo rast kur paraqiteshin parulla ose pamflete me përmbajtje antishtetërore, në masën më të madhe shqiptarët por edhe kombet e kombësitë në të gjitha meset ku jetonin, reagonin dhe e dënonin ashpër veprimtarin armiqësore” të shqiptarëve.

Aktivitetet që kishte marr pushteti për ndalimin e veprimeve ilegale

Për ndalimin e kësaj mënyre të veprimit, organet përgjegjëse kishin ndërmarr një mori aktivitetesh dhe kishin angazhuar të gjitha “komitetet e MPMSH në krahinë. Me një bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim me organet e Punëve të Brendshme, të cilët intensivisht ishin të angazhuara në zbulimin e aktorëve të aksioneve armiqësore” thuhej në informatë.

Komiteti Krahinor i LKK-së informonte nëpër mes organeve kompetente se “Në bazë të vlerësimit në Komitet për MPMSH në KSA të Kosovës, organet e Punëve të Brendshme të krahinës morën masa që të ndërpresin veprimtarin armiqësore dhe arrestimin e personave për të cilët kishin argumente ose kishin dyshime për veprimtarin e tyre ose vepronin nga pozitat e nacionalizmit”. Siç është e ditur,  UDB-eja, fillimisht me një numër të caktuar veprimesh ndërmori që punëtorët e saj (operatoret) të zhvillonin bisedime informative ose biseda politike me të rinjtë ose me prindërit e tyre, por që mos të  ndermirët asnjë masë administrative” .

Arrestimet e policisë

Gjatë kësaj periudhe, (sipas të dhënave statistikore), policia kishte deklaruar se kishte arrestuar një numër të caktuar (32 persona), dhe i kishte dënuar penalisht, ndërsa ndaj 56 vetave  kishte ngrit aktakuzë penale (nga të cilët 52 veta vetëm ndodheshin në burgun hetues)”, thuhej në dokument.

Mbledhja Kryesisë së KK LKK dhe e Kryesia e KSA e Kosovës (22 dhjetorit 1979)

Kryesia e KK të LKK-së dhe Kryesia e KSA e Kosovës në mbledhjen e përbashkët të 22  dhjetorit 1979, e njoftonin KQ të LKJ-së dhe Kryesinë e RSFJ-së, se “përsëri bënë vlerësimin e veprimtarisë armiqësore nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë. I njoftonin me masat që kishin ndërmarr organet e Punëve të Brendshme për ndalimin e kësaj veprimtarie, dhe, edhe një herë verifikuan vazhdimësinë e detyrave ideo-politike si dhe masat e përhershme  për ndalimin e këtyre veprimtarive armiqësore.

Me vlerësimin dhe konkluzionet e dy kryesive, në vazhdim u zhvilluan debatet në të gjitha OTH të LK, si dhe në të gjitha  organizatat bazë të LK, që për qëllim kishin që edhe një herë ta shqyrtonin  gjendjen ideo-politike në terrenet e veta. Procesi i diferencimit ndaj shqiptarëve të punësuar, kaherë kishte filluar në Kosovë (diferencimet ndaj shqiptarëve ishin bërë që nga viti 1945 dhe nuk ishin ndalur asnjëherë, Vërejtje S.K-B). Por, për këtë më së miri dëshmon e dhëna që e jepnin organet kompetente kur informonin se “Që të bënin vlerësimin e situatës ideo-politike, që edhe më tej të thellonin procesin e diferencimit në LK, në bazë të ashpërsimit të luftës kundër nacionalizmit dhe të gjitha mënyrave të shprehjes së aktivitetit armiqësor, si dhe në mënyrë të organizuar kundër këtyre çështjeve, të ndikojnë në masat e gjera të klasës punëtore, qytetarëve dhe rinisë” mbyllet citati.

Me urdhër nga lartë u mor iniciativa që mos të kursehet askush si në aspektin horizontal po ashtu edhe në atë vertikal. “Lidhur me këtë, u zhvilluan  bisedime me drejtoret, kryeredaktoret, redaktoret dhe sekretaret e organizatave  të LK-së të të gjitha mjeteve informimit, që edhe më tej të jenë të kujdesshëm dhe të thellojnë e ashpërsojnë luftën kundër nacionalizmit dhe çdo lloji të veprimtarisë armiqësore”. Bile “Udhëheqja dhe organizatat e LK në bashkëpunim me udhëheqjen e Lidhjes së Rinisë Socialiste kishin përgatitur një planë të veçantë për veprimin ideo-politik për student dhe nxënës të shkollave të mesme. Veçanërisht lidhur me të u bënin bisedime të vazhdueshme në aspektin informativ, politik dhe të sigurisë me punëtorët tanë që punonin përkohësisht në botën e jashtme, të cilët për festa vinin në familje. Nga organet e UDB-es punohej edhe në drejtimin, që organet e caktuara të dërgojnë një numër të konsideruar personash (bashkëpunëtorë të UDB-së) nga Kosova (kryesisht shqiptarë) në përfaqësitë tona konsullore e diplomatike; në qendrat kulturo-informative; për punëtorët tanë social e kuadrit arsimor në vendet ku ata janë të punësuar përkohësisht, sidomos me ata që ishin kryesisht nga Kosova. Gjithashtu u shtuan kontaktet dhe vepronin më tepër në klubet e punëtorëve shqiptarë, që punonin në këto vende” thuhej në informatë.

Udbashët raportojnë...

Nga aktivitetet e organeve kompetente, raportohej se gjer më tani në bazë të hulumtimeve që kishin bërë, thoshin se “duket se është punuar mirë në organizatat ilegale e konspirative në grupe të vogla, të cilat kanë tentuar që në mes vete të lidhen dhe të koordinojnë punën e tyre nga një e ma shumë qendra. Por, me një tendencë të përhershme që të zgjerojnë dhe të indoktrinojnë bashkëmendimtar nga radhët e të rinjve. Ata angazhoheshin sidomos me nxënësit dhe studentët, duke u munduar që tek ata të zhvillojnë ndjenjën e pakënaqësisë dhe të mos besimit ndaj sistemit jugosllav; Zhvillonin ndjenjën e pa perspektivës tek shqiptaret e Jugosllavisë, duke e treguar “gjendjen e rëndë” ekonomike e sociale të Kosovës e shqiptarëve  në Jugosllavi. Ilegalistat me veprimet e tyre iu ofronin shkëputjen e Kosovës dhe pjesët shqiptare që ishin nën Jugosllavi dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, me të cilën edhe i bindnin ata”, raportonin komunistët nga Kosova për KQ të LKJ-së.

Sipas zbulimeve të hetuesve të UDB-es

Organet e Punëve të Brendshme raportonin se sipas hulumtimeve të gjertanishme theksojnë se, në Kosovë kanë vepruar më tepër grupe ilegale, dhe një grup ka vepruar dhe ka qenë aktive në Shtutëgard (Gjermanin Perëndimore), e cila kishte 5 qytetarë të Kosovës,  që punonin përkohësisht në këtë vend. Ata ishin të lidhur dhe të ndihmuar në aktivitetin e tyre nga grupi “Marksist –Leninist”,  i cili vepronte po ashtu, në Gjermanin Perëndimore. Ndërsa, në Grupin nga Prishtina, merrnin pjesë edhe persona nga Lipjani, Vushtrria dhe Peja, të cilët kishin për qëllim që të ripërtërijnë veprimtarinë e grupeve të mëhershme ilegale, të cilat ishin dënuar më 1964, 1974 dhe 1975. Sipas informatës thuhej se “Organet kompetente ende punojnë në ndriçimin dhe zbulimin e organizatorëve dhe koordinatorëve  të vërtet të këtyre grupeve,  si në Kosovë po ashtu edhe jashtë vendit.  Po ashtu thuhej se “Organet e Punëve të Brendshme, kishin zbuluar persona  të cilët kishin kryer 11 aksione të shpërndarjes së parullave kundër shtetit dhe shpërndarjen e pamfleteve. Por ende nuk ishin zbuluar dhe mbetej edhe më tej obligim i organeve që të zbulohen kryesit e 8 veprave antishtetërore jugosllave. Organet e Punëve të Brendshme, edhe më tej ishin të angazhuar që edhe më tepër dhe në mënyrë të argumentuar të zbulojnë lidhjet në mes këtyre organizatave ilegale me faktorin ndërkombëtar.

Struktura e moshës te personave që merrnin pjesë në grupe

Organet udhëheqëse në Kosovë raportonin se  struktura e personave të zbuluar në këto grupe, ishte karakteristike se, këta persona ishin të rinj dhe vinin nga të gjitha komunat e Kosovës. Ata, kryesisht ishin nxënës e student, si dhe një numër i konsideruar ishin vajza. Duhet theksuar se sipas informatës , shumica e veprimtarëve ishin kryesisht me prejardhje nga fshatrat. Në të shumtën e rasteve,  kryesisht janë të rinj që gjerë më atëherë nuk kishin qenë të kyçur në organizata ilegale dhe nuk kishin veprua nga pozicionet nacionaliste e armiqësore.

Në mesin e tyre që ishin penalisht të ndjekur apo ndodheshin në burgun hetues, 15 nga ata ishin anëtarë të rinj të LKK. Organizatat Themelore të LK ku kishin aderuar  pas këtij zbulimi,  morën masa urgjente dhe i përjashtuan nga radhët e veta, duke zhvilluar debate kritike për veprimtarin e tyre.

Raportet në mes Kosovës e Shqipërisë sipas informatës

Duke zhvilluar një bashkëpunim të gjerë në mes Kosovës e Shqipërisë në kuadër të marrëdhënieve jugosllave-shqiptare dhe politikës së fqinjësisë së mirë ndaj shteteve fqinje, LKK e organet tjera , si dhe subjektet tjera për bashkëpunim u angazhuan në aspektin ideo-politik, që në mënyrë intensive  që ta pasuronin këtë aktivitet dhe kontaktet e bashkëpunimit, por njëkohësisht ngushtohej mundësia e depërtimit të tendencave ideo-propagandistike, subversive, nacionaliste e irredentiste. Në këtë drejtim, u morën masa dhe u dhanë disa rezultate të konsiderueshme në përmirësimin e koordinimit, planifikimit dhe organizimit dhe përgjegjësisë të bartësve të bashkëpunimit me RP të Shqipërisë. Për këtë kishte qëndrime të qarta të kryesisë të KK të LKK, Kryesisë të KSA e Kosovës, Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe i organizatave të tjera shoqëroro-politike, të cilat ishin bazament për zhvillimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.

5

Megjithatë, thuhej më tej në informatë “Veprimtaria propaganduese-subversive  nga Shqipëria me disa oscilime e intensitet të caktuar, në mënyrë të vazhdueshme, të paramenduara e ofensive  dhe atë në mënyra të ndryshme, depërtonin drejt Kosovës. Ndërsa, tek individët gjenin edhe teren të përshtatshëm. Kryesisht propaganda zhvillohej, para se gjithash nëpër mes të Radio Tiranës, TV shqiptare, nëpër mes të literaturës, broshurave  e të ngjashme. Tek numri më i madh i personave që u përfshin në këtë aksion u gjetën  një literaturë e shumtë e PPSH, e cila ishte me përmbajtje anti jugosllave dhe në shumicën e rasteve ishte sigurua në mënyrë legale nga “Jugosllovenska knjiga”, apo e sjellë nga vendet e treta  perëndimore. Lidhur me të, u zhvilluan disa debate lidhur me gjendjen dhe për masat e marra për rregullimin e ligjit se kush ka autorizim në krahinë për distribuimin e literaturës së huaj dhe shtypit, si dhe për përgjegjësin më të madhe, koordinimin dhe organizimin në përgjithësi në këtë drejtim.

Qëndrimi paternalist i Shqipërisë i pengonte Beogradit

Në lidhje me sulmet e fyerjet e shpeshta të cilat vinin nga Shqipëria ndaj Jugosllavisë dhe sistemi t jugosllav, në lidhje me çdo lloj sjelljeje paternaliste dhe tendence irredentiste të cilën e bënin nëpër mes të propagandës, pushtetarët në Kosovë gjithnjë në mënyrë interne, politikisht reagonin dhe ndikonin tek LK dhe në masat më të gjera, por kohë pas kohe kur vlerësonin në përgjithësi, reagonin publikisht si nëpër mes të kuadrit shqiptarë apo nëpër mes të mjeteve të informimit kosovar. Më tej thuhej se “Këtë që e bëjmë e bëjmë në kufij të normales dhe mënyrës që mos ti dëmtojmë dhe ashpërsojmë marrëdhëniet  në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe që të ruajmë nivelin e politikës së shtetit tonë dhe raporteve të mira fqinjësore me Shqipërinë”. Por, megjithatë, pushtetarët kishin vlerësuar se ishte e domosdoshme  që të forcojnë dhe të pasurojnë veprimtarin propagandistike në raport me propagandën me shtetin shqiptarë, dhe këtë edhe ndaj qytetarëve shqiptarë, si the depërtimin e thellë në vetë Shqipërinë, para se gjithash duke e përforcuar dëgjueshmërinë e Radio Prishtinës si dhe pranimin dhe përgatitjen më të mirë të programeve  të TVP (për të cilën nevojitej përkrahje  më e madhe konkrete e shoqërisë jugosllave)

Sipas pushtetarëve situata politike vlerësohej dhe sugjerohej se “për të pasur një qëndrueshmëri dhe sukses të luftës  kundër nacionalizmit e irredentizmit, duhet një aktivitet i gjerë e intensiv  i veprimtarisë ideo-politike të LKK, dhe i të gjitha organizatave shoqëroro politike, dhe bashkë me to duhet marrë masa më intensive  të zhvillimit ekonomik e social në Kosovë. Procesit të shpejtuar të pasurimit, të drejtave  dhe pozitës së përgjithshme të shqiptarëve  në të gjitha pjesët e vendit,  kudo që jetojnë, në këtë mënyrë që të hapen perspektiva të reja  për një jetë më të pasur dhe për një bashkëjetesë  më të mirë me të gjitha kombet e kombësitë. Se, mu kjo çështje, për pozitën e shqiptarëve është dhe do të jetë motiv bazik që forcat nacionaliste do të ngritin platformën nacionaliste e reaksionare, dhe për të cilën mendohet se do të jetë tërheqëse dhe do ti grumbulloj të rinjtë rreth kësaj”, përfundon citati.

Kryesia e Komiteti Krahinor të LKK, dhe Kryesia e KSA të Kosovës, kishin ardhur në përfundim se çështja e dënimeve  të këtyre personave  të cilët “armiqësisht” kishin  vepruar nga pozicionet e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptarë duhet t’i qasemi politikisht; duhet munduar që sa më shumë që numrin më të madh të tyre, që ndodhen në burgjet hetuese, t’i bindim dhe t’i largojmë nga pozitat armiqësore, delte propozimi nga udhëheqësit politik të Kosovës. Dhe vazhdonin me këto propozime : “Se, tani nuk duhet të shkojmë në masa të rrepta administrative ndaj atyre që kanë qenë në fazën e parë të veprimtarisë ilegale. Lidhur me politiken e ndëshkimeve  të bisedohet për një marrëveshje me organet federative. E tërë kjo mbyllej lidhur me politikën e ndëshkimeve të këtyre personave, që përsëri të shqyrtohej në mbledhjet e përbashkëta të Kryesisë të KK të LKK dhe kryesisë të KSA të Kosovës” thuhej në informatën “Top sekret”.

Gjatë kësaj periudhe kur edhe dergohet informata në organet federative e të Serbisë, udhëheqja e Kosovës vije në përfundim se “Po në të njëjtin periudhë ka ardhur deri tek ngritja e aktivizimit të nacionalizmit  serbë në mënyra të ndryshme. 1. Para së gjithash me përhapjen e dizinformatave për gjendjen në Kosovë. Duke thënë se ”gjëja se” gjendja e serbëve e malazezëve në Kosovë është shumë e rëndë. Duke krijuar klimë pasigurie, përçarjes dhe mos besueshmëri ndaj shqiptarëve në përgjithësi e sidomos ndaj udhëheqjes  dhe kuadrove shqiptare; duke lançuar tregime të rrejshme dhe duke thënë se  “disa nga ata, në burg ndodhen për hir të tradhtisë; disa nga ata kanë ikur për Shqipëri e të ngjashme. U vlerësua  se edhe kjo paraqitej në një lloj forme të veprimit armiqësor dhe duhet ashpërsuar luftën kundër kësaj tendence.

Kryesia e KK të LKK-së, Kryesia e KSA të Kosovës, si dhe të gjitha  komitetet komunal të Lidhjes Komuniste, vlerësuan se “veprimtaria e këtyre grupeve ilegale nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë, u dënua ashpër nga njerëzit punonjës të kombeve e të kombësive të Kosovës dhe të gjitha këto organizata pa dallim “përkrahnin qëndrimet e tyre për të ndërprerë veprimtarin armiqësore të këtyre grupeve". Po ashtu u vlerësua se veprimi i këtyre grupeve  nuk pati sukses që të luhat bashkimin dhe situatën politike në Kosovë, dhe se, situata politike dhe e sigurisë është e mirë edhe më tej është e mirë” thuhej në informatën “Top sekret” që e kishte përcjell KK i LKK-së tek Kryesia e Jugosllavisë dhe te KQ i LKJ-së dhe KQ i LKS-së. Informata mbante shenjën “Top sekret” dhe e kishin dërguar: Kryesia e KSA e Kosovës dhe  Kryesia e KK të LKK.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora