E enjte, 18.04.2024, 03:33 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Çakajtë komunistë përballë shkrimtarit Agron Tufa

E diele, 08.12.2019, 06:19 PM


Çakajtë komunistë përballë shkrimtarit Agron Tufa

Nga Ndue Ukaj

Askush s’do mund ta imagjinonte se në Shqipërinë postkomuniste, pas tri dekadash lirie, çakajtë komunistë do të çoheshin peshë dhe do të kërkonin burgimin e ndërgjegjes së lirë të njerëzve që kërkojnë drejtësi.

Më së paku dikush do të mund ta imagjinonte se çakajtë do t’i vërsuleshin një shkrimtari.

Këtyre çakajve komunistë duhet t’u përsëritet vazhdimisht se tmerret që kanë shkaktuar ata mbi kombin shqiptar s’ka forcë në botë që mund t’ i pastrojë. Sepse, ato janë të shkruara me gjak e vuajtje në vepra kapitale, të cilat janë ndërgjegjja e Shqipërisë së vërtetë përballë Shqipërisë së një grusht shkretanësh komunistë.

Komunizmi në historinë njerëzore mbetet njëra nga ideologjitë totalitare më të tmerrshme dhe njerëzimit i ka shkaktuar të këqija të panumërta, kurse popullin shqiptar përpak sa nuk e gllabëroi në humnerë. Ky pohim i imi, nuk përbën kurrfarë risie, por është në pajtueshmëri të plotë me mendimin e shumicës së vendeve të Europës. Madje, në shumicën e vendeve ish komuniste, janë ngritur gjyqe dhe krimet e këtij sistemi, janë dënuar në forma të ndryshme.

Në Europë, aty ku synojmë të integrohemi, njihet “Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin”. Kjo deklaratë që u nënshkrua më 3 qershor 2008, ishte iniciuar nga ana e qeverisë çeke, dhe u nënshkrua nga politikanë të shquar europianë, ish të burgosur politikë dhe historianë, në mesin e të cilëve Václav Havel dhe Joachim Gauck, presidenti i Gjermanisë. Kjo deklaratë bëri thirrje që "Europa e gjerë t’i dënojë krimet e komunizmit dhe dënimi ndaj tyre të edukohet” dhe kështu popujt të ndërgjegjësohen përballë kësaj murtaje ideologjike. Por kështu nuk mendojnë disa harbutë e shkretanë të mjerë komunistë shqiptarë, që kombit shqiptar i kanë shkaktuar veç vuajte, dhimbje e lot dhe e kanë më të varfërinë në Europë.

Shqipëria nuk ka bërë një gjyq për t’i dënuar krimet komuniste dhe në këtë pikë ajo ka mbetur prapa krejt vendeve ish komuniste edhe në përparimet që çel demokracia dhe sistemi i vlerave perëndimore. Pas tri dekadash, mbetjet sistemit shihen kudo: në ligjërim, në sistem, ndonjëherë duke guxuar të lavdërojnë regjimin vrastarë e qelbanik të Enver Hoxhës. E shpeshherë një grusht mjeranësh marrin guxim t’i gjykojnë krejt ata që nuk rrinë duarkryq përballë të kaluarës vrastare komuniste dhe kërkojnë drejtësi.

Shigjetat e helmatisura të urrejtës komuniste dhe të dishepujve të tyre qelbanikë janë drejtuar me tërë forcën e urrejtës edhe njëherë kundër shkrimtarëve dhe njerëzve të lirë të Shqipërisë që nuk kërkojnë asgjë më shumë se drejtësi- drjetësi historike- pa të cilën nuk hapen rrugët e përparimit për kombin shqiptar, që po lëngon për shkak të trashëgimisë negative.

Agron Tufa po shigjetohet sepse i ka bërë një shërbim atdheut, historisë dhe kulturës shqiptare. Ka shkruar dhe ka treguar të vërtetën historike, e cila nuk mund të mbulohet, ashtu siç nuk mund të mbulohet dielli me shoshë. Ai e ka bërë një detyrë ndërgjegjeje e qytetarie, duke e nxjerrë në dritë të vërtetën krimeve komuniste mbi shqiptarët, dhe këtë të vërtetë, shkretanët komunistë të katandisur në kthetrat e urrejtjes natyrisht se nuk mund ta duan.

Por krimet e komunizmit s' ka kush që të mund t' i fshehë. As llavat e organizuara në pushtet. Sepse, krimet e komunizmit i gjykon krejt bota e lirë demokratike, pjesë e së cilës deshën apo jo mbetjet komuniste, një ditë do të bëhet edhe Shqipëria. Dhe ato tashmë i janë paraqitur botës, përmes veprave letrare e dëshimeve të shumta.

Dhe sot, krejt bota normale e di mirë se krimet e komunizmit në Shqipëri janë të pashembullta, kurse dishepujt e tij qelbanikë, në vend se të penduar e kokulur të dilnin dhe të rrëfeheshin përballë gjykatores së historisë dhe përpara popullit të cilit i kanë shkaktuar dhimbje e vuajtje pafund, duke e lënë të varfër e të mjerë, ata pas dekadave çirren e kukurisin, dhe guxojnë të mbrojnë krimet e tyre ose të baballarëve të tyre ideologjikë.

Këta shkretanë komunistë duhet ta dinë se historia njerëzore është në anën e artit dhe jo të pjellës së diktaturës. Po ashtu, ata duhet ta dinë se betejën me artin dhe shkrimtarët nuk ka mundë ta fitojë asnjë diktator dhe s' do ta fitojnë as çakajtë e sotëm komunistë - as ata nesërmit- sepse ndërgjegjja e njerëzimit është shumë më fisnike sesa që mendojnë harbutët komunistë që nuk janë ngopur duke bërë keq disa dekada.

Ja çka shkruan nobelisti Josif Brodski rreth raporteve mes letërsisë dhe politikës:

“Gjuha dhe, siç më duket mua, letërsia – janë gjëra më të lashta, më të pashmangshme, më të përjetshme sesa çdo formë e organizimit njerëzor. Zemërimi, ironia apo indiferenca e shprehur nga letërsia në lidhje me shtetin, është në thelb, reaksioni i të përhershmes, më saktë të themi – i të pafundmes, kundrejt të përkohshmes, të kufizuarës. Të paktën deri atëherë kur shteti do t’i fusë hundët në punët e letërsisë, letërsia ka të drejtën e vet të ndërhyjë në punët e shtetit. Sistemi politik, forma e rendit shoqëror, sikundërse çdo sistem në tërësi, është, për vetë natyrën e saj të përcaktuar, formë e kohës së shkuar që rreket ta quajë vetën formë të së tashmes (shpesh herë edhe të së ardhmes), dhe njeriu, profesioni i të cilit është gjuha, është i mbrami që mund t’i lejojë vetes ta qesë në harresë këtë gjë”.

Përpjekjet mjerane për t’ua ndalë zërin atyre që duan drejtësi, janë gërhamat e fundit të një ideologji të tmerrshme. Prandaj shqiptarët duhet guximshëm dhe ballëhapur të jenë në anën e drejtë të historisë dhe këtyre shkretanëve t’ua tregojnë përditë të vërtetën. Sepse e vërteta ata i torturon.



(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora