E shtune, 20.04.2024, 01:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Zonja çame nga Parga

E shtune, 07.12.2019, 11:10 AM


ZONJA ÇAME NGA PARGA

Nga Resmi Osmani

Shkrimtari Enver Kushi, e mbajti gjat në laboratorin e tij krijues novelën “Zonja nga Parga”. Ne që e dinim se ishte duke e shkruar, e nxitëm shpesh që ta përfundonte, por ai s’u ngut. Kur u bind se ia kishte arritur asaj që kishte synuar, dhe pasi voli edhe gjykimin e disa kolegëve, i reflektoi dhe e publikoi. Novela, me kopertinën e punuar mjeshtërisht nga piktorja Entela Kasëmi-Beati, u paraqit në stendën e “Albas”në panairin e librit.

Sapo shfletojmë librin,  në faqen e dytë , lexojmë: “Ky është një libër i jashtëzakonshëm i Enver Kushit”. Nënshkruar,Moikom Zeqo.  Një fjali, sintezë, e këtij mjeshtri të madh të letrave shqipe, që ia përcjell librin lexuesit,na bën të mendojmë. Flet më shumë se çdo parathënie dhe na e bën të vështirë ne të tjerëve, pas leximit të nxjerim në relief gjithë ato vlera të qënësishme, që e bëjnë   novelën e Enver Kushit, një krijim të jashtëzakonshëm. Ku ta kërkojmë të jashtëzakonshmen?

Ajo gjendet në çdo fjali, me bukurinë e fjalëve, që vargëzohen në indin e rrëfimit, si ca margaritarë rrëzëllitës; në thurjen elegante dhe zgjedhjen  kompozicionale, si një arkitekturë moderne, të ngjeshur e plot mendim; bukurinë e rrëfimit, herë në vetë të parë e herë të dytë, si një bisedë e qetë dhe e shtruar, pavarësisht nga forca e brendshme që ngërthen, që ngjall përfytyrimin, imazhet, emocione dhe tronditje shpirtërore si tëishim pjesëmarrës në ngjarje; humanizmin dhe vlerat thellësisht njerëzore, në kontrast me egërsinë, shtazërinë dhe barbarinë zerviste. Keqardhjen e thellë dhe ndjeshmërinë për vuajtjet, pësimet, në kohën, parakohën dhe paskohën, të pleksura e të lidhura në zinxhirin e ngjarjeve tronditëse, që kanë zënë vend në kujtesën e kësaj Zonje, të shndrruar në një monument dhimbjeje, që koha nuk ka mundur t’i shlyejë. Në ndikimin psikologjik dhe traumën njerëzore të një shpirti të brishtë, të dëlirë e të pafajshëm, që përdhunimi dhe egërsia çnjerëzore, lenë vulën e tyre të përjetshme.

Gjithë këto lexuesi i gjen në novelë, të shprehura me magjinë e artit fin,të latuar,  delikat,  me brishtësinë e një shpirti të një vashe në prag të jetës, por edhe të një zonje që ka përshkuar rrugën e jetës plot tallaze dhe ka mbrritur në limanin e fund të saj. Përsa arrij të kuptoj dhe ndjej nga leximi, janë këto vlera autoriale të talentit rrëfimtar, që e bëjnë të besueshme thënien se : ” Ky është një libër i jashtëzakonshëm i Enver Kushit” dhe do të shtoja një vlerë e shtuar e letërsisë shqipe të këtij viti, dhe jo vetëm, që do t’i qëndrojë gjatë kohës.

Pak histori. Është e nevojshme, që lexuesi ta kuptojë më mirë novelën. Epiri dhe Çamëria (Thesprotia) në përbërje të tij,që s’ka qënë asnjë herë tokë greke, pas shpalljes së shtetit grek, dhe famëkeqes “Megaliidea” kanë qënë në lakmi për ti përfshirë brenda shtetit helen. Në vitin 1881, Çamërisë iu shkëput Arta. Në vitin 1913, Çamëria ju dhurua Greqisë nga Fuqitë e Mëdha. Në banorët e çamërisë, ruhej kombësia, gjuha dhe atdhedashuria. Nga nacionalizmi shovinist grek, që nuk i pranon apo njeh minoritetet etnike,(edhe në ditët tona) kjo popullatë shihej si mish i huaj në trupin e shtetit të tyre. Një pjesë e popullatës, si gjoja turq për shkak të fesë, u këmbye në vitet 20-të të shëkullit të shkuar me grekët e Azisë së Vogël.Për pjesën tjetër, në fund të Luftes së Dytë Botërore, duke nisur nga 27 qershori 1944, në qytetin e Paramithisë dhe rrethinat,e më pas në Filat, Pargë, Gumenicë etj.  gjenerali famëkeq gjakatar Napoleon Zerva, nisi spastrimin etnik nëpërmjet një terrori të paparë, pjesë e të cilit qenë edhe përdhunimet e vajzave dhe grave të reja. Njihen rastet, kur oficerë apo ushtarë grekë, i detyruan vajzat çame të martoheshin me ta. Vrasje pa dallim, shkatrrimet e djegiet, ishin pjesë e terrorit, i cili nuk u ndal deri në shkurt-mars 1945, kur e tërë popullata myslymane e çamërisë u shpërngul dhunshëm në dheun mëmë, Shqipëri.

E gjitha kjo, gjasme se ata ishn bashkpuntorë të gjermanëve, por në  të vërtetë pse ishin shqiptarë dhe myslymanë.

Le të kthehemi te novela. Gazetari grek nga Athina,ka dijeni që në qytetin e Pargës jeton një Zonjë Çame, e mbetur aty nga vjeshta e largët e vitit 1944, e martuar me një ushtar grek, e cila ka një histori të dhimbshme . Pas lidhjeve telefonike, gazetari i bindur edhe pas të thënave të historianëve, se në Çamëri ka patur spastrim etnik dhe në atë krahinë është kryer një krim, se shumë histori janë varrosur nën dhe, e të tjerat rrëfehen nga të tjerë të shpërngulur në Shqipëri, niset për në Pargë për ta intervistuar dhe për të shkruar disa reportazhe për Epirin. Këtu nis rrëfimi i novelës. Në udhëtim, hyrja në Epir,Arta, Preveza e mbrritja në Pargë, gazetari vren se ka hyrë në një tokë disi ndryshe nga ajo helene. Një tokë mitike ku gjendet orakulli pellasgjik i Dodonës, më i lashtë se ai i Delfit, ku rrjedh lumi Akeron me tempullin e Nekromantisë, ku drita e diellit dhe bardhësia e hapësirës mbi qytetet dhe kodrat me ullinj, ishin si ca ëndrra që shihen në agim.Ku edhe deti edhe qielli janë të tjetërsojta. Kudo edhe në Pargë e njëjta dritë, por që këtu dukej sikur vinte jo nga dielli por nga deti. Parga, qyteti ku jetonte zonja, ishte në shoqërinë e përjetshme të detit dhe asaj drite dimër-verë.Këtu edhe këngët dhe meloditë “Çamiko”ishin te tjetërsojta,plot burrëri dhe levendëri.

Ai po vinte për të zgjuar të kaluarën e dhimbshme të një shpirti që ishte ende gjallë. Në udhën e kalldrëmtë, iu duk se shfaqeshin ca hije, si shpirtëra, që vinin nga e kaluara jo shumë e largët, dhe aty-këtu, ca shtëpi gjysmë të rrënuara e të pakujdesura, si gjurmë të asaj që kishte përjetuar ky qytet nga braktisja e banorëve të tij.  Pas këtyre impresioneve, arrin në shtëpinë e zonjës nga Parga.

Po kush është zonja nga? Drita, e bukur si emëri, bukuriçame, vashë, nga një familje e nderuar dhe e fisme qytetare çame, që sapo kishte shkelur në të gjashtëmbëdhjetin vit të jetës. E lumtur,plot ëndrra dhe dëshira vajzërore, që jetonte midis dashurisë së familjes : gjyshërve, prindërve, vëllait dhe motrës, që e donin dhe i donte shumë . Rasti fatal e solli, që kur Parga u masakrua dhe popullata u detyrua të merrte arratinë, ajo të mos ndodhej në shtëpi, kishte shkuar te ca miq të familjes në Rrapez. Kur u kthye, shtëpinë e gjeti bosh.As e kuptonte as e besonte atë që kishte ndodhur. E mbetur fillikat në dit-netët e frikshme, në shtëpinë e heshtur e të shurdhër, ku përplasej shqota me erën dhe shirat e vjeshtës së dytë, në një nga ditët, katër ushtarë zervistë grekë, pasi thyejnë portën, e gjejnë në shtëpi dhe e përdhunojnë. I pesti, që ishte me ata, por jo si ata i vjen në ndihmë, e shpëton dhe e kujdes.I goditur nga bukuria verbuse dhe fatkeqësia  e saj , ai i jep dy rrugëzgjidhje: ose të  niset për në Shqipëri, por e sigurtë që zervistët do ta vrisnin rrugës, ose të martohej me të.I la kohë të mendohej.Asnjë përgjigje, ajo luste vdekjen. Më pas e shpie Dritën në spitalin e Korfusit ku e kurojnë dhe pas shërimit, martohen. Në kohën që gazetari e interviston, i shoqi ka vdekur, por ka djalin dhe dy nipër. Kjo është,  që unë e rrëfeva pa art. Le ta shohim si e trajton shkrimtari.

Takimi me gazetarin,në odat e shtëpisë së saj. Ai vë re se pamja e saj fisnike, e bukur ,që s’ja ka zbehur mosha, trupi elegant, rrezatojnë  zonjëllëk, por sytë, kanë atë trishtim që ia ka vënë vula e ngjarjeve tragjike të së shkuarës.Çuditërisht, gazetari e ndjen atë të afërt, jo si një të huaj, ajo i kujton nënën e tij që nuk jeton më. Nis rrëfimi, dhe rrëfimi i saj, është tronditës për atë shpirt, që i lëndon atë plagë , që edhe pas aq shumë vitesh nuk ka gjetur shërim. Ajo , e tronditur, bën lëvizje të pakontrolluara, të sforcuara, rrëfimi ndërpritet nga gulçet e brendshme pasi në shpirtin e saj, në kurmin e saj ruhet e ngrirë gjithçka: edhe zërat e fëmijërisë së saj, edhe të rinisë, edhe zërat e gjyshit dhe gjyshes, edhe të nënës e të babait të saj.Edhe zërin e motrës së vogël dhe të vëllait, edhe psimet dhe vuajtjet. Të gjitha, i deklaron gazetarit dhe i lutet  si birit të saj, t’i lerë ato zëra të flenë brënda kurmit të saj. Duke i thënë: “Ah djlëthi im çmë bëre kështu!” Gazetari regjistron në manjetofon, por rrëfimi e trondit edhe atë e mbytin emocionet, dhe kur i rrok duart në të tijat,  i duket si të ishte ngrohtësia e nënës së tij.

Gazetari ikën. Pas ikjes së tij, në personin e zonjës, ringjallet drama tragjike.Rrëmon në reliket familjare, fotografitë, i sheh, u flet.   Në pjesën e parë, ngjarja rrëfehet nga gazetari p[or edhe zonja në vetë të parë, në vetë të dytë nga autori, dhe kështu rrëfimi alternohet në funksion të idesë, duke ndërfutur edhe copëza që janë plotësuese, për të rrëfyer se ç’ndodh në Çamëri, për të cilat do të flasim më posht. Në pjesën e parë, autori, nëpërmjet kujtimeve të Dritës, jetës në familje dhe mardhënieve me gjitonët ortodoksë shqipfolës,dhe pakicës greke,në gëzime festa apo hidhërime, rrëfen harmoninë sociale, miqësinë, një jetë në paqe të komuniteteve. Është ky nënteksti, se në Pargë dhe gjithë Çamërinë, zotrojnin mardhënie vëllazërore dhe nuk kishte asnjë shkak të ndodhte ajo që ndodhi. Por ata që duan përçarjen dhe armiqësitë, nxisin trazira dhe vrasje. Parandjehet se në Çamëri do të bëhet hataja. Dhe në të vërtetë u bë.

Në pjesën e dytë, është në vetë të parë rrëfimi I zonjës nga Parga që hapet sme këtë ligjëratë: jeshë vetëm 16 vjeç e nuk mbaj mend veç shi dhe ulërima erërash që të tromaksnin . Dukej që Parga lëngonte pa gjetur derman. E vetme, në shtëpinë e saj të shkretë e të shurdhër pa të zotët, ajo gdhihet e ngryset me frikë në zemër duke parandjerë të keqen.

Para se ajo të ndodhë, ka ndërhyrje nga autori. Në”Të thëna e të pathëna”, si një prolog, jepen të fragmentuara ngjarjet tronditëse që ndodhin në krahinë. Janë ca proza të shkurtëra, të shkruara me aq vërtetësi dhe ndjenjë, që vlejnë libra të tërë. Kur i lexojmë  na duket sikur hyjmë në muzeun e tmerreve të luftës, të holokaustit, ku krahas tabllove “Tre maji’ të Francisko Gojës dhe “Guernikën” e Pikasos, mund të vedosen edhe këto:

Në kalanë e Pargës kishin therur pesëdhjet burra. Të gjithë parganjotë muslimanë. Kalaja ishte mbushur me gjak dhe gjatë gjithë natës ishin dëgjuar ofshamat e thella të atyre që jepnin shpirt. Lukunitë e qenve shqyen kufomat e të vdekurve;Hapën një gropë dhe I hodhën trupat. Edhe pas tri ditësh, mbi dhe gjendeshin veshë duar dhe gjymtyrë të prera;

Në shtëpitë e braktisura, grupe hajdutësh të babëzitur e të uriturish, që s’dihej nga kishin ardhur,thyenin e shqyenin dyert, grabisnin dhe merrnin ç’të gjenin;

Ushtarët e zervës të dehur e delirantë kërkonin florinjtë e fshehur nga çamët, nëper oborre, muret e shtëpive, rrëzë ullinjve, kudo ;

Në mëhallën e sipërme, pas perëndimit të diellit u dëgjua e qara rrënqethëse me oji lebetitëse e një gruaje që vazhdoi gjatë si leitmotiv i përzishëm i asaj që kishte ndodhur.Të nesërmen kufoma e gruas  u gjet e masakruar dhe e hedhur në rrugë;

Në një shtëpi u gjet trupi i një gruaje çame pa kokë, nën limon. Qeni i shtëpisë ishte shtrirë pranë saj dhe dukej pa jetë.

Zervistët ishin betuar që edhe macet e çamëve do t’I thernin!

Nata e tmerrit. Llahtria, perdhunimi shtazarak, rrufeja e të cilit i goditi mendje dhe trup. E zalisur ajo humb vetëdijen. Aty shfaqet njeriu i vërtetë, ushtari Kristo, që katër shokët i quan shtazë, derra dhe se po të tentonin sërish të vinin dorë mbi vajzën, do t’i vriste. Kujdest për të dhe i thotë në mënyrë të përsëritur kur ajo i lutet të mos e prekë, të mos frikësohet prej tij, se nuk është si ata. Jo dhe jo, nuk është si ata. Plagët e trupit edhe shërohen, po ato të shpirtit dhe ato që goditin mendjen, duan kohë.

Pas kurimit në spitalin e Korfusit, ku e shpie e i rri pranë Kristua, dhe kujdesit të mjekëve, vjen shërimi i ngadaltë, pastaj dhe martesa, pranimi i saj nga familja e  Kristos, lindja e djalit….. Por malli për njerëzit e saj, e zhurit dhe asnjë herë nuk fashitet. Pavarësisht nga familja e saj, ndjehet e vetmuar, si njeri pa njeri E di që të sajtë janë në Shqipëri, po ku vallë, jetojnë apo kanë ndërruar jetë? Bashkë me Kriston, shkon në Kakavijë, por kufijtë janë të mbyllur. Ajo shkon në Korfus dhe sodit e përmalluar brigjet shqiptare dhe Sarandën. Plagët e saj kullojnë dhembje. Ka gjetur një zgjidhje të habitshme: në oborrin e shtëpisë, ajo ka mbjellë nga një pemë për secilin: limona, nerënxë, ftua e ullinj, ata janë familjarët e saj: gjyshi dhe gjyshja, nëna dhe babai, motra dhe i vëllai. I kujdeson,i ujit, u lyen trungjet me gëlqere, i ledhaton, flet e bisedon me ta, si të ishin njerëz të gjallë, u thotë fjalë malli e zemre, por, medet, ata janë të vuvosur  e s’i kthejnë përgjigje. Kujton me mirënjohje të shoqin, Kriston, që e shpëtoi dhe e deshi tërë jetën dhe përgjërohet për të birin dhe dy nipat të bukur si yje.

Ah moj jetë!

Kur po lexoja novelën, mu kujtua porosia që I jep Heminguei shkrimtarit Dos Pasos:”Mo harro të japësh motin…moti është mjaft I rëndësishëm”. Në novelë, pesazhi dhe moti, mund të thuash se janë kthyer në personazhe që i japin ngjyrë dhe kuptim ndodhive dhe çasteve kur ato ndodhin. Deti Jon, puhiza dhe erërat, fëshfëritja e gjetheve në kurorat e ullinjve, qyteti që frymon si një qënie e gjallë, drita e hënës dhe yjeve. Gjithsa shkruhen janë në funksion të rrëfimit dhe bëhen pjesë organike e tij, si sfond në të cilin zhvillohen ngjarjet.Shpesh ato shndërrohen në simbole apo paralelizëm figurativ: erërat e ftohta, lloha, stuhitë dhe rrebeshet, vijnë nga malet e Sulit(Prej andej zbritën bandat e Napoleon Zervës).Në çastet e vetmisë, dhe gjëndjes së rëndë shpirtërore, perjashta tërbohet furtuna dhe sokëllin era. Moti, natyra, pejsazhi, jepen me vërtetësi, ngjyresa reale dhe bëjnë që të ndjejmë më mirë gjendjen shpirtërore  të trazuar të personazheve.

Vlerë e shtuar e novelës është edhe shkrimi I disa fragmenteve në dialektin çam, Zonja nga Parga, flet shqipen e atij dialekti që ruhet dhe tingëllon aq bukur në gojën e saj. Në atë gjuhë ajo bisedon edhe me ortodoksët shqipfolës të Pargës, i flet edhe të birit, dhe i thote të mos ketë turp që ta flaës, se ajo është gjuha e mëmës.

Duhet vënë re dhe theksuar, se në novelë nuk gjejmë askund urrejtje të shprehur apo shfaqur nga autori apo personazhet, por mesazhi që përcillet është fare i qartë: në Çamëri, në vitet 1944-45 të shekullit të shkuar, u krye spastrimi etnik nga trojet e saj, i popullatës shqiptare muslimane: me dhunë barbare, vrasje, shkatrrim e zjarr, me çdo mënyrë e mjet për të ngjallur frikë e terror që të merrnin arratinë e të braktisnin vendin.Janë mbi 3000 të vrarë e të vdekur për një popullatë me 28 mijë vetë, më shumëse 10 përqind. Ishte një krim shtetëror, genocide apo në mund ta quajmë holokaust. Novela, një mesazh paqe dhe kërkesë për drejtësi, është një përgjigje e dhënë me art, për qarqet politike dhe qeveritare të sotme greke, që deklarojnë se çeshtja çame nuk ekziston.

Poeti dhe publicist Ylli Xhaferri, pasi e lexoj novelën, ka dhënë mendim që ajo të përkthehet në anglisht dhe të publikohet e shpërndahet për vendet e lexuesve anglishtfolës. Zonja Mira Çela ka shprehur gatishmërinë për ta përkthyer. Do të ishte gjëja më e mirë që do të bëhej për këtë krijim”Të jashtzakonshëm” të shkrimtarit Enver Kushi.

Tiranë, më 04.12.2019



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora