Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rudolf Marku: Përultësia e kallëzimit të historisë

| E marte, 07.10.2008, 12:53 AM |


At Zef Pllumi
Përultësia e kallëzimit të historisë

Nga Rudolf Marku

Ne nuk do guxonim që të ripikturonim tablotë e Rembrandtit, apo ta rishkruanim muzikën e Beethovenit. Por Historia shkruhet dhe rishkruhet. Vetëm një mendje e një ndryshkësie kokëfortë do të kishte guximin për të mos pranuar rishikimin e historisë
At Zef Pllumi, mes dijes, evidencës historike dhe gjuhës

Kur At Zef Pllumi e pat titulluar njërin ndër librat e vet “Histori kurrë e shkrueme”, atij me siguri nuk i pat shku ndër mend se me këtë titull ishte duke u përfshirë në debatin e madh se si shkruhet historia, ose, e thënë ndryshe, përngjashëm me titullin e veprës së vet,se si nuk duhet shkruar historia. Një debat ky jo shqiptar, por botnor, që vazhdon të zhvillohet sot e kësaj dite me botime librash nga autorët më autoritarë të fushës së historiografisë…

Debati më i madh i shikimit të historisë, si një ndërtim narrativ i bërë nga historianët, është nëse vlerësimi i fakteve dhe ngjarjeve dhe reflektimi mbi to i historianit është objektiv, jo i deformuem, por i bërë si një ushtrim në përputhje me shpirtin e kërkimit të së vërtetës. Arthur Marwick në librin “Natyra e re e historisë”, shkruan se Historiani përcaktohet në një trekandësh me brinjët “Dije, Evidencë dhe Gjuhë”. Dije, sepse historiani “nuk e ndërton të shkuarën dhe as nuk e prezanton të shkuarën” - ashtu siç besohet në mënyrë të gabuar. Historiani prodhon dijen e vet rreth të shkuarës.

Historianët nuk janë as idealistë dhe as materialistë. Historia asht një ndërmarrje bashkëpunimi marrjesh dhe dhaniesh. Në shkrimin e Historisë nuk ka Rembrandts, nuk ka Shakespeares dhe nuk ka Beethoven. Historianët bien dakord a nuk bien dakord me njani-tjetrin, grinden, kundërshtojnë njani-tjetrin, kundërshtojnë vetveten, ndryshojnë dhe ripërcaktojnë pikëpamjet e veta. Vepra e historianit asht në rishikim të vazhdueshëm, ajo modifikohet, përmirësohet, rishkruhet. Ne nuk do guxonim që të ripikturonim tablotë e Rembrandtit apo ta rishkruanim muzikën e Beethovenit. Por, nga ana tjetër, Historia shkruhet dhe rishkruhet. Vetëm një mendje e një ndryshkësie kokëfortë do të kishte guximin për të mos pranuar rishikimin dhe rishkrimin e historisë.

E H Carr, të cilin siç e përcakton vetë Arthur Marwick “të qenunit jo marksist, por Stalinist”, nuk e ka penguar që të mbajë karrigen e kryelektorit të historisë në Cambridge, në leksionet me titull “Çfarë asht historia?”, që ka mbajtë në vitet e hershme të dhjetëvjeçarit ‘60, thotë se: “Historia asht një dialog që nuk mbaron (an unending dialog) mes së shkuarës dhe së tashmes”. Ajo çfarë thotë Carr asht thjesht një rimarrje e tezës së Collingwood (dhe e shumë të tjerëve) se “Çdo epokë shkruan historinë e vet”, se “çdo epokë duhet ta riinterpretojë të shkuarën në dritën e preokupimeve tëveta”.

Metafora dhe antropomorfoza këtu janë të ekzagjeruara. Jo se thaniet nuk kanë bazë, por se nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se Historia asht në mënyrë të pashmangshme subjektive. Ma e vërtetë se Historia asht dialog mes së shkuarës dhe të tashmes, po qe se Historia asht një dialog i pandërprerë mes historianit dhe lexuesit të vet, në kuptimin e përpjekjeve që të dy palët janë të përgaditur për ta bërë këtë dialog.

2. Brinja e dytë e trekandëshit të historianit i përcaktuar sipas Arthur Marwcik asht evidenca apo dokumentacioni, fakti, kronika. Këtu dhe historiani si historian dhe historiani si johistorian janë të ndarë me një Mur Berlini. Në anën e Berlinit Lindor janë të gjithë ata historianë që besojnë se evidenca, dokumentacioni, fakti janë të rëndësisë së dorës së dytë dhehistoria mund të shkruhet pa evidencën e shkruar, pa dokumentacionin, pa arkivin dhe faktin.

Le ta themi që në fillim se ata që e kundërshtojnë me forcë evidencën, faktin, arkivin, kronikën, si të dorës së parë në shkrimin e historisë, ata që flasin me përbuzje për “fetishizimin e dokumentave dhe për kultin e arkivit, janë historianët marksistë dhe ata marksizianë, këta të dytët të ndikuar shqitazi nga marksizmi: italiani Antonio Gramsci, gjermano-amerikani Herbert Markuse, Hyaden White dhe frëngj post-strukturalistët Michel Foucault, Roland Barthes, Loius Althusser dhe Jacques Derrida, si dhe postmodernistët Jean-François Lyotard dhe Jean Baudrillard.

Duke qenë marksistë, asht krejt e natyrshme që të mendojnë dhe të argumentojnë se evidenca, fakti, dokumentacioni i dorës së parë nuk janë të rëndësishme për historinë. Në momentin që ke argumentuar se dokumenti nuk është i rëndësishëm për historinë, e ke shumë të lehtë manipulimin e saj. Foucault dhe Barthes, p.sh. kanë mbajtë një qëndrim kritik ndaj historianëve profesionistë - gjë që mund të shihet qartë në essenë e Barthesit “Diskurs për historinë” ku historiadeklarohet as më shumë e as më pak se një ideologji borgjeze.

Historianët e anës përtej Murit të Berlinit mendojnë tjetërsoj. Leopld von Ranke qysh në vitin 1880 shkruan në veprën e vet “Historia universale”:Historiani punon me dokumenta. Dokumentat janë gjurmët e mendimeve dhe veprimeve të njerëzve të kohnave të tjera. Atje ku s’ka dokumenta, nuk ka histori”. Historianët francezë Charles Langlois dhe Charles Siegnobos në “Hyrje në studimin e historisë” - botuar së pari në anglisht në vitin 1898, shkruajnë se “Asnjë histori e një vendi të veçantë nuk mund të shkruhet nëse populli i atij vendi nuk ka lënë ca regjistrime dhe gjurmë të veprimeve të veta.”

“Kafshët jetojnë në mënyrë jo historike”, pat thënë F. Nietzsche tek sodiste në mënyrën më prozaike lopët tek kullosnin në një livadh alpin (F.Nietzsche “The use and the abuse of History”, përkthyer nga Adrian Collins, Indianaplose, 1951). Në kundërvënie të papajtueshme, madje agresive, me tezën e nevojës së dokumentave të shkruar, asht historiani i sotem amerikan Daniel Lord Smail, profesor i Historisë në Universitetin e Harvardit. Në librin e tij të titulluar “On deep history and the brain” botim i vitit 2008, një libër që është përshëndetur në mënyrë entuziaste nga shumëkush, autori shkruan rreth 300 faqe për të provuar e stërprovuarderi në bezdisje se “Dokumentat e shkruar nuk janë thelbësore në shkrimin e Historisë”. Asht një ndër librat ma të fundit të botuar për historinë në gjuhën angleze.

3. Historia asht procesi i kalimit të fakteve dhe ngjarjeve të së kaluarës në atë narracion a bërryl, a kthesë narrative-linguistike që thirret Histori. Teoritë postmoderniste të gjuhës nënkuptojnë se çdo akt gjuhësor jep kuptime që i tejkalojnë qëllimet e autorit; se çdo tekst krijon shumësi kuptimesh, dhe se këto kuptime shpesh mund të kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe se interpretimi i tekstit na bën të mundur kuptimin e njëmend a origjinal, ngase asht vetë një pjesë e lojës së kuptueshmërisë që prodhon teksti, e kshtu me radhë.

Nje komplikim aq i madh, sa nuk është e rastit se me fillimin e shekullit XXI, historianët po e vënë theksin përherë e më tepër te analiza e ngjarjeve, në dallim ngastrukturat kuptimore dhe rrjetat kuptimore (Shih Profesor Yes-Marie Barcè, numri Mars/Prill1999 i Histori, Shkenca Shoqnore). Por nëse pranojmë, bashkë me postmodernistët, rëndësinë e jashtëzakonshme të gjuhës, në kundërshtim me ata naivë që e shohin gjuhën si një medium të thjeshtë, kur është puna te librat e historisë apo te shkrimi i historisë, të gjithë bien në një mendje me Voltaire-in që e kish zakon të thoshte se metaforat për historinë janë si krymbat që gërryejnë librat, se historianët e mirë gjithmonë e shmangin ambiguitetin; se frazat duhet të jenë të qarta, e mendimet e kthjella…

4. Megjithë origjinalitetin që ka Shqipnia, keqkuptimet e historiografisë shqiptare janë një refleks - edhe pse i deformuem deri në karikaturë, në atë mënyrën karakteristike shqiptare - i keqkuptimit dhe konfuzionit që ka ekzistuar në historiografinë botnore sidomos gjatë shekulli të XX. Dhe ky konfuzion ka bërë që Edouard Herriot, kryeministër francez, kur pat vizituar Ukrainën në kohën e urisë së madhe, pat takuar vetëm fëmijë që qeshnin e që i thoshin atij se hanin pite me mish çdo ditë. Kryeministri francez kërkoi të vizitonte një kishë.

Sigurimi i shtetit brenda një kohe të shkurtër e ktheu përsëri në kishë magazinën e grurit, e cila kishte qenë kishë dhe vetë sigurimsat veshën rroba fshatarësh të mirëqenun dhe filluan të shtiren sikur po luteshin, ndërsa komandanti i tyre ngjiti një mjekër prifti nga rekuizita e shtëpisë së kulturës dhe filloi të predikonte... Herriot nuk arriti të kuptonte asgjë nga ky mashtrim, ngase qe i interesuar që të mos kuptonte gjësendi, dhe shkroi me entuziasëm për historinë e shkëlqyer të sistemit sovjetik.

Romain Roland, romancieri francez, qe shoqëruar në një nga burgjet politike nga krimineli famëkeq Yagoda, shefi i policisë politike në kohën e Stalinit, i cili e siguroi se riedukimi i të burgosurve qe një eksperiment i përsosur pedagogjik, nga i cili mund të përftohej njeriu i ri. Dhe Romain Roland qe tepër i kënaqur nga ky sistem burgjesh edukative.

George Bernard Shaw gjithashtu ka vizituar kampet e të burgosurve në Rusi dhe ka shkruar për sistemin e mrekullueshëm të tyre.

Gjatë Luftës së Dytë Botnore, zëvendëspresidenti amerikan, Henry Agard Wallace, ka vizituar gjithashtu një kamp skllevërish të punës korrektuese dhe ka shprehur entuziasmin më të madh për sistemin magjepsës sovjetik… (Wallace and Steiger, Soviet Asia... Në mision, 33).

Jean-Paul Sartre, kur tanksat rusë kalonin mbi trupat e njerëzve të gjallë, shkruante në “Liberation” pas vizitës në Bashkimin Sovjetik se “qytetarët sovjetikë e kritikojnë udhëheqjen e tyre shumë e shumë më tepër e më me efektivitet se në në Perëndim... Ekziston liria totale për të kritikuar... Qytetarët sovjetikë nuk udhëtojnë jashtë shtetit, jo sepse nuk i lejojnë, por ngase nuk dëshirojnë ta lënë qoftë dhe për pak kohë vendin e tyre të mrekullueshëm”. Disa vite më vonë, ky idiot savant, siç e konsideron më vonë Solzhenicini, pat pohuar se asokohe ai e dinte se po gënjente, por gënjente, ngaqë nuk donte t’ua prishte autoriteteve komuniste. Po ky Jean-Paul Sartre pat shkruar një herë tjetër, kur tek ne kishat dhe institucionet fetare po rrënoheshin me një zell të frikshëm, seShqipëria është i vetmi vend i lirë në botë!

At Zef Pllumi, me dy librat e tij madhorë për historinë, për fat të mirë, ecën në gjurmët e një tradite tjetër, e një tradite të hershme, në gjurmët e shkrimit të kronikave nga murgjët evropianë, duke filluar me “Historinë e Kishës” të grekut kristian Eusebues (C. 260-339), dhe duke vazhduar me anglezin Venerable Bede (d735), me Jean Froissart (C.1337-C.1410), me Lorenco Valla-n (C.1407-57), me Leonardo Brunin. Libri i këtij të fundit, “Historia e Firences” (1415-29) shërben dhe sot si një burim i vlefshëm parësor për të studiuar humanizmin në Rilindjen italiane. Ec në gjurmët e Guicciardinit dhe Sir Walter Raleigh në Angli.

Në gjurmët e paraardhësve bashkëkombas Marin Barlecit, Frang Bardhit, dhe Pjetër Bogdanit, der te Shtjefën Gjeçovi, arkivisti Pal Dodaj, Marin Sirdani, Anton Arapi, Bernardin Palaj, Benedikt Dema… Në kohnat fatlume kur jetonin këta njerëz, kuptimi i së vërtetës historike ishte i barabartë me konceptin e Shën Agustinit si shpalosje e vullnetit të Zotit.

Përparësia e At Zefit si historian asht dija e thellë e Historisë së Shqipnisë, një dije e përftueme dhe e stërvitun në arkivat françeskane, nga leximi i dorëshkrimeve të ruajtuna, nga bisedat dhe nga njohja me disa nga personazhet ma të rëndësishëm të historisë e të kulturës së kombit, por dhe nga një përvojë vetjake e jashtëzakonshme. Historia te ai nuk vjen si dije akademike, si kategori e parapërcaktuar, për shkak të parapërcaktimeve ideologjike; e ngaqë nuk asht e tillë, historia për të asht në radhë të parë historia e fateve njerëzore.

Lexoni librat e historisë të shkruar nga historianët tanë. Personazhet historike janë monumente, jo njerëz të gjallë. Në librin e mirënjohur të John Julius Norwich mbi Bizantin, flitet hollësisht rreth grave të Perandorëve të Bizantit, për karakterin, për pamjen fizike dhe origjinën e tyre. Po Ismail Qemali ynë a pati grua? Këtë lexuesi shqiptar ka për ta vuajtur për një kohë të gjatë si një enigmë të pazgjidhur.

At Zef Pllumit, ashtu si paraardhësve të vet të mëdhenj, as nuk i shkon ndër mend që të vejë në dyshim randësinë e jashtëzakonshme të dokumentacionit, të faktit historik, në shkrimin e historisë. “Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës” fillon me rrëfimin e fatit të një kronike që paska qenë ruajtur në arkivin françeskan; asht kronika e jetës së Fra Erasmus a Balneo, një frat italian që vjen në Shkodër me misionin e përulët të një françeskani e që caktohet famulltar në Hot, për t’u gjetur dëshmitar në një nga periudhat më interesante të historisë së vendit tonë, e në të njëjtën kohë, ashtu siç ndodh si rregull në historinë e Shqipnisë, duke qenë një periudhë kyçe - një nga periudhat ma të padokumentueme.

Dorëshkrimi ka humbë, ashtu si pjesa më e madhe e arkivit françeskan. At Zefi riprodhon dorëshkrimin ashtu siç e kujton. Pra kronika e Pater Zefit asht kronika e një kronike që paska qenë shkruar e që ka humb, asht dorëshkrimi i një dorëshkrimi. Por saktësia dhe objektiviteti i kronikës së kronikës janë të tilla, sa mbas vdekjes së Pater Zefit, studiuesi arbëresh Italo Sarro ka zbulue në Arkivin Historik të Propogandës Fide në Romë korrespondencën – përkatësisht 6 letra –që Bushatlinjtë e Shkodrës dhe Ipeshkvi Gjergj Radovani i drejtojnë Selisë së Shenjtë. Letrat janë botuar me Faksimile në Hyllin e Dritës. Do mjaftonte veç leximi i këtyne letrave që dhe skeptiku ma i thekun t’i besonte vërtetësisë historike të Fratit të Bushatlinjve.

Vetëprocesi i kalimit të fakteve dhe ngjarjeve të së kaluares në kthesën narrative-linguistike bahet me një natyrshmëri të jashtëzakonshme. Gjuha e pater Zefit asht e zhveshun nga rrakaxhinget metaforike. Asht gjuha me të cilën flasin dhe sot e ksaj dite malësorët shqiptarë. Toni asht i shtruem, i qetë, i mençur. Asht gjuha popullore e pajtueme me një tekst historie.

Kallëzimet e misionarve të vjetër janë një pikturë realiste e një Shqipnie të çoroditun, “me male të egra, me një popullsi të vrazhdë e të pashkollueme, me shumë ngatrresa e provokime mbi të cilat bazoheshin akuza e shpifje që mund të mbërrijshin deri me dekë… me kristianë laramana të cilët ditën ose sheshit ishin turq e muslimanë, ndërsa natën ose mesheftas kishin besimin katolik”. Historia e Shqipnisë e pater Zefit nuk e pranon mitizimin, por ajo nuk bie as dhe në grackën e një çmitizimi që shumë lehtë mund të quhet mitizim i çmitizimit.

Në traditën e kronikave të murgjeve, te historitë e at Zefit, bie në sy përultësia si ton i të rrëfyemit, si e kundërt me gjykueshmërië. Jo përultësia si kategori morale, por si objektivitet i kallëzimit të historisë. Tekstet e Historisë, sidomos tekstet e shkruara nga historianët tanë, janë të mbushuna me gjykimet e guximshme të autorëve për figurat historike e për ngjarjet historike. Fridrih Shileripërmend at historianin që asht me rrufë e që tërheq hundt e teshtin gjatë gjithë kohës tek kritikon përpara studentave Hanibalin për gabimet taktike në kalimin e Alpeve.

Ashtu si gjatë gjithë historisë njerzore, humori shfaqet në historitë e pater Zefit gjithmonëatje ku parashikohet tragjedia. Dhe humori asht brishtësi, butësi dhe delikatesë shpirtnore, pa të cilat dhe vetë Historia do të qe një materie e ngurtë, e pajetë, e mumjezueme.

5. Më 4 dhjetor të vitit 1354, perandori i famshëm bizantin John (Ioannes) Cantacuzenos (gr. ??????? ??? ?????????????), bash në kohën e lavdisë së vet, gjatë një ceremonie solemne në Blachernae, pat vendosë në një qoshe kunorën dhe mantelin e purpurt perandorak. Në vend të rrobave madhështore të perandorit bizantin, ai pat vesh rrobën e zezë të murgut. Po atë ditë e shoqja e tij, Irena, u shugurue murgeshë në Manastirin e Shenjtes Martë. Ai vetë, duke pasë përbuzje për çdo gja të mëparshme të jetës së vet si Perandor, kërkoi të ndryshonte dhe emnin. Zgjodhi, për një koincidencë, emnin Zef.

Ish-perandori i Bizantit do të jetonte dhe 29 vjet të tjera. Gjatë këtyne viteve, kur Bizanti do ndodhej në udhëkryqe ngjarjesh, bashqytetarët e vet do shkonin jo vetëm një herë, për t’ju lutë murgut të përulun Zef që të kthehej prapë në Fronin e Perandorit. Por ai do refuzonte me kokfortësi. Vitet e para në Manastir ia kushtoi shkrimit të kronikave që ai i quajti “Historina”. John Cantacuzenos tek veshte rrobën e përultë të murgut atë ditë të Dhjetorit të vitit 1354, me qëllim që të bëhej kronikan, shpallte kësisoj se dëshmia historike, evidenca, kronika, dokumenti, kanë më rëndësi jo vetëm nga profesorët e Cambridge-it dhe të Harvardit, por dhe senga vetë pushtetet e përkohshme perandorake.