E enjte, 25.04.2024, 08:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Tano Banushi

E merkure, 08.03.2006, 10:05 PM


Tano Banushi

N? 4 shkurt 1927 u lind Artisti i Popullit Tano Banushi, mjeshtri i humorit, q? e befasoi kurdoher? publikun me forc?n e origjinalitetit t? vet, duke krijuar role t? paarritshme, t? cilat mbet?n n? thesarin e kultur?s son? teatrore. Artisti i Popullit, aktori brilant i humorit shqiptar, Tano Banushi, ka interpretuar mbi 1000 role në jetën e tij të gjatë skenike. Leo, Pashuku, Fotografi, Dulla, .. do të duhet një kohë e gjatë për t'u përmenduar mbi 1000 rolet e tij në skenë, mbi 1000 fytyrat e papërsëritshme të interpretuara prej tij në rreth 45 vjet jetë në skenën e Teatrit "Migjeni" të Shkodrës, ku nisi jetën e tij artistike. Fillimet.. "Në dramën "Armiku i popullit" të Ibsenit në 1945, në mes shumë roleve, tërhoqi vëmendjen edhe figura e të dehurit, e cila bashkë me personazhin ibsenian, prezantoi aktorin komik Tano Banushi", do të thoshte për të në një shkrim portret kritiku Miho Gjini. Për të vijuar më pas në komedinë "Pashuku" të F. Ndocajt 1946, në rolin e një shërbetori komik. Elegant, i shkathët, me një humor befasues, me ngjyra shkodrane e i gërshetuar me traditën, improvizues dhe ekspresiv, do të shfaqet Tano si prezantues i shfaqjeve të grupit amator te klubit të punëtorëve "Vasil Shanto". ...dhe me pas.. Në rolin e marinarit në "Një tragjedi optimiste" të Vishnjevskit; në rolin e kapterit në komedinë "Prefekti" të B.Levonjes; në rolin e Llomovit te "Fejesa" e Çehovit; në rolin e Mazllumit te komedia "Hej moj babë" të J.Vojushit; në rolin e Leos te komedia "Këshilli i ndrikullave", të Sh.Mitës. ...në vazhdim të plotësimit të portretit Në vitin 1958 krijohet estrada profesioniste e qytetit të Shkodrës. Tano Banushi, aktor komik interpreton me qindra role nga të ndryshmet si brigadier, nëpunës, shef, bojaxhi, fotograf etj, të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të paharuara në mendjet e artdashësve të humorit. Tano Banushi është një figure komplekse. Realist. Brenda nje shfaqjeje e shihje në role të ndryshme. Te secili rol gjente veshjen e veçantë artistike. Tanoja ishte një aktor shumëplanesh. Brilant. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, paradine, vodevilin, intermexon, etj. Ishte mjeshtër për të përjetuar brenda një materiali letrar gjithë dridhjet e shpirtit të një personazhi. E personazhi që krijonte Tanoja nuk ishte as klloun, as palaço, por kishte humor të brendshëm, therës, kishte dramë. Nje kujtim nga aktori, Artisti i Merituar, Bep Shiroka, Tanoja ishte aktori zëmadh i humorit shkodran dhe atij shqiptar. Vazhdues i denjë i humoristëve shkodran Kolë Tivari, Osos se Falltores, Hilë Gegës etj. Ai shkelqeu në të gjitha zhanret e humorit. Aktor melodioz, i binte kitares. I vëmendshëm ndaj çdo roli per ta luajtur sa më mire. Vdiq n? n? vitin 1993.

Wikipedia

I madhi Tano Banushi, një relike e artë në gjerdanin e kulturës shqiptare

Nga Fadil Kraja

U kthye përsëri Tano Banushi në skenë. I madhi, plot dritë, i papërsëritshëm. Pas kaq vitesh heshtjeje absurde dhe hileqare, teatri “Migjeni” e rihapi siparin për të. Pas kaq vitesh, salla u mbush me duartrokitje të zjarrta, me qeshje të çiltra, me emocione dhe lot. Këtë radhë, Tano Banushi na solli krijimtarinë e tij letrare humoristike, në një libër të bukur, botuar nën kujdesin e gruas dhe bijve të tij, sistemuar dhe redaktuar nga Isa Alibali dhe Petrit Kovaçi. Dhe tani Tano është më i plotë. E njihnim si aktor të madh, këngëtar, kitarrist, prestixhator, numizmat i rrallë në Shqipëri dhe grumbullues dhe ruajtës unikal në llojin e vet të pllakave, afisheve, fletushkave, fletë-programeve të shfaqjeve letrare, teatrore, muzikore dhe të çdo lloj veprimtarie artistike të zhvilluar në Shkodër që nga fillimi i vitit 1945 e deri sa vdiq. Dhe shumë prej këtyre relikeve mbajnë firmat e autorëve, interpretuesve, regjisorëve. Një thesar të tillë nuk besoj se e ka dikush tjetër në Shqipëri... Tani Tano Banushin, me këtë libër e kemi edhe shkrimtar. Ky libër është një gur i çmuar që i shtohet visarit të humorit shqiptar në përgjithësi dhe atij shkodran në veçanti. Dhjetra dhe qindra skeçe, dialogje dhe intermezzo, skeçe muzikore dhe poezi lirike, tekste këngësh dhe poezi satirike sai dhe anekdota të krijuara prej tij dhe që ende sot, të bëra anonime, qarkullojnë gojë më gojë dhe na bëjnë të qeshim dhe të mendojmë.
Ka aktorë të mëdhenj që kujtohen dhe respektohen për interpretimet e tyre në skenë. Ka të tjerë, e mes tyre është edhe Tano Banushi, fama e të cilëve del nga skena dhe futet në mjediset shoqërore, hyn në familjet tona, në gëzimet dhe festat tona. Ata bëhen proverbiale, personazhe tipikë dhe të dashur për të gjithë, sepse të gjithë kujtojnë, përsërisin, bile dhe stërhollojnë thëniet, gazmoret dhe postulatet e këtyre artistëve të mëdhenj që kanë privilegjin të bëhen të pavdekshëm, duke u bërë popullorë. Në arsenalin e anekdotave të këtij libri, gjen edhe të tilla që janë të hershme, krijimtari e popullit, por të mbledhura, përpunuara e sidomos të thëna e përhapura prej Tanos, kanë marrë autorësinë e Tanos dhe kur tregohen, edhe sot e kësaj dite njerëzit thonë atë frazën aq të njohur në Shkodër: -Ka thanë Tano Banushi. Si thonë për të tjerat: -Ka thanë Tefa... ka thanë Kol Tivari, ka thanë Gjakova e deri tek i riu: -Ka thanë Nexho.

Është kjo një lloj patente për bukurinë dhe humorin e anekdotës. Sepse, figura të tilla në Shkodër, mes tyre edhe Tano, kanë qenë dhe mbesin sinonim i humorit të çiltër, i mjeshtërisë edhe në tregimin e një anekdote a barcelete. Aq e vërtetë është kjo, sa njëherë kompozitori i madh Prenk Jakova, Nder i Kombit, e takoi Tanon në rrugë, e ndali dhe i tha: -Tano. Mbrëmë më kanë treguar një anekdotë. Po ta tregoj unë ty e pastaj ma trego ti mua që të qeshi. Këto fjalë të Prenkës kanë një domethënie të madhe. Jo gjithkush di të bëjë humor. Duhet talent, mjeshtëri... Dhe këta i kishte Tano Banushi.

Në libër janë të përmbledhura skeçet, paroditë, intermezzot etj. që Tano ka shkruar ndër vite, për vete dhe për aktorët e tjerë kolegë, me të cilët dhe i interpretoi mjeshtërisht. Në këtë krijimtari shihet qartë galeria e pasur e roleve të Tanos, një galeri e papërsëritëshme, një galeri që e shoqëruar edhe me fotografitë e shumta të këtyre roleve (një pjesë shumë e vogël janë në libër), duhet të vihen në ish studion e tij të punës në teatër dhe kjo studio të kthehet në muze të vyer, në një vend pelegrinazhi për të gjithë ata që e kanë dashur dhe duartrokitur këtë aktor të madh. Mbi të gjitha kjo studio muze mund të bëhet edhe një altar ku aktorë të rinj që i vijnë skenës së humorit të marrin përvojë, të mësojnë e të frymëzohen. E jo të kthehet nga keqdashës mjeranë kjo studio në WC, siç edhe e kthyen. Sepse, këto vitet e fundit, vetëm për WC nuk ka patur nevojë teatri.

Siç e theksova, galeria e krijimtarisë letrare të Tano Banushit është galeria e roleve të tij. Sa tipa e karaktere ka personifikuar ai në rolet e tij? Janë aq shumë... një arsenal i tërë. Diku në libër Tano e thotë edhe vetë, duke krijuar edhe këtu humor: -Gjatë jetës sime si aktor i estradës kam luajtur këpucarë e bojaxhi, zdrukthëtar e dugajxhi, dentistë e doktorë, elektriçistë e hallvaxhi, mësues fshati e profesorë, hidraulikë e muratorë, karrocierë dhe shoferë, berberë e infermierë, burra grashë shamataxhesha, gagarelë pa mëntesha, beqarë të mbetur nervozë, matrapazë e karagjozë, fanatikë e kulakë, me mustakë e pa mustakë. E demek, me ba me qeshë, edhe femër kam qenë veshë...

Megjithëse brenda kornizës së hekurt të një ideologjie imponuese, të arrish të ironizosh, të tallesh, t’u bësh karikaturën shefave, brigadierëve, drejtorëve... pra kalbësimin e një shoqërie, a nuk është kjo t’i bësh radioskopinë një sistemi drejtues dhe politikës që e krijoi atë? A nuk është ky qëndrim kritik dhe disident? Dhe Tano Banushi, i dalluar sidomos për rolet e naivit, apo një lloj Shvejku shqiptar, mund të themi se vuri në lojë, talli dhe akuzoi shoqërinë e kohës. Ndaj edhe mbetet i madh.

Është dhe lirik i ëmbël Tano Banushi, siç dëshmojnë shumë poezi të librit. Ka dashuri të pastër dhe të sinqertë në këto lirika. Por, mbi të gjitha të bie në sy dashuria e madhe për qytetin e tij të lindjes, për Shkodrën. Janë shumë poezi që i kushtohen Shkodrës, ku është përzier edhe malli, kujdesi, shpresa optimiste për këtë qytet:

Tek ti më fluturon gjithmonë mendimi

qytet i imi...

...Ti je për mua

puna, gëzimi...

Gëzim i dha Shkodrës puna e Tano Banushit, zemra e tij e madhe, talenti i tij i madh. I dha gëzim dhe gaz gjithë atdheut. Ndaj dhe aq bukur dhe aq përjetësisht ndrisin dhe vezullojnë bri emrit të tij ato dy fjalët e arta: Artist i Popullit.

I madhi Tano Banushi

Një ditë, kompozitori i shquar Prenk Jakova, (Nder i Kombit) takoi në rrugë aktorin Tano Banushi dhe i tha: - Tano, mbrëmë më kanë treguar një barsoletë. Po ta tregoj ty dhe të lutem ma trego pastaj mua që të qesh!
Ka ngelur proverbiale në Shkodër kjo thënie e sinqertë e Prenkës. Nuk është e lehtë t'i argëtosh njerëzit, t'u shpalosësh atyre gazin dhe buzëqeshjen. Kjo është një dhunti, një privilegj i artistëve të mëdhenj të humorit. Shkodra prej shekujsh është njohur si qytet i humorit, sepse ka nxjerrë dhjetëra e dhjetëra figura të shquara të këtij arti kaq human dhe kaq fisnik, këtij balsami për shpirtrat e trazuar. Një ndër ta, ndoshta më i shquari i të gjitha kohërave, është Tano Banushi, Artist i Popullit, Mjeshtër i Madh. Mund të themi pa droje, se historia e humorit dhe humoristëve shqiptarë në përgjithësi dhe të Shkodrës në veçanti, do të ishte e varfër pa emrin e Tano Banushit. Sepse galeria madhështore e interpretimeve të tij, e roleve të tij të pa fund në estradë dhe në teatër, është një visar i paçmuar, është një pasuri kombëtare. Vrojtues fenomenal i tipave dhe karaktereve njerëzore, ai i mëshironte ata dhe i paraqiste aq bukur dhe aq natyrshëm jo vetëm në skenë, por edhe në tubime familjare, mbrëmje dhe festa gazmore, duke u bërë strumbullar i tyre, "qershia mbi tortë" e tyre. Kjo e bëri popullor, të dashur dhe të lakmueshëm...Figura e tij, mimika, batutat e tij unikale dhe të papërsëritshme, hynë natyrshëm në çdo familje, siç hyn një gaz dhe një gëzim i sinqertë. Edhe sot e kësaj dite jetojnë anekdotat e tij dhe shprehja: Siç ka thënë Tano Banushi. Me atë fytyrën e tij topolake, me qafën paksa të mënjanuar, vështrimin e tij si të trembur, shtrembërimin origjinal të buzëve, zërin herë metalik herë të përvajshëm, i aftë për të imituar çdo dialekt dhe zhargon, Tano Banushi të mahniste në rolin e babaxhanit, naivit, gjysmë budallait që si një kalamit qas dhe bart shuplakat e të tjerëve, romuzet dhe kritikat, deri te dënimet. Por, ndërsa ata që i suleshin atij iknin shpejt nga kujtesa, roli i Tanos mbetej në kujtesë, sepse njerëz si ai ishin aq të shumtë për kohën, njerëz që kishin zgjedhur apo preferuar këtë rol në një shoqëri të ngurtë, meskine, të ashpër e plot paragjykime, deri në shtazore. Spektatori, këtë rol të preferuar të Tanos, të papërsëritshëm do të thosha (Ndoshta Agroni i "Portokallisë" meriton t'i afrohet), e donte sepse shihte në të një lloj oponence të përvuajtur, të stërholluar ndaj një klase politike ku bënte ligjin diktatura dhe injoranca e veshur me pushtet, dhuna e përligjur si "mjet edukues". Në skenë, në ata mbi njëmijë role të tij në gjysmë shekulli si aktor profesionist, spektatori shihte te Tano Banushi shefin, drejtorin apo brigadierin e paaftë dhe gjysmë analfabet që e katranosnin punën aq sa viheshin edhe vet në siklet, dhe duke ngjallur qeshjen e të tjerëve, ngjallnin edhe ironinë, shpotinë...keqardhjen e heshtur për gjendjen ku jetonin. Dhe naivi, babaxhani, gjysmë budallai dhe gjysmë analfabeti Tano, me interpretimin e tij, sikur u thoshte njerëzve: - Qeshni, nëse nuk mund të qani! Dhe njerëzit qeshnin me pahir. Qeshnin dhe meditonin. Intelektuali dhe punëtori hamall, politikani dhe lypësi, gjykatësi dhe polici, i dehuri dhe i çmenduri, kapadaiu dhe frikacaku, gënjeshtari dhe servili, rrobaqepësi e bojaxhiu, fotografi dhe këpucari... fanatiku dhe liberali, babai rrezikzi dhe gjyshi finok... gjer dhe gruaja e pispillosur e llafazane... deri dhe fëmija i llastuar dhe me vese... Ja, kjo është galeria e roleve të Tatos. Tipat, karakteret njerëzore në fytyrën e tij me mimikë të jashtëzakonshme, në lëvizjet e trupit, në stërhollimin e zërit, belbëzimet, gafat, shikimin zhbirues... ishin qytetarët e Shkodrës, ishte koha që mishërohej dhe shpalosej nga ky aktor i madh. Sepse, siç shprehej ai vetë:
- I kam parë këta njerëz që fëmijë, kur hynin në mejhanen e babait tim... Aty hynte gjithë Shkodra dhe unë u shërbeja atyre... dhe i studioja... i ngulisja në mendje...
Estrada Profesionistae e Shkodrës, për dekada të tëra ishte ndër më të shquarat e vendit, sepse kishte në gjirin e saj aktorë të talentuar, si Hasan Smaja dhe Paulin Preka, Zyliha Miloti, Hajrije Kola, Jolanda Shalam, Katrina Biga, Zef Deda, Gëzim Kruja, Mërgim Muhja, Gjosho Vasia, Muharrem Nurja, Drane Xhai etj, por mbi të gjitha, ishte e tillë, sepse e kishte patriarkun e saj, të madhin Tano Banushi. Ai ishte i madh, sepse nuk shquhej vetëm ndër skeçe, por dhe në komedi brilante, bile dhe në tragjikomedi. Janë brilante dhe të pashlyeshme në kujtesë interpretimet e tij në komeditë "Këshilli i Ndrikullave", Çështje familjare", "Fundi i një komedie", "Luani i shtëpisë", "Dasma Shkodrane" etj.
Por jo vetëm kaq. Tano Banushi ishte edhe këngëtar i shquar, ishte edhe kitarist, ishte dhe kërcimtar e skenograf.
E jo vetëm kaq... Ai ishte edhe shkrimtar i shquar i humorit... Janë qindra skeçet e shkruara prej tij, komedi dhe parodi, kupleta dhe tekste këngësh... (Së shpejti do të dalë një botim i plotë për këtë figurë të shquar, përgatitur nga Isa Alibali). Shkruante për t'i interpretuar vetë, por edhe për shokët e tij, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë estradat e vendit.
E jo vetëm kaq... Tano Banushi ishte një koleksionist i rrallë. Një ndër numismatët më të shquar të vendit (janë qindra e mijra monedhat e ruajtura prej tij). Ishte ndoshta i vetmi koleksionist i një fushe të veçantë. Që nga dita e parë e çlirimit të vendit dhe për mbi tre dekada më pas... ai grumbulloi me pasionin e një sqimëtari, gjithë afishet artistike të qytetit, për çdo shfaqje apo koncert, disa prej tyre edhe me firmat e regjisorëve, aktorëve interpretues... Në këtë koleksion të rrallë është historia tridhjetëvjeçare e lëvizjes kulturore dhe artistike të një qyteti, siç ishte Shkodra artistike e atyre viteve. Dhe jo vetëm kaq... Tano Banushi ishte edhe regjisor i talentuar, ishte edhe didakt dhe mësues i palodhur e dashamirës për një plejadë aktorësh të rinj, që u rritën dhe u bënë të njohur falë ndihmës dhe përvojës së tij.
Ky ishte i madhi Tano Banushi, që më 4 shkurt mbushi 80 vjetorin e lindjes, një jubile që duhet kujtuar me nderim dhe respekt nga gjithë bota e artit dhe skenës shqiptare, edhe pse nuk e kemi më në mes nesh.
Sepse, figura të tilla i kemi të pakta. Sepse figura të tilla nuk vdesin kurrë. Janë yje që nuk rreshtin të rrezatojnë dhe të frymëzojnë.

07/02/2007
Fadil Kraja



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora