Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Istref Haxhillari - Një grusht fat

| E hene, 02.12.2019, 09:00 PM |


Veçori të rrëfimit në romanin “Një grusht fat” të shkrimtarit Istref Haxhillari

Nga Resmi Osmani

Romani “Një grusht fat”, ne stendën e Shtëpisë Botuese Uegen,në panairin e librit,pati ecuri të kënaqëshme. E takova shkrimtarin, e urova  dhe i mora autografin për librin. Me tha se për romanin kishte punuar kater vjet: në Pogradec,Amerikë dhe itali.Në fillim titulli ishte “Fshati buzë lumit”, më pas u ndryshua në “Paralele që priten” dhe përfundimisht në “Një grusht fat”. E lexova me vëmëndjen që kërkon krijimtaria e një miku dhe kolegu të letrave që ka bërë emër me krijimtarinë e tij.

Romani, është saga e fshatit Dunajet në malësitë juglindore shqiptare, që nis e mbyllet me fatin e një familjeje, por që me bashkjetesën dhe lidhjet e saj, përfshin në ngjarje tërë bashkësinë. Në aspektin kompozicional është i ndarë në katër pjesë dhe i shtrirë në tri kohë: para lufte, gjatë luftës dhe pas luftës. Të katra janë pjesë të një tablloje të së tërës, që të pikturuara me penelata të imtësishme, herë me dritë e herë me hije , herë të qeta e herë të rrëmbyera, herë epike herë lirike,me mendimin, mendësinë dhe filozofinë e urtë fshatareske, përbëjnë indin që është endur rrëfimi romanor.

Hapësira e zhvillimit dhe vendit të ngjarjeve është relativisht e kufizuar. Fshati Dunajet, diku në malësitë e thella të Mokrës, buzë lumit i veçuar, larg e si i harruar nga bota, me toka të pakta, që bën jetën e tij patriarkale , si qëmoti, i zhytur në bestytni dhe misticizëm, që na kujton fshatin e tregimeve kuteliane. Kur nis lufta, Dunajetasit mendojnë se aq larg e në vend të humbur sa rrojnë ata, lufta s’ka për të shkuar deri aty . Gabohen. Lufta, me gjëmat e saj, dhe jo vetëm ajo, I gjen aty tek janë dhe ata sit ë ishin viktima të fatalitetit, përfshihen në vorbullën e ngjarjeve, me apo pa dëshirën e tyre, pa I shpëtuar së thënës, duke punuar, robtuar , lutur dhe shpresuar për një grusht fat.

Nuk do të shtjelloj në këtë shkrim permbajtjen dhe rrjedhjen e ngjarjeve të romanit, por disa veçori të qënësishme të stilit dhe teknikave tregimtare të romancierit Haxhillari.

Mënyra e të rrëfyerit, e qetë, e shtruar, me shtrirje horizontale e vertikale, gati me natyralizëm,vërtetësi e ngjyresa të gjalla ,ku natyra dhe peizazhi shërben si sfond, ku jetojnë, punojnë e lëvizin personazhet, bën që lexuesi  të jetë pjesmarrës në ngjarje, dhe virtualisht ta ndjejë veten si pjestar të asaj bashkësie, të marrë pjesë në të mira e gëzime, të hidhërohet e gëzohet bashkë me ta, në hallet dhe fatkeqësitë e tyre, nga fillimi deri në mbyllje të romanit.

Autori,  e njeh mirë fshatin dhe banorët e krahinës malore të vendlindjes së tij. Jetën, zakonet, traditat, mardhëniet, të shkuarën, aq sa ai hyn në “lëkurën” e personazheve.Qofshin Burra e gra,vajza e djem, apo të moshuar, jane gdhendur si skulptura, të vërtetë, me veçoritë e tyre, jo vetëm fizike por edhe mendësitë, urtësinë apo marrëzinë, janë fshatarë deri në palcë: nga ksula e lyrshme, shajkët që veshin e deri te opingat. Ata flasin secili me atë gjuhë që flet cilido fshatar i atyre anëve, të atyre kohëve, gjuhë e pasur, me figura dhe frazeologji tipike, disi e kursyer, por e pasur në mendime, e zhdërvjellët, me humor të hollë e shpotitës, sa kur i lexon dialogët e tyre, me fjali të shkurtëra, hidh e prit, të vinë ndërmend biseda që ti  i ke dëgjuar dikur - diku dhe ata njerëz të duken të afërt, ke dëshirë të rrish e të rrëkëllesh një gotë me ta, apo të këmbesh një cigare duhan.Të mbeten gjatë në mendje e kujtesë. Dhe kjo nuk është pak.

Autori nuk u ndërhyn personazheve, nuk i drejton apo imponon sesi të sillen apo të veprojnë. I le të veprojnë dhe të sillen, apo të vendosin, ashtu si ata e mendojne dhe ua kërkon zhvillimi i ngjarjeve dhe rrethanat në të cilat ata ndodhen. Ashtu si ata e dinë vetë, si ua diktojnë ngjarjet ku përfshihen me dashje apo pa dashje, si rrëkeja e ujit që e çan vetë vijën për tu derdhur në lumë. Kjo i bën  jo vetëm të veçantë, por edhe  të vërtetë e të besueshëm dhe jo si kukulla të stisura.

Duhet vënë në dukje sesi autori, me paanësi dhe mençurisht,duke u nisur nga qëndrimet e ndryshme politike që mbahen ndaj luftës, përfshi këtu edhe historianët, ai nuk bëhet palë, nuk çfaq opinione, ato i shfaqin personazhet, veç përcjell ngjarjet me episode e luftës. Ndryshe nga se e mendojnë Dunajetasit, lufta I gjen edhe atje në humbëtirën e tyre. Dramën e saj ata e përjetojnë si një tragjedi me tre akte: i pari; në fshat ja beh një battalion nacionalist, bashibozukët e tij shpërndahen nëpër shtëpitë e fshatit, me forcën e armëve e teprojnë zullumin me sjellje të papranueshme, që arrijnë deri në përdhunime. Banorët terrorizohen, por s’kanë forcë të vetmbrohen apo kundërshtojnë. Akti i dytë; vjen njësiti partizan, çliron fshatin, ze rob nacionalistët, pushkaton  gjashtëmbëdhjet prej tyre. Akti i tretë,në verë(ndoshta në operacionin e qershorit 1944) në fshat mbrrin njësiti ndëshkimor hakmarrës nacionalist që pushkaton aq banorë të fshatit sa qenë nacionalistët që u pushkatuan. Ngjarjet përshkruhen me imtësi, si në një film bardh e zi. Lexuesi nxjerr përfundimet e veta, porse mesazhi i autorit jepet fare i qartë: se lufta është një mallkim, e paligjshme dhe e pamoralshme, që sjell e mbjell zi e vdekje shkatrrim e mjerim.

Paslufta. Pushteti i ri. Jepet me një simbol; në qendër të fshatit në sheshin e xhamisë hidhen themelet dhe ngrihet ndërtesa e re administrative, ku do të zerë vend administrate e re. Edhe Dunajeti nuk i shpëton dot politikave dhe zhvillimeve të kohës: kooperativizmit. Me hir e pahir,ja behin të deleguarit, agjitatorët premtojnë begati, lumturi, lugën e florinjtë! Gjoja me vullnetarizëm, por me masa shtrënguese. Kundërshtimet nuk pranohen. Kooperativa ngrihet. Ata që e kundërshtojnë shpallen kulakë, ose u vihet damka e individit dhe lihen jashtë jetës shoqërore, pa tyriska fronti, pa të drejta studimi për fëmijët. Biografia, lufta e klasave…. Por ka edhe ndonjë kokëkrisur, qëndrestar, që duke tundur flamurin e vullnetarizmit,  mbetet individ. Mirë apo keq? Autori ua lë personazheve ta thonë, dhe nuk janë të pakët ata që e kundërshtojnë kooperativën. Sa për të ardhmen, vlen një fjalë e “individit” Murat Kajaçka, që në një bisedë me Lisienin, djalin e shkolluar të fshatit, profetizon fundin e sistemit.

Jeta dhe brezat, paraqiten si në një stafetë, secili, në fund të rrugës së vet jetësore, si produkt i formuar nga tërësia e kushteve shoqërore, historike e zakonore e mbyll jetën, duke marrë me vete edhe një periudhë historike, duke ja lënë vendin brezit pasardhës i cili ka evoluar, është arsimuar dhe ka tjetër këndvështrim për jetën dhe botën. Ky aspekt trajtohet me ikjen nga jeta të së moshuarës Dasara Sofi.

Romani mbyllet me kurorëzimin e dashurisë së Lisien Dunicës, djalit të Uranit,  me Vesa Çerën, vajzë po nga ai fshat . Një fund , që për të dy të rinjtë mund të quhet i lumtur, simbolizon  vazhdimësinë e jetës, si një grusht fat për Dunajetin, dhe dunajetasit që i kanë qëndruar furtunave të kohës dhe i paraprijnë së ardhmes.

Në fund të këtij shkrimi, ja lejoj vetes që të them me bindje se me këtë roman të ri,”Një grusht fat”, shkrimtari Istref Haxhillari e vë veten në radhën e prozatorëve cilsorë të ditëve tona.

Tiranë, më 26.11.2019