E hene, 09.12.2019, 02:21 AM (GMT)

Kulturë

Timo Mërkuri: Vajtimi i Ajkunës dhe Petrit Rukës për Omerin

E shtune, 30.11.2019, 10:26 AM


Vajtimi i Ajkunës dhe Petrit Rukës për  Omerin

Përsiatje mbi  “Vajtimi i Ajkunës” të Petrit Rukës dhe Eposit të Kreshnikëve

Nga Timo Mërkuri

Unë jam i sigurtë që  nuk gabohem duke e quajtur këtë krijim  “Vajtim i Ajkunës dhe Petrit Rukës  për Omerin” madje ju ftoj edhe juve që me këtë titull ta lexoni apo ta përmëndni nëpër biseda e komente. Sepse duke e lexuar nuk je në gjendje ta dallosh ku fillon e ku mbaron vajtimi i Ajkunës së  Eposit të Kreshnikëve e ku fillon  vajtimi i Petrit Rukës. Kjo jo vetëm për arsyen se të dy vajtimet të përlotin sytë e s’je në gjëndje të gjesh dallimin e vargjeve të eposit nga krijimi poetik i tepelenasit, por edhe për  arsyen  thelbësore se  të dy krijimet janë ligjërime mortore, janë vajtime dhe në të dy këto vajtime janë rruajtur besnikërisht karakteristikat e vajtimit me ligje të popullit tonë dhe epoka e ngjarjes.

1)-Vajtimi është për Omerin, birin e Ajkunës dhe të Mujit. …Muji bashkë me Halilin dhe me Omerin del në bjeshkë për me u gri me shkjet. Halilin e qet në maje të thatë e Omerin tu kasha në fush të Krajlnis. Omeri vret popin e n’atë pushkë e rrethojnë shkjet e i bajn’ nandë plagë…I ligështuem lëshon nji gjamë, të cilën e ndjen Halili. Halili nget tu Muji, u bin shkjeve e i shpërndajnë. Shkojnë te Omeri, e venë në gjok, por u vdes në bjeshkë tue i porosit mos ti diftojshin nanës... Është pikërisht kjo këngë kur Ajkuna i lutet Mujit…Pash at Zot Mujo qi t’ka dhanë/Mos Omerin shpijet me ma tretë/Se shtatë Omera t’mirë si i pata / Shtat Omera jam kah kjaj e ngrata/E spo dij as vorret ku po i kan

1.1)-Është pikërisht ky moment që ne meditojmë në lidhje me emrin “Omer” dhe konkludojmë se ky nuk është emër personi por është cilësim që nëna i bën birit së saj…I miri (i nënës). Kjo na përforcohet edhe nga tradita shqiptare që në një familje, vërtet trashëgohet emri i të vdekurit, por ky trashëgim nuk lejohet të bëhet më shumë se dy herë kur vdekjet janë në moshë të re dhe të dhunëshme (nga armët). Pra, pas vrasjes së Omerit të parë mund t’i vihej emri Omer djalit të dytë, por pas vrasjes edhe të Omerit të dytë, kursesi nuk do ti vihej ky emër djalit të tretë. Të tetë djemtë e  Ajkunës nuk mund ta kishin emrin Omer por ndërkohë të tetë ata ishin “  mirët e nënës”  që u vranë në Lugjet e Verdha. Ndaj dhe Ajkuna kur vajton të birin, e quan me cilësimin “O (i) miri i nënës-o) që rastësisht përqaset me emrin Omer. Kjo tezë përforcohet edhe nga fakti se emri i plotë  i djalit të Ajkunës në Eposin e Kreshnikëve  është Sokol Omeri. Pra djali e ka një emër Sokol dhe cilësorin Omer “I miri”.

1.2)-Në këtë situatë mortore tronditja vjen para ngjarjes ashtu si klithma e shpirtit para fjalës. Ajkuna i lutet Mujit të mos e marë të birin në  bjeshkë nga droja se do ti vritet i biri, djali para vdekjes i lutet babës që mos ti tregojë nënës se ai ka vdekur, nga droja se nëna nuk do ta durojë dot dhëmbjen e vdekjes së tij...Nji fjal nanës mos me i çue/Se m’ka dash e nis me vajtue / Se m’ka dash e nis me mjerue…Të dy palët mendojnë për palën tjetër. Janë të shumtë rastet, kur të pranishmit në vdekjen e të rinjve shqiptarë nëpër në luftëra kanë dëshmuar se meraku e brenga e  djemve para vdekjes, nuk ka qënë plaga që kishin ata në trup, por plaga që i hapte nënës në shpirt vdekja e tyre. Këtu fillon realisht drama e “Vajtimi i Ajkunës” dhe Petrit Rukës, te dhimbja e nënës.

1.3)-Nënat tona janë  bërë vajtore nga jeta plot morte, ndonëse   nëpër morte asnjëherë nuk kanë vajtuar vetëm, por kanë qënë në mes të grupit të vajtoreve.. Në Lugjet e Verdha  Ajkunën e shoqëruan në vajtim yjet e qiellit …Qyqe vetëm rrugën ma paska marrë,/ kan nxan vend hyjt vajin për me ndie,… Kan lan kangën zogjt e malit,/kan lan kangën me vështrue! …Ndërkohë Petrit Ruka e vendos nënën vajtore te … Ahut treqind vjeç, ku ulet ,/../Zë vjeshtoset, lëshon fletët/Me flori ia mbulon djalit/ Varrin dhe gjysmën e malit./Ndalen zogjtë në fluturim,/Ndalen bishat në shtegtim,/ Ndalen ujëvarat mbi hone,/Bëhen për retë ballkone  ,/Ndalen yjet, rrisin togun, /Shtyjnë me b'rryla shoku-shokun , /Të zënë vend e të dëgjojnë/Një mijë qiej se si lotojnë…Që është e bukur kjo panoramë, kjo s’do  diskutim, por unë ju them se  këtu Petrit Ruka saktësisht  ka paraqitur situatën mortore,  në prag të nisjes së vajit nga nëna e të ndjerit ose nga

ndonjë vajtore e mirënjohur.

1.4)-Duke i pare të dy ambientet mortore, “Vajtimin e Ajkunës” të Eposit të Kreshnikëve

“Vajtimin e Ajkunës” , Variant për baladë të Petrit Rukës  kështu pranë e pranë, më thoni ju lutem: a kam të drejtë kur e quaj këtë krijim  “Vajtim  i Ajkunës dhe Petrit Rukës” së bashku. Sepse, po qe se nuk e dini jua them unë që Petrit Ruka  është nga krahina ku vajtimi bëhet me ligje. Kur Ajkunat e Labërisë  mblidhen në mort e zënë vajin, ndalet era nëpër shtigje, ndalet kënga e zogjve nëpër fletë, ndalet uji në përrua, ndalet hëna e ndalet ylli. Unë ju them që heshtin edhe perënditë e Dodonës e dëgjojnë vajin. Ndoshta këto perëndi prandaj lejonin të vriteshin në luftë bijtë e popullit tim qysh fëmijë, si Omeri shtatë vjeçar, me qëllim që të dëgjonin vajtimin e  nënave tona. Kaqë shumë i ka magjepsur ky vajtim  sa që kur panë se po rralloheshin djemtë nga shpata, u menduan e u menduan dhe me qëllim që të mos e humbnin magjinë e vajtimit, e shndruan atë në këngë iso-polifonike që ta dëgjonin çdo ditë. E kini vënë re kur këndohet kënga labe se si tunden gjethet e pemëve. Janë perënditë që vijnë e dëgjojnë, fshehur nëpër degë e fletë.

Se kur zënë e vajtojnë nënat labe e bregdetase atëherë edhe deti ndalet se s’ka kush t’ja dëgjojë buçimën dhe malet afrohen në grupin mortor për të vajtuar me suferinat-ligje.….Qaj moj Çikë me Gjinikë /Se drëri juaj ka ikë/Që i shtij hasmitë frikë/Dhe nuk i qasej e ligë… i lë populli radhën e vajtimit malit të Çikës dhe të Gjinikës, të vajtojnë për kapedan Sokrat Lekën nga Qeparoi.

2)-Ti do  të thuash se Petrit Ruka është burrë katërqint derhem dhe jo grua që të zërë vajin e të shkulë flokët  prandaj e paskam gabim këtë muhabet. Jo more mik, jo, nuk e kam gabim. Është mot a mo si ta them unë. Vajtimin nëpër mortet shqiptare e kanë bërë burra e gra. Po po, edhe burrat  vajtonin me bot e me ligje. Lekë Dukagjini në mes të Lezhës vajtoi vdekjen e Skënderbeut me sokëllimë e ulërimë, duke shkulur flokët, duke çjerë faqen e duke rrahur gjoksin me grushte, pa turp e pa droje. Ai i pari dhe gjithë ushtria pas tij bënin thjeshtë zakonin e hershëm mortor të popullit shqiptar. Akoma dhe sot në Pilur burrat shkojnë te shtëpia e mortit me vaj në buzë ndërsa në zonat e malsisë së veriut bëhet  edhe sot “Gjama e burrave”. Ka ndonjë nga ju që beson se Petrit Ruka nuk ka vajtuar (në heshtje) kur i ka shkruar vargjet e këtij vajtimi, se unë për vete, vetëm me të lexuar i bëra qull mëngët e këmishës duke fshirë sytë. Ejani ti lexojmë bashkë vargjet…Kur ka dalë tek lugjet nana,/Sytë ka ngritur, ku është hana,/Qofsh mallkuar gjer në thua/ Që s'ma çove një lajm mua,/ Siç e bën gruaja me grua. /T'u shkimtë drita, të mbloftë hiri/Një pikë ujë mos paç tek gjiri,/ Mos paç frymë në qiell e tokë,/Të plastë syri për një zog/Mos të mbiftë një fije bar,/Rënç shtatzënë e pjellç një varr… Nuk është Çajupi që vajton dhjetë vjet pas vdekjes së gruas me vajin e famshëm…Doje dritë o qiell more dritën time/ dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime…Është Petrit Ruka që në linjën e  kohës se herëshme vajton e qan me gjëmë e bot në Lugjet e Verdha, duke mallëkuar qiell e hënë. Aty bashkë me të është dhe Ajkuna që vajton (gati) me të njëjtat fjalë…- T'u shkimtë drita ty,o mori hanë -/qi s'ma çove at natë nji fjalë,/n'lugje t'Verdha shpejt me dalë,/bashkë me hi n'nji vorr me djalë!/Ndoshta vorri t'dyve s'na kish xanë,/ndoshta djali ngat nuk m'kishte lanë,/nji vorr t'ri - por kishte ë për bri ./ Ahit t'malit rixha i kishte ba,/gurit t'malit rixha i kishte ba,/për mue gropën me ma lanë -/ se aq i vend ma kishte lanë./ Mallkue kjosh,o mori hanë,/qysh me e lanë nanën t'pa djalë!...

Është nëna ajo që ka të drejtën e zotit ti drejtohet hënës  dhe diellit me mallëkime, aq më tepër  që është një nënë e një populli parahënorë si populli ynë. Se populli ynë  bisedonte me hënën e me yjet siç bisedojmë ne sot me komshiun përtejë parvazit të dritares, duke mënjanuar lulet e mbjella nëpër saksi..

2.1)-Por pas mallëkimit të hënës dhe yjeve (komshijve të saj), Ajkuna u shtrua mbi varr të  djalit të saj të mirë, u mbështet te ahu që kishte vendosur mbi të dhe ja nisi vajit me fjalë zemre … Po a s'din de kush ka ardhë,/qi nuk çohesh për me u falë,/more i miri i nanës - ooo! / Amanet,o more bir,/Del nji herë ksi burgut t'errët,/fol me nanën qi t'ka rritë,/s'm'ke lan kurr kaq shum me pritë! /… - A thue gjogun me ta prue,/del ndo' i herë për me lodrue,/bjen dër gurra me u freskue, / kërkon majet bashk me zana,/se ty vorrin ta rue nana,/more i miri i nanës - ooo!
     As tërmeti njëqint ballë nuk godet malet a detin më fortë se këto vargje zemrën e burrit. T’i dëgjosh të vajtuara këto vargje  shpëton vetëm po të të blerë të fikët. Po të kishin veshë ti dëgjo-nin e zemër t’i ndjenin guri e druri, do çaheshin e do bëheshin thërime e ashkëla. Se zanat dhe Orët e Malit nuk e duruan dot ligjërimin e Ajkunës, ndaj ja kthyen mbrapsht fjalët e ja ndalën zemrën së rrahuri, sat a çonin përkrahu te shtëpia e saj në Jutbinë… Orët e bjeshkës ma s'und p'e ndiejnë, / fjalën n'gojë po ja kthejnë dalë, / zemrën s'rrahni ja kanë ndalë,…
        2.2)-Sipas zakonit mortor shqiptar, pasi mbaron ligjërimin një vajtore, bëhet një pushim i shkurtër disa minutësh  sa për tu qetësuar situata dhe më pas ja nis ligjërimit mortor vajtorja tjetër. Këtë herë ligjërimin e nisi Petrit Ruka me zë të plotë burri të vrarë në shpirt, duke vajtuar … Ka ardh nana, çohu, o djalë/Si nuk ngrihesh për me u falë,/Dil prej burgut që s'ka derë /Mbu-shi balluket me erë,/Dil ndër shpate të flladitesh,/Kapërce ylber të rritesh,/T'u pish gjirin, shko gjej zana/Se ty varrin ta ruan nana./Dil i bukuri plot hire,/T'u bësh dritë trojeve ilire./Në ke ftohtë ku ke rënë/Ja ku është e zeza nënë,/Po vë ballin përmbi varr/Ta ngroh baltën, ta bëj zjarr. /Të ta ngroh trupin që dridhet Gjakun që në zemër mblidhet,/Ngrihu se nëna këtej s'ngrihet/ Gjersa malet t'i hanë hijet... Tani që e dëgjuat vajtimin pa më dëftoni  kush qe ai që tha se Petrit Ruka nuk di të vajtojë me ligje? Ju them unë e mbajeni mënd, njëqint vjet të rroni të tillë vajtim s’do  dëgjoni dot. Se nuk vajtonte vetëm Petrit Ruka more mik. Bashkë me të vajtonin dhe malet e Labërisë dhe të Jutbinës bashkë, lisat në pllaja dhe  era në luginë, gurët e malit dhe lulet e fushës. Edhe unë që shkruaj këto radhë dhe ti i dashur lexues sypërlotur vajtojmë bashkë me Petrit Rukën e Ajkunën. Mos kini turp të vajtoni. Ky  vajtim tregon sa të bukur e të mirë jemi. Këto lotë janë si uji që ftoh çelikun kur rrihet në kudhër për t’u farkëtuar shpatë. Nuk dua t’i analizoj varg për varg se s’do na mjaftojë koha, por dua tju them se unë, ndërsa i vija veshin vajtimit të Ajkunës dhe Petrit Rukës, përtejë ylberit të lotëve pashë se:

2.3)-Vajtimi gati i njëjtë i Ajkunës së herëshme, vajtim me gjëmë e me ligje, gati i njëjtë me vajtimin e sotëm të nënave tona dhe shndrimi i këtyre vajtimeve në këngë, tregon një linjë vazhdimësie të popullit tonë në këto troje, nga hershmëria e matriarkatit në ditët tona. Pra ne kemi lindur në këto troje para se të ndrinte hëna përmbi to. Kemi lindur këtu dhe këtu jemi. Këtu kemi djepet, këtu kemi të rrënët, këtu kemi dhe këngët.

2.4)- Vajtimi gati i njëjtë i Ajkunës së herëshme, vajtim me gjëmë e me ligje, gati i njëjtë me vajtimin e sotëm të (Petrit Rukës) nënave tona dhe shndrimi i këtyre vajtimeve në këngë tregon edhe unitetin, njësimin, e etnitetit tonë gegë e toskë, jugorë e veriorë qysh në hershmërinë e jetës njerëzore.

2.5)- Vajtimi i Petrit Rukës me vargje të regullta në një motiv verior, aq më tepër të hershëm dhe suksesi i këtij realizimi artistik është një dëshmi e gjakut të njëjtë që vlon nëpër zemra e rrjedh në damarë të të tërë ne gegë e toskë, shqiptarë...

3)- Këngët e Eposit të Kreshnikëve sigurisht që nuk kanë lindur si vepra artistike për “konkurse”. Ato kanë lindur si mesazhe që populli ynë qysh në hershmëri u përcillte pasardhësve të tij si dhe popujve të tjerë. Në se me baladën e Konstandinit  përcolli mesazhin e “besës” së shqiptarit, natyrshëm lind pyetja se çfarë mesazhi  përcillte me “Vajtimin e Ajkunës”.

Trysnia e dhimbjes mbi ndjenjat e nënës  ka krijuar këtë mrekulli që quhet ligjërim, vajtim,

i cili ashtu si diamanti shkëlqen nga çdo anë dhe është i fortë të sfidojë shekujt  dhe ta presë kohën në mes, si të ishte një copë xham. Në qoftë se do shohim  ceremonitë mortore të popujve të ndryshëm, sipas Lukianit mësojmë se trupin e të vdekurit…greku e djeg, persiani e kall në dhe, indiani e mbulon me një tis të tejdukshëm, skiti e ha dhe egjyptiani e than… Vetëm nënat shqiptare e shënjtërojnë trupin e të vdekurit duke e mbuluar me vaje e ligjërime, prej të cilave mbijnë këngët e vallet që e përjetësojnë emrin dhe veprën  e të vdekurit më shumë se çdo arkitekturë varrezash.  Kjo ndoshta është dhe arsyeja që shqiptari e prêt qetësisht vdekjen në luftë, si të ishte një udhëtim i zakonshëm. Pra populli shqiptar vajton çdo fëmijë me vaje, me ligjërime që kanë formën e vjershave më të arira artistikisht apo të hymneve me të cilat përcilleshin mbretërit e faraonët.

3.1)-Mbi këto fakte konkludojmë se  mesazhi që përcillet me këngën “Vajtimi i Ajkunës” i Eposit të Kreshnikëve është njoftimi që… populli shqiptar i përcjell bijtë e tij me ligje, me vajtime, sepse çdo bir i tij është i barazvlefshëm me një mbret a faraon dhe çdo bijë e tij me një mbretëreshë.

3.2)- Madje edhe vetë emri i Ajkunës rrezëllin e ndrin si një liqen lotësh. Kjo edhe për faktin se ky emër etimologjikisht hipotezojmë se është një emër që buron nga vajtimi me domethënien e një gruaje që qan. Në epokën e lindjes së këngës  njerëzit nuk përdornin emra e mbiemra me origjinë fisnore por thireshin  me emrin e gjesteve, veprimeve e cilësimeve të tjera që i kishin bërë të dallueshëm etj. Kështu, duke qënë se Ajkuna u bë e njohur me vajtimin e saj, atëherë u thirr  si gruaja që kan, qan, vajton. Koha e ndryshoi zanoren “a” me një “u” te folja “kan” dhe na erdhi në kohën tonë në formën e emrit femëror Ajkunë.

3.3)- Në qoftë se duam të krahasojmë hershmërinë e këtij mesazhi, le të shohim te Plutarku legjendën e Panit të Madh, vdekja e të cilit njoftohet në Butrint nga disa detarë dhe pas kësaj nimfat e liqenit nisën vajtimin të gjitha bashkë. Te kjo legjendë  përcillet mesazhi se Kaonët, banorët e kësaj zone  vajtonin në grup, kolektivisht. Duke qënë se “Vajtimi i Ajkunës” përcjell mesazhin e thjeshtë se të vdekurit e popullit vajtohen me ligje ndërsa legjënda e Panit të Madh e plotëson këtë mesazh duke saktësuar se vajtimi bëhet në grup, kolektivisht, atëherë konkludojmë se “Vajtimi i Ajkunës “ është më i hershëm  se legjenda e Panit të Madh që përmënd Plutarku.

4)- Petrit Ruka është vërtet një magjistar vargu në ringjalljen e baladave të herëshme të kombit tonë sa që  e ka kthyer këtë në një “mission” të vetin.. Petrit Ruka i do baladat gjer në dhimbje, i ndjen ato në çdo qelizë të tyre duke i prekur me  shpirtin e tij si me gishta, i bën pjesë e qënies së tij, i rrit brenda vetes dhe na i risjell si lehona fëmijën.

4.1)- Baladat janë si diamantet që krijohen nga trysnia e tokës mbi disa lëndë organike. Baladat i krijon trysnia e epokës mbi popullin, nevoja e rezistencës dhe e përcjelljes së mesa-zheve pasardhësve.. Petrit Ruka rizgjon baladat në një mënyrë të tillë,    ato duken si të “gjalla”, sikur  porsa janë krijuar. Për këtë mision “ringjalljeje” talenti i tij poetik dhe frymëzimi nga gjetja nuk janë të mjaftueshme. Është pikërisht dashuria e tij për ato, që si leva e Arkimendit i jep mundësinë dhe forcën  ti lëvizë baladat nga epokat e herëshme për ti sjellë plot dritë te ne. Talenti i tij i pastron nga pluhuri i shekujve plot dashuri e dhimshuri, me përkujdesjen që të mos u lëndojë plagët që u ka lënë koha.

Shumkush ka pyetur veten se pse ky mjeshtër magjistar nuk kishte ringjallur deri më sot edhe  “Vajtimin e Ajkunës”. Varianti për baladë që na paraqiti tani na tregoi edhe arsyen e vonesës. Pesha e madhe e dramës që bart dhe ecja e vetë “Vajtimit të Ajkunës” drejt ditëve tona është një arsye jo e pakët. Vajtimi i Ajkunës nuk është një baladë e ngurtësuar në kohë, nuk është një monument i gurtë diku në bjeshkë, ku ne mund të shkojmë ta vizitojmë. Vajtimi i Ajkunës është e gjallë dhe e pranishme mes nesh në shumë morte në familjet shqiptare…

5)-Por ne le të shohim pak vargjet e eposit… Ahit t'malit rixha i kishte ba,/gurit t'malit rixha i kishte ba…apo vargjet e mëtejëshme …. Ka lshue hana rrezet n'pyllë,/kan shkrepë hyjzit nëpër qiellë/,pvesin djalin - a e ke pa?/Rrahit t'zi ndër kambë i kishe re:/- Ka qillue bjeshka e gjanë,/ gjith ku t'dueni vend me xanë./- Nuk po m'len nji ah m'e pa…apo… Orët e bjeshkës ma s'und p'e ndiejnë, dhe shumë të tjera për të nxjerë konkluzionin për epokën e ngjarjes. Është koha kur flitej me gurë e drurë duke i trajtuar si qënie të gjalla, si frymorë. Në qoftë se do shohim edhe momentin e vrasjes së Omerit, ku në bjeshkë shkuan të luftojnë vetëm tre vetë Muji, Halili dhe Omeri shtatëvjeçar në një luftë për kullota,  pa një organizim civil apo ushtarak, gjë që

dëshmon mungesën e strukturave  të një organizimi shtetëror, qoftë kjo edhe në fazën fillestare.

5.1)-Përgjithësisht Eposi i Kreshnikëve cilëson periudhën e matriarkatit , por mqse te kjo këngë, në momentin e ballafaqimit të Mujit me Ajkunën, kemi vargjet…Mujo djalin ç’ma ka gjetë/ N’Lugje t’Verdha a thue ka mbetë/…Atëherë trimi ka qit e i ka thanë/Me e vajtue kur t’shkosh për dru / Zhurm n’konak nuk due me ba/Se shkjet djalin ta kanë vra/N’Lugje t’Verdha n’daç me e pa/Aty djalin në dhe ta kena shti…gjë që shpreh një pozitë urdhëruese në familje të Mujit, ballafaquar kjo me faktin e rolit parësor të figurës së Ajkunës në këngë, konkludojmë se cilësohet epoka e ndërmjetme e matriarkatit duke i lënë vendin patriarkatit. Pra vajtimi i Ajku-nës, ashtu si gjithë Eposi i Kreshnikëve cilëson një periudhë parahomerike me një organizim shoqëror të nivelit të familjes, pa asnjë strukturë të organizimit shtetëror.

5.2)-Futja në tekstin e Eposit të Kreshnikëve  e shkjeve si kundërshtarë, duke nënkuptuar me këtë emër sllavët, është një shtesë  që i përshtatet kohës së invazionit sllav në shekullin e VII  për të aktualizuar Eposin. Kështu  shpjegohen emrat sllavë të disa personazheve të Eposit apo të objektit “kishë” ku vritet Omeri….Por në shekullin e VII të invazionit sllav shqiptarët kishin përparuar në organizimin shoqëror  dhe kjo dëshmohet nga fakti se pikërisht në kufijtë shqiptarë u ndal ky invazion. Që të ndalej një invazion i tillë duhej që ndaluesit të ishin tepër të organi-zuar ushtarakisht, gjë që nënkupton egzistencën e formacioneve luftarake të drejtuara nga ushta-rakë të zotë dhe të mbështetur nga një prapavijë e fortë. Shqiptarët para ardhjes së sllavëve kishin kaluar një epokë të ndritur jete europiane  me mbretëritë ilire, me formacione ushtarake dhe me luftëra fitimtare me Romën etj. Pra gjasat që Eposi i Kreshnikëve të ketë  lindur në periudhën e dyndjes sllave nuk egziston. Kjo dëshmohet me faktin se bota e Këngëve të Eposit të Kreshnikë-ve është bota pagane dhe jo mesjeta, kur ndodhi  invazioni sllav. Dyndja sllave e “ndoti” “ve-shjen” e Eposit me emra sllavë e sllavizma të tjera, por nuk e ndryshoi dot as  shpirtin dhe as karakterin shqiptar të tij. Këtë  botë shqiptare pasqyron besnikërisht edhe Petrit Ruka kur shkru-an  Rënka diell e dielli s'nxeh,/Muji ka shti djalin ndër dhé/Dhe i duket se flet varri:/ Bab' kam ftohtë, më shtypi mali,/Ku është porta që të dali?/…për të vazhduar më pas me një psikologji vetëm shqiptare…Muji me zotat s'bën dot gjyqe/I vë zemrës dyzet kyçe,/Është dredh malit për tek sh'pia,/Mbrapa hija, para zija,/Anash era-lemeria,/Dhe Ajkuna mbi të tria.../Dhe Ajkuna borë tek pragu,/Kthyer qyqe që së largu...oi, oi, oooiiii…
Nuk mund të shkruaj më shumë, ndaj po logat në vaj vargjet e vajtimit të PetritRukës …Ohooo, oiiii.. Aty ku Ajkuna qau,/Lotëria gurin çau,/U bë lumë e rrjedh akoma/Valbëroi aty Valbona / Atij moti e ditëve tona…  oiii. Dhe në këtë logatje natyrshëm ngrihet tonaliteti i zërit si për     t’ju themi “shkjeve” se në trojet tona, mallëkimi i  nënave  djemvrarë vret e djeg më shumë se rrufeja e zotit… O he heeeej,…Andej nga derdhi mallkimin/ Bjeshkët thanë gjelbërimin,/Bjeshkët e Namuna, u thonë,/ Ku s'rron dot një milingonë./Aty është e qan akoma/ Plot me vaje viset tona... …oi, oi, oiiiii!

Sarandë, më   20-28 Nëntor 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT