Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Populli im nuk e meritonte këtë fatkeqësi të rëndë!

| E merkure, 27.11.2019, 10:27 PM |


POPULLI IM NUK E MERITONTE KËTË FATKEQËSI TË RËNDË...!

Nga Sejdi BERISHA

Kurrë nuk e kam menduar dhe as nuk e kam besuar, se Ditën e Flamurit të kombit tim do ta shënoj me dhembje e me zi. Po sa kuptim trishtues sot ka kjo festë. Fëmijët në shkolla, flamujt me shqiponjë sot edhe nesër në duar i mbajnë, por zemrat e tyre janë të thyera, e nuk din as ta thonë dhe as ta shprehin atë dhembje, nuk mund ta shprehin as atë ëndrrën e tyre, se sot, në këtë nëntor, në këtë festë kombëtare, popullin tim e goditi një fatkeqësi e rëndë. Nuk e meritonte!

Pra, sot e nesër do festojmë ndryshe, e, se si, as unë nuk di...

Por, në këtë tragjedi, diçka që zemrën ma bëri mal. Nuk ka individ as familje në Kosovë, por edhe në Shqipëri, që nuk i kanë hapur edhe zemrat edhe dyert e shtëpive të tyre për të gjithë ata që nga tërmeti shtëpitë u janë rrënuar dhe dëmtuar. Janë hapur damarët e gjakut që secili të dhurojë gjithçka për mirëqenien dhe shërimin e zemrave të secilit njeri. Edhe kafshata e gojës është ndarë për vëllezërit për njeriun e tokës së shqiponjave. Jam i besimit se këtë, ky popull do ta bënte dhe do ta bëjë edhe për të gjithë popujt e tjerë, për njeriun, për njerëzoren.

Në këtë mbështetje të paparë, jo vetëm mua, por pothuaj të gjithë, lotët e dhembjes dhe përmallimit janë shprehje e shpirtit të madh dhe të sinqertë të këtij populli të përvuajtur por kurrë të përkulur.

E gjithë kjo; edhe fatkeqësia, edhe solidarizimi por edhe festimi i ditës së flamurit kombëtare me zemër të thyer, sikur na sjell ndërmend se e gjithë kjo thua se është, dhe është, një fjalë e shenjtë, që kurrë nuk do të harrohet: ta duam njëri-tjetrin dhe kurrë më të mos jemi të inatosur e të ndarë nga njëri tjetri; sepse, toka dhe populli ynë janë të shenjtë, nuk e meritojnë as vuajtjen dhe as përçarjen...!

Dje, sot dhe përgjithmonë, shiheni, vërtetojuni dhe krenohuni me solidaritetin dhe shpirtin e madh të njeriut tonë!

Edhe këtë. Edhe pse për asnjë moment nuk mund t’i ndalë lotët, sot nuk qaj, por jetoj me krenarinë e tokës dhe të popullit tim!