Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Kam "shaluar" "Kalin fluturues"

| E hene, 25.11.2019, 07:23 PM |


Kam  "shaluar"  "Kalin fluturues"

Romani"Kali fluturues" nga PETRAQ  ZOTO

(ese)

Nga Përparim Hysi

Do ta filloj këtë ese modeste me thënien  Nobelistit Anglez, BERNARD SHOU,  që thotë: "Nëse një libër ju bën për të lexuar,  dihet që aty,  autori ka investuar shpirtin". Dhe, pa dyshim,  kështu ndodh dhe me romanin"Kali fluturues" të PETRAQ ZOTOS ku, tek e lexon. mëdyshes e mëdyshes: ka marrë autori nga përralla apo përrralla nga autori. Vija ndarëse e kësaj mëdyshjeje,  nuk besoj të jetë vetëm imja, se është aq e"hollë", sa, tek e sheh gjatë leximit,  nuk je i zoti që ta ndash shapin nga sheqeri.

Autori e quan roman dhe romani është një përrallë ku, kapërthehen,  ngjarje dhe, veç ngjarjeve,  një galeri personazhesh: disa të vërtetë që jetojnë,  gjallojnë si çdo frymor dhe disa mitikë,  të sajuar enkas për t'i treguar lexuesit se ka një botë reale, por dhe një botë si pjellë e një imgjinate të një mendjeje të gjerë e të thellë siç është ajo e shkrimatrit, të ndjerë tanimë, PETRAQ ZOTO.

*      *    *

Në bindjen time dhe, domosdo,  jo vetëm timen, PETRAQ ZOTO është një prozator i një shkalle të epërme. Në vlerësimin tim (nuk e them vetëm këtë herë),  PETRAQ ZOTO është"dekan" i PROZËS MBARËKOMBËTARE SHQIPTARE dhe, po "dekan" kam nominuar prozatorin NAUM PRIFTI. REKTOR të PROZËS unë quaj DHIMITËR PASKON alias MITRUSH KUTELIN. Ndoshta ky,  nominimi im,  është subjektiv, por të paktën nuk është nepotik. Se vetëm i dua si krijues dhe asgjë pragmatiste nuk ka midis nesh.

E lexova, si të thuash me një frymë, se ndihesha mirë. Kisha shaluar atë"Kalë fluturues" dhe, faqe pas faqeje,  shihja GENTIN tek "rritej" si personazh dhe,  veç tij,  një mori ngjarjesh që nuk më linin ta lëshoja librin nga dora. Dhe thosha:- Sa të drejtë ka patur XHEJMS XHOJS kur thoshte:- Historia është një mankth,  ndaj po mundohem të zgjohem. Kështu ka ndodhur  dhe  me PETRAQ ZOTON. Kam bindjen që kështu ka ndodhur.Një shpirt i brishtë si  i PETRAQ ZOTOS, nuk mund ta mbante mbi supe një mankth të tillë dhe ka rendur jo vetëm ta shkarkojë për lexuesin,  por, së pari,  siç mendoj unë: mendjen e ka patur tek lexuesi i vogël  dhe asaj moshës delikate të adoleshencës dhe na ka dhënë një GENT aq të bukur moralisht siç kanë qenë dikur TOM SOJERËT dhe HEKËLBER FINËT e MARK  TWENIT dhe GENTI,  në gjykimin tim,  është pararendësi i një HARRY PORTERIT të sotëm. Sikur,  për një çast,  ky, PETRAQ ZOTO,  të vinte me"KALIN FLUTURUES" nga përtej oqeanit dhe të reklamohej ashtu siç bëhet kudo në botë për librat që bëjnë"bum",  nuk kam dyshim që kështu do ndodhte. Kur flas kështu,  kemi të bëjmë me një autor që ka zë dhe peshë të rëndë në LETËRSINË për FËMIJË dhe është një nga 20 autorët që janë krenaria e kësaj lloj lletërsie. Të shkruash për fëmijët, duhet t'i duash ata.Duhet të ulesh në nivelin e tyre. Dhe këtë"ulje" të bukur e ka bërë në sa e sa libra të tij,  dhe është sinjifikative ajo klithma e asaj nëneje në LLIXHAT e ELBASANIT (unë isha për kurim atje), e cila,  kur pa në televizor lajmin  e kobshëm të ndarjes aq parakohe nga jeta,  brëtiti:-PETRAQIN e kemi në shtëpi!!!

*     *     *

MAKSIM GORKI ka thënë:" Ngjarjet e vërteta janë përrallat më të bukura". Autori ynë,  mirëfilli,  e ka ditur këtë dhe përmjet romanin të tij,  ai ka operuar me një imagjinatë aq të bukur krijuese, sa ti, si lexues,  nga realiteti del në një  botë magjike dhe ireale. Një botë përrrallore. Nëse nisesh nga botimi i parë (në vitin 1988) ku kufirin e krijuesit e vinin tek "thana",  atëherë nuk ke se si mos e quash romanin e PETRAQ ZOTOS jo vepër të soc-realizmit,  por pararendës të realizmit magjik. Jemi çuditur me "NJëqind vjet vetmi" apo"Dashuri në kohë të kolerës" të NOBELISTIT kolumbian, MARKES,  po,  për fat të keq,  mirë kritika e atëhershme që qe"tren mbi një shinë",  por dhe tani nuk e thotë dot atë që duhet thënë për një autor, nga i cili ke seç mëson. Cilido që"shalon" "Kalin fluturues" të PETRAQ ZOTOS,  ka seç  mëson. Rëndësi e çdo vepre krijuese,  në fund të fundit është: Ç'mesazh lë për sot dhe për nesër. Autori i modifikon personazhet dhe është e drejtë e tij ekskluzive,  por,  në radhë të parë ai duhet të mendoj jo vetëm për sot,  por dhe për nesër. Dhe vërtet ti e ke"shaluar" "Kalin fluturues",  por nga errësira në dritë ( nominimi im), është një mal me pengese e vështirësi. Të zë tmerri,  tek futesh nën lëkurën e GENTIT,  po për të arritur"dritën",  duket guxim; këmbëngulje; dhe të jesh i mbushur me shpresë. Mesazhi më i bukur në roman,  është optimizmi. Aty,  nëpër rreshta, gjen atë që thotë NOBELISTI francez.ANATOL FRANC që thotë:" Aty ku është vuajtja dhe mundimi, aty është fitorje dhe gëzimi". PETRAQ ZOTO është shkrimtar psikolog dhe di t'i stigamtizojë perosnazhet e tij: ua pret"veshjet" sipas trupit. Duke personalizuar thënien e IMANUEL KANTIT se"Mosmirënjohja është më e liga e poshtërsive",  ka dhënë Mbretin"BRIDASHI". Ziliqarët janë të tipit"dhëmbëkatroshi" dhe a nuk është arketip e  asaj që DANTE e ka bërë me kohë:Ziliqarëve ua qepte sytë me tel.

*     *    * 

PETRAQ ZOTO! Po si mos e duash një autor ku neologjizmat (unike ku askund tjetër) të befasojnë, si:"kus'-kakthim";"kushs'ha";"theqafje"; pallati "fap-fup"; e"hëngri" e kullufiti heshtjen".Sikur të kesh durim dhe me laps në dorë të nxjerrësh fjali e fjalë përdorur në roman, ke për t'u çuditur.Sidoqoftë,  ndonjërën prej tyre:"Dhëntë të gjitha dhe ujk të ngopur nuk ka dhe nuk mund të ketë:o njëra,  o tjetra". "Një njeriu që ka hall për të tjerët,  nuk është yni, -thotë mbreti Bridashi. Duhet të kemi mendjen!" Sa vlerë ka kjo thënie e paezauruar në gjithë kohët: Dhe është e PERAQ ZOTOS. Apo"Ç'donte qimja çudibërëse eKalit fluturues në rrobat princërore". Dhe mund të vazhdoja e mund të vazhdoja kështu.

*     *    *

Nuk kam si e mbyll këtë shkrim modes timin,  pa cituar fjalët e REKTORIT TË PROZËS MITURSH KUTELIT. Ai thoshte"Librat e mi,  janë fëmijët e mi".Kjo thënie i shkon dhe PETRAQ ZOTOS.Romani"Kali fluturues është një nga"fëmijët" e PETRAQIT. NJë"fëmijë  i bukur",  sigurisht. Dhe për t'u bërë edhe më i bukur"ky fëmijë", meritën e ka   bashkëshortja fisnike e tij,  TATIANA që e ka qëmtuar faqe për faqe e fjalë për fjalë, dhe,  si"thelë përmbi bisht",  romani ka dhe një"favor" tjetër:bën dritë nën penelin e akuarelistit më të madh shqiptar: HELIDON FASLLI HALITI dhe një pasthënie aq profsionale si ajo e XHEVAHIR LLESHIT. Kaq nuk janë pak.