E shtune, 20.04.2024, 05:29 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Kadri Tarelli: Takim me shkrimtarë shqiptarë nga Sueda

E hene, 25.11.2019, 08:56 PM


TAKIM ME SHKRIMTARË SHQIPTAR NGA SUEDIA

Mirëpritje nga nxënësit e Durrësit

Nga Kadri Tarelli

Ishte një lajm i bukur, madje i veçantë për shkollën jopublike “Planetary school” të qytetit të Durrësit, që në mes të vjeshtës së tretë, 2019, të presë mërgimtarët Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri, të dy shkrimtarë shqiptar nga Kosova, anëtarë të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, që prej disa vitesh jetojnë, punojnë e krijojnë në atë vend të largët. Është lajm i bukur edhe për jetën arsimore të Durrësit, kur mësojmë se mësuesit dhe nxënësit e një shkolle, kërkojnë dhe gjejnë mundësi të organizojnë një kuvend të ngrohtë e mikpritës, me krijues të njohur nga Kosova, Tirana dhe Durrësi.

Presidenti i shkollës, z. Osman Peposhi, përshëndeti të pranishmit, uroi mirëseardhjen, duke shprehur kënaqësi e mirënjohje për miqtë krijues, që nderuan, mësuesit dhe nxënësit. Ai premtoi, se të tilla veprimtari do të ketë më shumë në të ardhmen, pasi kështu rritet cilësia e jetës mësimore-edukative dhe emri i shkollës “Planetary school”.

Drejtori Avdyl Buçpapaj, në emër të kolektivit mësimor, përshëndeti të miqtë, mësues e krijues të njohur, të ardhur nga larg dhe nga Durrësi, që u bënë pjesë e këtij kuvendi kaq të bukur dhe me vlera njohëse, letrare-artistike dhe atdhetare. Ai, së pari bëri njohjen e secilit nga të pranishmit:

Si fillim, të Sokolit dhe Hamitit, të dy emra të njohur prej disa vitesh në fushën e letrave, dhe si miq të disa shkollave të qytetit të Durrësi. I pari Sokoli, mësues, publicist, poet, shkrimtar, përkthyes dhe drejtues i RTV “Dituria”, botues i revistës me po të njëjtin emër në Suedi, ndërsa i dyti, Hamiti: shkrimtar i 46 romaneve, studimeve dhe përkthimeve shqip-suedisht e suedisht-shqip. Më pas, ai përshëndeti shkrimtarin, poetin dhe studiuesin Viron Kona, i njohur më parë nga mësuesit dhe nxënësit, si mik i kësaj shkolle dhe i fëmijëve në biseda librash, sot ardhur posaçërisht nga Tirana, në shoqërim të shkrimtarëve nga Suedia. Falënderoi shkrimtarin dhe poetin Vaso Papaj, kolegen drejtore e poete Merita Kuçi (Thartori), ish drejtorin e QKF, Naim Kërçuku, tashmë sekretar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, bashkë me ta edhe publicistin e shkrimtarin Kadri Tarelli, të tre nga qyteti i Durrësit. Drejtor Avdyli, nuk kurseu fjalët e mira për bashkëpunëtorët e tij të përkushtuar, në organizime të tilla letrare -  artistike: zv. Drejtore Anisa Naçe, mësuesen e letërsisë Ermira Lala dhe mësuesin e historisë Haki Hoxha, etj.

Mbresa dhe emocione na dhanë nxënësit, të cilët recituan vargje të përzgjedhura nga autorët e pranishëm, që u duartrokitën gëzueshëm. Më duhet t’i përmend me admirim, për kujdesin dhe dashurinë e tyre për letërsinë e bukur dhe me vlerë: Simona Lila, Adriana Qyra, Ediola Agaj, Anita Brahimaj, Burbuqe Nuredini, Leonela Domi, Albion Shahinaj, Amarda Nezeraj, Aleksandra Cakani.

Më tej, pas fjalëve të shkrimtarëve të mirëseardhur, që shpalosën krijimtarinë e tyre, librat, shkrimet, takimet, vështirësitë dhe sukseset, një lloj kumti që u dëgjua me mjaft kureshtje nga të pranishmit. Kjo veprimtari vazhdoi me pyetje të shumta që bënë nxënësit, Tedi Prifti, Lorenc Roçi, Mario Vorfaj, Ana Hoxha, Ina Hoxha, Ina Qyra, Fariena Begu, Xhesika Çanaku, Klerisa Çekani, Erika Guza, Emel vata, Leonela Domi, Abiola Dulla.

Më duhet të them nga përvoja, se nuk ka kënaqësi më të madhe për krijuesin, kur ndeshet dhe bisedon me nxënësit e shkollave, pasi ata janë të çiltër, disa të lexuar e të dashuruar me librin, që i thonë pyetjet pa paragjykime, ashtu siç i ndjejnë dhe i përjetojnë, shpesh edhe të çuditshme e të paparashikuar, aq sa nuk ta pret mendja. Këtu dua të shtoj edhe kënaqësinë e autografeve të lëshuara nga autorët, të kërkuara nga vetë nxënësit, si kujtime të bukura, një “pasuri” për moshën e fëmijërisë së tyre.

Me këtë rast, si një njohës i arsimit dhe mësimdhënies, mësues dhe drejtues i hershëm në shkolla publike dhe jo publike, përfitoj të them, se veprimtari të tilla janë të bukura, por më shumë edhe të dobishme:

Së pari: Për nxënësit, sepse ata njohin dhe prekin një botë tjetër, atë të krijimit dhe të krijuesit, të cilët gjejnë kohë dhe shkruajnë për ta por edhe për të rritur. Jam i bindur, se të tilla takime i mbeten në kujtesë për gjithë jetën. Provoni të ngacmoni pak kujtesën e cilitdo nga ne të rriturit dhe do të rrjedhë një lumë i tërë, me emra artistësh, shkrimtarësh, këngëtarësh, sportistësh dhe piktorësh të kohës. Po kështu do të ndodhë edhe më këta të vegjlit sot, nesër qytetarë, veprimtarë, krijues dhe drejtues të jetës shoqërore, politike dhe ekonomike të vendit dhe kombit.

Në vazhdim: Për çdo shkollë, me çdo veprimtari të thjeshtë në dukje, aq më shumë me përmasa të tilla, është një medaljon i ndritshëm në historinë e institucionit, që i bën nder jo vetëm shkollës dhe emrit të saj, por edhe arsimit shqiptar.

Veç të tjerave: Bashkëbisedimi me figura të njohura në fushën e letrave, artit dhe shkencës, është kënaqësi dhe përgjegjësi, pasi nxit njohjen, madje edhe përfytyrimin e modelit udhërrëfyes për të ardhmen, sepse edukon e kultivon karakterin, personalitetin, dëshirën e të vegjëlve për ta dashur punën, krijimtarinë, librin dhe letërsinë, për të nderuar krijuesit e çdo gjinie.

Mbase jo e fundit: Thyhet rutina e përditshme e jetës së shkollës, duke u gërshetuar me llojshmëri veprimtarish, që e zbukurojnë dhe lenë mbresa te gjithsecili. Këtu ka vend për shumë mendim dhe përgjithësim përvoje, sepse në çdo shkollë bëhet mësim dhe edukim nëpër orët e mësimit. Dallimi bëhet vetëm me nxënësit që shkëlqejnë nëpër olimpiada dhe konkurse, ku duhet shtuar edhe një tjetër vlerë: nga veprimtaritë e ndryshme, të cilat bëjnë të mundur që fëmijët të gjejnë dhe të shprehin vetveten, jashtë orës së mësimit. E gjitha kjo është një mision i veçantë dhe i pa dukshëm i shkollës dhe mësuesit, për ta vënë nxënësin në qendër të vëmendjes. Veprimtari të tilla, duhen përshëndetur dhe duhen shtuar.

Shkrimtarët tanë, tashmë miq të nxënësve durrsak, të mrekulluar nga takimi dhe biseda, i drejtuan urime shkollës, drejtorisë, kolektivit të mësuesve dhe nxënësve, për pritshmëri më të larta në mësim dhe edukim qytetar, shkencor dhe atdhetar, duke premtuar për kuvende të tilla kaq të arrira e të mirëpritura në të ardhmen.

Në përcjellje të veprimtarisë, si zakonisht u bënë shumë fotografi dhe autografe, si kujtesë të çasteve të paharruara.

Kadri Tarelli

Durrës më: 14, Vjeshta e tretë, 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora