E enjte, 25.04.2024, 11:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Halimi: Një Avdi E një Sadri

E diele, 24.11.2019, 12:10 PM


Nexhat Halimi

Silueta e vetmisë së gurit

(Fragment)

Një Avdi  E një Sadri

(E mërkurë, dhjetor `79)

Binte borë me flluska të mëdha. Lart, lidhur, të thotë mendja, me qiellin pak-pak  zbrisnin nga thepa të shkëmbit një malësor i veshur me aba e një tjetër, po ashtu, i veshur me aba, me tirq e mitan të vjetruar. Njëri e mbante në dorë një gjel me pupla të kuqërremta, i cili i ngjante qiellit në të aguar, e tjetri ecte prapa një mushke të lodhur, të ngarkuar me një dëng drurësh. Ecnin të ikur gjithsecili në hisen e vet të ëndrrës. Të lodhur e të lëmekur. Ecnin në rreth, të arrinin të zbrisnin  nga ngjiteshim unë e Isani... Do të takoheshim në ndonjërin nga shkëmbinjtë, pa tjetër. Udhë tjetër për t`u ngjitur nga qielli e njëherësh për të zbritur fund bjeshkës nuk ka. Kot është dhe pashmangshëm të takohemi, deshëm apo s`deshëm. Kishim mësyrë të shkonim për ngushëllime në Kaçanoll, për të qëndruar pak sa t`ua themi disa fjalë, t`i ngushëllojmë për vdekjen e xehetarit, të cilin nuk e njihnim kaq mirë. Vetëm pse ende më kujtoheshin sytë e Ramadanit në lot dhe e kujtofsha minatorin e vdekur, të cilit ia kisha kushtuar një poezi, të cilën “Rilindja” e botoi një të shtune në faqet e kulturës e të letërsisë. Vetëm me të dëgjuar, për vdekjen e tij, mësymë lart në male. Ja, pse këtë mëngjes nuk zbritëm fare në horizontet e minierës, për të shkruar për gjëra të përditshme, për t`u takuar me shtatë luanët, të cilët qenë bërë me djersë dhe angazhim të madh krenaria e nëntokës.

Bora e shpërndarë në shtëllunga të bardha krijonte flutura nga binin mrekullisht mbi degë, mbi gurë e dhiare, të cilat i shkelnim me kujdes dhe të mbushur frymë, të frymëzuar e të mrekulluar me pamjet e krijuara siç i përshkruajnë në përralla të vjetra.

-Ku e ke mendjen, - më foli Isani.

-Te njëri nga dy hijet. Apo veç te njëri? Apo dhe te tjetri?

-Flet jerm!?

-Pse?

-Te cilët malësorë, pa i ndarë?

-S`është një. Dy janë, të ndarë mes vetes?

-E krijojnë një.

-Unë s`e shoh dot asnjë!

-Ja, përqendrohu me vëmendje. Ata të dy, në zbritje gurit. Prapa e kanë vetëm qiellin me shtëllunga bore përpara. Ecin. Përkunden në zbritje nga lart...

-I njeh?

-Nuk i njoh, veç ata janë. Njëri me një gjel e tjetri me një mushkë e një dëng dru. Do t`i presim të zbresin nga maja e shkrepit e të flasim pak  me ta...

-Ata po ikin për rreth kodrës. A e vëren? Ndoshta s`arrijnë udhës që i qet te ne?

-Do të vijnë këtu. Dhiaren e ndjekin. Nuk kanë zgjidhje tjetër. Ikin rreth e rreth e prapë arrijnë vetëm dhiares, që shtrihet para. Gjithnjë.

-Gjithnjë?

-Po. Gjithnjë.

-Pse i nxjerr dhiarja në këtë mënyrë, kaq çuditshëm. Vijnë për maje të gjilpërës, apo jo?

-Përbirohen për vrimë të gjilpërës!

-Me kaq vështirësi.

-Dhiarja i nxjerrë gjithnjë gjurmës nga kanë ecur kaq herë, gurit të njëjtë, të cilit ngjitemi unë pak e pak ti. Të molisur! Ecim.

-E ata, ndërsa, zbresin!

-Po... ata zbresin nën këtë borë të butë, flluska – flluska.

-As e kam hetuar të jetë qielli kaq i bukur nën borën që bie.

-Nuk të ka ra ta shikosh shpesh gjithë këtë lidhje të tokës me qiellin.

-Ja, shikoi dhe ata të dy. Pjesë e të njëjtit mozaik. Copa të thyera të lidhjes së qiellit me shkëmbin, të prekur nga shtrezë e lehtë e borës.

-Njëri me gjel e tjetri me mushkë...

-Janë copë e jetës sime, e dhembjes dhe dashurisë që çel në male. Pamje e bukur dhe e ashpër në të njëjtën lëvizje, në të njëjtën palëvizje, në të njëjtin peizazh të ngrirë…

-Ti bën përpjekje për të dytën herë ta përvjedhësh këtë shkrim e ta botosh në gazetë?

-Po. Dua ta gjej veten brenda shkrimit mitik, të cilin e hetojnë vetëm ata  që kanë ndjenjë.

-Çfarë të lidh kaq me këta dy malësorë?

-Njëri e zbret gjelin e fundit nga malet për ta shitur në treg. Zbret dhiaret e gjithnjë i shpërthen brenda vaji. Qan pa zë për të, i qan shkrepat, i qan agimet, i qan veshët e vet, të cilët nuk do të ketë  kush t`i zgjojë nga gjumi...

-Nuk ta botojnë prapë këtë shkrim, apo vetëm ndonjë copëz të tij, siç qe atëherë, e kaq shumë dhe vetëm atë pjesë të këputur nga tërësia  e pëlqeu M. Mjeku, - tha Isani, ndërsa hijet e tyre tashmë ranë pranë nesh, me opingat e lagura, të hapura, të punuara nga lëkura e ndonjë kafshe, të lidhura rreth e rreth me ndonjë sixhimin të fortë prej konopi, të mos u ikin këmbësh.

Do të shikohemi sy më sy. Gjatë.

Të stepur.

-Qenkeni mirë… - m`u dridhen buzët.

Të njëjtën gjë e foli dhe Isani, ndërsa ata shikonin ngjashëm me ndonjë mumie, mbi të cilët binte borë e imtë dhe e butë.

- Prapë zbrisni në qytet?- fola prapë me sy në të dy. Natyrisht me dorë mbi zemër.

-Prapë... ju!Prapë e gjithnjë sa të ketë gur mali, sa të ketë drurë ta mbajë qiellin ndër degë, sa të ketë etje kroi që nuk çjerrë. Sa të ketë fluturim të zogut.

-Fluturim të zogut që nuk shihet vetëm ndjehet.

-Natyrisht, ky zog i pavdekshëm...

- E ju?! Për ku keni mësyrë, – folën me një zë të koordinuar.

-Në Kaçanoll. Ka vdekur një xehetar...

-Nesër është varrimi.

-Jo. Brenda ditës është.

-Nesër është... Nesër.

-Nesër?!

-S`do të ketë mundësi të huçim një ditë, - ndërhyri Isani.

-Nesër është varrimi.

-Kaq të bindur flisni për njeriun që ndoshta as nuk e njihni. Shikoni, i vdekuri është Hasani.Qe minator.

-Për Hasanin themi dhe ne të dy.

-Varrimi nuk shtyhet. Është traditë e malësisë. Për jetë e mot kjo nuk ndërron.

-Mirë, mos besoni. Shkoni e do të ktheheni kot prapë.

- S`është punë besimi kjo. Veç si ia huçëm kaq rëndë.

-Do të zbresim pra, të vijmë nesër!  Do ta thyemë udhën atëherë dhe  do të vijmë prapë nesër. Sado që këtë gjë e bëjmë për ta nderuar njeriun nga malet, për burrin e urtë, i cili e shkroi zbritjen e vet  në nëntokë. Unë e Isani, e një ekip i “Rilindjes”, me ditë zbresim në nëntokë të ”Trepçës”, të flasim me ata që ia këpusin pasurinë tokës, të ecën drita në të gjithë mozaikët e shpirtit, të çelë udhë për kaq vjet të mbetur të verbër, e kaq afër e zgjon të nesërmen e begatë.

- Hasani qe njëri ndër të mirët...- e ndërroi rrjedhën e bisedës ai që e mbante për kapistre mushkën dhe e iku shikimin larg nga aty ku i mbante këmbët mbi gur.

- Kemi dëgjuar fjalë të mira për të dhe unë e ky tjetri... – tha ai me gjel.

-Vijmë nesër, - i shikova unë. – Do të vini dhe ju të dy nesër ?

-Larg është e nesërmja, - tha ai me gjel.

-Tepër larg!- tha ai me mushkë.

-E ju, të dy, mund ta vini nesër, apo ndoshta keni punë për ta projektuar të nesërmen.

-E nesërmja mund të pres, - tha Isani.

-Prit e prit e hallet mbesin të njëjta, - tha ai me gjel.

-Nuk mbarojnë telashet, kurrë, - fola me gjysmë zëri.

- Ja, - i ra shqelm gurit. - Ky është guri që u del para të mos vini.

-Nuk vini as ju, apo jo?

-Vijnë malësorë nga ky hark. Patjetër.

-Ai do të ketë vdekur, veç xehetarët do ta prekin të nesërmen... e ti dhe ky ende jeni larg vetes dhe udhës.

-Pak nga pak arrihet çdo gjë.

-Do ta arrijnë xehetarët dhe jo veç ata. Ata ndoshta e prekin të nesërmen.

-Zot ka dhe në nëntokë.

- As ju as ne, nuk qëndrojmë kot. Veç të nesërme ka pak! –folën me një zë.

Nuk fola fjalë më.

As Isani nuk tha gjë, sado të përpihej t`u thoshte diçka.

-S`foli tjetër gjë asnjëri.

E thyem udhën e ecëm për gjurmë të tyre. Zbritnim dhiares me vështirësi. Ecnim, të inatosur,pa bërë fjalë me ta. Herë printe ai me mushkë, të ngarkuar me një dëng dru, herë tjetër printe ai me gjel në dorë. Udha natyrisht qe e gjatë. Kthehej prapa qëllimit, ndërsa mund ta shikonim të mbetur lart, të ngrirë e të vetmuar,  të cilin e kishim mësyrë. Udha sillej rreth vetes së vet dhe përreth gjërave që shihen në sipërfaqe e nuk dalin të kenë kuptimin, të cilin papritur ua japim.

Katër vetë dhe hijet e tyre,ecnim.

Natyrisht, frymonin në tërë këtë botë dhe dy frymë, gjeli dhe mushka.

Ecnim e borë binte lehtë.

Ata ecnin vetëm aty ku shpresonin t`ia arrijnë qëllimit të vet, të skicuar kohë më parë. Ata iu afruan tregut. Unë e Isani vendosëm të kthejmë në redaksi. Isani iku në punë të vet e unë bëra përpjekje ta rishkruaj ndryshe reportazhin për njeriun me gjelin e vet të fundit dhe për tjetrin me mushkë, të ngarkuar me një dëng dru. Të dy të nisur për në treg në Mitrovicë! Bëja përpjekje, për të dytën herë të kap inserte mes ëndrrës e realitetit të prekshëm, në rrjedhat e jetës thellë në malësi. Herën e parë Maksi m`i flaku faqet e shtypura të shkrimit fytyrës, me mllef, duke e vlerësuar reportazhin ashpër.

–Diçka të këtillë nuk ka ngjarë as në kohë të turkut! Redaktori i dytë qe më dorëlirë, sado që s`më pëlqente aspak dhe bëheshin vjet e nuk flisnim mes vetes. Vinte dhe ai nga malësia dhe kjo e kishte prekur, t`i nxjerr dy faqe për botim nga katër faqe reportazh. Do të botohen dy faqe me ilustrim të Veli Grëvallës. Gjysma e reportazhit qe flakur, veç dhe ato dy faqe të botuara do të pëlqehen mjaft nga kolegët e ndoshta dhe nga lexuesi.

Tashmë e kisha bërë mendjen gozhdë dhe provoja prapë ta botoj pjesën e flakur të reportazhit, natyrisht me shumë detaje shtesë.

Më dridheshin duart nga shkruaja me makinë klasike e zemra donte të më dilte kraharori nga i përjetoja detajet për Një Avdi e një Sadri. Njëri me gjelin e vet të vetëm e tjetri me mushkën e ngarkuar me një dëng dru. Përkundeshin kurrizeve të malit të vjetër e të ashpër, të prekur malli,  të zbrisnin në pazar dhe t`i  shisnin ofertat e veta. Natyrisht, të shtyrë nga nevoja e domosdoshme. Me dhembje në zemër...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora