E premte, 19.04.2024, 04:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Një zë poetik në Gjyrgjevik

E marte, 07.10.2008, 07:14 PM


Adem Berisha
Ju paraqesim poetët tuaj, kësaj radhe poetin Adem Berisha

NJË ZË POETIK NË GJYRGJEVIK

Adem Berisha u lind më 03. 05. 1948. në fshatin Gjyrgjevik i Madh të komunës së Klinës, fshat ky historik dhe vendlindja e heroit të pavdekshëm kombtar, Sadik Ramë Gjurgjevikut.
Rrjedh nga një familje e varfër fshatare por të pastër për nga ideali dhe përcaktimi kombëtar. I ati i autorit Zeqë Ramadani ishte kinse i mobilizuar si partizan në luftën e dytë botërore, por në vend të kësaj përjetoi marshin famëkeq e për shumë kënd edhe tragjik – atë drejt masakrës së Tivarit të 1945-tës bashkë me disa bashkëfshatarë të tij, si Jusuf Mangjolli, Prekë Martini, Tafil Bajrami e të tjerë. Kjo njësi pati fatin t’i shpëtonte masakrës së Tivarit si njësi plotësuese e aradhave partizane të Dalmacisë dhe Istres e duke iu falenderuar disa oficerëve kroatë, të cilët e tërhoqën drejt destinimit.
Në dimërin e egër të 1947-ës bashkë me të vëllanë Rexhep Ramadanin dhe birin e vëllait Mus Rexhepin, gjendet i lidhur për kumbullat e Sali Gjokës për tri javë rresht,  presion ky për të treguar se ku gjendet Ukë Sadiku, Halil Sadrija (biri i vëllait) dhe Qazim Bajraktari i Astrazupit, të cilët ishin pjestarë të organizatës patriotike Besa kombëtare e formuar në Kuvendin e LNDSH-së të mbajtur në fshatin Doberdol të Llapushës më 4-5 gusht 1945. Kjo zgjat deri më daten 17. 02. 1947. kur kuislingët dhe sherbëtorët e armikut iu bien në gjurmë dhe i qesin në pritë në fshatin Sferkë të Gashit, në avlinë e dhëndërrit të Ukë Sadikut – Sokol Dinit me ç’rast vriten në vend Halil Sadrija e Qazim Bajraktari ndërsa Ukë Sadiku plagoset rëndë por arrin të largohet nga vendi i ngjarjës e më pas zihet dhe sipas kërkesës së prokurorit të atëherëshëm, antishqiptarit të përbetuar e famkeq Ali Shukrija, ekzekutohet në Prishtinë.
I ati i autorit, Zeqa,  vdes në moshen 40 vjeçare duke lënë pas të ëmen Shahen, bashkëshorten Fazilen, Ademin 6 vjeçar dhe Shabanin 1 vjeçar. Çka të flitet për jetën që pastaj kanë bërë këta bonjakë të cilëve pas tri vitesh iu vdes edhe gjyshja Shaha e ata mbesin vetëm në përkujdesjen e nënës Fazile 32 vjeçare dhe e cila jetoi deri më datën 17. 02. 2007.
Autori në kushte gati të pa para varfërie, vazhdoi mësimet pranë shkollës fillore “Zejnel Hajdini” në Ujmirë dhe përkundër gjithë vështirësive, u dallua ndër nxënësit më të mirë të shkollës. Që atëherë ai ishte anëtar i grupit letrar të shkollës, atij dramatik dhe atij muzikor. Pas përfundimit të shkollës fillore me sukses të shkëlqyeshëm, u regjistrua në shkollën normale atëherë “Silvira Tomazini” në Skenderaj si paralele e ndarë e normalës së Mitrovicës, e cila pas ardhjes së Ahmet Malokut për drejtor, ndërroi emërin në “Hasan Prishtina”. Pas kryerjes së vitit të dytë në vitin  1965, për shkak të kushteve tejet të vështira ekonomike, detyrohet të nderpresë shkollimin dhe të punojë si mësues i pakualifikuar nëpër fshatrat më të largëta, si në Gorozhup të Hasit, Carravranë, tani Gurbardh të Malishevës, Millanoviq, tani Shkozë, poashtu të Malishevës etj. Në vitin 1968 përsëri kthehet si nxënës i rregullt në kl. e III-të të normalës në Mitrovicë, në të cilin vit ndodhin demonstratat e nëntorit të cilat përfshijnë pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës e poashtu edhe Mitrovicën, bartës te të cilave ishin nxënësit e normalës, ata të gjimnazit dhe të shkollës teknike, nder të cilët edhe vetë autori i këtij libri. Edhe si normalist ia kishte ëndja që kohë pas kohe të merrej me shkrime, kryesisht poezi por ishte temperament dhe shkrimet e tij ishin të papërshtatshme për kohën. Kështu, gjatë ndejave me shokë, shpesh kishte dëshirë të citonte vargjet  e Migjenit:

“...vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija,
unë, djepi i juaj, ndoshta edhe varri i juaj”.

Pas përfundimit të normalës me sukses të shkelqyeshëm, punoi edhe dy vite të tjera si mësues, ndërsa që nga viti 1973, punon si punëtor i administratës komunale në komunën e Rahovecit ku u dallua si një nder punëtorët më të mirë, vlerësim ky i cili ishte bërë gjatë
mbikqyerjes inspektuese të kryeinspektorit të atëherëshëm për financa të Kosovës – Azem Hajdini – Xani, Vibar Hani etj.
Mirëpo gjithënjë e përcjell fati i lig dhe asnjëherë nuk e lënë të qetë të punojë dhe të krijojë, sepse si bir i familjës balliste, konsiderohej i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm për bijt e “nënë Titos e të babë Partisë” (kështu e quanin ata veten kur e humbnin durimin), kështuqë shumicën e jetës mund të thuhet se e kaloi si “lepuri nëpër qen”.
Në periudhën e vlimeve politike të viteve të ‘80-ta, hapur demaskon politikën diskriminuese e antishqitare të regjimit të kohës, kështuqë, në vitet 1989-90 u dallua si njëri ndër aktivistët e parë në këshillin nismëtar për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Rahovec. Në Kuvendin themelues të Degës, në Krushë të Madhe,  zgjedhet delegat i Kuvendit dhe anëtar i kryesisë së Degës të cilin aktivitet e vazhdon për disa vite. Poashtu ishte njëri ndër themeluesit e Sindikatës së Pavarur të organeve të administratës dhe judikaturës së Rahovecit e më vonë nga baza zgjedhet dhe delegohet si anëtar i Këshillit Ekzekutiv të SP të Degës së administratës dhe judikaturës së Kosovës pranë BSPK në Prishtinë.
Bashkëpunon ngusht edhe me Këshillin lokal të  pajtimit në nivel komunal dhe bashkë me udhëheqësin e mirënjohur të këtij aksioni, tashmë të ndjerin, prof. Anton Çetta si edhe aktivistët dhe veprimtarët tjerë të njohur, siç ishin profesorët e Universitetit të Prishtinë, prof. dr. Hajrullah Gorani, prof. dr. Rexhep Mehmeti, prof. dr. Zekeria Cana, prof. dr. Mujë Rugova e shumë të tjerë, merr pjesë në shumë pajtime të gjaqeve dhe ngatërresave.
Viteve të fundit kohë pas kohe merret me shkrime, poezi, të cilat i botoi në përmbledhjen poetike “Krenaria dhe pikëllimi”. Në dorëshkrim, ka të gatëshme për botim përmbledhjen e dytë poetike “Lulja la lulishten”. Këtyre viteve ballafaqohet me sëmundjen e kancerit në mushkëri, por ende e përballon me plot dinjitet e krenari. Është entuziast dhe i pandalëshëm, ndërsa për miqtë dhe bashkëpunëtorët ka një shpirt tepër dashamirës.

(Nga redaktori i librit: Fetah Berisha, prof.)

 

POPULLI QË MBIJETOI STUHITË

ISHA, JAM DHE DO TË JEM

Jam një bli i madh
dhe kam rrënjë të thella,
luleve të mia të freskëta
largë iu ndihet era.
I ruaj me fanatizëm
gjithë lulet e mia,
edhe unë do ec përpara
si e gjithë njerëzia.
S’erdha nga Karpatet,
jo as nga Rusia!-
po u linda në këto troje
o pika nga gjithësia.
Jam i lashtë sa bota,
rritem n’Arbëri,
kam shumë të mira tjera
të gjithë më kanë lakmi.
por, kam do degë të prera
me sopatë të topitur,
m’i kanë prerë barbarët
përherë të uritur.
mua më sakatosen
e veten e turpëruan,
ne do të shkojmë përpara
dhe prapë do të jemë të bashkuem.
Gjithëçka pashë e perjetova,
tmerr e krime mbijetova,
vendit shpinën kurr s’ia këtheva
dhe as emërin nuk e ndërrova.
Ruajta gjuhën time,
traditë e kulturë,
nder sfida të kohërave
s’u perkula kurrë.
S’zhdukem kurrë nga trolli,
ta dini or barbarë,
shumëherë jam farkuar
dhe kalitur në zjarr.
E po, deshet ju a s’deshet
o të mjerët mëkatarë,
unë mbeta ai që isha
dhe gjithë do të jem shiptar.

GJYRGJEVIKU SI KALA

Kur këtij dheu iu sul armiku
për të vrarë e djegë në zjarr,
gjithëçka nisë nga Gjyrgjeviku
dhe Sadik Rama në plis të bardhë.
Në gjithë etapat e historisë
me trim pas trimi djal pas djali
duke u gjetur në ballë të trimërisë
ndoq traditën që i la i pari.
Edhe në kohën e osmanlisë
për këtë tokë prore luftoi,
bijtë më të mirë – vigaj të lirisë
luftës së shenjtë ai i dhuroi.
Këtu Azem Bejta me shumë shokë
e pas tij shumë trima tjerë,
solemnisht para flamurit
janë betuar të vdesin me nder.
Ra Isuf Dushi me 20 anëtarë,
ranë shumë burra, gra e fëmijë,
shumë Serbia i kish djegë në zjarr
që rrallë ndodhë në histori.
Trimat kurrë s’e kursyen gjakun,
atdhut të vet iu përkushtuan,
bashkë me motrën Marie Shllakun
kurrë nga lufta s’u larguan.
Ymer Berisha bën Platformën
për çlirim-bashkim kombtar,
promotor qe i gjithë lëvizjës
vdiq e shkoi me faqe të bardhë.
‘I çerek shekulli pas të jatit
Ukë Sadiku me shokë të vet
prapë ia këtheu pushkën armikut
se baba Dikë i la amanet.
Kurdoherë thërriste vatani,
kur të bijtë thërriste Shqipëria,
ndër të parët si skyfter mali
shkëlqen trimi Halil Sadrija.
Të hapte rrugën dritës së diellit
e për të mbrojtur truallin e të parit,
si rrufe që shkrepë prej qiellit
kriste pushka e Smajl Hajdarit.
Shumë kanë rënë n’altar të lirisë
luftë pas lufte kurrë pa u ndalë,
qe të ruajn nderin e shqiptarisë
me ballë hapur e krenar.
Bijtë më të mirë të shqiptarisë
porsi yjet n’qiell sot shkëlqejnë,
për gjithë brezat që do vijnë
udhërrëfyes do të shërbejnë.
Porsi uji që rrjedh ndër gurra
me atë çiltëri që s’ka të ndalë,
Gjyrgjeviku dha shumë burra
si Demë Rexhën mendimtar.
Si kala që përshkon shekujt
nga stuhitë që nuk shkatrrohet,
Gjyrgjeviku i fortë si hekur
ka pse mburret dhe krenohet.

PREHJA NË QYTETIN TIM

Shkova e kah nuk shkova,
gjithkah më përplasi jeta,
askund si në qytetin tim
prehje kurrë nuk gjeta.
Shpesh dal fushave plot bári
e kënaqem me shumë begati,
vreshtat me rrush si qehlibari
vendit i japin imazh të ri.
Djelmoshave si tarzana
çiftat askund nuk ua gjanë,
të dijës e të punës i ka lindur nëna
një meter gjoksin e kanë.
Bukuroshet si zana të malit
veç zoti kështu ka ditur t’i falë,
si fluturat shkojnë përkrah djalit
e mua, zemra më bëhet mal.
Djem e vasha të reja
janë të penës e të pushkës,
dinin të godasnin si rrëfeja
kur hov duhej t’i jepej luftës.
Burra vigana me mustaqe
e plisa të bardhë në kokë,
më duken si lulet në bahçe
në gëzime e hidhërime janë tok.
Sabahudini kur shtërngon penën
kush mund t’i del përpara?
si lulja kur zbukuron pemën
më duket Fitore Metbala.
Laps të hollë e të mprehtë
kush mund të ketë si Agimi?
shkrime që të kënaqin bëjnë
Besmira, Xhela, Fahredini, . . .
Si një pikë uji në deti
këto janë vetëm një minimum,
të mirat që ka Rahoveci
sikur nuk kanë fund.

KOSOVA DARDANE

Oj Kosovë, Kosovë vigane
gjithë stuhive ‘u reziston,
për shumë luftërat ti që bane
e tërë bota të admiron.
Bij e bija i ke zana të malit
qe nuk flejnë e as nuk kotën,
me trimëritë trashëgim prej të parit
anë e mbanë mahnite botën.
Ti si shkëmb je prej graniti
që nuk mposhtet e as copëtohet,
në krah të shqipes nëna të rriti
për çdo ditë ty forca të shtohet.
Je kala shumëshekullore
s’u gjunjëzove për të gjallë,
sfida të rënda tejkalove
të gjithë na ty të qofshim falë.
Nga Urali as nga Karpatet
askush në supe nuk të solli,
forca jote me asgjë s’matet
fitimtare përherë doli.
Qe prej shekujsh të historisë
u bëre ballë sulmeve barbare,
se je bija e ILIRISË
Dardani – Kosovë shqiptare.

POEZI PËR ATDHEUN

Mbijetove furtuna e stuhi,
ngadhnjeve ndër shekuj,
të dua në zor e në liri
ti ishe dhe mbete, tempull mbi tempuj.
Të dua, të dua mbi të gjitha,
të dua më shumë se veten,
të dua se je djepi im
në Ty gjej veç të vërtetën.
Qielli mbi Ty është më ndryshe
nga ai në mërgim,
dielli tek Ti ngrohë më ëmbel
o i dashuri, Atdheu i im.
Fusha, ara e livadhe
përshkojnë Atdheun tim,
i dua e s’mund t’iu ndahem
sot e deri në amshim
Malet plot me drunj,
kullosa e shkëmbinj
shtrihen si kurora
deri në pakufi.
Lumenjtë e liqejtë
me ujë të këthjelltë si loti,
për ne dhe vetëm për ne
i ka falur Zoti.
Ka gjithëfarë minierash,
energji e gjithëçka tjetër
që vështirë mund të numrohen
dhe vihen në letër.
Djem e vasha të bukura ka,
petrita e skyftera,
si luleve të trëndafilit
këndshëm iu vie era.
Ka shumë njerëz të ditur,
shkrimtarë e shkencëtarë,
ka edhe nobelista,
priftërinjë e hoxhallarë.
Për këto e shumë të tjera
shkrova e këndova
e kur e kërkoi koha
dola dhe luftova.
Jo pse e desha luftën
me plot mizori,
po pse u sulmova
mu nga fqinjtë e mi.
Jo pse e dua luftën
të pushtojë të tjerë,
po për të mbrojtur t’imen
që e kisha, e do ta kem përherë.

HALLKË E KËPUTUR

Vështroj këtë ditë të Shën Gjergjit.
Natyrën kishte mbuluar blerimi.
Nga zemrat e kalamajve si engjuj
furishëm ka shpërthyer gëzimi.
Çunat tok me gocat pëllumbesha
pa prâ këndojnë, lozin e hedhin valle,
tufa-tufa si qëngjat kanë vërshuar
male, fusha, kodrina e livadhe.
Ditëve të ngrohta pranverore
shijojnë bukuritë e rralla të atdheut,
të stolisur janë me veti hyjnore
dashurinë e kanë si Zjarr të Prometheut.
Një hallkë të vallës të këputur e kanë,
gjatë gjithë kohës kur së bashku gëzojnë,
por një shpresë e pashuar i mbanë
engjëllushën Diellzë përseri të takojnë.
Këtë ditë, simbol të jetës e gjallërisë
edhe Diellza të festojë do të donte,
në Shën Gjergjin e parë pas pavarësisë
me shoqe e shokë, lirinë të gëzonte.
Por, ajo iku pa dëshirën e saj.
Shoqet e shokët i la të hendikepuar.
Gjithë të dashurit i mbyti në vaj,
mua më la me zemër të përvëluar.
Unë më nuk shijoj erën e luleve
sepse lulja më e bukur më mungon,
e as këngët e bukura të bilbilave
veshi as zemra më nuk i duron.
Sytë më janë mjegulluar deri në verbëri
nga lotët si shi që të ndalur nuk ka,
shpirti e zemra nuk gjejnë dot qetësi
e shkuara, prapa nuk këthehet më.
E, jeta vazhdon me vrazhdësinë që ka
si një teatër ku drama mbizotëron,
me gëzime e hidhërime sa s’bën më
ku shumëkush qanë, e pak kush këndon?!

NË DYVJETORIN TRAGJIK

LULJA MBOLLI  LULEN

Atë njëzetetetë qershor si sot
e kujtoj, e parafytyroj, e mallkoj …
askush nuk del të më thotë
përse vallë, duhet prapë të jetoj?!
Hajt thash, mora çiftelinë e i rashë.
I rashë e me të desha të këndoj.
Jo, jo thashë, shumë herë thashë
sot, dua vetëm të vajtoj.
I rava i tretur sa i rava
derisa gishtat më nuk punonin.
Në vajë të tërën me lot e lava
mu duk se edhe telat po vajtonin.
Me zë  thërras Diellzën time
që shpirtin si atëherë të më qetësojë,
askush nuk i bëzanë thirrjës sime
e unë prapë njëzetetetë qershorin tragjik kujtoj.
Kafja atëherë që më solli
si sot më rri në kujtesë
e trëndafili që ajo vetë e mbolli
përjetësisht ngushllim do të më mbesë.
Do të shkëpus nga një lule
e le të kënaqem me erën e saj,
me të do të shëtis pranë shkollës
dhe do të mbytëm e tretëm në vajë.
Sepse herët, shumë herët më iku
ende pa mbushur njëmbëdhjetë vjet,
këtë nuk do t’ia doja asnjë armiku,
këtë fat të zi, askush të mos e ketë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora