E shtune, 14.12.2019, 02:09 PM (GMT)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: Disa ngjarje nuk përsëriten ma

E diele, 17.11.2019, 01:33 PM


Nga Fritz RADOVANI:

DISA  NGJARJE   NUK  PERSRITEN  MA…

1949 NANDOR…

Erdhi ma në fund lajmi i shumë pritun në çelen e Dajçit Bregut të Bunës tek Gjyshja ime, per lirimin nga sigurimi i shtetit i Shkodres i priftit Don Kolec Prennushi mbas 11 muejsh hetuesi… U liruen disa klerikë me shpresen e “firmimit të Statutit të Kishës…”

Gjyshja, Nana Nine nuk e besonte pa e pa me sy! Ai do të rrinte dy javë në Shkoder, me ba “Leter Njoftimin”…E verteta ishte tjeter: Ai ishte nen kujdesin e mjekve se kishte humbë zanin dhe kishte probleme me zemer nga korrentet elektrike nder tortura…

Mjekët Karagjozi, Prela dhe Shiroka e shikonin shpetimin e Tij per fije të penit...

Fshatarët shkonin e vinin tek çela me peshqeshe dhe urime prej zemret per lirimin e Tij.

Diten që pritej ardhja fshatarët u grumbulluene n’ oborrin e Kishës që në ora 12 e drekës, dhe filluen me i ra kumbonëve të Kishës së Shelbuemit në Dajç, tue u pasue në të gjitha Kishat tjera të bregut Bunës, prej Shirqit e Obotit deri në Velipojë... Dishka e veçantë!

Dy fshatarë që e shoqnonin gjithnjë nder sherbime, u nisen per Shkoder me e marrë tek shtëpia ynë dhe me e sjellë gjatë rrugës tue u kujdesë per shka mund të kishte nevojë.

Kanë hypë të tre bashkë me Don Kolecin në një karrocë me kalë, dhe nga ora 13.00 janë nisë në drejtim të Dajçit, tue kalue nga Ura e Bunës, per tek Lisi n’vorr ku ishte lundra.

Kur kanë mërrijtë n’ Anen e Malit, aty i pritte Hoxha i atij fshati me dy kual të bukur dhe disa fshatarë. Mbasi pershndeti Don Kolecin, edhe Hoxha hyni në karrocë se Don Koleci nuk mujte me udhtue me kalë. Bashkë ma ta u nis edhe grupi i fshatarve që shoqnonte Hoxhen e Anës së Malit. Kur mërrijten tek Lisi n’ vorr, aty u ndane mbasi Don Koleci do të hypte në lunder per me pre Bunen dhe, me marrë drejtimin e rrugës së Dajçit...

Ndoshta, ju duket dishka e zakonshme, po në të vertetë per atë kohë nuk ishte ashtu.

Një Hoxhë i një fshati i del para një Prifti mbas lirimit nga sigurimi komunist, e pergzon dhe e shoqnon gjithë rrugës deri ku vazhdon rruga e fshatit të Tij, bashkë me fshatarë...

Kjo nuk besoj se do të ngjante edhe sot mbas 70 vjetësh nder ato zona kufitare ku, frika dhe survejimi ishin nder të gjitha kaçubat e ferrave dhe shkamijt e gurt’ të lamë me gjak.

Don Koleci vdiq mbas 8 muejsh me 2 Korrik 1950, dhe shumë kohë mbrapa mësueme atë të vertetë të miqësisë së Tyne. Hoxha i kishte kerkue Don Kolecit me shpetue një fshatar të arrestuem nga gjermanët në vitin 1944, e Don Koleci me anen e Mikut vet Don Alfons Tracki (pushkatue 1946) e kishte shpetue...Per mirnjohje Hoxha shoqnoi Don Kolecin bashkë me fshatarin mbas pesë vjetësh, në vitin 1949... Perveç mirnjohjes kishte aty edhe Miqësi, Burrni, Besim dhe dishka tjeter ma shumë se këta të gjitha: VLLAZNIM !..

Pikrisht, ate që sot mungon nder të gjitha hallkat e jetës së Shqiptarve...

Melbourne, Nandor 2019.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT