E shtune, 20.04.2024, 06:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Shefik Arifi - Një letër kujtim

E shtune, 16.11.2019, 06:00 PM


"NJË LETËR KUJTIM" libri që të lehtëson brengat i Shefik Arifit

Nga Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist

Libri i ri i autorit Shefik Arifi “Një letër kujtim”, përmban 115 poezi dhe 10 fabula. Në këtë libër autori tashmë i afirmuar dhe me përvojë në lëvrimin e poezisë dhe të fabulës  vjen më kurajoz, më serioz, më bindës, më elegant në vargëzim, më filozof në mendim, më largpamës në ide, më frymëzues në detaje jetësore, më i sigurt në formimin e lëndës. Për të afruar lexuesin me përmbajtjen e këtij libri të ndarë në dy kapituj (poezi dhe fabula) së pari po bëj një recens të shkurtër të të dy kapitujve.

Kapitulli i parë me poezi

Dhe nëse poezia shpesh herë është bërë një dashuri shpirtërore për të lehtësuar brengën, për poetin e afirmuar poezia është vetë jeta, është lëmi ku lundron bukuria e jetës por dhe hipokrizia e saj. Ku lundron e mira që përballet me të keqen, e ardhmja me të tashmen, përparimtarja me regresin, dëshirat me realitetin, mllefet me buzëqeshjen, hakmarrja me të falurin. Lëmi i poezisë është i pafundmë si oqeani ku  çdo ditë vargëzohen miliona fjalë dhe gjetjet janë të ndryshme. Në këtë vëllim poetik ajo që bie më shumë në sy është se autori frymon me kohën, vargëzon me shpirt, qëmton me realizëm, përcjell mesazhe pozitive, akumulon ngjarje dhe ide, nënvizon detaje, strukturon situata, lëmon vulgaritetin. Por, lufton dhe të keqen dhe bashkon idetë për një të ardhme më të mirë. Tematika e larmishme është një veçori tjetër e këtij vëllimi, ku bie në sy malli mërgimtar, dashuria për atdheun, nënën, babanë, fëmijët, të afërmit, punën, miqësinë, problemet e përditshme dhimbjet që shkaktojnë vdekjet e të afërmve, ekuilibrat ndaj njerëzve megalomanë, sinqeriteti në dashurinë ndaj të afërmve, brenga në situata të ndryshme, dëshira për tu kthyer në atdhe, problemet e atdheut, shqetësimet e marrëdhënieve miqësore, etj... Në 115 poezi autori nuk ka asnjë përsëritje vargu, asnjë përsëritje ideje, asnjë përngjasim tematike. Me një penë fluide dhe të shtuar, ai  e ruan fjalën e bukur, e laton atë, e zbulon atë, e vendos me kujdes si një nikoqire kreative dhe i jep formën e duhur në tërësinë e trajtimit të idesë së poezisë. Në tërë lëndën e sjellë në libër, autori nuk tenton tek numri i madh i vargjeve, por tek vargu cilësor, racional, që të mbajë peshën e duhur dhe të mos e rëndojë poezinë. Pra ka një ekuilibër të përsosur, një të mesme të përpjesshme  delikate, që ruan harmoninë por nuk cenon cilësinë. Gjithmonë, rendja pas shumë strofave tregon se dëshira për të thënë shumë kalon në përsëritje mendimi, ndaj, tashmë si një specialist korrekt, autori lëvron me sukses poezinë e shkurtër, të ngjeshur me ide, të kalkuluar ne mendim dhe i bindur që do thithet ideja e tij nga lexuesi. Ruajtja e sensit të masës në cilësi dhe sasi tregon tashmë pjekurinë e tij, tregon se autori është i aftë të lexojë dëshirat e lexuesit dhe të ofrojë në tryezën letraro-krijuese atë lëndë-ushqim që do jetë tejet i asimilueshëm tek lexuesi. Kjo qasje, sa artistike dhe estetike, e dallon autorin nga shumë autorë të tjerë dhe përcjell një komunikim ndryshe me lexuesin, sa racional po aq dhe konkret, sa real po aq dhe provokues. Në tërë poezitë e këtij vëllimi nuk shikon shtyrje ideje, sforcim mendimi, por merr me vete një natyrshmëri vargu dhe një sinqeritet krijuesi që nuk bën kompromis me nivelin e duhur artistik. Nëse poezitë lexohen me vëmendje, lexuesi do të krijojë bindjen se, metrika e vargut jo vetëm është në harmoni me idenë por dhe në funksion të mesazhit që autori do të përcjellë. Duke shmangur në mënyrë elegante përsiatjet dhe zhurmën me fjalët e mëdha që nuk qëllojnë në shenjën e një poezie, autori rrok mendime  që kanë filozofi popullore, por dhe mesazh që përthithet lehtësisht dhe me ëndje. Por më bukur në këto poezi, autori i këndon dashurisë. Ja si shprehet autori:

ME DRITË TË HËNËS...

Gjer tek unë, për të ardhë’,
Sish e lehtë, s'të linte lumi.
Nëse lumin unë e thajë,
Do vish të më zgjosh nga gjumi?!

Gjer tek unë, nëse do vish,
S'do ta fik zjarrin e zemrës.
Veç më thuaj: - Dil më prit!
Se do vij me dritë të hënës.

Dashuria ka fuqi vigani edhe kur yjet shuhen mëngjeseve. Ajo bëhet xixëllonjë mes errësirës, edhe kur hëna bëhet xheloze sepse ndienja vjen si krahët e shpresës për të mrekulluar këtë jetë të shkurtër dhe të plotë. Kjo ndjenjë që rrjedh çdo ditë si muz mengjezesh mbart poezin e shpirtit në shtegëtimin e pandalshëm njerëzor. Edhe kur qielli të lotoj me dhimbjet e universit, dashuria do e shpëtoj poetin, pasi për të ajo është Hyjni. Me një figuracion letrar të pasur, me një metaforë tepër shprehëse, në këto vargje dashuria tregon se nuk njeh pengesa, as lumenj, as natë të errët, as pengesa irreale, pasi ndjenja ka fuqinë e Zotit. Vetëm ideja se e dashura do jetë në gjirin e tij si gjëja më e shtrejtë e jetës bën që bashkimi të krijoj një univers të ri. Përpos kësaj poezie, autori ka disa tematika dashurie ku ai nuk trishtohet kur zemërohet dashuria, pasi jeton brenda kësaj trysnie të kërrisur të kësaj kohe të pamërshirshme, ku dy zemra kaq të paqta me veten e tyre i largon por dhe i afron ndjenja më e pastër e zemrës. Dashuria për të në disa poezi është ylber që të mbush shpirtin dhe zemrën. Ajo mbetet thesar pa emër, mall që s‘harrohet  edhe kur buzëqesh. Ajo vjen me vrullin e erës dhe lëshon tinguj qiellor që shëron dhe tronditjen.  Aty janë  brendësia e ndjenjave të gjithkujt, aty anë perlat e çmuara ku vargu lulëzon me të gjitha ngjyrat ylberore. Por dhe më bukur poeti i këndon dashurisë për nënën, kujtimit të saj, largimit në përjetësi:

SI IKE KËSHTU ?!

Telefonata e kobshme zemrën ma ngriu,
Dhe qielli e humbi ngjyrën blu !
Në ketë ditë diellin e zëvendësoi shiu,
Dhe asgjë më nuk ishte si më parë këtu.

Që nga ora që u mbyllën sytë e tu,
Mua m‘u hapë një plagë në zemër.
Pa thënë asgjë si ike ti kështu,
Si ike o Nënë, më i bukuri emër ?!

Bosh e le këtë shpirtin tim,
Për mua ishe mirësia e kësaj bote.
Jeta pa ty ka humbë çdo kuptim,
Do më mungosh për jetë e mote.

Lot-plage për nënën. Nëna, qenia me sublime, që me krahët e saj lëshon zjarrin e dashurisë dhe bota në krahët e saj ngjyroset në të gjitha skajet me nuancat më të bukura të jetës. Ne jemi fryt i një nëne të palodhur, që çdo natë bie duke menduar dhe falënderuar zotin, që na solli në jetë. Ajo nuk resht kurrë së ndaluari për të kthyer çdo vuajtje që tronditin zemrën si një tërmet i fuqishëm në dashuri dhe ngrohtësi. Vetëm nënat e zotërojnë këtë aftësi, sikur të kenë një damar të përbërë prej qelizash dashurie dhe jete. Me një ndjeshmëri të rrallë dhe me pak vargje, poeti e portretizon me ngjyrat më të bukura të jetës Nënën. Zemra e saj është si ajo foleza e vogël e cila prodhon dashuri dhe vetëm dashuri, ajo është gjeneratori që prodhon dashuri dhe jetë për botën. Për poetin nëna është dashuria që i jep kuptim jetës njerëzore. Ai nuk harron se nëna është burimi i vetëm ku mund të gjesh dashurinë dhe jetën. Nëse mërzitja, vuajtja, të qarat të kanë mbërthyer si lëkura pas vetes, futu në krahët e nënës sepse do të ndjesh dhe gjesh atë aromë që do t'i përkasi parajsës së vërtetë. E ndjemë rëndësinë e saj më shumë kur se kemi pranë. Yjet mund të ndriçojnë tokën, por ama nënat mund të ndriçojnë jetën e një fëmije që vjen në këtë botë duke qarë dhe që në ato momente ai kthehet në thesarin më të çmuar për të. Nënat për poetin do të mbetet mbretëreshat e kësaj bote, që sundojnë tokën dhe na qëndrojnë gjithmonë pranë si një magnet për të na mbrojtur nga gabimet. Po mërgimi çfarë është për poetin?

KUSH DO TA HAPTE PORTËN?!

Kur ikët ju emigrantë,
Për në dhe të huaj,
Portën e shtëpisë e latë hapur,
Mirë bëtë, që e latë portën e shtëpisë pa çelës!

Se, sado që të zgjaste emigrimi nëpër botë,
Kur të ktheheshit ndonjëherë,
Po të ishte e mbyllur shtëpia,
Kush do ta hapte atë portë?!

Mërgimi, kjo plagë e madhe shqiptare. Ikim, ikim, ikim me kokën pas. Ikim por portën e lëmë hapur. Sa bukur, sa çiltër është thurur kjo poezi. Pa shumë filozofi, pa shumë mendime të sforcuara. Plot natyrshmëri poeti vargëzon se ikim jo se s’duam atdheun, por se atdheun na e drejtonë hajdutë ordinerë, të pandërgjegjshëm, të korruptuar, njerëz të paformuar dhe pa ndjeshëmri njerëzore. Ky ishte fati ynë, ndaj morëm rrugën e mërgimit. Ikim por portën e lëmë hapur. Kjo është një gjetje artsitike e rrallë. Një detaj që s‘është rrokur më parë. Mërgimi presupozon dyer të mbyllura, por poeti e la hapur derën e shtëpisë... E la hapur me shpresën e kthimit, me shpresën që dera të mos mbyllej por të presë mysafirë, pasi shqiptari e ka traditë mikpritjen. Nëse kjo derë do mbyllej, do ndryshkej, do ngurtësohej do quhej përfundimisht e pabanushme. Poeti ecën me shpresën e kthimit, me shpresën se një ditë dhe atdheu ynë do gjejë dritën e shpresës, të zhvillimit, të afrimit të  zogjve të saj shtegëtarë. Me një penë plot aromë atdhedashurie poeti se pranon ikjen e përjetshme. Ai e lë hapur derën e shpresës, derën e e dëshirës atdhetare.  Vargjet për kurbetin janë gjithmonë me nota të trishta. Njerëzit largohen për një jetë më të mirë, por vetëm ideja se janë larg vendit të tyre i bën që të kenë një hije trishtimi përgjatë gjithë kohës kur kujtojnë vendlindjen.

Kapituli i dytë me fabula

Në këtë kapitull autori ka sjellë para lexuesit 10 fabula. Kjo gjini e letërsisë është një sfidë ndaj vetvetes. Fabula  është një gjini shumë pikante, serioze, delikate, nazike, e sertë që jo gjithkush merr guximin të trokasë serisoizt në të. Fabula do formim intelektual, njohuri, do intuitë të zhvilluar, kërkon një filozofi jetësore të veçantë. I them këto për të qenë të sinqertë me lexuesin sepse jo çdo krijues mund të krijojë fabula. E megjithatë autori guxon, realizon dhe fiton. Duke njohur të gjithë fabulsitët shqiptarë, duke qenë se i kam miq të gjithë fabulsitët më të mirë që jetojnë dhe kam zhvilluar shumë intervista me ta, mund të them se autori hyn në Falangën e fabulsitëve shqiptar  me dinjitet. Sipas përkufizimit klasik “Fabula është një zhanër letrar i karakterizuar me krijime artistike të shkurtra në poezi dhe më rrallë në prozë, me përmbajtje didaktike.  Ajo që e dallon lehtazi këtë gjini është se ky zhanër ka si personazhe më së shumti kafshë - dhe më rrallë bimë ose objekte të pajetë - dhe që bartin një mesazh moral. Kafshët fitojnë përfundimisht vlerën e simbolikës së tyre si përfaqësues të një virtyti njerëzor ose ceni. Ja si shprehet autori në fabulën:

PAPAGALLI DHE BILBILI

- Ç'e dua unë zërin tënd,
Nëpër pemë e nëpër shkrepa.
Në shtëpi, rri në vend,
Birinxhi më kalon jeta!

Dhe i tha bilbili shtruar:
- Ti flet shumë, unë nuk flas.
Nuk të mban askush në duar,
Por të mbyllin në kafaz.

Ironia, sarkazma, qesëndisja, nëteksti janë simbolika të kësaj fabule. Autori godet më mjeshtëri veset e shoqërisë si mburrjen e pamerituar, llafazanët që janë punëpakë, përtacët që bëjnë zhurmë dhe nuk realizojnë asgjë. Por tek cilësitë e bilbilit, tregon dhe vlerat e vërteta si thjeshtësinë, respektin ndaj punës dhe cilësive individuale. Me një satirë inteligjente, dialogu papagall-bilbil, përcjell problematikat në  jetën e përditshme njerëzore  ku shumë njerëz dembelë, të paformuar, të paaftë vegjetojnë vetëm me krenari boshe pa menduar se vetëlëvdata, përfitimet e pamerituara janë të përkohshme. Puna, aftësitë individuale, sinqeriteti në shoqëri, talenti dhe zhurma e pakët do të të japin vendin që të takon në shoqëri.

Së fundi:

Ky libër binom, poezi-fabula është një nismë interesante, gjetje individuale  intriguese  e autorit për ta afruar lexuesin, për të bërë një ballafaqim mes poezië dhe fabulës, të ndryshimit por dhe të ngjasimit mes tyre. Si në poezi  dhe në fabula, autori i qëndron besnik strofës me katër  reshta, si model klasik për të afruar tek lexuesi më saktë idenë, mendimin, mesazhin. Me këtë libër autori kërkon një sfidë me vetveten për tu përballur me seriozitet me krijuesit bashkëkohor, në lëvrimin e peozisë dhe të fabulës nazike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora