Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Fondi i bibliotekës personale të Thoma Binjakut, dhuratë Bibliotekës “Dritëro Agolli” të Fierit

| E premte, 15.11.2019, 10:28 PM |


Fondi i bibliotekës personale të Thoma Binjakut, dhuratë Bibliotekës “Dritëro Agolli”  të Fierit

Nga Entela Binjaku

Libri, ndërthurja e brezave, misioni edukues i arsimtarit dhe qëndrimi emancipues i intelektualit, të gjitha këto u ndërthurën bashkë në këtë fillim nëntori 2019 kur një familje fierake i dhuroi një fond librash institucionit të bibliotekës së qytetit.

Rastet kur familjet e intelektualëve kontribuojnë për të pasuruar fondet kulturore të qyteteve të tyre, janë mjaft të njohura në histori. Shoqëritë e përparuara na kanë dhënë shpesh shembuj të tillë, por edhe në shoqërinë tonë modele të tilla nuk mungojnë.

Kur kanë kaluar 14 muaj nga ndarja nga jeta e intelektualit të njohur fierak Thoma Binjaku “Mësues i Merituar” familja e tij vendosi t’i dhurojë librat e fondit personal, Bibliotekës “Dritëro Agolli” të Fierit. Ky ishte një zotim që familja e kishte marrë publikisht në 6-mujorin e ndarjes së tij nga jeta në një aktivitet përkujtimor të mbajtur në sallën e konferencave të Hotel “Fierit”.

Paraditen e së premtes së 15 nëntorit 2019  librat ju dhuruan drejtoreshës së këtij institucioni kulturor znj. Klodjana Gjata.

Drejtoresha e mirëpriti dhe shprehu falënderimet në emër të institucionit që ajo drejton. “Falënderoj familjen për gjestin fisnik! I ftoj qytetarët të kontribuojnë për pasurimin e Bibliotekës, në të mirën e lexuesve tanë”, u shpreh Gjata, drejtuesja e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.

Lidhur me këtë veprim të dinjitetshëm, e bija e intelektualit të ndjerë   znj. Ajrina Dimo u shpreh: “Të mirat që na vijnë prej librave janë të shumta: librat janë dije, janë mësime për jetën, na përmirësojnë imagjinatën. Libri na ndihmon të jetojmë përvoja të reja. Kur në duar kemi një libër interesant, shkëputemi edhe nga bota jashtë. Vetëm njeriu që lexon mund të jetojë një mijë jetë. Babai ynë e donte shumë jetën dhe jetoi deri në ditët e fundit të tij mes librave. Ne dëshirojmë që biblioteka e tij të kontribuojë sado pak edhe tek lexuesit e qytetit. Kështu përjetësojmë tek bashkëqytetarët tanë fierakë pasionin e tij për librat dhe dashurinë e pamatë për dijen”.

Znj. Dimo po vijon të çojë përpara edhe një nga dashuritë e të atit: atë për edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me vlerat e veçantive kulturore.

Disa muaj më parë ajo ishte edhe shoqëruese e rreth 30 fëmijëve dhe të rinjve arumunë nga i gjithë vendi që morën pjesë në kampin veror të Sulinës, në Tulçea të Rumanisë. Pjesëmarrësit nga Shqipëria morën pjesë në kampet e njohura si kampet “ARC”, në raundin e dytë e tyre. Gjatë 7 ditëve fëmijët dhe të rinjtë praktikuan gjuhën dhe jetuan sipas mënyrës rumune. Kurset e rumanishtes dhe të historisë ndihmuan komunikimin dhe integrimin e pjesëmarrësve nga Shqipëria me bashkëmoshatarët e tyre që vinin nga: Moldavia, Ukraina, Franca dhe Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë dorëzimi i librave në Bibliotekën e qytetit u krye në një kohë kur edhe ky institucion është në rikonstruksion dhe pritet të ofrojë për lexuesit dashamirës të librit një mjedis tërësisht bashkëkohor.

Ky veprim erdhi disa javë më vonë pasi Thoma Binjaku u nderua me diplomë nderi nga Shoqata Kulturore “Arumunët e Shqipërisë”.

Ky vlerësim ju dha në Tiranë në përvjetorin e 28-të të themelimit të kësaj shoqate me motivacionin: “Me rastin e 21 tetorit, ditës së krijimit të Shoqatës, vlerësuar për kontributin e dhënë në gjallërimin dhe zhvillimin e traditave kulturore, fetare, folklorike e gjuhësore tek minoriteti arumun në Shqipëri si edhe në aktivitetet për lidhjet vëllazërore me popullin rumun”.

Nderimet pas vdekjes për figurën e intelektualit të njohur, Thoma Binjaku një autoritet në fushën e arsimit kombëtar, kanë qenë disa.

Në 7 mars të këtij viti ai u nderua nga Bashkia e qytetit të Fierit me mirënjohjen për kontributet e shquara në arsim.

Në po këtë datë në Tv “Kombi” u shfaq dokumentari me titull: “Një jetë kushtuar pasionit” në nderim të  figurës së tij.

Në 1  shtator 2019 në një vjetorin e ndarjes nga jeta në studion e TV “Apollon” të qytetit të Fierit, kolegë dhe bashkëpunëtorë të Thoma Binjakut folën për punën e tij të palodhur dhe përkushtimin ndaj arsimit. Kjo datë përkonte edhe me fillimin e muajit të vjeshtës që për shumë breza simbolizon nisjen edhe nisjen e vitit të ri arsimor. Vetë jeta e tij ishte deri në fund e lidhur me shkollën dhe arsimin.

Në paraditen e dhurimit të librave në Bibliotekën e qytetit ishin të pranishme edhe pjestaret më të reja të familjes së Thoma Binjakut, të trija mbesat e tij,  dëshmitare krenare për trashëgiminë që ai ka lënë dhe pasuese të denja të pasionit të tij.