E diele, 15.12.2019, 04:37 PM (GMT)

Kulturë

Hazir Mehmeti: Fitorja diplomatike e UÇK-së

E enjte, 14.11.2019, 08:23 PM


Fitorja diplomatike e UÇK-së

Nga Hazir Mehmeti,  vështrim

Të nderuar të pranishëm!

Sonte ndihem i nderuar që mu dha rasti të paraqes para jush  librin e radhës të  mikut tonë, ambasadorit të parë  të Republikës së Kosovës në Austri, zotit Sabri Kiçmari, Fitorja Diplomatike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Libri “Fitorja Diplomatike e UÇK-së” është një margaritar në mësimin e rrjedhave të rrugës së vështirë deri në realizimin e idealeve për liri në fundshekullin e kaluar. I shkruar natyrshëm me gjuhën e fakteve e bënë librin vepër me  vlera përtej një vepre kujtimesh apo ditari personal, kur dihet se autori ishte personazhi i ngjarjeve qe nga vitet e renda për vendin e pushtuar nga Serbia dhe Jugosllavia.

Akademik Regjep Qosja në rezymenë e tij rreth librit me tjerash shkruan: “Libri i diplomatit  dhe i studiuesit tonë tashmë të njohur e të çmuar, Sabri Kiçmari, me titullin domethënës, Fitorja diplomatike, është libër i rrallë në krijimtarinë tonë letrare e shkencore, në të cilin janë bashkuar, shumë pajtueshëm, veçanti të kujtimeve dhe të ditarit”.

Duke qenë bashkë drejtues të ilegales që nga viti 1989 autori na sjell kujtime  nga koha e demonstratave kundër pushtuesve serb e jugosllav, atëherë kur autori përjeton rëndë vrasjen e bashkëluftëtarëve të tij të ilegales, heronjtë e kombit: Ali Ajeti, Afrim Zhitia e Fahri Fazlia, dhe vdekja e Fadil Vates si pasojë e kushteve torturuese të burgut që kishte mbajtur.  Ishte kohë kur Lëvizja Popullore për Çlirimin e Kosovës e sheh rrezikun nga arrestimi, dhe merr vendim që Sabri Kiçmari të vepron jashtë vendit në Evropën Perëndimore. “U gëzova shumë që në përfundim të Konferencës do të bëja dorëzimin e detyrës së Sekretarit Organizativ tek heroi ynë Afrim Zhitia, pasi që për mua u vendos të largohesha jashtë vendit” , shkruan Sabri Kiçmari. Ky veprim ishte i mençur dhe me efekte pozitive të shumanshme të cilat i dokumenton libri që po promovojmë sonte.  Ishte me rëndësi  Mbledhja e Katërt e Lëvizës Popullore për Çlirimin e Kosovës, në gusht të vitit 1993, kur edhe  vendoset  për organizimin e luftës së armatosur, dhe,  përcaktohet koncepti teorike, filozofik e politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo  filozofi e drejtë dhe e arsyeshme do të prezantohet me sukses dhe vendosmëri nga grupi i përfaqësuesve politik të UÇK-së në Evropë. Në shtatorin e vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak i UÇK ës emëron zyrtarisht grupin e përfaqësuesve të saj për marrëdhënieve me jashtë i përberë nga Sabri Kiçmari, Jashar Salihu, Ramadan Avdiu, Rexhë Ibërdemaj, Agush Buja, Mujë Rugova, Bilall Sherifi  dhe drejtuesi i grupit,  Bardhyl Mahmuti.

Zonja e zotërinj!

Diplomacia  evropiane  ruante  koncepte të vjetra, jo të drejta, lidhur me shqiptarët, rrjedhat në Jugosllavi dhe veçanërisht vuante nga paragjykimi ndaj UÇK e cila po rritej çdo ditë, dhe jo pa arsye në çarqe analitike ushtarake botërore,  cilësohej si ushtria më rritur dhe shkruar në shtypin botëror në fundshekullin e njëzet.

Kjo rritje u shumëfishua veçanërisht pas Epopesë së UÇK-së me 5,6,7 mars të vitit 1998, në Prekaz, kur bie heroikisht Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari,   pikërisht, atëherë kur Serbia  propagandonte shuarjen e saj.  Kjo datë shënon kthesën e madhe veç tjerash, në interesimin botëror për luftën e drejtë të UÇK-në. Ky moment shënon nisjen e fazës intensive të aktiviteteve të grupit  përfaqësues me jashtë të UÇK-së në kontaktet me diplomat dhe shtypin botëror. Rënia heroike e Fehmi Lladrovcit, Xhevë Lladrovcit, Xhemajl Fetahajt ishte sa humbje e madhe, shumë herë më tepër, ishte krenari e frymëzim në fuqizimin e luftës për  liri. Këto sakrifica frymëzim kishin idealin për liri të lagur me gjak nga dëshmoret e kombit mes tyre Zahir Pajaziti që në hapat e parë të formësimit dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për nga rrjedha e ngjarjeve në libër mund të vërejmë dy faza aktivitetesh: faza e  ndërtimit të botëkuptimeve dhe koncepteve për liri brenda faktorit shqiptar dhe faza e ndërtimit dhe mbështetjes të së drejtës për liri të garantuara me konventat ndërkombëtare  në të cilat ishte e konceptuar filozofia politike dhe lufta e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu mësojmë sa e vështirë dhe e mundimshme ishte të bindet Evropa mbi të drejtën tonë për liri,  në rrethanat e kohës, kur dihet se  diplomacia e vendeve evropiane dhe vendeve tjera vuanin nga sindromi i koncepteve  të të ashtuquajturit “shtetit sovran” edhe kur ai shtet është kolonizator  e vrasës masiv i popujve siç ishte Serbia dhe Jugosllavia.  Argumentet e shtruara në takime me burra shtetesh, diplomat, media e shkruara dhe elektronike tregojnë për sukses të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e faktorit të jashtëm mbi nevojën e përkrahjes së luftës për liri të UÇK-së, si formë e imponuar nga veprimet kriminale të pushtuesit i cili kishte qellim shfarosjen e shqiptarëve me pasojë  pastrimin etnik, si akt i vazhdueshëm gjenocidi shekujve  sipas programeve të memorandumeve të Akademisë Serbe të Shkencave, Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë serbe si zbatuese e tyre.

Sabri Kiçmari qe nga intervista e tij në gazetën “Der Spiegel” (12 tetor 1998) dhe  më tutje argumenton luftën e drejtë të UÇK-së, demanton propagandën serbe dhe argumenton mbështetjen vullnetare nga mërgimtarët për UÇK-në. Në intervistat dhe takimet me  diplomat e zyrtarë  do bëhet prezantimin e krimeve serbe kundër civilëve shqiptarë; argumentimin e shkeljeve nga ana e Serbisë të rezolutave të ndryshme që ishin në fuqi; në periudhën e pas Marrëveshjes Rambujesë, përkatësisht në kohën e fushatës ajrore të forcave të NATO-s kundër Serbisë,  si faza vendimtare e epilogut të  luftës në Kosovë.  Tani UÇK-ja kishte ndërtuar struktura komanduese dhe Drejtorinë Politike të drejtuar nga Hashim Thaqi, i cili do jetë edhe drejtues i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujes, Angazhimi i Simbolit të Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçit,  si përfaqësues i UÇK-së dhe Akademik Regjep Qosjes  i dha fuqi popullaritetit të UÇK-së duke forcuar pozicionet e saj në planin e brendshëm dhe të jashtëm si faktor pa të cilën nuk mund të vendoset asgjë për të ardhmen e Kosovës.

Sabri Kiçmari së bashku me grupin përfaqësues njoftonin vazhdimisht opinioni publik, diplomatik, politik e ushtarak ndërkombëtar me gjenocidin që po zhvillohej kundër shqiptarëve në Kosovë si dhe argumentimi i shtruar i humbjes së vlefshmërisë së Marrëveshjes së Rambujesë në raport me statusin e ardhshëm të Kosovës dhe vetë UÇK-së, duke e mbrojtur në këtë rast qëndrimin se zgjidhja e statusit duhet kërkuar përmes referendumit ku do vendoste  populli. Me këmbëngulje u argumentua  mos çarmatosja e  UÇK të si nevojë e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie.  Në shtypin gjerman do shkruhet me theks të veçantë rreth vendimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, duke e cilësuar një fitore diplomatike të UÇK-së.

Autori me respekt të matur dhe të një diplomati të arsyeshëm rrëfen mbi realizimin e takimeve me personalitet të njohura të kohës:  Wolfgang Ischinger, Cem Özdemir,  Pier Churi, Doris Pack, Wolfgan Schüssel, Jozias van Aartsen, Louise Arbour, Erich Rathfelder, Hans Koschnik,  Tim Judah, Erchard Eppler, Gerhard Jandl, Laszlo Nagy, Jeffrey Fleishman, Alvaro Guitian Garcia, Larry Rossin, Lawarence G. Rossin, Roland Schleicher, H.Hunor, Albert Rohan, Wolfgang Petritsch, Wieland Schneider etj

Zonja e zotërinj!

Vjena ishte dhe mbetet në përgjithësi qendër  me peshë  në historinë tonë kombëtare dhe veçanërisht qendër diplomatike. Këtu  vepruan shumë figura të njohura kombëtare, mes të cilëve: Hasan Prishtina, Faik Konica, Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri,  Eqrem bej Vlora,  në përpjekjet e tyre për liri dhe shtet.  Këtu veproi edhe Sabri Kiçmari me grupin e veprimtarëve të devotshëm nga radhët e mërgimtarëve tanë: Xhevat Xhemajli, Abdullah Abdullahu, Rifat Buzuku, Eset Berani  e shumë tjerë që organizuan demonstrata në përkrahje të gjithanshme për UÇK-në dhe  protesta në gjithë Austrinë në mbështetjen e luftës për liri të në të gjitha format e nevojshme.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri e pa alternativë për mbrojtje të kombit shqiptarë në Kosovë, Kosovë Lindore dhe Iliridë. Ajo lindi nga populli, u formësua nga populli, u ushqye nga populli dhe do mbetet gjithmonë emër i shenjtë për secilin qytetar. Idealet e saja ishin dhe do mbesin liria e barazia për të gjithë pa dallim etnie, bindje apo gjinie.

Emri i autorit, Sabri Kiçmari,  këtu bashkëjeton në të gjitha rrethanat që  nga ilegalja e   Lëvizjes Popullore për Çlirimin e Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeverisë  së Përkohshme pas Rambujesë, Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga të cilat  Sabri Kiçmari do caktohet në rolin  e tij diplomatik  si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Evropë, detyrë kjo aspak e lehtë, por e kurorëzuar me  fitore diplomatike e cila  për rrjedhojë solli fitoren ushtarake dhe lirinë e Kosovës. Në këto rrjedha vendimtare për liri, Sabri Kiçmari ishte nga ato personalitet që me dinjitet kreu këtë obligim patriotik kombëtar. Ai  me modestin e tij mes tjerash në emisionin direkt të ARD në Bon, datë, 5 shkurt 1999 deklaron: “Jam vetëm një përfaqësues i një populli që lufton për liri dhe pavarësi”.

Dhe në fund më lejoni që në emër tuaj ta përgëzoj mikun tonë të nderuar, Sabri Kiçmari duke i dëshiruar shëndet e suksese në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij!

Kjo audiencë dhe ky ambient ju dëshiron dhe fton përsëri!

Faleminderit!

Vjenë, 8 nëntor 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT