E marte, 16.04.2024, 05:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Vilson Culaj: Nue Oroshi - Principata e Artës

E enjte, 14.11.2019, 09:13 PM


NJË APOLOGJI HISTORIKE DHE SHQYRTIM I SHKURTËR PËR LIBRIN HISTORIOGRAFIK-STUDIMOR "PRINCIPATA E ARTËS" I AUTORIT NDUE OROSHI

Botoi Shoqata "Trojet e Arbërit" LB , Prizren, 2018

Shkruan: Vilson Culaj

Mesjeta është një "pëlhurë e errët" për një masë të madhe njerëzish, brezash por edhe për disa kombe. Është luksi i ndonjë historiani apo lexuesi të pasionuar që mund të shoh dritë në atë hapësirë të errët dhe në atë fije drite ta përçojë përmes kronikave tek lexuesi i sotëm gjurmën historike, i cili (LEXUESI) distancën kohore dhe mungesën e fakteve e ka armikun më të madh. Është pikërisht ai lloj lexuesi, i cili faktet historike dhe informacionet "E HIRTA" jo rrallë i ka të përceptuara përmes miteve e legjendave, gojëdhënave, keqinterpretimeve të zbehura e të zhveshura nga brumi autentik e histografik.

Këtë gjakim studimor besoj se është përpjekur dhe ka arritur t’ia arrijë qëllimit edhe studiuesi i pasionuar Mrs. Ndue Oroshi.

Ky libër në shikim të parë duket modest (118 faqe), por ka një karakteristikë të veçantë. Kondenzimi tematik, qasja, përpunimi dhe shqyrtimi studimor, METODA E HULUMTMIT SHKENCOR, pasioni, metoda komperative historike, analiza dhe sinteza e bëjnë të veçantë. Ky libër, i cili falë hulumtimit dhe literaturës së bollshme pasqyron jetën, organizimin shoqëror, ekonomik, kulturor , politik, etnik dhe religjioz të kësaj principate mesjetare, e cila ishte ndër modelet bërthamë të shtetformimit edhe për principatat tjera arbërore të Mesjetës pas daljes nga kthetrat sllave, bizantine e greke, si pasoje e Skizmës  së madhe të vitit 1054.

Në epiqendër të këtij libri burimor, historik dhe të sintetizuar mjeshtërisht qëndron figura e Gjin Bua Shpatës, i cili me dinamikën e tij të jetës prej princi trim e vizionar, arriti të shkëlqejë në shumë dimensione si ato të unifikimit,  e gjakimit për pavarësimin e kësaj principate. Shtyrtohet në këtë libër edhe qasja diplomatike e krerëve të kësaj principate në raport me principatat tjera shqiptare si dhe popujve tjerë ballkanik, si një refleksion i një organizimi të fortë politik. Në këtë libër, autori Oroshi shqyrton edhe për prirjen dhe aftësinë e këtij princi për të krijuar Aleanca me shtetet tjera të gadishullit, por edhe sensi i këmbëngultësisë së këtij princi (Gjin Bua Shpata) në rastet kur cenohej dinjiteti dhe territori i kësaj principate mesjetare me qendër në Artë, e cila Principatë lulëzimin e saj më të madh territorial e arriti (sipas Kronikave) nga malet e Labërisë e gjer përtej gjirit të Ambrokisë, pa e përfshirë qytetin e Janinës.  .

Metodologjia shkencore që përdor autori Oroshi në zbardhjen e fakteve historike është për t'u admiruar, sepse përmes dendësisë së fakteve dhe një sintetizimi racional të temës bosht, lexuesi i afirmuar mund të përfitojë informacion të bollshëm e konkret, si një lloj harte historiografike, si një lloj tipologjie për sytë e veshët tanë të etur në gjakim për t'i njohur rrënjët e paraardhësve tanë.

Pas një leximi e shqyrtimi vertikal të materies në fjalë, këtë libër lirshëm mund ta quajmë edhe një kronikë historike që në brumin shkencor e arkivor e arrin lulëzimin e tij mbarështrues e sintetizues, falë pasionit këmbëngulës të autorit Ndue Oroshi. Është kohë udhëkryqesh për popujt ballkanik, flet heshturazi nënteksti studimor i autorit Oroshi, por intuita e tij shkencore nuk e lë pa trazimin e tij të bukur: "Dua të jap diçka nga vetja për të kaluarën tonë të ndritur e të trazuar, të rrëmbyer e herë-herë e molisur dhe e dezorientuar". Gama studimore e autorit Oroshi e ndjek linjen e saj të natyrshme, ku nga periudha në periudhë, kronika në kronikë, reflektohet  e pasqyrohet kronologjia historike nga lulëzimi princor e deri tek dështimi arkaik. Autori Oroshi është objektiv e jo subjektiv në analizat e tij studimore. Aty ipen të dhëna interesante për këtë principatë të artë, e konsoliduar dhe e lavdishme në vepra, por edhe e errët në dështime.

Një libër studimor është e natyrshme të ketë ndërndarjet e saj për shkak të strukturës dhe kompleksivitetit të temës bosht që shqyrton në tërësinë e saj. Këtë rrjedhojë e ka aplikuar edhe autori Ndue Oroshi, i cili në ciklin e III – të librit reflekton përmes argumentesh arkivore e literaturës së bollshme për kronikat e kohës. Autori shtjellon e paqyron për aktin e "ndarjes së Principatës së Gjin Bua Shpatës "në mes të vëllezërve dhe  pasardhësve të tij, ndarje e cila i kishte pasojat e saj në konstelacionin e përgjithshëm etno psikologjik, kulturor, fetar, politik, ideologjik dhe integrues të principatës, duke ngërthyer aty edhe tkurrjen territoriale, e cila tkurrje në fakt solli edhe tkurrje shpirtërore tek superstruktura e kësaj principate me famë. Rasti më miop është lidhja e aleancës më turqit nga ana e Pal Zguro Shpatës, i cili thënë në mënyrë metaforike, ua dhuroi Kështjellën e Gjirokastrës armiqve shekullorë të popullit shqiptar për pak privilegj e qeverisje lakmitare. Kronisti Karl Toko, edhepse armik i shqiptarëve, është tepër objektiv në shqyrtimet dhe analizat e tij, ku shpërfaq brishtësinë qeverisëse të shqiptarëve, miopinë dhe servilizmin ngushtuar e fiksuar në margjinat e një mentaliteti princor që asgjë nuk mund të nuhas e shijoi përtej egos së saj.

Kreu i IV-të i këtij libri studimor "Rënia e Principatës së Artës" ipen shkaqet të cilat quan në rënjen e kësaj principate, sepse ndërhyrjet ideologjike, fetare, teokratike, karrieriste e të tjera, pastaj përçarja, etja për pushtet, koloboracionizmi me pushtetin turk, miopia ideore, komplotet, lakmia mes pasardhësve, dhe mungesa e një fryme bashkëpunimi, sollën situatën historike që çoi deri në rënjen e kësaj principate.

Në kreun V-të të këtij libri "Marrëdhëniet Religjioze" në mënyrë telegrafike shqyrtohen të dhëna historike për orientimet dhe përcaktimet e feudalëve shqiptarë në kuptimin e hierarkisë kishtare, sepse dihet botërisht se fati historik i kishës shqiptare ndër shekuj, që nga Skizma e Madhe e vitit 1054, është ballafaquar e përplasur në orientimet e dominimet në mes të kishës katolike të Romës dhe asaj uniate greko- Bizantine. Autori Oroshi në këtë pikë është i kujdesshëm, edhepse ka shfrytëzuar një literaturë të bollshme për shqyrtimin shkencor. Ai lë opsionin e hapur kulturor e integrues të shqiptarëve, si vetëdije kolektive, pa anuar nga premisat subjektive apo ideologjike. Autori Oroshi  në këtë pikë është i çliruar nga ngarkesa fiktive historike, dhe në dritën e njohjes dhe faktografisë gjakon t'ua servojë lexuesve gjendjen faktike – historike të principatave shqiptare, më theks të veçantë atë të Artës, në këtë shekull të errët, siç do ta quante Paskali.

Në kreun e VI-të të këtij libri "Zhvillimi Kulturor", autori Oroshi reflekton lidhur me raportin kulturor, tregtar, bashkëpunimin  me qendrat civilizuese evropiane të kësaj principate, por edhe për zhvillimet kulturore e fetare të principatës, e cila në rrjedhën e shekujve la gjurmë të pashlyera në historiografinë shqiptare. Duhet përmendur këtu koleksionin e Kodikeve, si: Kodiku i Vlorës i shekulit X, Kodiku i Përmetit i shekullit XIV, por edhe për përçasjet e tjera letrare e artistike, ikonogafike të kësaj principate.

Në kreun e VII-të "Mergata shtegetimet dhe ngulitjet" jepen të dhëna për autoktoninë arbërore të fiseve që e përbënin Principatën e Artës, faktorizimin e tyre politik e demografik, ushtarak, kulturor,  përballë fuqisë së Bizantit deri në ngritjen e tyre në faktor regjional. Ky libër i parë për Principatën e Artës tregon qartë se arbërorët në këto vise ku ishte vendosur Shteti i Principatës së Artës, ishin banorë autoktonë që kishin jetuar me shekuj në këto troje të Arbërisë sonë.

Ky libër i strukturuar e konceptuar mirë si metodologji e qasje studimore është një lloj Silabusi Historik, apo një lloj Apologjie, në portën e së cilës mund të frymëzohen dhe t'i hapin horizontet studimore edhe shumë krijues e studiues tjerë. Thënë thjeshtë, principatat shqiptare të Mesjetës ishin si disa lloj ishujsh të mërguar në raport me kronikat dhe dinamikën e jetës evropiane, por mbi të gjitha edhe ato të frymëzuara nga hapat e rrjedhat e kohës u munduan që t'i krijojnë vetes prestigjin e fisnikërisë e bujarisë mesjetare, mbijetesës, dinjitetit, rendit ligjor e qytetar, dhe në një formë u bënë bazë për themelimin e shtetit komb për shqiptarët.

Ky libër i autorit Oroshi është një dritare më shumë drejt shekujve të errët e pa informacion të Mesjetës, në shërbim të ndriçimit të historiografisë shqiptare. Është një  Orakull drite mbi horizontet e kohërave për lavdinë e lirinë tonë të mohuar ndër shekuj.

Thënë thjeshtë, Principatat Arbërore ishin hapi i vogël drejt hapit të madh e të pakthyeshëm  drejt shtetformimit dhe etnisë sonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora