Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lumturi Ymeri: Vetmia

| E enjte, 14.11.2019, 09:05 PM |


LUMTURI YMERI


-Cikël poetik-

Me se ta mas kohën?!

Me ditë? S’më del

Me natë? Më tepron…

VETMIA

Në truallin e hershëm të vetmisë

rrëmoj  qosh me qosh të gjej gjërat e mia

biçikletën e fëmijërisë

me timonin më të madh se krahët

atletet e grisura

ku më ngatërrohen këmbët

fustanin me lule vjollce që s’e vesha kurrë

fërshëllimat e shpërndara andej- këndej

më përplasen në fytyrë

bashkë me ankimet e nënës

që harrohem pas lojës

e ngrysem pa ngrënë…

Dhe  çuditërisht,  rritem!

Në këtë truall vetmie

kapërdij qiell cep me cep

mbledh gjërat e mia anekënd

Të tëra vitet, udhët, stacionet

krejt largësitë pa destinacione

gjiithë mallin e përtej detesh…

dëgjoj lumenjtë brenda vetes

të zhurmshëm,  të gjithkohshëm…

Çuditërisht, pakësohem!

Apo, vetmia qënka planet?!

REKUJEM

(gegnisht)

M’a ktheve shpinën jetë!

Anì!

Unë të shoh ballpërballë

Njashtu,

si copëzohesh grimcash në mu

dalëkadalë,

tu e thithë frymën teme

at’ ma t’fismen që ta qas vdekja

N’at’ tik tak t'kohës s’fundme

që ty do t’a nguli n’sy vetëm nji rrasë vorrit…

Druj se njiherit ke m’u kthy

dorën zgat me përkitë

pllakë e ftoht ka me t’djegë

ka me t’dridhë mungesa e prehnit, ledhatimit

e turpi t’veshet me parzm’ t’burrnisë

para dashnisë…

Nën ta,

nën harresë

fminija do t’qesë duert e bukra

me ta shkye at parzmore

e me t’lanë gafil para bote,

ma zi se tash

kur, gjith’ kjo hapsanë

s’mund me e n’xanë…

LERMËNI…

Më lini të shkoj

t’i vë zjarrin

atij shtrati mëkatar

që po e grin mola e pritjes…

Të hedh mbi të

drurët e shkulur bregut të lumit

të gjitha degët e thyera

dhe folenë e zogjve

me fije bari, myshku e hala pishe…

Le të digjen bashkë me ligjet

edhe gënjeshtrat  e betimit…

Kërkoni betim?!

Besa, më lini të shkoj

e ju jap fjalën e nderit

se do t’ua kthej hirin

që ju duhet për varrin e të çmendurit…

Veç, lermëni…