Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shaban Cakolli: Zbulohet edhe një thesar i madh këngësh popullore

| E hene, 06.10.2008, 06:36 PM |


ZBULOHET EDHE NJË THESAR I MADH KËNGËSH POPULLORE
 
Nga Shaban  Cakolli


    Përkundër faktit se këngëtari ynë i madh Qamili i Vogël, i cili hyri në legjendat e këngës popullore shqiptare: si këngëtar, krijues i këngës dhe mbledhës i folklorit muzikor tradicional, na i la në trashëgimi gjithsejtë 11 tufëza këngësh popullore, qindra disqe gramafoni, shirita magnetofoni, audio kaseta dhe video kaseta – bagazhi i tij krijues dhe veprat e mbledhura nga vlerat tradicionale të popullit, vazhdojnë të zbulohen edhe pas 17 viteve të vdekjes së tij.
    Kështu, pas shumë hulumtimesh në arkivin dhe dokumentacionin e tij krijues, familjarët e Qamilit të Vogël, arritën që t’ a zbulojnë edhe një thesar të madh të këngëve popullore nga opusi i tij krijues dhe nga trashëgimia tradicionale popullore.
    Në këtë thesar këngësh, të zbuluar në dorëshkrimin e këngëtarit të ndjerë, bëjnë pjesë edhe 300 këngë popullore, shumica prej të cilave nuk janë botuar, kënduar, as publikuar deri më sot. Nga materiali i ruajtur me kujdes nga vet dora e këngëtarit të ndjerë, shihet  qartë se ai deri sa ishte i gjallë , përgatitej që ato t’ i incizonte dhe t’ i botonte në librat vazhdues!
    Në këtë fond këngësh bëjnë pjesë: këngët e krijuara nga vet Qamili i Vogël dhe këngë popullore nga tradita jonë muzikore.
    Tek cikli i këngëve të krijuara nga Qamili i Vogël, na paraqiten tri lloje të autorësisë së tij:
Këngë, mbi të cilat Qamili i Vogël, është autor i teksteve dhe të melodive.
Këngë, mbi të cilat Qamili i Vogël, na paraqitet autor vetëm i melodive dhe
Këngë, mbi të cilat Qamili i Vogël , na paraqitet vetëm autor i teksteve të tyre.

Në mesin e këngëve tradicionale popullore, të cilat këngëtari i ndjerë , i kishte mbledhur , shënuar dhe ruajtur me përkushtime shpirtërore nga të gjitha vendet dhe krahinat shqiptare, globalisht bëjnë pjesë këngët traditës urbane dhe këngët e traditës rurale.
Marrë në tërësi, ky fond i këtyre këngëve i takon këtyre cikleve:
Këngë dashurie me motive fshatare ,
Këngë dashurie me motive qytetare,
Këngë  ashikësh dhe dylberësh ( dashuria në mes të dy  gjinive të njëjta ),
Këngë dasme, fejese, martese dhe këngë të lindjes,
Këngë kurbeti, ushtrie, burgu dhe nizamësh,
Këngë historike,
Këngë patriotike,
Këngë të LNÇ-së,
Këngë të ndërtimit socialist,
Këngë përkushtimesh,
Këngë elegjiake,
Këngë vajtimi dhe
Këngë satirike

Ndër këngët më të vjetra të traditës sonë popullore, zënë vend një numër i konsiderueshëm i të ashtuquajturave :”Këngë ashikësh dhe dylberësh”, apo ndryshe në zhargonin popullor, quhen edhe “Këngë arshikishte”.
Në këngët e këtilla, përdoret një gjuhë e vjetër qytetare, në të cilat përdoret një zhargon shumë i rëndë i fjalëve, shprehjeve dhe termave të pakuptueshme, në mesin e të cilave ka shprehje turke, arabe,persishte dhe të ndonjë gjuhe tjetër.
Një kapitull tjetër i këtyre këngëve, janë produkt i krijuesve dhe interpretuesve të kohës socialiste – komuniste, në të cilat fund e krye imitohet krijimtaria artistike popullore e ideologjisë së Partisë së Punës së Shqipërisë Socialiste të Enver Hoxhës, ku lajtmotiv i kësaj krijimtarie, fund e krye është motivi i punës dhe i ndërtimit socialist.
Krijuesit e këtyre teksteve – këngëve, nuk na janë të njohur në shumë raste, nga se atë kohë ndiçeshin nga organet e rendit dhe të qetësisë publike, madje edhe dënoheshin me burg. Mirëpo, ka edhe disa raste kur na jepen me emër e mbiemër autorët – tekst shkruesit e këtyre këngëve.
Ajo që bie në sy, gati se në të gjitha këngët e këtij lloji, është se figurativisht, dashuria ndaj Shqipërisë – fshihet gjithmonë me nocionin topografik “Malësi”, apo “Malësia”, kurse dashuria ndaj Partisë së Punës së Shqipërisë, përshkruhet përmes nocionit “Rini “, apo “Rinia”!
Vlen të theksohet se Qamili i Vogël, nuk ishte i dhënë pas krijimtarisë së këtij lloji këngësh, por ato i kishte mbledhur, kultivuar, incizuar dhe ruajtur, në saje të disa grupeve artistike amatore, me të cilat gjatë tërë jetës së tij, kishte punuar me të vetmen dëshirë:që kënga shqipe të mos harrohet, të mos bastardohet dhe që ajo të depërtojë kudo në nën- qiellin e tokave shqiptare!
Në mesin e ciklit të këngëve historike, Qamili i Vogël nuk e la pa e shti nën notat e melodisë dhe tingujt e çiftelisë asnjë personalitet të shquar të historisë sonë kombëtare, nëpër shekuj e dekada të ndryshme historike. Ai , iu  thuri këngë dhe iu këndoi me dashuri e pietet të lartë artistik: Skënderbeut,Azem Bejtës, Qerime – Shotë Galicës, Avni Rrustemit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Oso Kukës, Ali pashë Tepelenës, Idriz Seferit, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e shumë e shumë patriotëve, trimave dhe heronjve të dëshmuar shqiptar.
Kaptinë e veçantë e këtyre këngëve, pa dyshim janë këngët që i janë kushtuar LNÇ-së, heronjve dhe dëshmorëve të rënë gjatë kësaj lufte. Për tu futur me përkushtim të veçantë në krijimtarinë e këtij cikli këngësh, Qamili i Vogël, ishte i frymëzuar vazhdimisht, nga se edhe vet kishte qenë pjesëmarrës i LNÇ-së. Andaj, dëshira e tij prej një krijuesi human, nuk lejonte që në opusin krijues të këngëve të tij, të harrohen dëshmorët dhe heronjtë e popullit!
Në këtë cikël këngësh, ai i këndon me pietet shumë personaliteteve relevante të asaj kohe, si:Ali Kelmendit, Emin Durakut, Xhevdet Dodës, Ganimete dhe Abedin Tërbeshit, Abdullah Shabanit, Hajro Shamanit, Hysni e Musa Zajmit, Fadil Hoxhës, Ramiz Sadikut, Zenel Hajdinit, Hajdar Dushit, Asim Vokshit, Xhemajl Kadës  e shumë të tjerëve.
Në mesin e ciklit të këngëve të përkushtimit, pa dyshim vend meritor kanë këngët kushtuar: Vaso pashë Shkodranit, Shtjefën Gjeçovit, Hivzi Sulejmanit si dhe dy këngë kushtuar këngëtarit legjendar elbasanas : Jusuf Ahmet Myzyrit, prej të cilit, Qamili si i ri, kishte mësuar dhe trashëguar shumë këngë popullore.
Fatkeqësisht, shumica prej këtyre këngëve nuk e përjetuan fatin, që të këndohen, të botohen dhe të jetësohen për publikun e gjerë shqiptar, nga se vdekja e pamëshirshme na e mori këtë bard të këngës popullore shqiptare, në moshën më të mirë, kur ne pritnim edhe shumë e shumë këngë të reja e të kënduara prej tij.
Qamili i Vogël, u nda nga kjo botë më datën 04 Nëntor 1991, duke mbetur me sy hapur, nga malli dhe dëshira e tij jetësore, që ta shoh Kosovën e lirë, të pavarur dhe shtet sovran! Që t’ ia dhuroi asaj këngët më të ngrohta, të cilat i kishte fshehur thellë në shpirtin e tij krijues dhe i kishte ruajtur gjatë tërë jetës së tij!
 
Demir KRASNIQI
 
 
 
P:S Falë përkushtimit të madh të punës të krijuesit,këngëtarit dhe pedagogut të pa epur Demir Krasniqit,ky thesar i madh i këngëve të Qamilit të vogël doli në dritë,unë e mora këtë thesar nga muzikologu ynë i njohur Demir Krasniqi dhe e solla në faqen tuaj.
Shaban  Cakolli