E merkure, 24.04.2024, 03:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Ibrahim Kabili: Në kujtim të kolegut Saimir Xhafo

E hene, 11.11.2019, 08:55 PM


Në kujtim të kolegut Saimir Xhafo

Nga Ibrahim Kabili

Jeta është e bukur. Këto fjalë ndëgjoheshin shpesh nga profesori Saimir Xhafo. Po jeta është e bukur por ajo ka dhe të papriturat e saj. E për ironi të fatit kështu ndodhi dhe me kolegun tonë të mrekullueshëm Xhafo i cili u nda nga jeta në një moshë fare të re. Lajmin e vdekjes së tij ne morëm nga Radio Tirana dhe si kolektiv shkuam në familjen e tij për ngushëllime. Kështu  u nda përgjithmonë nga familja, të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij "profesor Xhafo", siç e thërrisnin me respekt dhe admirim të madh nxënësit, prindërit dhe kolegët e tij të punës.

Sajmiri lindi më 18 nëntor 1948 në Libohovë të Girokastrës në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare dhe shumë arsimdashëse. Shkollën e mesme e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Arsimin e lartë e vazhdoi UT në degën gjuhë letërsi dhe e mbaroi në vitin 1969 me rezultate shumë të mira.

Në vitin shkollor 1970-71 mësues Saimiri emërohet mësues në shkollën e mesme të Kukësit. Me gjithëse në një rreth të largët e të vështirë për kohën, Saimiri u ambientua shpejt me shkollën dhe komunitetin e nxënësve të Kukësit. Në biseda të lira, kur Ai qe gjallë shprehej me superrelativa për nxënësit, kolegët dhe popullin e mrekullueshëm të Kukësit. Në ditarin e tij ndër të tjera shkruan: "Isha mësues i ri dhe vija nga Tirana plot energji. Punoja shumë, dhe vetëm me punë shumë shpejt fitova respektin e nxënësve, prindërve dhe kolegëve të punës. Në Kukës e ndjeva veten si në shtëpinë time". Largohet nga Kukësi me përshtypjet e vlerësimet më të mira.

Më 1 shtator 1973 mësuesi i apasionuar Xhafo transferohet nga Kukësi dhe emërohet drejtor shkolle në Fshatin Mëner të Sipërm të zonës  Zall-Bastar,Tiranë. Vitet kalonin dhe përvoja në arsim për Saimirin sa vinte e forcohej. Si mësues dhe drejtues shkolle ai shquhej për nivel të lartë shkencor në mësim dhënie, aftësi drejtuese dhe etikë komunikuese me nxënësit, kolegët dhe komunitetin. Ish kolegët, nxënësit dhe ato që e njohën në ato vite në këtë shkollë flasin me shumë nostalgji për punën e palodhur dhe të përkushtuar si mësues, edukator dhe drejtor shkollë.

Duke vlerësuar nivelin e tij të lartë shkencor në lëndën gjuhë dhe letërsi shqipe dhe aftësitë e ralla komunikuese me komunitetin më 1 tetor 1974 transferohet në RTVSH. Këtu punoi për 17 vjet me radhë  si gazetar. Duke shfletuar kujtimet e tij veçojmë: "Punova një jetë të tërë në Radio -Tirana, shkela në çdo pëllëmbë të Shqipërisë. Punova me përkushtim, me orar e pa orar dhe aq sa munda dhashë kontributin tim si gazetar. Ajo që më mungonte kishte të bënte me pasionin tim, me nxënësit, me shkollën. Ndaj një ditë vendosa të kthehem përsëri pranë tyre dhe t'i përkushtohem tërësisht profesionit të vështirë dhe të nderuar të mësuesit".

Në vitin 1991 mësues Saimiri me kërkesën e tij largohet nga Radio-Tirana dhe kërkon punë në arsim pranë Drejtorisë Arsimore të rrethit Tiranë. Drejtoria Arsimore i ofron punë në një shkollë të mesme fare pranë qytetit të Tiranës. Saimiri e refuzoj këtë shkollë dhe kërkoi me ngulm të vinte në Shkollën e Mesme Zall-Bastar. Dëshira iu plotësua dhe filloi punë pranë shkollës sonë si mësues letërsie në shkollën e mesme. "Kam shumë shokë dhe miq të vjetër në këtë zonë, ndaj vendosa të vij këtu dhe të punoj së bashku me kolegët e tjerë për arsimimin e fëmijëve të tyre" kish thënë Ai, sapo u paraqit për punë në drejtorinë e shkollës. Për kolektivin pedagogjik, për shkollën, për nxënësit, për komunitetin dhe për mua personalisht qe një fat i madh që patëm në shkollë një koleg të tillë,  të gjithanshëm  dhe të plotësuar si Saimiri. Për 7 vjet në këtë shkollë, patëm ndihmën e kualifikuar të tij. Në vitin e trishtë kur si me magji u shkërmoq dhe ra shteti, kur tanket dhe autoblindat dolën në rrugë, kur u hapën depot e armëve dhe kallashnikovi bënte kërdinë e jeta  qe krejtësisht e pasigurtë e në mëshirë të bandave mësues Saimiri pavarësisht gjendjes tmerrësisht të stresuar, vazhdonte punën me përkushtim e  me nxënësit dhe drejtonte me shumë kopetencë komisionet lëndore në lëndët gjuhë-letërsisë për gjithë zonën. Njeriu i mirë njihet në kohë të vështira. I tillë qe Xhafo, model për ne të tjerët. Si mësues me përvojë Saimiri i donte shumë fëmijët, shkollën dhe  komunitetin në Zall-Bastar.

Në 71 vjetorin e lindjes së Tij, ne kolegët që punuam me të, nxënësit që e deshën dhe e respektuan aq shumë, dhe të gjithë ato që e njohën apo punuan me të e kujtojmë me nostalgji kolegun shembullor, mësuesin e pasionuar të letërsisë, njeriun e pajisur me një kulturë të gjithanshme që ishte model për të të rijtë. Tani që e kujtojmë, kur nuk është më midis nesh, na mungon shumë. E mund të themi me kompetencë se kyç i suksesit të punës së tij me nxënësit qe përgatitja e lartë shkencore e pedagogjike, kërkesa e lartë të llogarisë ndaj vetes e nxënësve, qe puna me librin që nuk e hiqte nga dora, qe aplikimi i metodave të reja bashkëkohore në arsim, qe respektin reciprok që impononte, qe puna e palodhur me nxënësit.

Megjithëse ishte i sëmurë, mësues Saimiri shpresonte se një ditë do të rikthehej te nxënësit. Nuk ndodhi kështu, shpresa mbeti vetëm si e tillë. Vdekja e parakohshme e shkëputi nga jeta. Ai vdiq më 21 mars 1998 në moshën 50 vjeçare. Mësuesi i paharruar Saimir Xhafo la pas veprën e tij, kujtimin e paharruar te familja, të afërmit, shokët, kolegët, nxënësit dhe të gjithë ato që e njohë  e punuan me të.

Dhe tani pas shumë vitesh, duke shkruar këto radhë, ndërmend më vijnë fjalët e të ndjerit Xhafo: "Jeta vazhdon, ajo duhet të pranohet me të gjitha sfidat e saj".

IBRAHIM KABILI

Tiranë më 03.11.2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora