E premte, 19.04.2024, 08:05 AM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: E trishtë, shumë e trishtë

E diele, 10.11.2019, 03:48 PM


E trishtë, shumë e trishtë

Gjaku shqiptar në Europë, i pastër e fisnik - le ta dëgjojë Makroni!

Nga Fotaq Andrea

Në prill 1946, revista e përjavshme franceze e gruas « Elle » botonte një episod të shkurtër titulluar “E trishtë, shumë e trishtë” që po e japim të plotë :

“Në një fshat të vogël shqiptar, një toger i këmbësorisë koloniale rri e ndjek me vështrim të ngulët, mbi një ndenjëse të gurtë pranë rrapit qendror të fshatit, një të moçëm shqiptar që prej disa çastesh ia ka marrë këngës së vajit duke i shkuar lotët çurg.

- Po pse këto lot, ç’të mundon? – e pyet.

- Më bën kënga të përlotem, – ia kthen plaku.

- E ç’thotë kjo kënga tënde?

- Po ja, flet për historinë e një korbi që qëndroi gjatë, shumë gjatë, në degën më të lartë të lisit dhe që pastaj, iku e fluturoi.

- Po ç’ka këtu për t’u trishtuar kaq shumë, o njeri i mirë? – i thotë togeri.

- Mbase në frëngjisht, - gjegjet plaku, duke qarë tashmë me dënesë -, nuk është dhe aq e trishtë që korbi lë vendin e fluturon... Po në shqip, ah! ta dinit, more zotëri, sa e trishtë është, shumë e trishtë, tragjike!”

Nga sa mund të vihet re, episodi i mësipërm duhet të jetë real, nga kujtimet e një nënoficeri francez në Shqipëri gjatë luftës së parë botërore, të cilit i bëjnë përshtypje të thellë lotët çurg nga shpirti i plakut për të birin e vetëm, që me siguri e quan në këngën e vajtit “Korbi (qyqi) ti, o bir!”, dhe që ka marrë rrugët e mërgimit për në dhe të huaj, duke e lënë plakun fill të vetëm.

Por, le të kthehemi një hop në çerekun e fundit të shekullit XIX, kur Viktor Hygo përshkruan imtësisht në veprën e tij “Choses vues” (“Ndodhi të përjetuara”) skenën e largimit për në mërgim të dy familjeve alzasiane pranë brigjeve të Rhinit. Dy pajtone mbushur plot me baule; fëmijë çapkënë që lozin e lodrojnë duke ndjekur të gëzuar pajtonin; zonja e zonjusha të veshura hijshëm me fustane të bardha derdhur gjer në tokë dhe me kapat plot lule, tek këndojnë të lumtura; burra që ndërsejnë qentë me zë të fuqishëm plot autoritet për ta shtyrë karvanin përpara. Një atmosferë plot gaz e lumturi e këtyre dy familjeve imigrante alzasiane që largohen nga atdheu i tyre me këngë në gojë për në Kebek të Kanadasë.

Kontrasti në këto dy skena historike të mësipërme është më se i dukshëm: nga njëra anë,  “qyqari” mërgimtar shqiptar simbolizuar nga korbi, që dhembjen e shpirtit për largim nga atdheu e ka sintetizuar në këngën plot vaj “Moj e bukura Moré”, dhe nga ana tjetër, “mërgimtari” frëng i shekullit XIX që do themelonte e ushqente plot ëndrra të bukura e shpresë, koloninë franceze të Kebekut.

Historikisht, është e njohur se lëvizja e shqiptarëve drejt Europës daton tepër herët, që nga koha e Bizantit të lashtë, kur ndodhin pikëtakime historike midis “Këngës së Rolandit” dhe Epidamnëve albanë dhe kur miti i besës e ngre Kostandinin nga varri për të risjellë në atdhe Doruntinën abërore martuar me princ fisnik europian. Në vijimësi historike, shohim stradiotët shqiptarë që para kohës së Skënderbeut t’u shërbejnë republikave e shteteve të kontinentit të lashtë, nga republikat e Napolit, Gjenovës, Venecies, Raguzës, etj. deri te vende të tilla si Spanja, Franca, Korsika, madje edhe më tej, në Alzasë, në Vendet e Ulta e fiset gjermanike. Dhe do të jenë pikërisht stratiopitë e famshme arbrore ato që do të themelonin në More të Greqisë dhe në Jugun e gadishullit Apenin kolonitë e hershme arvanitase e arbëreshe, do të jenë stradiotët e famshëm arbër nga ish garda skënderbejane që do të përbënin mbi të gjitha vetë bërthamën e Kalorësisë së Lehtë Europiane si dhe Gardën jeniçeriane të superfuqisë së kohës që ishte Perandoria osmane.

Është e vërtetë se shqiptari arbër në këtë rast shfaqet si luftëtar i fuqishëm në Mesjetë, që për zanat ka luftën, tek mbush radhët e gardave mbretërore. Kronikat mesjetare janë kështu plot me dëshmi për bëma stradiotësh shqiptarë në luftëra me përmasa të gjera në rrafsh europian përgjatë shekujve XIII-XVII. Domosdo, me syrin e sotëm, zanat i luftës i stradiotit arbër do të thotë thjesht “mish për top” në emër të mbijetesës, për ta paguar jetën me çmimin e shtrenjtë të gjakut, me çmimin e vdekjes heroike dhe krenare, por duke mbajtur thellë në vetvete, në shpirt e zemër, peshën e përjetshme të hallit, peshën e lotit, vajtimit, një peshë njëmijë herë më e rëndë nga vetë Guri i Sizifit. Dhe prapë, ka pse krenohet ky stradiot shqiptar, perderisa kapelen e tij të lartë “albanoi”, për të cilën flet nga të parët Fransua Rable, e mbajtën në kokë dy mbretër të Francës, Henri II dhe Henri IV dhe perderisa gjeneralissimi dhe fisniku shqiptar Gjergj Basta i dha bazën strategjike ushtarake Kalorësisë së Lehtë Europiane. E të mos harrojmë se kur Europa mbarë ishte përfshirë në luftëra të errta civile e fetare mesjetare, kur principatat e vogla e të mëdha të saj luftonin me njëra-tjetrën për mbifuqi e madhështi, “Atleti i Krishtit” dhe “Mbrojtësi i Europës”, Skënderbeu ynë, që mishëronte vlerat më të larta ideale, do të bëhej, në krye të shtetit të Arbrit, për një çerek shekulli me radhë, mburojë dhe kala e fuqishme për t’i ndalur hovin superfuqisë së kohës që ishte Perandoria osmane. Dhe mbi të gjitha, në mbrojtje të Europës. Kur dihet që ajo perandori osmane, tepër e rrezikshme, e cila e mbështeste forcën e saj në fuqinë numerike dhe në teknologjinë e përparuar të artit të luftës, të përlante si cunam e të zhdukte me nam e nishan. Me të drejtë, Ismail Kadare thekson konkretisht për figurën e lartë të Heroit tonë kombëtar, apo të “Babait të Kombit shqiptar” siç e ka pagëzuar i pari Faik Konica: “Skënderbeu, thotë Kadare, është figura të cilën shqiptarët duhet ta kenë flamur kryesor për të hyrë në Europë. Është figura që tregon se si shqiptarët janë ndjerë europianë nëpër shekuj. Ata nuk e braktisën asnjëherë aspiratën europiane, dëshirën për të qenë në Europë”.

Por jo vetëm kaq. Të mos harrojmë se zanati i fisëm, i mirënjohur, i stradiotit historik shqiptar, do të shoqërohej në mbarë Europën edhe me kontributin e mendjes së lartë të figurave të ndritura shqiptare në filozofi, arte, kulturë, shkencë, e deri në rangun më të lartë të Vatikanit me Papa Klementin VI Albani dhe me shenjtoren Nënë Tereza. Numërohen me qindra-mijëra këto figura të ndritura të popullit shqiptar që zenë vend të nderuar në piedestalin e kujtesës historike botërore.

Veçse, së shumti, siç vë në dukje albanologu i shquar Alain Ducellier, shqiptarët - që kanë mërguar historikisht edhe në mënyrë masive, (kishte raste kur shqiptarët shpërnguleshin fshatçe, me në krye priftin e tyre), - karakterizoheshin në radhë të parë e mbi të gjitha nga përshtatja e shpejtë me gjuhën, qytetërimin, doket, zakonet, kërkesat dhe nevojat e trevës së huaj ku ata nguleshin, duke dhënë kësisoj kontribut të shkëlqyer si zanatllinj e mjeshtër në zeje dhe krahë pune e duke mos kursyer assesi forcën e mendjes, gjakut e të krahut, gjithë vlerat dhe virtytet e tyre të trashëguara shekuj me radhë. Do të themelonin kësisoj në mbarë shtetet europiane e deri në kontinentin e ri diasporën e fuqishme shqiptare, duke dëshmuar jo vetëm për vërshim të furishëm të gjakut shqiptar në damarët e kontinentit të lashtë, por edhe për energji vitale të pashtershme të krahut të punës, në bujqësi, industri, zeje, ndërtimtari, etj.

Edhe sot e kësaj dite pak flitet, për të mos thënë aspak, për njeriun e thjeshtë shqiptar të diasporës, që ul kokën e punon ndershmërisht e fuqimisht, që respekton zakonet dhe ligjet në fuqi të vendit ku ka mërguar, që sakrifikon veten, me kursime tepër të mëdha, për të rritur e nxjerrë në jetë fëmijë të mbarë, me shkollë e kulturë europiane, që bën çmos të fitojë prestigj e nder në mjedisin që e rrethon, duke u përshtatur e jetuar për bukuri me kohët moderne, në vëllazëri e harmoni shoqërore. Dhe ndodh kështu ngaqë mediat televizive e të shkruara lokale mungojnë të paraqesin reportazhe e kronika për njeriun e thjeshtë punëtor e të ndershëm shqiptar, që përbën 95-99 përqind të diasporës shqiptare, që përshtatet dhe asimilohet pak nga pak në heshtje e modesti, por që i dhuron e i fal energjinë, gjakun dhe vitalitetin e tij jetësor e shoqëror dheut të huaj, i cili shpejt do shndërrohet për të në atdhe të tij të dytë.

Sigurisht, si në çdo diasporë tjetër, edhe në diasporën shqiptare ka “dru të shtrember” që prish tërë stivën, por forca e shtetit të së drejtës dhe e shtetit ligjor, sidomos në vendet e zhvilluara europiane është e tillë që e shmang “drurin e shtrembër” me anë të ligjit, që e detyron keqbërësin, vesaliun, vjedhësin, kodoshin, trafikantin e drogës, etj. të nënshtrohet me ndëshkim të rreptë, të ulë kokën e të nxjerrë mësimin e madh se ç’do të thotë shtet ligjor i përparuar, se ç’do të thotë të dish të jetosh për së mbari.

Andaj s’ka pse presidenti Makron të ndëshkojë Shqipërinë me mosçelje të negociatave për përfshirjen e Shqipërisë në Europë duke pretekstuar çështjen e azilkërkuesve shqiptarë dhe problemet që këta shkaktokan në shoqërinë franceze. Një shtet i fuqishëm ligjor vepron me korrektësi në kuadër të ligjeve në fuqi, të humanizmit dhe të një bote përherë e më shumë e globalizuar dhe e harmonizuar, sidomos në fushën e emigracionit, dhe nuk ka pse “imazhi i keq”, prapamendimi apo paragjykimi, sidomos për azilkërkuesit shqiptarë të mbisundojnë botkuptimin e përparuar shoqëror francez. “Dru të shtrembër”, si një dukuri e përgjithshme dhe aspak lokale, ka kudo në shoqëritë perëndimore, dhe fakti është se në vende të tilla si ato skandinave, apo në Zvicër, Austri, Kanada, Australi e Amerikë, ku e drejta dhe ligji veprojnë me forcën e duhur, diaspora shqiptare po jep shembull të shkëlqyer harmonie shoqërore, duke kapur madje edhe maja të larta në art, kulturë e sporte, në biznes, zeje dhe në shoqëri të fuqishme ndërtimore.

Tri herë Shqipëria është ndëshkuar historikisht ashpër nga Europa: gjatë kohës së lavdishme skënderbejane, kur qëndresën e saj njëçerekshekullore e pagoi me çmimin e rëndë të pesë shekujve robëri nën sundimin e perandorisë osmane, e braktisur dhe nën indiferentizmin e plotë të gjynahqares Europë që shihte hesapin e vet; gjatë Kongresit të Berlinit, kur Shqipërisë iu shkëputën tre të katërtat e trojeve historike të saj për pazare të pista diplomatike sipas interesave të Fuqive të mëdha; dhe më në fund, gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër, kur Shqipëria u katandis “kokoshi një thelë”, dhe linja klasike proserbe dhe progreke e primadonës franceze mbisundoi me frymë të ashpër kundër Shqipërisë.

Dhe ja ku sot, presidenti Makron del “në emër të popullit francez”, siç pretendon, me një veto “jo” kategorike, i pozicionuar kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë për pranim të saj në Bashkimin Europian, me një qëndrim e pretekst absurd ndaj emigracionit shqiptar dhe pikërisht në atë Francë që shqiptarët e kanë dashur në tërë kohërat dhe vazhdojnë ta duan me zemër të hapur. I pakuptimtë pra ky qëndrim i presidentit francez, apo thjesht një mëkat ndaj popullit shqiptar, në mos qoftë ndryshe tjetër gjë, një vazhdim i verbët i linjës klasike proserbe të Ke d’Ortsejit.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora